top of page

TAHIR BEZHANI: NJË POETE QË ZBËRTHEN KOMPLEKSET E JETËS



LAURETA REXHA, NJË POETE QË ZBËRTHEN KOMPLEKSET E JETËS NË DIMENSIONE TË NDRYSHME

Libri “Verë me diell të djegur” një kambanë paralajmëruese  në cilësinë e vargut poetik.

 

Laureta Rexha :“ Verë me diell të djegur,” poezi, 2024, botoi ”Logos. A”  Shkup.

Para disa ditësh autorja me dhuroi librin “Verë me diell të djegur” me dedikim, të cilin e pranova me kënaqësi  dhe dëshirë për lexim. Këto ditë, sipas një “rregulli” të leximit me radhë të librave të miqve dhe mikeshave, krijues-e të artit poetik, lexova librin me një kënaqësi të veçantë, me që përafërsisht, njihja talentin e kësaj poeteje të re e me entuziazëm  prej krijueseje me talent të spikatur.

Shkrimtari i madh Kolen thotë: “Njeriu përbëhet nga gjërat që kanë kaluar, para se të arrijë aty”. Në këtë kuptim, dua të them se e njihja që moti familjen e poetes, prindërit intelektualë, gjyshi ishte një gojëtar me autoritet  odash, i fjalës së mirëfilltë, me brumin e traditës dhe  edukatës familjare. Prandaj, edhe kjo bimë nga trungu i traditës sonë kombëtare, do mbetet një vazhdimësi  me të gjitha mirësitë trashëguese e respekt, jo vetëm në  Rekën e Keqe, por në mbarë vendin.

 

Kush është Laureta Rexha?!

 

E lindur me 1993 në fshatin Dobrosh të Gjakovës, e brumosur me dije universitare, ka mbaruar Bachelor në Gjuhë dhe Letërsi Angleze në Universitetin e “Hasan Prishtina” ,dega në Gjakovë, ku ka vazhduar me Master në letërsi Angleze . Merret me përkthim të poezive dhe hulumtimeve të ndryshme  letrare e shkencore. Autore e katër veprave letrare me poezi.

Libri poetik “Verë me diell të djegur,” botuar në vitin e kaluar, është një libër poetik me vlera të  veçanta, ku vargjet e poetes të drejtojnë në shumësinë e këndvështrimeve jetësore. Nga  ku jeta ka burimin në rrjedhat e normale, pastaj teksa degëzohen përplasjet  e valëve të jetës, në  shtratin me shumë dredha e me sakrifica për ekzistencë

Intuita e poetes depërton deri në thellësi shpirti, atje ku syri shikon thellësitë dhe zemra dëgjon dhimbjet, duke gjurmuar e shijuar gjithë koloritin e jetës, atë plazmë dedikuese  ku përplasen emocionet e brendshme njerëzore, për të mësuar e kalitur strategjinë e një rrugëtimi me plot  sfida.



Autorja e librit, Laureta Rexha që në poezinë e parë, ”Rrethimi”, plas cipën e durimit mbërthyer me vargje alternative, mes dashurisë për vendin, ”ku me lule jam rrethuar” dhe pakënaqësisë së ecurive jetësore, ”nën këmishë të gjatë, të zezë/vetja ime ka zënë vend thellë diku në mua,” dhe guximit për të arritur atje ku synon imagjinata e saj, në emancipimin e kuptimplotë të femrës shqiptare si domosdoshmëri kohe.

Prandaj e mbyll mendimin me vargjet “ Dhe në një udhëtim të shkurtër/ Një premtim shumë kohë më parë asaj ja pata dhënë/Prandaj vetja ime asnjëherë nuk më ka lënë!

Guximi, durimi e vetëdija janë tipare që mbartin kohën në vargjet e poetes Laureta Rexha. Këtë qëndrim autorja e mban edhe në poezinë “Aromë Lulesh”, duke u përpjekur që ta korrigjojë veten në rrugëtimin e saj, shkruan: ”Kalimi nëpër stinë të jetës/athua më kishte pjekur a venitur!..

Një tjetër poezi nga libri “Vargje me diell të djegur,” ku poetja i rikthehet të kaluarës së saj  me nostalgji , plot krenari për arritjen në dyert e dijes universitare, në atë metropol të universit të dijes . Këtë emocion nostalgjik e lexojmë në poezinë  mjaft të ndjeshme, ”Vajza me xhaketë të kuqe ”,ku pos tjerash vargëzon:

Do të jam prapë ajo/vajza me xhaketë të kuqe/që vrapon stacionesh/që ëndërron për jetën/ajo vajzë nuk ka frikë për asgjë.” 

Padyshim, një guxim dhe vetëbesim në vetveten, për femrën shqiptare, për kohën e re  dhe emancipimin e gjinisë femërore në vendin tonë. Një guxim në ecje përpara si shoqëri njerëzore, për t’u futur në rrjedhat e botës përparimtare .

E ngjashme, akoma më brilante është poezia “Këto vajza” përmes së cilës nxjerr krahasimet kohore dikur dhe sot, kur emancipimi i femrës ka arritur kulmin e përparimit njerëzorë.

“Toka ime,” një poezi e denjë ku vargjet rrjedhin spontanisht si një “betim” imanent ndaj vendit, ndaj atdheut posaçërisht në vargjet e fundit:

 ” Do të shkruaj në tokën time/Në atë vetëdije/Derisa me Tokë të bëhem një”.

Përcaktimi i saj ideor për atdheun e kombin, ka vlerën e  padiskutueshme për autoren  Laureta Rexha, është çelësi i çdo lëvizje hapësinore, gjë që poeten dhe poezitë e saj e bëjnë të qëndrueshme e të respektuar.

Duke hedhur mendimin vështrues në gjitha poezitë e librit “Verë me diell të djegur”  të autores Laureta Rexha, nuk mund të kalohet pa dhënë  mendimin personal mbi përcaktimet filozofike të ngjeshura brenda botësisë personale të autores; ose çfarë i paraprin asaj në synimet e saja jetësore.

Megjithëse autorja është në hapat e parë të krijimtarisë poetiko-letrare e kjo nuk do të thotë se nuk do ndryshojë qëndrimet, vlerësimet mbi jetën e tjera gjëra që imponohen  me kohën, dua të cek se në këtë libër, por edhe në dy të mëparshmet, temë bosht e qëndrimit e drejtimit të  filozofisë jetësore është besimi në Zot. Qëndrimi ndaj shpirtit dhe qëndrimi ndaj materies janë tema të filozofisë së kahershme dhe e drejtë e secilit njeri në rruzullin tokësor.

Në poezinë mjaft përmbajtësore, “Përse nuk e kam të vështirë të jem e fortë,” poetja shpreh gjithë egon e saj ndaj botës që e rrethon nga brenda e jashtë vetes. Vetëm tek ai besim autorja gjen çerdhen e qetësisë se saj shpirtërore. Sa e qetë ndihet shpirtërisht me vargjet e saja kur shkruan:

Jam mësuar me qetësinë/ Me paqen brenda vetës/ Dhe me një mbretëri shpirtërore/ Që ngritët e forcohet vazhdimisht /Nuk ka qenë çdoherë kështu/ Që stinët që ndryshojnë/ dalëngadalë u bëra gur? As dhimbja shumë nuk më dhemb /Nga ajo ditë /Të jem e fortë nuk e kam problem”.

Mendoj se një portretizim ndaj besimit në Zot paraqet atë plebishitin personal se çeshtja e materies është shpenzuese, ndërsa aspekti shpirtëror si i pavdekshëm.Në këtë prizëm i kuptoj dhe vlerësoj disa poezi të autores nga libri në fjalë.

Libri poetik “Verë me diell të djegur” i autores Laureta  Rexha, ka vlerat e padiskutueshme në çdo aspekt letrar, duke u nisur nga  gjuha, stili, komponimi i vargnimit, stili si individualiteti përcaktues e autorial e shumë elemente tjera të qëndrueshme. Pra, ky libër është edhe një pasuri në sfondin poetik të poezisë shqipe, një pasuri në bibliotekat tona.

 

 

Gjakovë,7prill,2024

 

 

 

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page