Vangjush Saro
Bisedë*
Rastësisht, pashë disa pyetje të Provimit të Maturës në lëndën Gjuhë Shqipe dhe Letërsi (të një viti më parë, apo diku aty). Duhej të rrija gjatë po të merresha me gabimet drejtshkrimore dhe mungesat e tjera të atij teksti, ndaj po ndalem vetëm në njërën nga pyetjet, që kishte të bënte me Kritikën Letrare. Kjo më dha rastin t’i kthehem edhe njëherë kësaj nënteme, që ka shumë rëndësi për sa i takon mjedisit të Letrave Shqip. Në atë shënim, jepej një shpjegim; dhe ja ç’thuhej aty pjesërisht: “Sot, kritikët letrar(ë) më të njohur janë: Rexhep Qosja, Razi Brahimi, Ali Aliu, Adriatik Kallulli, Hasan Mekuli, Ibrahim Rugova, Klara Kodra, Dhimitër Shuteriqi, Xhemajl Mustafa, Diana Çuli e shumë të tjerë.” (Prapashtesën ‘ë’ të shumësit (në kllapa) e kam shtuar unë, nuk ishte në tekst.)
Ani. Po qasem tani me shpjegimet dhe komentet e mia. Dhimitër Shuteriqi është një shkrimtar i viteve ‘50 e më këtej, që u muar edhe me studime dhe antologji. Kaq. Nuk ka të bëjë fare me rrethanorin ‘Sot’. Pastaj, ç’kërkon D. Çuli (e kudondodhur) në listën e kritikëve letrarë? Dhe për më keq, ku janë: Arshi Pipa, Jorgo Bulo, Dalan Shapllo, Jakup Mato, Kudret Velça, Xhezair Abazi, etj. Ç’kohë po jetojmë kështu?! Ndër kritikët më të njohur sot janë Josif Papagjoni, Fatmir Terziu dhe Behar Gjoka. Me libra, jo me shkrime tek-tuk. Një ndër kritikët letrarë dhe njohësit më të mirë të letërsisë sot është Ymer Çiraku. Kështu do të përmendja edhe Piro Loli, etj. (Ndoshta do të rendisja diku edhe veten, pas aq shumë shënimeve letrare të botuara në gazeta e në rrjete. Testi në fjalë, edhe më përmend për shënimin letrar për një autor të njohur Kosovar, edhe s’më ‘sajdis’ kur vjen fjala për… listën, anipse s’jam keq për atë).
Po marr hua një thënie të kritikut letrar amerikan Harold Blum - për momentin një ndër etalonet e mendimit letrar dhe estetik - duke shpresuar të nënkuptohet metonimia shkrimtar/kritik letrar: “Nëse lista e shkrimtarëve i ndihmon lexuesit, unë jam mbrojtës i saj. Por siç dihet, çdo listë është e mangët…” Kështu vërtet, mund të jetë e mangët (edhe lista e Kritikëve Letrarë). Por jo kaq e thatë, kaq e rreckosur, pa le që edhe e gabuar.
Mirë. Tani, që të kthehem te ndajfolja ‘rastësisht’ e duke marrë me mend se sa të tilla (teste, shkrime, ‘studime’) nuk arrijmë t’i lexojme, a nuk më thua ti, o nëpunës i Ministrisë (Zot, ç’fjalë e madhe!) ku rron ti? Çfarë lexon ti? Si e ‘vjel’ informacionin? Si, more qyqar, shpik ti ‘kritikë letrarë’ së koti dhe harron ata që janë të tillë realisht? Po drejtori yt çfarë lexon? Po zv/Ministri yt? Nuk po shkoj më lart se edhe më keq bëhet situata…
Dhe për t’i shmangur ato e për të shkruar dhe vulosur të vërtetën, informacionin e plotë, atë të duhurin, le të ndalemi me seriozitet, sa herë e lyp nevoja, ne si individë, të këtij profesioni apo jo, ashtu edhe vetë institucionet.
……………………………………………………………..
*Nga cikli “Ringritja e institucioneve”.
Comments