
Dua të dehem
Të pi një- dy-tre-katër dopio raki
Të shkrij trupin e mërdhirë
Në heshtjen e natës memece
Në shkretinën e ditës përvëluese
Nuk di të këndoj pa qenë i dehur
As të vallëzoj nuk di
E as të qeshi, më pak të qaj
Nuk dashuroj pa trazimin e shpirtit
Pa zjarrin brenda nuk shkrihet akulli
Dashuria do miq e mikesha të ndezta
T’i kesh pranë vetës, jo në largësi
Ndonëse nuk flasin as nga afër....
Shpesh dëshiroj të rebelohem
Të bëhem furtunë vjeshte
Shpirti të përplaset me vargjet e zjarrta
Të jam një dikush tjetër rrugëve të eterit
Nuk mundem, nuk di pa u dehur
I nënshtrohem ndrydhjes së vargut bonjak
Kur shoqërohet me lotin si gur bjeshke
Nxjerr nga brenda dhimbjen e ashtit
Shikoj i qetë rreth e rrotull, mendoj
Kënaqësi apo mjerim kjo kohë shterpë!....
Në buzëqeshje të vajshëme përkundem
Ditës nuk i them lamtumirë
Kohë të tjera do vijnë rrugëve të gjata...
Takohemi n’andrrat e zhgjëndërrave të tretura
Përqafimeve të përmallta valëve të jetës
Ngrirë në kokërdhokët e ballit të rrudhur
Si hije malli.....
Nëntor,2024
HAPAT QË NUK LËVIZIN....
Ditë me shi,e ftohtë ,mërdhin
Në këtë mesvjeshtë të sertë
Eci rrugëve të qytetit tim
Numëroj hapat që nuk lëvizin
Sytë e stepur vitrinave përplot
Aty afër një skamnor ulur në kartuç
Me duar të zgjatura lëmoshe
Me lot ndër sy ngrirë nga i ftohti
Refreni i përsëritshëm “ Të ndihmoftë Zoti!...”
Me dorën e zgjatur, të qullur
Era luan me flokët e zbardhura
Teket e erës rrëmbimthi
Më “vodhën” kapelën nga koka
Ia “fali” vogëlushit ulur buzë rrugës
Me lotët e ngrirë shikoj nga unë
Hoqa xhupin e veshur, e mbështolla
Vajta në çerdhën time plot dridhje
Vogëlushi zbathur buzë rruge më shikonte
Më shoqëroj ajo pamje tërë natën.....
Gjakovë,
Nëntor,2024
Comentarios