top of page

Tahir Bezhani: Libri poetik, “Simfonia e Stinëve”





VALËZIM I KËNDSHËM  POETIK  MES SFIDAVE TË JETËS .

Vështrim libri: Libri poetik, “Simfonia e Stinëve”, një  libër  bukur  i baraspeshuar me sfidat e kohës.

Hyrë H. Fazlija: “Simfonia e Stinëve”, poezi, botoi “Fidani” Prizren,2024


      “Lëri kohës kohë, për të zhveshur kohën e mendimeve të mia....”

                                                                              ( Autorja)

Krijuesja e kahmotshme me libër të ri, znj. Hyrë Fazlija, më në fund përmblodhi gjithë sfondin e saj poetik dhe  doli me librin e kompletuar poetik me titull  joshës,   që lexuesit i premton edhe  shumë të tjerë “Simfonia e stinëve”.

Një libër  me gërshetime të thukëta poetike, shikuar nga thellësia dhe gjerësia e shtrirjes tematike e  hapësinore ,të lë përshtypjen se autorja e librit ka njohuri e dije solide në  ndërtimin e vargut poetik ,duke sjellë emocione e ndjenjë ngrohtësie.

Kjo vlerë nuk paraqet befasi nga se autorja vjen nga  profili i arsimit, edukatore disavjeçare nëpër shkolla të ndryshme fillore e të mesme, si në atë “Fan Noli” në Dujakë, Dobrigje, dhe së fundmi, kryen funksionin e drejtoreshës në  SHFMU “Rilindja” në Dobrigje. Kjo hyrje  profilizon personalitetin  transformues e intelektual të një femre shqiptare në rrethana të kohës që  kalon shoqëria jonë. Shembuj të tillë shtojnë krenarinë e ecjes kah e mbara e gjinisë femërore në mesin tonë.

Si t’i qasemi leximit të vargut poetik në librin “Simfonia e stinëve “, kur autorja ka një shkapërderdhje mendimesh në subjektin e saj poetik, duke u përpjekur që asgjë mos t’i kalojë pa e parë, pa e shijuar,  pa u ndalë e gjykuar, e pastaj të japë  këndvështrimin logjik të rrjedhës frymëzuese, herë- herë  kozmografik. Në këtë  “sprovë” futet lexuesi tek poezia në  fq.21 të librit, ”Të të rrëfehem vetëm pak, hënë....”:

“Unë kam lindur në vjeshtë/kur gjethet vareshin në sy.../për të jetuar vetëm në një stinë/të kam lënë zgjuar, Hënë/të kam ngrënë  në çdo darkë/ta kam vjedhur shkëlqimin/më është dashur për vargjet/kam matur hijen time deri tek ti/t’i bëja fole shpresës e kapërdinim me dhëmbë....”

Në këtë poezi të gjatë, vërejmë diapazonin e njohurive të autores dhe shkathtësinë e përdorimit të metaforave poetike, një portretizim poetik të intimes personale para objekteve këndvështruese, ku imagjinata e pasur, vë në lëvizje emocionet e dalldisura, te valëta nga thellësia e shpirtit ,gjithandej botës imagjinare deri ne infinitiv.

Ndërsa tek poezia “Grua” poetja Hyrë Fazlija, me mprehtësi  vë në spikamë gruan dhe rolin e saj, funksionin shoqëror, vuajtjet e pësuara, por edhe qëndresën e karaktershme si mesazh dhe obligimi i të qenurit grua-nanë. Disa vargje nga kjo poezi arsyetojnë të thënat e lartcekura kur lexojmë:

” Grua që natën mban në duar, zgjuar/frymorin, frymuar, jetuar.../grua lotin e ngrin në qepallë/kur shpirti do të dalë..../grua që veshësh në behar/ngrihesh në Acar.../Grua, aq shumë e ëndërruar,/nga të gjithë e dashuruar...”

Vargjet e lartcekura dëshmojnë aftësinë e poetes Hyrë Fazlija për të formuar mozaikun e ideve  krijuese me qëllimin që të shfaqë mendimet mbi fenomenin përcaktues, i cili i rri si peshë mbi shpirtin e paqetësuar poetik.

Te poetja Hyrë Fazlija,  përmes vargjeve të saj, hetohet një gjendje e parehatisë emocionale që në vazhdimësi e prek thellësive të shpirtit e ndjenjave personale.  Zaten, një situatë të ngjashme iu përket të gjithë krijuesve,  në forma e mënyra të ndryshme, por tek poetja Hyrë Fazlija,  dhimbja vjen si një vlerë e thelluar brenda qenies njerëzore,  të karakterit emocional, ku spikat sinqeriteti i të përjetuarit të një ngjarje të hidhur.

Këtë peshë dhimbje e gjejmë te veçuar në poezinë “Te ka ndodhur”. Lexojmë disa vargje tejet brilante, ku autorja, ia shtron një mori pyetjesh vetes, lexuesit, me vetëdije të lartë, për ta ndarë një moment, një dhimbje, një përjetim edhe  me të tjerët. Këtu dallohet universaliteti e mendimit bashkohor të autores, duke u nisur nga e përveçmja në të përgjithshmen.

“ A të ka ndodhur të zien shpirti/si uji i valuar kur gatuan bukë misri/Të ka ndodhur të mbushen sytë me lot??të ndalosh zërin e shterur ,dhe,/t’ua lakosh udhën për tek buzët.../Të ka ndodhur të qash dhe t ‘mos  të  rrjedhin lotët?/ Të ka ndodhur të jesh e vdekur dhe të jetosh? ( Më mëso të jetoj ndryshe!.)”

Thuhet se jeta është luftë dhe për të luftuar për jetën, patjetër se kalohet përmes shumë sfidave, provave nga të cilat njeriu, detyrimisht duhet të mësojë “lojën” e jetës dhe të mbijetojë përballë çdo vështirësie. Poezia “Te ka ndodhur” e poetes Hyrë Fazlija, jo vetëm se ka një gamë të zgjeruar të filozofisë së jetës, por dedikon si një komponent durimin, mosdorëzimin në vështirësi, si filozofi jete në përgjithësi. Poezia në fjalë përmban ajkën e librit poetik “Simfonia e stinëve”, të poetes Hyrë Fazlija.

Në tërësinë e librit të saj, lexuesi gjen kënaqësinë e paraqitjes së temave të  gjithanshme,  adresuar me përvojën e saj njerëzore, si synime të një madhështie personale e intelektuale, ku reflektohet ndjenja e sinqertë në aspektin personal familjar e shoqëror.

Autorja në krijimtarinë e vet, si idhull, ka familjen, të cilës iu përkushtohet me vargje të valëta, si vëllait, motrës, nënës etj.

 Në poezinë  “Për vëllain”,vargjet e fundit janë të zjarrta dhe përmbajnë konotacionin elegjiak duke iu drejtuar vëllait:

” Ke ngrënë bukë , vëlla?/Ti që digjesh deri në pafundësi?/Unë jam motra.../Jam motra që vdes ngadalë që të jetosh ti!”...


Ngjashëm, me një urtësi magjepsese, në njërën nga poezitë më të ndjeshme, i drejtohet motrës, me të cilën dëshiron bisedë të gjatë, dialog për udhëtimet jetësore, sakrificat, modalitetet e jetës. Një trajtim të tillë poetik të temës familjare, (mes dy motrave) nuk e kam lexuar dikund tjetër. Këto lloje trajtesash, nxjerrin në pah talentin e prekshëm të poetes Hyrë Fazlija, për t’u marrë me tema akoma më serioze.

Autorja e librit, si shumë krijues e poetë të tjerë, ”lëngon “nga vetmia, ajo shurdhmemece jete që ngacmon frymëzimin poetik në mënyrë permanente. Poezia “Acar janari” determinon përjetimin e një momenti kur njeriu ndihet i vetëm dhe emocionet e shtrëngojnë deri në pëlcitje vargu poeten:

 “ Ftohtë!/Sa shpirti ngrinë nga dhimbja/dhe dhemb fjala e pathënë/se aty copë është bërë malli/fjalët nuk thonë/ngrinë buzët e plasaritura/në natën pa gjumë!”

Poetja Hyrë Fazlija, me intuitën e saj krijuese, ia del për mrekulli të dalë nga situata kur e rëndojnë mendimet e vetmisë e tjera të ngjashme.

Si një vetëtimë mendimet i fluturojnë tek ndjenjat intime te dashurisë ,duke kaluar në përfytyrime emocionale. Te poezia “Vrull” ekspozohet më së bukuri ekstaza shpirtërore e poetes, kur frymëzimi e dalldis rrezeve të dashurisë dhe shkruan:

“Si vullkan do doja/t’ shpërtheja vajshëm  n ‘ty/të dënesja deri në pikën e fundit të lotit/t’ futem në çatinë e zemrës sate/e t’ vendos piken mbi ballë/pastaj t ‘klithë në presje fjalësh/ku gërryhet shpirti/n ‘gushen tënde t ‘ngjyej zërin tim/si Anita me Gorin”.

Metamorfoza e dashurisë në rrugëtimin intim paraqet një sekuencë të veçantë të luftës psikologjike, në rrjedhat e kohës plot mundime.E pa dashuri nuk imagjinohet rrugëtimi në botën njerëzore.  Ajo është energjia  që ngroh boten njerëzore ,boshti që vë në lëvizje çdo gjë  në vazhdimësi.

Për librin “Simfonia e Stinëve” të autores Hyrë H.Fazlija, lexuesi mund të gjejë edhe shumë elementë të tjerë, tema të cilat zgjojnë kureshtje e shije leximi.

Me që për autoren është libri i parë si botim i kompletuar, më mban shpresa se autorja, ne vazhdimin e krijimtarisë, do e ngrejë nivelin  poetik.


Gjakovë, Nëntor 2024

47 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page