-poezi-
PSHERËRËTIMË BJESHKE
HAPEKRAH NË SHKREL
Shpirti ka shtrirë krahët majave të Shkrelit
Sa larg dëgjohet kënga e poetit
Dhimbshëm ndjehet malli nëpër fjalë
Psherëtimave shkon si zë në vaji
Si në pasqyrë shoh poetin buzagaz e krenar
Azemi shëtit zemrës sime pandarë
E ngrihet si lapidar vetullave të zbardhura
Si përmallim dridhet flladi pishave n ‘muzg
Pa zhurmë këmbësh shëtis shpate, lugje
Maja të gjelbëruara qëndisur me shall të bardhë
Hapekrah qëndroj mes Shkrelit e Bogës
Shikimi tretet bukurisë së Rugovës
Në maje të Çakorrit ndal vrapin zemra
Përplaset në lotët e poetëve të vdekur
Si në shkëmbinj shekullorë të përgjakur
Gjaku shpejton ecjen damarëve pa cak
Deri në dhimbjen e ashtit
Rugovë moj
Bukuri e dhimbje të shkrira së bashku....
E NDIEJ ZËRIN TËND EDHE N’ ËNDËRR
Ëndërr e ndiej zërin tënd të harlisur
Atë dridhje toni të derdhur telave të zemrës sime
Si violinë e çakorduar, këputur kohësh
E ndiej prekjen e duarve tua të imta
Ata gishta të hollë e lëkurëbutë
Sa bukur miklojnë flokët e bardha e rrudhat në ballë...
Sa tmerrshëm i gëzohem zërit tënd të ëmbël
Dhimbshëm dridhesh rrëkesë së lotëve,
Që kurrë nuk u thanë
Malli e shtrydh gurin thonë
E sërish lot rrjedhin deri në çarje
Më bëhet se ndiej edhe përplasjen e buzëve tua
E lutjen e zjarrtë me dëshirë të më bart lart...
Një shikim i sertshëm sikur të shkriu
Si avull u trete rrugës për në Olimp
Pastaj e mëshirova veten
Jetoi e iki si e paparë
Në flakën e dashurisë së përmotshme
Shkëndija do bëhemi një ditë
Si një lapidar....
PËSHPËRIMA E NJË NATE ME SHI
Një natë e errët me shi e stuhi
Gjumin më trazoi etja e zjarrtë
Ndoshta ishte kall nënkresa ime
Apo një mall më kishte shkrumbuar natën
I tëri në shkumë isha shndërruar...
Me kovën e vjetër
Nxora ujë nga pusi i shembur kohe
Ngjante në hirin e vjetër, të lloçtë
Pusi ofshani dhimbshëm
Për etjen time të çmendur
Nuk është uji që të shuan etjen
Foli Ora e ujit nga thellësia
Janë lotët e ikur viteve
Nga gropë e syve në pritjen tënde
Një ushtimë n ‘ikje maleve dëgjova
Statujë zhgënjyese mbeta
Nuk e dija se ishte loti i saj
Jetë thneglash....
FLAKË KUJTIMESH...
Sa herë përfytyrimet të sjellin para bebëzave
Edhe poret e trupit tkurren nga malli
Eshkë për zjarr bëhet lëkura
Tym para flake ndej brenda....
Ti varros e ç varros çdo ditë dëshirat e kallura
N ‘flakën e të kaluarës së bërë shkrumb
Torturë ndien shpirti e zemra
E ti nuk bëhesh askund e gjallë....
E tinëz përgjon hapat e mi
Në pluhurin e harresës pikturë magjike
Ti e unë
Ishim një flakë që kalli jetën pa e parë
Një fllad nate në vorbullën e kujtimeve
I paharruar kurrë....
Bogë-Rugovë,
23.07.2024
Comments