Stilema e kompletuar e Migjenit në një studim të Xhevat Lloshit
Dr Fatmir Terziu
Me emrin e Migjenit lidhen shumë emra. Shumë emra që kanë lënë vlera. Vlera që kanë ndjekur brezat. Brezat që u mbeten mirënjohës këtyre emrave Mirënjohës në fakt, për të gjithë ata që thanë, thonë e do të thonë mendimin e tyre profesional. Mendimin që e dikton dituria dhe respekti për krijimtarinë dhe Gjuhën Shqipe. Këtë respekt të cilin më shumë se kushdo e gjejmë në këtë lidhje. Në këtë lidhje që vjen mes ‘vlerave stilistike të Migjenit’, edhe pse ato vlera në fakt analizohen në një tregim… Janë pikërisht “Vlerat stilistike në një tregim të Migjenit” që lidhen me emrin e Mjeshtrit të madh Xhevat Lloshi (Lloshi, 1983). Profesorit që është bashkëpunëtor i vjetër shkencor, që ka bërë përpunimim e redaktimin e pjesëve përkatëse të “Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe” të botuar në Tiranë më 1980-të i është dashur koha e duhur të zgjidhte një enigmë që ende mbetet pikëpyetje. Dhe që nga koha kur ai në vitin 1983 ndërmori dhe finalizoi një nga analizat studimore më jetëgjata në tërë kritikën letrare artistike të pesëdhjetë viteve, natyrshëm edhe sot mbetet një arsye më shumë për të rikujtuar normën e mirënjohjes gjuhësore dhe tiparin bashkëkohor të analizës me të cilin pena e Lloshit e stilizon tregimin e Migjenit. Në përzgjedhjen e tij, Lloshi, jo më kot seleksionoi tregim “Bukuria që vret”, që në fakt ishte një kundërpërgjigje profesionale për të gjithë ata krijues, hulumtues e kritikë që deri në atë kohë e kishin cilësuar botimin e Migjenit tek “Bota e re” më 15 Dhetor të vitin 1936-të, si skica e tij më e mirë, apo sic thotë vetë Lloshi “si një ndër skicat e tij më të mira” (ibid).
Duke e parë këtë tregim të analizuar gati njëzetë e shtatë vite më parë në këndin e vlerave stilistike, shohim natyrshëm se Lloshi, ka gjetur anën e gjerë profesionale të tij në një kombinacion reflektiv të njohurisë dhe fuqisë, për të argumentuar drejt e saktë me faktin se ‘arti dhe artisti në krijimtarinë e Migjenit është një temë që pret një studim më të gjerë.’ (Lloshi, 1983:45). Dhe këtë studim e nisi drejt dhe në kohë vetë autori i disa studimeve me vlera të mëdha gjuhësore dhe profesionale, Xhevat Lloshi. Por në këtë analizë, fakti është disi qëllimdashës që të nxjerrë dhe zbulojë ‘dritën e hijeve’që kërkonin të mbanin zap krijimtarinë e Migjenit, duke e sfumuar atë dhe cilësuar ‘skica’.
Studiuesi Lloshi e sheh këtë tek treguesit e shumtë që dëshmojnë se ky është një tregim i plotë dhe ka të gjitha vlerat e tij. Sipas Lloshit janë disa tregues për të dëshmuar se janë shfrytëzuar teknikat stilistike letrare. Lloshi e gjen këtë në aspektin e kohës së rrëfimit. Ai na vjen në ndihmë duke sqaruar: “rrëfimi bëhet në kohën e tashme, me një-dy përjashtime dhe duke lënë mënjanë paragrafin e parafundit”. Dhe për Lloshin e tashmja është koha e poezisë lirike që perforcohet me dendurinë e përdorimit të lidhëzës e, dhe, edhe. Lloshi gjen pikërisht në këtë tregim 219 njësi të përdorura 430 herë, duke hequr trajtat e shkurtra. Dhe si shembull sjell: “dhe Pranvera erdhi/dhe dallëndyshja erdhi/dhe vesa shkëlqeu…” për të hedhur idenë e qartë se këtu flitet për një prozë poetike, pra për një tregim të mbrujtur qartë dhe bukur në vlerat e mirëfillta të tij.
Kohë më parë në një kënd tjetër Petraq Kote e shihte Migjenin ende ‘të virgjër’ në fushën e studimit të poezisë së tij. Kote sillte ndërmend në syrin e lexuesve të “Fjala e Lirë” nevojën e domosdoshmërinë e studimit të mëtejshëm të Migjenit. Sipas Kotes ky vëzhgim i nisur hershëm ka ende për të vazhduar, pra në këndin e vëzhgimit të tij shihet se ‘thellësia e viteve (1983) zbulon (pëmbledhjen) “Studime dhe kritikë letrare” nga autorë shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë e Malit të Zi dhe në faqen 188, të tij në ballë të asaj faqeje është emri i autorit Xhevat Gega nga Shkupi me “ Kangët e ringjalljes “ të Migjenit, botuar në revistën “Jehona” të Shkupit më 7 korrik të vitit 1971. Pra, shkruar 36 vjetë më parë”. (Kote). Pastaj Kote shpjegon se gjen mjaft autorë që lidhen me Migjenin, që nga Kadare me studimin e tij “Migjeni ose uragani i ndërprerë”, parathënie e Migjeni “ Vepra “ botim i shtëpisë botuese “ Naim Frashëri “, shtypur në Kombinatin Poligrafik – Shtypshkronja e Re, Tiranë 1989.” (Kote, Fjla e Lirë, 26/03/2010). Gega ndalet në studimin e tij me titull “një cast me “Kangët e Rigjalljes të Migjenit” (Gega, 1983:188) duke filluar me këtë fjali: “dhe dëshirat u plotësuan…” që mbyllet me reticencë si për të diktuar nevojën e domosdoshme të studimit të poetikës dhe tërë krijimtarisë së Migjenit.
Por ndërsa Gega (Gega, 1971:7) e sheh në një ‘hapësirë’ me rëndësi të mëtejshme interesi për studimin, Lloshi e dikton që në vitin 1983, se ai dallonte tre dimensionet e stilistikës së lidhur me rrathët stilistikë të fjalës e pikërisht me atë që rrëfehet nën preambulat e jetës, vdekjes dhe bukurisë. Sipas pikasjes analitike të Lloshit, rrathët stilistikë vërtetojnë më së miri se kjo prozë nën pushtetin e ngjyrimeve kanë forcë tejet induktuese, dhe flasin me një gjuhë profesionale. Fakt është se Lloshi nëpërmjet kësaj analize tregoi dhe vërtetoi anën kryesore dhe zbuloi dy format që sot ndeshen në mjaft studime bashkëkohore të analizës; stilistika dhe metamorfoza e ngjyrave. E para me fjalën formon tërë anën që i duhet një analize. Ja si funksionon ajo tek Migjeni:
a) jeta: ngjyra ‘ekuqe’, zjarri, gjaku, zemra, trupat, etj, me të cilat Lloshi pikas rrathët e stilistikës në funksion të jetikes në prozë.
b) Vdekja: ngjyra e zezë, errësira, skutat etj me të cilat Lloshi analizon tre komponentët kritikë të sistemit dhe fundjetës.
c) Bukuria: ngjyra e bardhë, agimi, bora etj, me të cilat Lloshi formaton atë që i kishte munguar një analize të mirëfilltë në atë kohë.
Dhe kështu me radhë ne mund të vazhdonim edhe me dy vijat që në mënyrë filozofike Lloshi i pikëlidh me borën dhe me kristalizimin e shtatoren e Migjenit tek tregimi në fjalë. Kjo tregon pikërisht atë lidhje që e ndeshim tek aspekti stilistik, ose më saktë tek stilema e kompletuar.
Stilemën e kompletuar të Migjenit, në tërë ideofortësinë e saj filozofike, studiuesi Lloshi e sheh në fakt që herët, pra që në vitin 1983, si një aspekt të munguar në fushën e studimit. Ai parashtron se tematika e rrëfimit në këtë krijimtari është një realizim i bukur që vjen nga aspekti i qartë stilistik, ku estetika ‘me të bukurën që vret’ dhe vargu i madh i mbiemrave, i ngrirë, i mpirë, i mekur, i ngurtë i japin termit të tretë konfigurativ lidhjen me risinë e madhe të përdorimit të emrave në tërsinë e tekstit: aspektin e një filozofie të plotë prozaike: lokja, vocërrakët, kasollet, zemra, trupi etj.
Duke përfunduar shihet qartë se analiza e Lloshit mbetet një trasnsformim rrënjësor në kohë, vend dhe hapësirë. Me këtë analizë ai me kohë ka treguar se ka qenë sfidant i heshtur i parametrave ‘ideologjië’ dhe ka kristalizuar modele të ndjeshme në rritjen e vlerës dhe traditës së krijimtarisë shqiptare në periudha të ndryshme. ‘Apolitizmi’ i Lloshit duket se i ka përforcuar atij rolin e aestetikes në zbërthimin e tendencave në hulumtimin dhe studimin e tij, duke prurë kështu modele të afërta me analizën më me emër në fushën e analizës. Si shembull, ndërmarja në konsideratë e tregimit të Migjenit, është një provë tjetër për këtë vlerë që ndeshet në penën e shëndoshë të Lloshit. Ajo që duhet shtuar është se ky studiues ka prurë edhe origjinalitetin e duhur të kombinacionit mes studimit të semantikës dhe hapësirës që krijon stilistika në funksion të kohës dhe domosdoshmërisë kërkuese shkencore në këtë fushë.
留言