top of page

SULEJMAN MATO: “QENTË”



 

(vetëm novela)

NOVELA “QENTË” E SULEJMAN MATOS

 

Qentë


Atë vit pati bërë një dimër i keq, i ashpër, me fërtymë malore. Nuk mjaftonin ngricat, pllakosi dhe një varfëri e madhe. Ujqërit e uritur kishin zbritur disa herë gjer në fshat. Në mal bënin kërdinë mbi kopetë e pambrojtura. Fshatarët që kishin fëmijët në qytet, në heshtje dhe pa lajmëruar askënd, një nga një, nisën të largoheshin nga fshati. Nuk kuptohej mire se çfarë ngutje ishte ajo, çfarë i nguste fshatarët aq shumë sa të iknin me aq nxitim pa u përshëndetur me fqinjët e pa u lënë në përkujdesje qentë, gomarët dhe macet. Ujqërit kishin zbritur poshtë. Ulërimat e tyre dëgjoheshin si t’i kishin te pragu i derës. U përhap lajmi nxitimthi se në fshatrat përreth, një ujk i tërbuar ishte futur në kopenë e Bilbil Çelës, kishte bërë kërdinë. Dy ditë më vonë po ai ujk, i shoqëruar nga një lukuni ujqërish të tjerë, ishte futur në nomenë e Taro Abazit, valltarit të famshëm popullor, dhe i kishte shqyer tri kokë dele. Ishte një natë e ftohtë, me një Hënë të madhe, me ndriçim argjendi. Sa dëgjoi lehjen e qenve, Taroja kishte dalë nga banesa me biçak në dorë. Burrë dyzetvjeçar. I fortë si panjë mali. Ujku i tërbuar kishte lënë një dele të kafshuar dhe i kishte kërcyer në fyt. Një luftë e gjatë dhe e përgjakshme nga e cila nuk kishte dalë askush fitimtar. Ujkun e tërbuar e të përgjakur e kishin lënë në mal, Taron e zbritën në fshat me barelë, më pas e hipën në karrocerinë e një shevroleti për ta çuar në spitalin e Komunës. Thoshin se gjatë gjithë rrugës Taroja nuk rënkonte, por angullinte si ujk. “Uuuu! Uuuu!”Pa mbërritur në spital kishte dhënë shpirt. Fshati dikur kishte pasur 250 shtëpi. Pas ndryshimeve demokratike, nuk kishin mbetur as tetëdhjetë shtëpi. Tani vetëm dhjetë shtëpi nxirrnin tym. Ajo që i kishte alarmuar më tepër e që shumë familje kishin lënë laçkë e plaçkë e kishin ikur, sikur t’i kishte ndjekur nga pas gjermani , ishte një natë e mallkuar, kur ujqërit e organizuar si në një betejë për jetë a vdekje, kishin vendosur të sulmonin fshatin. Kishin zbritur nga mali gjer te shtëpitë e para të fshatit. Ishte një lukuni ujqërish. Thoshin se, midis tyre kishte pasur dhe një ujk të tërbuar. Çobanët i njihnin ujqërit e tërbuar nga lloji i ulërimës. Lëshonin një angullimë të zgjatur si një kujë gruaje. Atë natë askush nuk guxoi të zgjidhte qenin e vet nga zinxhirët. Brenda shtëpive të tyre dëgjonin ulërimat e kafshëve të uritura të pyllit. Do të bënin ca zhurmë rreth shtëpive, do lodheshin e do ngjiteshin sërish në pyll. Të nesërmen nuk u dukën më. As të pasnesërmen. Kush e dinte ç’u thoshte mendja. Një ditë do t’ia behnin sërish, më agresivë , më të uritur se dy-tri ditë më parë, dhe më të vendosur për sigurimin e ushqimit të tyre. Kjo gjë duhej gjykuar seriozisht. Shumica e atyre që kishin mbetur në fshat ishin pleq, që nuk kishin pasur mundësi të iknin më parë nga fshati. Mirëpo, koha kishte ardhur. Kush kishte një fëmijë në qytet, as që duhet ta mendonte më gjatë. Më keq e kishin pleqtë që i kishin fëmijët në kurbet. Ikja e tyre kërkonte kohë. Të qëndroje në fshat edhe pas lajmit të ujkut të tërbuar,ishte një heroizëm i madh. Gjatë natës tjetër nuk vuri njeri gjumë në sy. I kishin ushqyer mirë qentë. I kishin zgjidhur dhe i kishin bërë gati për betejë. Haxhi Beqiri në lagjen e përtejme, kishte tre qen leshtorë. Të tre qentë ishin racë stani. Ramiz Kondi kishte dy. Të tjerë mbanin nga një qen,sa për forcë zakoni, trashëguar brez pas brezi, në shekuj. Çdo shtëpi duhet të kishte qenin e vet. Në atë fshat malor as që mund të mendohej dot një shtëpi pa qen. Pa dyer po, por pa qen jo. Qeni të jep qetësi. Qeni të jep siguri. Atë natë, ujqërit nuk zbritën në fshat. Sikur ta kishin parandjerë përgatitjen e fshatarëve për t’u përballur në një betejë jetë a vdekje, As atë natë, as netëve të tjera. Disa ditë më vonë ranë ngricat. Moti u ngroh, kaltërsia mbuloi male e brigje. Në qiell nisën të lundronin ca re puplore. Ujqërit u mbyllën në guvat e veta. Ata pak pleq e plaka që kishin mbetur në fshat, nuk e shkonin më ndërmend të dilnin gjer te pragu i derës. Ata që kishin ikur, fshatin e ruanin në përfytyrime si një ëndërr e keqe. Rrugicave të fshatit tani do të shihje vetëm qen dhe gomarë që shëtisnin lirisht, nga njëra lagje në tjetrën, nga mëngjesi në mbrëmje, zotër të vetes dhe të fshatit të tyre. Qeni i Myftar Gërbit, i braktisur qysh prej dy javëve nga Gërbajt, lehte pa pushim në kërkim të tëzotit të vet. Iu përgjigj qeni i Zerbin Zerës. Nga lagja tjetër e fshatit vinte zëri i hollë i qenit të Zenelajve, i trashë dhe i ngjirur. Këtë lehje e njihte mirë Zerbin Zëra, ishte nga raca e qenve të stanit të tij.. Pas pak, nisën të lehnin si në kor edhe qentë e tjerë. Fshati kishte nisur të braktisej dalë e ngadalë. Disa në Gjirokstër e Sarandë, të tjerë në Tiranë, më të shumtët në emigracion. Kishin muaj e vite që shtëpitë e të ikurve nuk nxirrnim më tym. Qentë e tyre u silleshin rreth e rrotull shtëpive të tyre. Gërbajt dhe Halilajt kishin ikur të fundit nga fshati. I kishin lënë qentë nën kujdesjen e komshiut të tyre, Zerbin Zerës. Zerbin Zëra kishte jetuar në male, në lartësi të mëdha, atje ku dimri të dukej sikur çatinë prej llamarine të nomesë do ta shkallmonin erërat, ndërsa pranverës të dehte aroma e trëndelinave. Gjysma e natës Zerbin Zerës i kishte kaluar me një dhëmbje të fortë stomaku, gjysmën tjetër kishte kaluar në një gjumë plot ëndrra të këqia. Murra e tij agullinte në oborr, e lidhur pas trungut të manit. Po fekste mëngjesi. Nisi të lehte qeni i Halilajve me një zë të çjerrë. Zerbini, edhe pse i moshuar, 93 vjeçar, çdo mëngjes do të ushqenteMurrën e tij,Kuqon e Gërbajve dhe Balon e Myrtajve. Mirë që kishin ikur pa u ardhur keq për qentë, por, gjatë ditës rreth shtëpive të tyre vërtiteshin edhe qen të tjerë të fshatit, pa u kujdesur askush për ta. Zerbin Zëra doli në oborr me kovë në dorë…Sa ndjenë erën e ushqimit, qentë iu afruan miqësisht, duke tundur bishtin gjithë gëzim.Plaku zbrazi kovën në govatën që gjendej te trungu i manit.Qentë e komshinjve lehën,pa guxuar t’i afroheshin govatës Kur panë që Murra nisi të gjerbte në govatë, futën hundët edhe ata,me kujdes e pa ngutje. Murra ishte një qen leshtor,me qime të kuqërreme,me rremba të murme në krye dhe poshtë qafës.Fytyra e saj e stërgjatur.Sytë melankolikë. Thellësisht melankolikë,si të kishin ruajtur vuajtjen shekullure të fisit të tyre.Thonë që qentë u ngjajnë të zotërve të vetë. Dhe Zerbini i gjatë e i kërrusur nga vitet, ruante në fytyrën e vet gjurmët e një jete të përvuajtshme Qeni është si fëmija, mendonte Zerbin Zera.-Jepi dashuri, të të japë dashuri. “Kushedi në ç’kohë kishte nisur kjo miqësi dhe për çfarë arsyesh raca qenore kishte vendosur të jetonte nën një strehë me njeriun. Çdo mëngjes e çdo mbrëmje,të tre qentë e mëhallës,sa shihnin kovën afroheshin qetësisht dhe tepër të disiplinuar, duke pritur radhën, sipas shenjave që u jepte pronari.. Kuqua i Gërbajve ishte më zemërgjerë. Ndërsa Baloja i Myrtajve e kishte gjithë hallin tek ushqimi, më pas bëhej indiferent, lihte pak dhe shihte punën e tij. Preferonte të flinte gjumë edhe gjatë ditës,me sy hapur. Ishte një qen mali, që ia kishte falur Selim Halili, autoritar me kopenë, por jo shumë vigjilent ndaj ujqërve. Qentë kishin problem vetëm ushqimin, pjesën tjetër të kohës e dinin vetë ata si do ta kalonin.Nuk ia kishin nevojën asnjeriu.Mund të dilnin nga fshati e të jetonin si kafshë të egra, në pyll,siç kishte ndodhur me disa gomarë të fshatit. Dita tjetër lindi me një kaltërsi të paparë. Qentë ishin zgjuar qysh herët dhe komunikonin me njëri-tjetrin në largësi, nga njëra mëhallë në tjetrën. Në oborrin para zyrave të kooperativës së dikurshme e kishin gdhirë natën dy gomerë pa zot. Rreth orës shtatë të mëngjesit, pikërisht në orën kur binte çanga e kooperatives për t’u mbledhur fshatarët para zyrave të saj, e ku bëhej mbledhja e mëngjesit të skuadrave të punës,mu aty, te shkallët, ku e kishte zakon të dilte kryetari i kooperativës, Sinan Aliu, për të shpërndarë detyrat e ditës, vërtiteshin qentë e lagjes së qendrës së fshatit.Herë ndaleshin në vend si të inatosur me njëri-tjetrin,herë ndiqnin njëri-tjetrin sikur t’i priste ndonjë detyrë e ngutshme. Të çliruar nga zinxhirët, dukeshin të gjithë plot energji dhe të lumtur në shoqërinë me njëri-tjetrin.Midis tyre ishte dhe Xebi,qeni i zi i Sinan Aliut, ish kryetarit të fundit të kësaj kooperative, që kishte vdekur atë vit që ajo nuk funksionoi më. Xebës i takonte të ishte aty, pasi dhe shtëpia e Sinan Aliut ishte dhjetë metra më lart zyrave të ish kooperativës.Qysh i vogël, kur dilte në punë Sinan Aliu dhe ndante detyrat e mëngjesit, Xebi do të gjendej te këmbët e tij, duke luajtur bishtin, sikur ajo të ishte sekretarja e tij,sikur të miratonte vendimet e të zotit të saj.Kishte kohë që ajo nuk shihte më njerëz të mblidheshin tek oborri i asaj ndërtese dhe i zoti i tij kishte kohë që kishte ikur në botën tjetër.Nuk e kuptonte pse kishin ndodhur gjithë këto ndryshime, por edhe pas këtyre ngjarjeve ai e kalonte kohën aty, tek sheshi para asaj ndërtese.Mund të thoshje se ishte Xebi i ish kyetarit të kooperatisës, që i kishte mbledhur qentë në atë shesh,si për tu treguar të tjerëve që jeta vazhdon. Një zakon që e harrojnë njerëzit, nuk e harrojnë qentë. Në mungesë të të zotërve tëtyre, e kishin shtuar shoqërimin dhe miqësinëdhe entusiazmin. Kjo jetë e re ju pëlqente. Ç’të kërkonin më tepër? Çdo të donte më tepër një qen, veç lirisë së vet? Herë mblidheshin, herë shpërndaheshin nxitimthi, e herë të tjera ecnin në njëshkollonë, sikur të shkonin diku, por, nuk iu pëlqente ajo punë.Ktheheshin papritur dhe kacafyteshin me njëri-tjetrin. Ata që i njohin lëvizjet e qenve do ta kuptonin menjëherë që e gjithë kjo manovër e tyre ishte si një lojë e këndshme, në çaste lirie dhe gëzimi të papërmbajtur. Pas gjysmë shekulli mbylljeje, kishin ardhur ditët e demkracisë,edhe për qentë e për gomarët e fshatit.Problem mbetej vetëm ushqimi, të cilin e siguronin me vështirësi. Por në liri, këtë problem kishin edhe njerëzit.Nuk kishte më organizime pune dhe as ushqim të siguruar nga të tjerë. Këtë problem tëlirisë kishin filluar ta mësonin edhe qentë. .Qentë kuptonin pjesën më të dukshme të lirisë.Pas një sundimi qindra shekullor, tashmë ishin të lirë të lëviznin, të lirë loznin në sheshe me njëri-tjetrin, të lirë të bënin seks të shfrenuar, të lirë të pillnin këlyshë,me cilindo prej qenve të fshatit dhe të mos i jepnin llogari askujt.Pak nga pak, jo vetëm njerëzit e fshatit, por edhe qentë e kuptuan se te kjo lloj lirie pa kufi kishte diçka që nuk shkonte.Kishte diçka që nuk shkonte me lirinë e tepërt dhe me një jetë kaotike,pa mbikqyrjen e njeriut, pa rregull e pa disiplinë.Për më tepër,edhe pa qëllim.Atje ku mungon qëllimi, cili do të ishte përfitimi i kësaj lirie? Përfitimi sipas njerëzve që i jetonin këto ditë, ishte zero.Por edhe sipas mendimit të qenve që i shijonin këto ditë në një liri të plotë varfërie, kjo ishte një liri e pa menduar mirë nga njeriu, pasi ishte një liri që të kthente pas, në kohët kur njeriu dhe qeni nuk ishin lidhur ende me këtë lloj miqësie. Njerëzit mund ta vrasin mendjen rreth këtyre problemeve të koklavitura, por qentë jo. Qentë e prisnin me kohë këtë liri. Erdhi. Erdhi dita e zgjidhjes nga zinxhiri.Qysh se qeni kishte vendosur të lidhej besa-besë në shoqëri me njeriun, kishin shekuj që e prisnin këtë prerje bese. Erdhi braktisja.Erdhi çlirimi.Erdhi këputja e zinxhirëve, erdhi koha që njeriu tha: ”qentë nuk na duhen më.”Mirëpo, erdhi dhe koha që qentë thanë:” Mjaft më!Nuk na duhet më skllavëria juaj. Racë dinake dhe mosmirënjohëse! Kemi shekuj që e bluajmë në mendje këtë vendim.” Të parët që kishin arritur t’i këpusnin zinxhirët ishin qentë e qytetit, të cilët e siguronin ushqimin duke futur turinjtë nëpër kazanët e plehrave. Ja pra, që mund të jetohet dhe pa ju.Ajo çfarë i shqetësonte më së tepërmi qentë e fshatit, ishte pabesia.Ishte braktisja Lirinë e munguar e kishin me bollëk, por çfarë iu duhej? Çfarë i duhet një qeni? Mjafton ajo më kryesorja, që e kanë edhe ujqërit, lepujt, derrat dhe të gjitha kafshët e pyllit. Pas emigrimit të parë këtë gjë e kishin kuptuar vetëm fare pak qen të fshatit, të cilët pas ikjes të të zotërve, lëviznin lirisht.I binin fshatit kryq e tërthor, pa kokëçarje, pa i dhënë hesap njeriu, pa patur asnjë detyrim. Vetëm kur vinte ora e ushqimit i afroheshin pa drojë ndonjë shtëpie.Ulërinin dy a tri herë duke e ditur se dikush do të dilte te porta. Kur ikjet u shtuan,edhe qentë e zgjidhur nga zinxhirët, u shtuan. Atëherë edhe ushqimi sigurohej me vështirësi. Nuk ishte më ajo pritje njerëzore si e ditëve të para.Mëngjeseve bridhnin kalldrëmeve dhe rrugicave të fshatit, lodronin, bënin poterë, bënin dashuri cepave të portave të braktisura.Kur i zinte uria shkonin si turmë herë te një porte e herë te tjetra. Eh! Pritja nuk ishte më si më parë.Njerëzit nuk ishin më ata që kishin qenë. Ishin bërë më të ftohtë, më të ngrysur, më armiqësorë. Nuk ruanin më atë buzëqeshje që kishin pasur dikur. Lih sa të duash. E kush të dëgjon?Kush del të të hapë portën?…”.Ik tutje! Mos u kthe më pas.. . -Ike?Mos m’u kthe më pas!” -Këto fjalë i kishte thënë nën zë Murrës së tij Zerbin Zëra, ditën që ajo i kishte ikur nga shtëpia, duke tundur bishtin pas lukunisë së qenve që e prisnin në rrugë dhe pas portës së tij. -Ike? Nuk kthehesh më te kjo strehë.” Kushedi kush e kishte nxitur që dhe ajo, e vetmja qenushe që kishte vendosur të jetonte me të zotin e vet, e braktisi plakun, zemërgjerë, në pleqërinë e tij.Do ketë qenë qeni i Sinan Aliut. Po.Po. Ai qëndronte pas portës së Zerbin Zerës, duke iu lutur Murrës me ca hungërima dashurie që ta këpusnin shpirtin. Jo vetëm ai, por dhe lukunia e qenve të tjerë, kishin disa ditë që i luteshin asaj të bashkohej me ta edhe ajo, duke i treguar bukurinë e jetës së lirë. Murra pas portës shqyente sytë me habi.Lëvizte bishtin.I pëlqente edhe asaj ajo jetë e lirë. Shkonte dhe kthehej sërish në vendin e vetë.Nuk e mbante vendi. Këtej Zerbini, andej shoqëria… Hera-herës merrte guxim dhe lëshonte hungërima gëzimi.. “Hajde pra, lëviz! Ke për të parë me sytë e tu dhe ke për të dëgjuar me veshët e tu.Erdhi koha të jemi të lira. Bëjmë çfarë të duam.Do të bredhim së bashku,nga mëngjesi në mbrëmje.”-i hungërinin para portës me klithma gëzimi,duke iu lutur që të bashkohej dhe ajo me të tjerët.Më së shumti i lutej Xebi i Sinal Aliut, qeni i zi i ish kryetarit të kooperativës, i cili në mungesë të të zotit, ishte bërë zoti i vetes, madje, edhe kapo i qenve të fshatit.Sikur në çastin e vdekjes së të zotit të vet, kryesinë t’ia kishte lënë amanet, vetë Sinan Aliu.. Iku dhe Murrra.Iku e nuk u kthye më. U bënë disa ditë që nuk u pa më te porta e Zerajve.“Bushtër e keqe!”-shante me vete Zerbin Zëra, sa herë e sillte ndërmend fytyrën e saj. E priti disa ditë e disa netë, me ankth në zemër. Kur edhe pas një jave nuk e dëgjoi më hungërimën e dashur, shau me vete: “Bushtër e keqe! Teveqele, Zabërhane…! I paske ngjarë gjyshes sate. Edhe ajo, murrë ishte. Edhe ajo, ngjyrëndhe zakonet e tua kishte.Bushtër qe edhe ajo.Iku ca kohë pas qenit të zi të Vedat Aliut, vëllait të Sinan Aliut.U kthye pas dy muajve.me gjashtë këlyshë të zes”.Kjo kishte ndodhur rreth 20 vjet më parë. Zerbin Zëra sa e pa t’i hynte në oborr, ia përplasi portën në surrat.Se s’ mund të ndodhte ndryshe. Një burrë me namuz, i mësuar me qen stani dhe heva mali, s’mund të pranonte në derën e tij racën e zezë të Aliajve.Kurrë! Kurrë! Sikur të përmbysej bota. Të kthehej në kolibe me dobiçin e tjetrit? Turp! Turp! Zerbin Zëra edhe pse i kishte kaluar të nëntëdhjetë e tre vitet, nuk e tregonte moshën. I gjatë e truphollë, me mustaqe të thinjura e të gjata, me sy të vegjël e të qeshur.Një e qeshur e fisme. Sa herë që ndalonte për të biseduar me dikë mbështetej mbi stapin prej thane, të cilin nuk e lëshonte nga dora as në vitet e thella pleqërisë.93 vjetët i kishte kaluar brenda hapësirës së tre maleve Kishte ikur nga fshati vetëm në vitet e ushtrisë. Ushtrinë e kishte kaluar në Grehot të Gjirkoastrës.Vitet e tjera para dhe pas ushtrisë,i kishte kaluar në mal, fillimisht me dhëntë e tij, më pas me dhëntë e kooperativës, në stanin e Zëre. Nuk ishte “njeri i udhëtimeve”, siç do ta përcaktonte dhe vetë Magris, në se do ta kishte njohur. Ka dy mënyra udhëtimi, ka një udhëtim rrethor, drejt qendrës së vet.Që do të thotë që ti, pasi ke parë shumë dhe, pasi ke udhëtuar shumë,ke fantazuar shumë, ke kërkuar e ke përjetuar shumë ngjarje e ndodhi, kthehesh në “Itakën tënde”.Ka dhe një udhëtim tjetër, udhëtim “rrutullupë”, në brendësi. Tek Zerbin Zëra udhëtimet ishin si një ciklon rreth qendrës,duke humbur gjithmonë e më shumë peshë, gjatë zbritjes së viteve.Jeta e tij ishte një lëvizje drejt Vrimës së Zezë,që do të thoshte se humbja e tij nuk ishte diçka e madhe, as për njerëzimin, as për njerëzit e tij dhe as për vetë atë.Udhëtimi i tij i ngjante një zbritjeje nga lartësitë.Pa zhurmë e pa bujë. Siç ndodh me të gjithë njerëzit e pa bujë të kësaj toke. Një herë që ia kishte zënë në gojë largimin nga fshati vajza më e vogël, ai nuk i ishte përgjigjur në çast. Kur ajo insistoi ta merrte me vete në Sarandë dhe i tha që për këtë punë kishte biseduar dhe me të shoqin,ai iu përgjigj në mënyrë që vajza e tij 54 vjeçare, nuk e kishte dëgjuar asnjëherë. “Këtu ku jam më duket çdo gjë e imja. Këtu ku jam çdo gjë nuk është e huaj për mua.U mësova me këtë dhé.Këtij dheu do tia le amanetet e mia.” Edhe ajo kishte qenë në male.Kur ishte e vogël,mjekët e kishin diagnostikuar me azmë,dhe e kishin këshilluar Zerbinin ta merrte me vete, në Stanet e Zëre.Ajo e kuptonte të atin e saj,më mirë se i vëllai- Dullua dhe dy motrat e tjera. Jovetëm si më e vogla dhe më e përkëdheluara e babit, por dhe se ajo, në ato pak ditë që kishte jetuar në stan me babanë, kishte ndjerë magjinë e netëve me hënë, saçin e madh të yjeve dhe dehjen e trëndelinave. Intermexo Në një nga këto ditë gomari i Sejmen Gërbit kishte marrë guximin të ikte larg,shumë larg. Doli në rrugën e asfaltuar automobilistike dhe sa ra në asfalt, u nis drejt qytetit.Ec e ec, ec e ec. Nata e kishte zënë në rrugë.Ishte një natë me shi të vazhdueshëm, e errët dhe pa hënë.Gomari i Sejmen Gërbit kishte vendosur të mos kthehej pas.Diku fillonte një jetë tjetër.Në fund të kësaj rruge do takonte njerëz që do ta mirëprisnin, do t’i jepnin ushqim dhe do ta përgëzonin për guximin e marrë. Gomari gomar mbetet. Ku ta dinte gomari i gjorë se ai udhëtim aq i këndshëm kishte një fund tragjik. Aty tek kthesat, ku pas pak kilometrave dukej deti, do t’i parakalonte një kamion i ngarkuar me lëndë druri, i cili, me një goditje të beftë do ta hidhte në humnerë. Nga ky aksident automobilistik, i cili u dha edhe në një kanal televiziv, dolën dy urdhra policie.I pari: - Për çdo gomar që do të shihej në rrugët e asfaltuara drejt qytetit, do të gjobitej pronari i tij me pesëdhjetëmijë lekë gjobë. I dyti: Çdo gomar që do të shihej duke ecur në rrugën e asfaltuar, sidomos natën, duhet të pajisej me një permastop fosforik, si ato të makinave dhe veturave.Permostopi duhej t’u vendosej te bishti i gomarit, në mënyrë që gjatë natës të ndriçonte fosfori dhe kafsha të dallohej nga makinat.. Shënim: Ky ishte i vetmi gomar, aventurier i këtij fshati, i cili e pagoi me kokë dëshirën e tij për të parë jetë qyteti, për të bërë një jetë tjetër, ndryshe nga jeta monotone dhe e veshtirë, e gomerëve të fshatit të vet. Konkluzioni : Gomari gomar mbetet. Sa më shumë kalonin ditët me këtë jetë të re kolektive, aq më shumë qentë ndjenin peshën e lirisë. Po mësoheshin me një jetë të re, pa tutelë, pa përkujdesje e pa britma,e pa zinxhirë, por edhe pa atë katruven me gjellë qensh, që ta servirin para këmbëve.Tek kalonin grumbuj–grumbuj rrugëve të fshatit, kur u rastiste të shihnin ndonjë plak që u bërtiste, duke i gjuajtur me gurë e me çdo gjë tjetër që kishte në duar, hungërimat e tyre të gëzuara,sikur thoshin: -“Ja njerëzit! Ja kush na ka mbajtur të lidhur pas zinxhirit.Ja kush na ka mbajtur të përbuzur dhe të nënështruar! Ja kush na ka shtrydhur e shfrytëzuar.Ja njerëzit! Si i kemi duruar? Si kemi duruar kërbaçin,litarin dhe gavetën e të pabesëve?” Tani jemi të lirë, të lirë, të lirë! U kujtoheshin të zotët e tyre, sigurisht, se dhe ata kanë kujtesë.U kujtoheshin të zotët e tyre që kishin ikur pa kthyer kokën pas e pa u shqetësuar për fatin e tyre.Duke ecur rrugëve të fshatit, herë grumbuj –grumbuj e herë nga dy e nga katër, lëshonin hungërima të egërsura, sikur t’u drejtoheshin ish të zotëve të vet, që i kishin braktisur: -“Do të vini e s’do të na gjeni! Do të vini e s’do t’ju njohim më për zotër! –Do të vini e s’do na njihni se kush jemi.Do na kërkoni e s’do na gjeni atje ku na latë. Do na vini pas, e do të na luteni për t’u mbrojtur nga egërsirat e malit.Jo. Jo ! Nuk do t’u vijmë më pas avazit.Racë e mallkuar! Djali i tretë i Zerbin Zërës,Dullua 67 vjeçar, çoban me dhi në Qafën e Drerit, zbriti një mbrëmje nga mali për të takuar të atin. Dy djemtë e tjerë, më të mëdhenj të Zerbin Zerës i kishin vdekur prej vitesh, njëri pas tjetrit;i pari gjashtëdhjetë e katër, e tjetri, gjashtëdhjetë e tetë vjeç. Vetëm Avdullai i kishte mbetur.Nuk jetonte në fshat,por në stanin e vjetër të Zërajve , së bashku me të shoqen. U takuan duke u përshëdoshur me kokë .U ulën rreth vatrës. Zerbini ishte i interesuar të dinte diçka për motin, për bagëtinë dhe për ca barishte të cilat, , gjendeshin vetëm në pllajën e Kretës në mal, e që sipas mjekëve ndikonin në qarkullimin e gjakut.Biseduan një natë të tërë pranë zjarrit,duke shprushur me mashë kërcunjtë te vatra herë njëri e herë tjetri, nën shkëlqimin e pareshtur të vetëtimave dhe rropamën shurdhuese të bubullimave. Dullua fliste,e Zerbini dëgjonte si të ishte përtej zjarrit dhe përtjej vdekjes.Kur Dullua i tregoi çfarë kishte dëgjuar të flitej për Murrën, ai trazonte drutë te vatra -Bushtra! Vetëm kaq i doli nga goja në formë psherëtime. Zerbini kishte një karakter të lartë.S’mund që t’ia falte kurrë atë që ajo kishte bërë. Deshi t’i tregonte Dullos një ëndërr që kishte parë para dy- tri ditëve, tek dremiste aty pranë vatrës, e që i pat mbetur në mend, por nuk hapi gojë. “Ku merr vesh ki nga këto punë. Të ishte gjallë Hirikua, po.” Ajo i kishte dalë në ëndërr. I kishte ardhur te porta.Atje ishte ndalur dhe i kishte folur me zë të lartë: “Hë more,u bëre gati? Kemi kaq kohë që të presim”. Zerbini kishte dalë gjer te shkallët. Xhan- xhin njeri. “Mos më bënë veshët?” U kthye brënda. Të nesërmen, e njëjta gjë. “Hë more, u bëre gati? –“E kush më prêt? Je ti Hiriko?” -“Po.-tha ajo. Në je bërë gati na lajmëro. Kaq më thanë të të them.” Zërin iadëgjoi, por njeri nuk pa me sy. Çfarë ishte kjo ëndërr?” Kujt t’ia tregonte? Po të kishte Murrën, do t’ia kishte treguar asaj. Dullua? Ku merr vesh Dullua nga këto punë. Kur Dullua i foli për Murrën, që ajo hazdisej pas vitheve të qenit të zi të Sinan Aliut, ai u nxi në fytyrë. “Do ma shohë pragun e derës, do ma shohë!” Dullua kishte ardhur me porosinë e së shoqes, për ta marrë me vete. “Nuk lihet vetëm babai,-i kishte thënë e shoqja, në këtë moshë të thyer, aq më tepër që e dinin se ai ishte me tension.Në analizat e fundit,edhe veshkat nuk i kishin dalë mirë. -S’jam më për rrugën e malit ,-ia ktheu Zerbini.-As të fushës e as të detit! -S’ka si hevaja e malit, baba. -E di.Por unë tani jam nisur për tjetër udhë. -Ata që ikin nga sytë këmbët!- ngriti zërin Dullua.-S’ka si buka e malit. S’ka as si uji i malit. Kam dëgjuar ca qytete unë, si Moska, Parisi, Njujorku. Jetojnë, edhe atje. Nuk e njohin Hundën e Drerit dhe Majën e Lucës, majën e Gjeshnikoshit, Majën e Tartarit, Bogonicës, etj. -Mos m’u lut kot, -i tha Zerbini qetë-qetë.- Këtu do të rri,e këtu do të vdes! Ai i ra me pëllëmbë korosanit të vatrës.Ç’është jeta?Asgjë. Bie në gjumë e nuk ngrihesh më... Ikja e papritur e Murrës, Zerbin Zërën e kishte dëshpëruar më shumë nga sa e mendonte. Kur i çonte ushqimin, ajo i afrohej me hungërima dhe i shtrihej para këmbëve. Epo ta ushqesh, ta edukosh, ta rritësh me përkëdhelitë e një fëmije, e të shkojë e të zhgërryhet baltrave! “Zabërhania! Bushtra!” E kishte zënë një inat i madh, sa i dukej se të gjitha të këqijat i kishin ardhur fill pas ikjes së saj. Edhe reumatizma, edhe pickimet e veshkave netëve, edhe takikardiadhehipertensioni, shkaktare e të gjitha të këqijave ishte ajo dhe vetëm ajo.Edhe vdekja po t’i vinte do t’i do t’i vinte për shkak të saj. Ishte mësuar me të, kaq vjet. I dukej si fëmija i tij i vetëm. E vetmja që e donte me gjitthë shpirt. Dhe e dëgjonte me vëmendje e vigjëlonte natë e ditë rreth shtëpisë së Zërajve. Kush mund ta bënte këtë gjë? I dukej se nga të gjithë të dashurit, ajo i kishte mbetur në këtë jetë. Shpesh e këshillonte me zë të qetë. Ajo ia ngulte sytë e trishtuar,a thua se e dëgjonte vërtet me vëmendje… Iku edhe ajo.Iku…Ia prishën mendjen të tjerët, te porta. Aq mend kishte. Mendje qeni… Herë pas here e justifikonte veprimin e saj, megjithëse inati që ajo ishte treguar mosmirënjohëse, nuk i hiqej nga zemra. Disa herë netëve kur ai ishte në gjysmë dremitjeje, i ishte dukur sikur ajo së bashku me lukuninë e qenve të tjerë të fshatit, i kishin ardhur gjer te porta, për ta vizituar. Sigurisht, i kishte sjellur ajo, Murra nga meraku.Sigurisht.E gërryen meraku dhe atë. S’ka patur arsye të ishte kaq mosmirënjohëse. E dinte mirë që kjo jetë e saj nuk do të zgjaste shumë.E njihte mirë karakterin e saj.Një ditë do të kthehej sërish.Dhe ai, pavarësisht se zemrën e kishte të pikëlluar, sa të dëgjonte të lehurën e saj dhe lutjen e saj para portës së shtëpisë, do t’i binte inati, do të nxitonte për t’ia hapur portën, sa më parë. Ajo çka e kishte dogdisur më keq, ishte shoqërimi i saj me qenin e zi të Sinan Aliut. Megjithëse kishte një dyshim, Murra nuk do t’ia lejonte vetes të binte kaq poshtë.të pres këlyshët e zes të Sinan Aliut ?Ptu! Ptu!Ptu!       

… Fshati tani mund të quhej i pushtuar nga qentë. Dhjetë a dymbëdhjetë pleq që jetonin akoma brenda katër mureve të shtëpive të plasaritura, nuk dilnin më përjashta portave të tyre, nga frika. Tmerroheshin kur dëgjonin lukuninë e ujqërve t’u kalonte pas shtëpive. Mbrëmjeve para se të flinin, kujdeseshin për t’i vënë llozin portës e më pas mbyllnin me reze dhe dyert e brendshme. Të uritur siç ishin, ata mund të të shqyenin.Duhet të mos u afroheshin.Të mos tregonin asnjëlloj kujdesi.Le të shkonin pas atyre që i lanë rrugëve.Atyre t’u ankohen për ushqim. Murra ishte qenushja e vetme që e kishte braktisur pa ndonjë arsye të Zotin e vet. Nuk i mungonte asgjë. As përkujdesja dhe as ushqimi. I ka ngjarë një gjyshes së saj,- e justifikonte Zerbini, duke ia hedhur fajin genit të racës së saj.Ai e mbante mend mirë se çfarë kishte ndodhur me gjyshen e saj, para rreth njëzet vjetëve.Kishte disa muaj që i kishte ikur nga shtëpia.Iu shfaq një mbrëmje te porta, me gjashtë këlyshë të zes. Bushtra! * Ishte një mëngjes me shi të vazhdueshëm.Vetëtimat ngjanin si bombardimet e kohës së luftës italo-greke, nga gjëmimi i tyre dukej sikur do të vithiseshin gjithë themelet e shtëpive të fshatit.Pikërisht në një çast të tillë u shfaq së largu Murra, vinte rimit e rimit, e qullur nga shiu dhe e llangosur nga balta…Ecte qetë- qetë, sikur ta kishin rrahur dhe përdhunuar gjithë këto ditë. Angulliu disa herë para portës së hapur të Zerbin Zërës.Askush nuk doli ta priste. U fut me ndrojtje brenda portës, si për t’u mbrojtur nga erërat dhe shiu. Nisi të angullijë pikëllueshëm si një qenie e mjerë dhe e pa mbrojtur nga askush. Nuk kërciti asnjë derë.Nuk u dëgjuan hapa dhe nuk pipëtiu asnjë zë njeriu. Qenushja e mjerë u ndje edhe më e mjerë nga kjo mospërfillje e të zotit të saj. Ndjehej fajtore,tmerrësisht fajtore, ndaj atij njeriu të mirë, që e kishte rritur me përkujdesje dhe përkëdheli, si të ishte fëmija i vet.. Ndjehej e vetmuar. E fyer, e lodhur dhe e dërrmuar. Angullima e saj, nga e ashpër erdhi dhe u bë më e butë,më zëhollë, si një mjaullimë maceje. Si mace e shkathët i hodhi këmbët e para te dritarja e dhomës ku flinte i zoti i saj. I rrëshqitën këmbët dhe ra. E provoi për së dyti, për së treti, për së katërti. Kishte parandjerë diçka të frikshme. Insistonte të shikonte me sytë e saj se çfarë kishte ndodhur aty brenda. Nuk kërceu më, kur i humbi shpresat se i zoti i saj do t’i përgjigjej. Po sikur? Sikur brenda asaj dhome të mos kishte asnjeri. Ajo vërtitej më kot që t’i hapej dera.Nisi të lehë me të gjithë forcën e zërit të saj.Angullima e saj ngjante me një kujë gruaje.Një kujë e kobshme e një qenieje që ka parandjerë diçka të keqe.U ngjit shkallëve.Hipi në verandë. I vuri krahët derës duke angullirë.Nisi ta gërryente derën me thonj. Nga brenda s’pipëtinte zë njeriu. Zbriti në oborr.Shkoi tek soroi.U kthye sërish.Doli jashtë portës.U kthye sërish, pa i ndalur kuitjet, sikur të kërkonte me insistim të kuptonte të fshehtën e kësaj fshehjeje të të zotit të saj. Më pas u ul në bisht, në një mënyrë ceremoniale, sikur ta kishte kuptuar gjithë sa mund të kishte ndodhur me të zotin e saj.Kujiti disa herë, zëulët. E mjerë. E pa shpresë. E ndjeu mënxyrën dhe ia dha një ulërime të zgjatur.Qentë e fshatit mbërritën në çast, sikur të kishin kaluar mes erërave. Fillimisht ndaluan në grumbull. Para portës së drunjtë të Zerbin Zërës. Më pas, të heshtur e njëshkollonë i shkuan pranë Murrës si në një ceremoni ngushëllimi. E rrethuan dhe iu ulën në gjunjë, me një përkushtim të tillë që mund ta bëjnë vetëm qentë. Ashtu në kor, si ato vajtocat e fshatit kur mblidheshin në raste të tilla përmortjeje, ashtu dhe qentë qëndronin pranë saj. Angullinin me ca zëra të thekshëm, si në koret e tragjedive greke...

 

 

 

 

 

11 views0 comments

Comentarios


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page