top of page

Sterjo Spasse - misionar i përshkrimit


110 - Vjetori i Sterjo Spasses

Sterjo Spasse - misionar i përshkrimit

dhe i shërimit të shpirtrave njerëzorë

Titulli i mësipërm na erdhi në mendje pasi ia dolëm në fund leximit të librit afro 400 faqe, format i madh, përgatitur nga i biri, Prof. Dr. Ilinden Spasse dhe hedhur në qarkullim me një parathënie plot pathos e vërtetësi shkruar nga shkrimtari ynë i dashur dhe i njohur Viron Kona. Libri mban titullin e thjeshtë “Sterjo Spasse përmes letërkëmbimeve”

Për t’i dhënë kuptim fjalës titull “i thjeshtë”, në fakt, mjaft me peshë për nga vlerat dhe informacionet që përmban, le ta informojmë lexuesin në fare pak aspekte:

- Nga ana kalendarike, qysh kur fillon letërkëmbimi i tij?

-Qysh nga viti 1927, kur Sterjo ishte 15 vjeç dhe po fillonte shkollën e mesme, Normalen e Elbasanit për t’u përgatitur mësues.

-Problemet që i adresoheshin djalit nga familja dhe nevojat e tij, cilat ishin?

- Ndër të tjera edhe borxhet në para të familjes dhe nevojat si nxënës për t’u veshur, por mungonin si paratë edhe artikujt që i duheshin, pallto e “përshtatshme” etj në dyqanet e qytetit.

-Po personazhet kryesorë dhe problemet që trajtoheshin, sipas letrave, cilat ishin?

- E pamundur t’i përmbledhësh, qoftë edhe duke i fraksionuar në tematika të caktuara. Aq e vështirë na u duk neve kjo, për ta informuar lexuesin rreth përmbajtjes së këtij libri, i fundit i dalë nga “arkivat” e veprimtarisë jetëgjatë, mbi gjashtëdhjetë-vjeçare të Sterjo Spasses, 1914/12- 1989. Arkiva nga ku shkrimtari-shkencëtar i pedagogjisë Prof. Dr. Ilinden Spasse, ka përgatiturderi tani 3-4 libra vlerashumë. Vlerashumë, sipas lexuesve, po me jehonë paksa të ndryshme: të lartë “Im at Sterjo”; “të plotë” – Bibliografia me mbi 2.6 mijë zëra, që përmban gjithë librat e publikimet, po me më pak jehonë; “I ëmbëli” për këdo që lind e rrit ose përkëdhel si gjysh fëmijë e nipa me titull “Kuvëndim me nipin”! (Si lexues do t’ja rekomandoja çdo njeriu jo vetëm t’i lexojë, por t’iu vlerësojë përmbajtjen këtyre thesareve për një bibliotekë familjare ) Familjare “e shoqërore”, do të shtoja, se edhe në aspektin e marrëdhënieve e komunikimit me shokë, kolegë, miq e bashkëpunëtorë, brenda e jashtë vendit; madje edhe me titullarë të lartë të pushtetit, gjithmonë si modele për këshillim,diskutim, propozime e zgjidhje të problemeve, kryesisht me karakter shoqëror. Në këtë aspektin miqësor-shoqëror të bën përshtypje të thellë respekti e dashuria vëllazërore me Sterion, hyrje-daljet e shpeshta në familje, veçanërisht gjatë studimeve të tij dyvjeçare në moshë të rritur, 1958-60 jashtë vendit, kur ndërkohë po gugaste e rritej në duar të nënës vajza e vogël Mariana…E ku përmblidhen dot në një shkrim “kakame” vlerat- det i gjerë të këtyre librave ose edhe vetëm të këtij të fundit?!

E,të kujtosh, në çfarë kushtesh ngarkese zyrtare i mbante ai lidhjet me njerëzit, kur i duhej ta vijonte edhe krijimtarinë letrare e bashkëbisedimet nëpër Shqipëri me lexuesit! Për një përfytyrim të përafërt, po citojmë të plotë një informacion të tij, dw, për Kryesinë e Lidhjes së Shkrimtarëve dt. 8 Mars 1951, f.115-116 e librit: Ai shkruan:

“ Në lidhje me shkresën tuaj nr.20 datë 28.I.1950 dhe në lidhje me shkresën nr. Extra dt. 7.III. 1951:


I-Gjatë vitit 1950 kam pasë angazhim që të mbaroja përkthimin e Antologjisë së Poezisë Bullgare. II- Në fund të vitit 1950 e kam pasur gati, me mungesë të parathënies, Antologjinë e Poezisë Bullgare. III- Janë bërë ndryshime në planin tim, sepse materiali I Antologjisë Bullgare nuk m’u dorëzua në kohë nga ana e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe sepse pas muajit nëntor 1950 fillova të punoj me orar të zgjatur prej gjashtë orë e gjysëm në ditë.

Veç angazhimit (zyrtar-hv), gjatë vitit 1950 unë kam zhvilluar këtë aktivitet si shkrimtar:

1.Kam shkruar tri novela për rindërtimin: në revistën “Letërsia jonë” “Vullnetari I hekurudhës”; në revistën “Pionieri” “ Meti në shkollën shtatëvjeçare”; te “Fatosi” “Sa e bukur, sa e pasur është Shqipëria jonë”. 2.Kam shkruar një prozë letrare “Si dielli vetë” në revistën “Letërsia jonë”, në lidhje me paqen. Po në lidhje me paqen kam shkruar edhe një artikull të shkurtër në gazetën “Bashkimi”. 3.Në lidhje me festën e “Rilindasve” kam shkruar katër artikuj: në gazetën “Puna” “Konstandin Krstoforidhi”, te “Pionieri” “Sami Frashëri”, te revista “Arsimi Popullor” “Rilindasit si mësues të popullit shqiptar”, te gazeta “Bashkimi” “Papa Kristo Negovani”.

4. Kam shkruar dy artikuj në lidhje me përvjetorin e shkrimtarëve bullgarë: në gazetën “Bashkimi” “Kristo Botev”, te revista “Letërsia jonë” “Ivan Vazovi”. 5. Kam bërë për sekretariatin e rinisë dy leksione: “Jeta e vepra e Kristo Botevt”;”Jeta e vepra e Nikolla Ostrovskit”. 6. Kam bërë tri konferenca letrare: a) Jeta e vepra e Ivan Vazovit, me rastin e l00 vjetorit të lindjes së tij, organizuar nga Lidhja e Shkrimtarëve; b) “Jeta dhe vepra e Çehovit”, organizuar nga Lidhja e miqësisë Shqipëri –BRSS; c)Jeta e vepra e Kostandin Kristoforidhit, përpara personelit dhe nxënësve të shkollës pedagogjike, organizuar nga rrethi letrar I kësaj shkolle. 7. Në revistën “Letërsia jonë” kam shkruar në formë kronikash të zgjeruara 1) “Vepra e Geo Milevit”,2.”Vepra e Gligor Perliçevit” nëlidhje me poemën “Skënderbeu”; 3.”Vepra e A. Tolstoit” 8.Kam redaktuar në bashkëpunim me Mahir Domin tekstin “Letërsia e huaj- Realizmi”, teori e tekst bashkë, mbi realizmin në letërsinë e përbotshme, libër prej 450 faqesh që del këto ditë nga shtypi…

9. Kam drejtuar rrethin letrar të shkollës pedagogjike “17 Nëntori” ku janë bërë diskutime të ndryshme mbi aktivitetin letrar, janë kënduar pjesë origjinale të nxënësve dhe është nxjerrë rregullisht gazeta e murit “LETRARI” me punë të nxënësve.

10. Kam marrë pjesë rregullisht në mbledhjet e redaksisë së “Letërsia jonë” dhe të revistës “Arsimi Popullor” organ i Ministrisë së Arsimit.

11.Kam organizuar dhe kam marrë pjesë vetë me recitime në mbrëmje letrare në qendrat ku kam punuar: në shkollën pedagogjike dhe në Ministrinë e Arsimit.

Gjatë vitit 1950 nuk kam kërkuar të shkoja në ndonjë qendër pune pasi nuk më lejonte puna e përditshme në shkollë e më vonë në zyrë.”

Ja, kështu punoi ai tërë jetën. Punë, shkrime veprash të mëdha- romane, novella etj etj njeri më I vështirë se tjetri, pa zbehur në asnjë rrethanë sidomos krjimtarie e shëndetësore, komunikimet me njerëzit nga të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarë. E dallueshme mbase e pakrahasueshme me ndonjë tjetër në Shqipëri ishte lidhja që mbante e ndihma që mundohej t’iu jepte bashkëkrahinarëve të tij,Liqenasve (Pustecit) në tërësi.

Natyrisht gjithçka bënte ishte edhe sakrifice: punë-lodhje për informim, falje nga kredibiliteti personal, madje edhe shpenzime materiale. Mbresë të le psh një letër dërguar organeve eprore të rrethit në Korçë për t’u kujdesur që t’u jepej mundësia për studime të larta edhe nxënesve nga zona e tij .I saktëson edhe me emra disa nga ata…

I sëmurë ishte kur iu shkroi organeve eprore edhe për estetikën e ndërtimeve e mirëmbajtjen e rrugëve. Dhe dy-tre muaj më pas, 12 shtator 1989, mbylli sytë! Keqardhja e birit të tij të vetëm Ilindenit,nisi menjëherë të lehtësohej duke shkruar me lotët çurk “për Babain” librin e shumëvlerësuar si nga tituli edhe nga përmbajtja me titullin e bukur “Im atë Sterjo”.

Sa për zgjidhjen e kërkesës së tij për dërgimin e maturantëve në shkollë të lartë unë dëshmoj se mori zgjidhje dhe, rastësisht, kam njohur si student ndonjerin prej tyre

.Admirimin për atë njeri, krijues, edukator, dashamirës dhe ndihmës i pakursyer për nevojat e cilitdo, deri në krijimtarinë letrare, mendoj se më bukur se kushdo e ka përcaktuar ish mësuesi shkodran Qemal Draçini që, pa e njohur nga afër, në një letër i shkruan Sterjos: “ …për ty e për jetën tënde dij shumë pak, aq sa kanë mujt me më thanë njerëz që të njihshin porsa. Veç në një fjalë janë të gjithë konkorde: “Asht një djalë xhevahir!" Nuk arritën të njiheshin ata të dy me njeritjetrin se djalin e korri koha. Por vlerat njerëzore e krijuese të Sterios, i panjohuri fizikisht me të i njohu, i la si amanet i pavdekshëm për të gjithë sa e njohën Sterjon si krijues letrar dhe akoma më gjerë si NJERI! Siç po e njohim përmes letërkëmbimeve me fjalë shpirti në këtë libër që e zbukuron vërtet shumë edhe portreti- foto në ballenë e tij !!

Tiranë, 22 shtator 2022 Prof. Dr. Hektor Veshi

10 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page