top of page

Tahir Bezhani: dy poezi



 

 

 

    Në varret e fshatit tim...

 

Kur trazohet malli  dejeve të zemrës

E  era fryn me aromë blini

Më kaplon papritur mallëngjimi

Ndalem ku pushon zemra e shpirti

Mbi varrin e nanës e të babës

Sytë  shpërlahen në pellg lotësh

Shoh portretin e babës  në kohë

Me buzëqeshjen e djegur  të syve

I shtangur qëndroj  n’ kujtime

Si i humburi  në mes dallgësh

Si t’i ndal kujtimet e çmendura

E lotin  që rrëshqet  në barin e tharë

Si pëshpërimë zëra nga nëntoka

Një vaj  si në kullë dikur

Kur nana tinëz qante

E digjej  nga malli në shkrumb

Për Zogajt të Malësisë zgavër shpirti

Ku kumbon trishtueshëm malli...

Në mermer  lulet e babës

Kris shpirti në ofshamë

Dëgjoj hapat e tij të ngadaltë

E  gishtat e dorës n ‘dru të fyellit

Kur formojnë melodi të rralla

Mbytur në vals dhimbje...

Sytë më janë ngrirë në kujtime

Në fytyra të banorëve të ikur

Dhimbjeve të përmotshme

Rri në heshtje , guri n ‘errësirë

Në vetminë e ngujuar  buzët flasin

Me portretin e tij ballë meje

Ai ngrihet një çast në thellësinë time

Dua përqafime, dua puthjen tënde

Oh sa mallë kam në zemër, sa zjarr

Gacave të mallit që lënë pas aromë...

Në varret e fshatit tim, gjaku im

U përulem të gjithëve me radhë

Në zemër i mbaj gjithmonë

Të mbështjellë në kujtime

Si medaljon...

 

                

        Vapë  brenda....

                   

    Shpirt i lodhur nga trysni  vape

     Brenda lëkure dridhet  jeta

     Rri strehuar skutave të   errëta

     Mushkëritë frymojnë rëndë

     E zemra pulson fort

     Hapat e galaktikës tallen n ‘lojën e marrë

     Frika lahet   shtratit të qullur

      Krevati këndon  këngë stine përvëluese

      Kori xhinkallave  heq valle n ‘brekushe

      Pinë uji në pellgje  djersësh

      Lodhja përgjon dihatjet

      Këndeve të lidhura nyje

      Në heshtjen e djegur shpresash

      Udhëtojnë mendimet pandalë

         Deri te dimrat e mëdhenj rrugëtojnë

         Duke menduar akujt e gjatë  dikur

         Strehëve të kullave zvarrë

          Një e rrëqethur trupin përshkoi

          Sa  mërdhijë në mes kësaj vape

          Vetëm ata dimri kur i kujtoj......

 

Qërshorë,2024

 

11 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page