top of page

SULO ZENEL GRESHICA


Faslli Canaj

Dërgoi Sulltani taborë

Mallakastrën ta nënshtrojë.

- Kush s’ më bindet e rrafshoj,

Hi e pluhur nën patkonj,

Kodrat shkrumbi t’i mbulojë.

Pashallarët përmbi kuaj,                   

Gjokset fryrë, gradarënduar:

- Do ua shkulim dhëmballë, dhëmbë,

Do ta rrjepim gjallë çdokënd,

Mish e kocka ushqejmë qentë.

Do bëjmë malet që të ngjethen,

Lumenjtë vetëm gjak të rrjedhin,

Kodrat me korba do veshim,                       

Përrenjtë zalltharë le të mbesin,

Në brinja thyejnë kokën breshkat.

Në Greshicë taborët rënë,

Re të zezë, dielli zënë,

Mbetur gjinkallat pa këngë,

Zogjtë pa çerdhe drurët lënë,

Tym e mjegull nëpër këmbë.

- Do t’ju grijmë, bluajmë në mokra

S’ratë në gjunjë, fluturon koka,

Thatë një fjalë, flakë ndizet toka,              

Shkëmbinjtë i thërrmojmë në copa

Rrafshojmë kodrat, kthejmë në gropa.

Të uritur, ujq, kope:

- Sulltani është diell mbi dhe,

Hija e tij jemi ne.

Nesër dita pa  zbardh mirë

Xhelepet te jenë bërë stivë.                      

Kur  të ketë dy hosten diell,

Nga çdo derë duam dash në hell,

Kush s’ka dash vashën të sjellë,

Pashallarëve t’u bëjë nder

O, sinisë, koka e prerë!

 ***

Luajti legjenda nga varri

Gjergj Elez Alia ngjallet.

Gjergj  Elez, Sulo Greshica:

- Prisni,- tha, - të bjerë drita!

Prisni, prisni të lind dita,

Të mësoni se ç’është pritja!

Këto kodra shkëmbinj, brigje,

S’durojnë korbat, veç bilbilat.

Bilbilat me zë të rrallë,

Në zemër si gjaku ruajnë,

Korbave as vend për varr

Dhe jo më të durojmë krrau - krrau.

Suferinë rendi burri,

Shtigjet mbylli, prita zuri,

Lakun tek gryka ua vuri.

Sup më sup si gurë tek muri

Nga m’i vogli tek më burri.

- Pashallarë, o ju të mjerë,

Donit dash, vashë nga çdo derë?!

Njihe mirë Sulo Zenel,  

Ballin lulëkuqe ta mbjellë,

Gjoksit thur shpata tegel,

Një nga një brinjët t’i shqyej,

Fije -fije zorrët të nder,

Si purteka pastaj thyej,

Mëlçinë me kripë do ta ngjyej,

Zemrën në meze ta kthej.

Në këto kodra brigje-brigje,

Ushtarët do t’i bëj stiva.

Kthe taborët prej nga kanë ardhë,

Sulo Zeneli unë jam,

Në vend duarve, kam dy armë,

Një teh shpate thur gajtan,

Një dyfek lidhur me gjalmë

Të qëndis lule në ballë.

Tri ditë e tri net me radhë

Mur kështjelle greshicarë,

Turqve u shtrënguan litarë,

Një shteg  hapur nuk u lanë.

Gratë krah burrave qëndruan,

Kush mpreh shpatë, kush armën mbush,

Kush me ujë u freskon buzë.

Mblidhej laku, gogël, nyje,

Nata pus, fshehur yjet,

Fëshfërimat prenë korijet,

Vetëm krojet rridhnin këngë,

Jashtë rrethimit ato lënë.

Gratë në kamp shkuan në puse,                         

Derdhën helm me dy grushtet.

Etur, ujë kush piu një gllënjkë,

Mbetur pa frymë, thes në vend.

Pjekur buza, mish në prush,

Brenda gjoksi flakë u mbush,

Kush prej tyre mbeti gjallë,

Ulërinte anembanë.

Hej, Sulltan, njih mirë Greshicën!

Mallakastrën mbledh të gjithën,

Dhe si mal ua bën varricën,

Me gërshërë ua qeth krejt mishin,

E dimë mirë me ç’t’iu gostitim. 

Si veriu që frynë e shfrynë,

Kapedanët përreth mbërrijnë

Një me zërin bubullimë,

Zenel Xhafua vetëtimë,

Lulo Qorri suferinë,

Orhan Bardhaj sokëllimë,

Turqit s’gjejnë, të futen, vrimë.

“Dil o Lumi Vlorës-o,

Dil se do dalim-o,

Të mëdhenj të vegjël-o,

Kemi hall me turkun-o,

Na kërkon xhelepet-o.

Xhelepe, tymjake s’ka,

Është vendi fukara,

Jetojmë me lakëra,

Tri shtëpi me një ka.”

Mblidhen trimat, lule djali,

Tym e flakë kodrat marrin,

Buçet kënga, stuhi mali,

Ftojnë lebër, Rrapo Hekalin,

Jo për vete, për vatanin,

Ta qërojmë qelbës çibanin.

Këput copa frerët kali:

- Lumi i Vjosës valët ndali,

Na kërkon të gjithë vatani,

Ta  dijë mirë Stamboll Sulltani

Përgjigjen që jep shqiptari.

Rrapua me të tijtë mbërrin,                      

Labët krah për krah i rrinë,

Tartar Memushi u prinë.

Që nga Vjosa, gjer Sinjë

Lëviz vendit, mal e brinjë,

Shpatat tehun vetëtimë,

Kosit turqit, lakra grinë.

Rrapua, Sulua sokëllijnë:                         

- Ju, të paktët, mbetur gjallë,

Nga sytë këmbët sa më parë

Malit dielli sa pa dalë,

Ndryshe drita n’u zëntë zgjuar

S’kini kurrë dritë për të shikuar.

Mallkastra, nure-nure,

Turkun me rrënjë e shkule,

Ca si zogj në grackë i zure,

Ca hajdut qelbur poturet,

Ia mbathën në një dredh udhe,

Shteg pas shtegu i përzure,                      

Sulltaniadën nën këmbë vure.

Trim mbi trim, Sulo Greshica,

Një pasha mbërtheu nga gryka:

Në Qafë Sinjë, nxori e tha:

- Shih këto kodra, o pasha,

Të mësoi Sulltanit diçka

Se këto kodra shkëmbinj-brigje

Ta dijë mirë, kanë ca ligje,

Preke nder, mishi të grihet.

Dhe tani dëgjo, Sulltan, 

Mallakastra  anembanë

Dhuratë po të çon pashanë

Për xhelep e për tymjak,

Copat prerë merr si dhuratë!

Shpatën nxjerrë kungull e çanë

Fije-fije zorrët ndanë.

- Para bijë çlirojmë Berat.

Dhe në ndodhtë që me shpatë vdes

Po ju lë një amanet,

Gruaja shtatzënë, fëmijë pret,

Do lind djalë si unë jam vet,

Emrin tim le të ketë,

Gjallë për brezat le të mbes!

Thonë, legjenda, prapë u ngjallë

Sulon, Gjergj Elez e panë.

Balozi doli nga deti,

Tre vjet erë e kërmës mbeti,

Pashai zbriti që nga mali,

Erë e kërmës tre vjet s’ndali,

Qelbi, Stamboll dhe Sulltanin.

Thanë legjenda prapë u ngjallë,

Thanë lëvizi një pllakë varr,              

Thanë u ngrit Gjergji prapë,

Thanë e ç’ s’thanë turqit e marrë.

A qe Sulua, legjendë vallë?!

Jo e jo, veç trim i gjallë

Shqyen sytë kur  e panë

Kur nga flakët u përvëluan,

As Allahu s’ndihu, thanë.

***

Nëpër kodrat brigje-brigje,

Buron kënga thellë nga vitet:

“O ju gratë nga Greshica,

Bëfshi djem, nga përdita!”

           1977-2020

49 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page