top of page

Tal Nitzan


Nga Gladiola Jorbus


Tal Nitzan - poetja dhe përkthyesja që kapërceu largësitë midis gjuhëve, epokave dhe kulturave


Pavarësisht jehonës së njëpasnjëshme të krijueseve femra, përsëri poetet dhe shkrimtaret duhet të sforcohen shumë që të gëzojnë një status në fushën e letrave.

Meqenëse figurat kryesore kanonike që studiohen në shkolla e universitete janë autorët meshkuj, ekuilibrimi i kësaj ‘anomalie’ mbetet një proces që pretendon ende shumë përpjekje dhe këmbëngulje.

Një autore e spikatur në nivel botëror që emocionon me zërin e saj sa të dhembshur aq dhe të ashpër, sa të përzemërt aq dhe ironik është izraelitja Tal Nitzan.

E lindur në Jaffa të Izraelit nga prindër me origjinë argjentinase, ajo ka botuar shtatë koleksione me poezi, dy romane dhe pesë libra për fëmijë. Poezitë e saj janë përkthyer në më shumë se njëzet gjuhë si gjermanisht, frëngjisht, anglisht, italisht, lituanisht, maqedonisht, portugalisht, spanjisht etj.

Ajo mban mbi supe më shumë se tetëdhjetë vepra të përkthyera, kryesisht nga spanjishtja (gjuha e fëmijërisë së poetes), madje Tal Nitzan konsiderohet përkthyesja më e mirënjohur e letërsisë hispanike në hebraisht.

Ndër autorët hispanikë të përkthyer prej saj mund të rendisim: Cervantes, Machado, García Lorca, Vallejo, Neruda, Borges, Paz, Hierro, Pizarnik, Cortázar, García Márquez, Vargas Llosa, Onetti, Fuentes, Bolaño; teksa ajo veçon Miguel Delibes-in dhe romanin e tij 'Shenjtorët e pafajshëm', si një vepër e spikatur humaniste dhe me një shtrirje universale që shkon përtej arritjeve letrare.

Autorja e shquar izraelite e konsideron letërsinë një letër që e tashmja ia dërgon së ardhmes. Poezitë e Tal Nitzan-it dallojnë për tematikat personale dhe intime, nën parimin se sa më individuale apo idiosinkratike të jetë poezia, aq më shumë mund të prekë ndjenjat, vetëdijen apo mbresat njerëzore.

Krijuesja Tal Nitzan ka guxuar dhe ka trajtuar në poezinë e saj tema si amësia, urrejtja, armiku, fëmijët, dashuria, protesta, e vërteta, punët e shtëpisë etj. Ajo ka përcjellë përmes prozodisë së poemave të saj, faktin se nuk ekziston një hierarki temash poetike dhe se cilësia e një poezie nuk varet absolutisht nga tema që lëvron.

Si poete e përkthyese, ajo përdor shtresat historike të hebraishtes, muzikalitetin e saj, aftësinë për koncizitet.

Perceptimi i rrokur nga poezia e Tal Nitzan-it është një përvojë emocionale, mendore, mallëngjyese, ëndërrimtare dhe politike. Lexuesi sqimatar përhumbet në përmbajtjen, formën, gjuhën, risitë artistike që ofrojnë vargjet e saj:

Natën u strehova në trupin tënd

si një fëmijë te luleshtrydhja.

S’dëgjoja tjetër veç frymëmarrjes sate.

E mbështetur tek ti nga koka te këmbët.


Në poezitë e Tal Nitzán-it, nuk mund të mos vësh re nuancat e gjuhës biblike apo tingulloritetin e së shkuarës në të tashmen moderne. Poezitë e saj kanë peshë, frymëzojnë dhe orientojnë vëmendjen e lexuesit drejt perspektivave të reja e befasuese.

Ajo ka marrë çmime të shumta letrare për punën e saj artistike. Si poete, Tal Nitzan është vlerësuar me:

Çmimi i letërsisë Harry Hershon i Universitetit Hebraik të Jeruzalemit.

Çmimi Rosario Castellanos.

Çmimi Gratë shkrimtare (1998).

Çmimi Poetë të rinj (2001).

Çmimi Vepra e parë (2002).

Çmimi ACUM për poezi të paraqitur në mënyrë anonime (2007).


Si përkthyese, ajo ka fituar:

Çmimi Krijimtaria në Përkthim (1995 dhe 2005).

Medalja e Nderit nga Presidenca e Kilit (2004).

Çmimi Tchernijovsky për përsosmëri në përkthim (2012).


Disa nga titujt e veprave të saj:

"Një pasdite e zakonshme" (2006).

"Café Soleil Bleu" (2007).

"E para për të harruar" (2009).

"E njëjta re dy herë" (2012) etj.

17 views0 comments

Commentaires


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page