top of page

Stefan Martiko: IMAZH I QENIES BRENDA VETES


IMAZH I QENIES BRENDA VETES


Në çaste të tillë unë bëhem

Shumë herë më i madh se vetja. Më

Duket tepër i vogël ky piedestal

Ku jam ngjitur. Është imazh ndoshta

I një qënieje tjetër brenda vetes. Ai

Që ke dashur të jesh për të mundur

Vogëlsinë tënde. Këtë përhershmëri

Të mërzitshme që s’të ushqen dot

As ëndrrën më pak të guximshme. Kur

Ndihem i madh mba në duar kordha

Dhe shpata me ujqër në sy  i

Shqyej. Është gjendje e përhershme

Lufte. Më vjen keq për veten 

Kur e shoh të mundur kur prej piedestalit

E ulin atë madhështi të bukur dhe 

në një varr të përbashkët e futin


SI MBUROJE KAM KOHEN

Ajo që ka ndodhur një qiri për

Kujtimin e saj ka ndezur. Shoh me

Habi që ndodhem diku tjetër. Humba

Atë që s'dinte me fatin e vet

Për të lozur. S’flas për rrobet e grisura

Në ferra as për fyerjet duke i 

përtypur me gjakun që prishej

Si mburojë kam kohën

E shkuar me vete. Dhe i zbrazur

Prej çdo kënaqësie. Vorbull u bë

Gjithçka vjen në mendje. Përreth 

Ka dhe të vrarë por gjaku 

I tyre është prishur


PA SHIJE

Ti më ke parë pa ngritur perden

Si çdo kalimtar tjetër te udha

Jo si i dalë prej rreshtit

Për të sakrifikuar veten. Njerëz

Që shtypin njëri-tjetrin pa garë

Koha gërhin duke fjetur. Askush

S’ka ndërmend të kthehet edhe

Sikur para t’u dalë gremina. Të

Shtypurit te rreshti nuk dinë si

Të dalin nga vetja. Mos zgjidh

Asnjërin si shembull koha te secili

Më parë kishte vdekur. Veshje

Pa gusto vështrim i përhumbur. Një

Çetë të varfërish. Sikur edhe ky

Gjykatës të mungonte ne s’do 

Kishim parë as greminën ku

Binim


BULKTHI ROJE I TOKES

Njeriu që punon tokën ve në roje një

Bulkth për t'a zgjuar. Te ugari le

Një shenjë mes tokës dhe 

Yjeve. Sapo nga toka të shkulet

Drita e hënës dëgjohet klarineta

E kafshëzës së vogël duke

Cicëritur. Këtu ku do kërkojmë

Përherë rrënjët kambanat rrinë zgjuar

Te ugari në buzë bulkthi i'a

Merrë këngës shtruar. Të tjerët

Këtë muzikë e dëgjojnë në ëndërr. 

Unë ende 

S’jam zgjuar që kur këtu

Para një shekulli më kish

Zënë gjumi


KLLOUN TRAGJIK

Hapi kapërcen dyshimin

Mbi litar ecën duke mbajtur pezull

Posht klithma dhe të qeshura. Nuk

Ka shumë vetëdije. Mbi litar

Po ecën një klloun. Marrëzia

Vallzon dhe s’di nëse i duhet

Të fluturojë edhe në të

Zbritur. Atje lart - po vritet

Dyshimi. Vetëm atje lart 

Marrëzia arsyen e ka mundur.

Kapërcyem nga një breg te tjetri por

Nuk i pamë në ishin ende gjallë

Të mbyturit ose në janë ende

Në litar kllounët lojën e tyre

Tragjike duke lozur


EMRI I SE PANJOHURES

Çfarë është kjo e panjohur si 

E ka emrin. Me çfarë t'a ysht

Të më afrohet. Ajo që më pas 

Emrit tim do të fshihet krenare

Dhe e turpshme. Të përbashkët me

rrënjën prej së cilës edhe 

Unë kam lindur. Ç’do të jetë vallë

Kur të vijë në gëzim a në dhembje

Të zgjatet te një krahu im i

Lodhur të kap një kohë të vonuar

Me pleh kujtimesh të rinisë sime

Të ushqejë këtë pleqëri

Të vonuar. Ka diçka misterioze

Në mënyrën si fshihet 100 vjet e

Mbyllur në këtë kafkë me kapakë 

Floriri. Tani vendosi të dalë kemi 

një festë të vogël buzët puthin këmbët

Duart i mbyllin sytë kësaj çudie

Për të mos u verbuar.po vallëzojnë

Tërë gjymtyrët për mirëseardhjen tënde


E FSHEHTA PA EMER

Trokitja kthen pas jehonën:

Jam bosh nga brenda. Nga të një

Mijë dyert asnjëra nuk

Përgjigjet. Të mërat e mbetur brenda

Shqyejnë porta e dyer. E tillë

Është heshtja kur i kap si 

Në çark zërat. Si në natyrë në

Prag dëbore. te veshi gjëmon por

Ende s'ka emër e fshehta. T’i 

Thërrasësh nevojës tënde kur

Shpresat prej ajrit të mbytur

Janë bërë vemje të vogla

Dhe sipër nxjerrë shteti

Brirët e kërmillit


URTESIA SHPLEKS FIJET

Një fill i hollë e përshkoi sa pa

Dritën e vet dhe errësira sërish

E përpiu. Këtu jam por 

Duke fluturuar. Krahët si të

Feniksit i kam prej dylli. Emrin

E ruaj por mbiemrin e kam

Humbur. Ai fill i hollë drite

Pastron zgafellat e mia dhe

Ti je duke vallëzuar me hijet. Të

Ikësh më larg prej së thelli

Do kthehesh me një flamur

Tjetër në duar. Urtësia i shpleks

Fijet edhe më të holla por ti ktheje

boshtin të pliksesh te duart

E nënës. Ajo që tani po

shkon në fill një ëndërr


MBREMJA E TRENDAFILIT TE EGER

Përfshi edhe flokët fytyra

Jote tani është nën hije. Mbi të

Ka rënë mbrëmja e trëndafilit 

Të egër. Mbulesë e padepërtueshme

Vetmi e frikshme që nuk shihet

Dot as te pasqyra. Leximet u

Bënë edhe më të vështira. Si

Bibël e rëndë tani fytyra

Para tre mijë vjetësh e shkruar

Mërzia e fytyrës nuk duket e

mbulon krejt hija këtu ku

Nuk e gjen më dot rrugën e

Dritës. Aty ku duhet të lexonim

Një varrezë e gjallë u bë

Krejt Bibla. Fytyra na i ruan të

Fshehtën si thikat fshehur 

Pas së qeshurës. Tani që po

E nxjerrë fytyrën time prej hijes

Lexomëni para se serish

 në vetëvete te mbyllem


PIKELLIMI MBUSH FUSHAT ME LULE

Shoh çfarë reje është në qiell

E zezë a pupulore  dhe përtej resë

A ka një furtunë të fshehur. Për tek unë 

Kush u nis tjetër. Asnjë dëshmi

S’mjafton për të më bindur

Kam hapur dritaren të dalin pyetjet

dhe të pres përgjigjet e

Të tjerëve. Çoj lart krahët dhe

Lutem drejt qiellit. Ndiej një dashuri

Si po më vdes në zemër. Pikëllimi

Im mbush fushat me lule. Ka çaste

Kur thyej ekranet të shoh fytyrën

E egër të zemërimit. Kur jam 

krejt bosh tek unë ora e kohës

Ka mbetur. Përtej kësaj që shoh

Si makinë lëviz rrotat e perspektivës

Ka shumë të pavërteta që dot 

nuk i shqyej. Mërzia ime ha veten

Dhe ngopem prej saj me këtë 

Ushqim të hidhur


NGJYRAT NDERROJNE NJERA TJETREN

Që prej së djeshmes fle tek

Unë dhe ende s’po zgjohet. Ç’po 

Bëjnë të tjerët. Që prej dje a më 

Tej shigjetat ende s’kanë mbërritur

A po gjuani drejt meje pa u ndalur

Apo kini gabuar shënjestrën. Çdo

Dashuri ka humbur udhën atë kapin

Të parën shigjetat. Ruhem orë e

Çast mos më grabisin vjedhësit

Në kopshtin tim mbjell lule të

Tjera në kujtim të çdo humbjeje

Qielli merrë këto ngjyra hapet

E mbyllet hynë e kuqja të dëbojë 

Të verdhën. Kohë që e jetoj duke

Veshur e zhveshur rrobe që më

Futin si në burg trupin. Me penelin

Në dorë autoportret i pambaruar

Ku gajasen duke e parë

Dhe mallkojnë të qeshurën

Jo për fajin tim jam 

I errët kur derdh dritë për

Të parë të tjerët. S’më mjafton

As kjo tokë as ky qiell gjersa

Përbindëshi im të më lutet në 

prehër me putrat e një

Këlyshi të vogël


DY NE NJE ESHTE TEPER

Përherë është një njeri vjen

Pas meje vesh atë që unë e kam

Zhveshur i pakënaqur me veten merrë

Mërzinë time dhe ikën por gjithnjë 

Duke ecur pranë meje. Nuk është

I tëri hija ime që unë me këmbë

E kam shkelur. Ai përpiqet lufton të më

Nxjerrë prej vetes si të panjohur

E shoh si rrëshqet kur unë dua

T'a fut të tërin brenda vetes. E urrej vetëm

Atëherë kur e dua më shumë

Se veten. Iu besoj alkimive bëhem

Krejt ai dhe nuk i'a jap më 

Rrobet e mia për t’i veshur. Le

Të vdes këtë dimër prej të ftohtit

Te ky narcist që kurrë s’i ka pëlqyer

Pasqyra ku është parë dhe e

Ka thyer. Dy në një është tepër

Për të udhëtuar i vetëm.


BURRA TE LASHTE

Deti këtu është njëlloj

I egër shkëmbinj të thepisur

Unë prej egërsisë së tyre i

Zbutur. Më flakën në det dhe

Loznin me mua burra të lashtë

Nganjëherë shfaqen në pasqyrën 

E detit. E rrihnin me pëllëmbë dhe

Qeshnin si më përkundte 

Mua deti. Këtu vinin burrat dikur

Flaknin mua dhe pesha të rënda

Para se deti të kërciste dhëmbët

Mësimin e morën duke qeshur unë

Isha pagëzuar pa kryqe dhe lutje

Unë kisha hyrë në ujë dhe dola 

prej andej si  fetus i një nimfe


MES DY MALESH

Shoh pak nga dy malet kurrizin e njërit dhe

Pak majë te tjetri. Si të jenë qepallat

 e mia që hapin e mbyllin

Syrin. Unë ndodhem si në një

Anije që po mbytet. Një fëmijë 

I kapur te direkët pa kurrëfarë

Shprese. Oborri i vogël i anijes

Që po mbytet-këtë kisha dashur

T’i thoja nënës. Herë-herë dy

Malet hepoheshin. Unë nderja krahët

T’u ruaja drejtpeshimin. Kafshë të

Buta dhe njerëz të egër deti pas

Nesh dy maleve u lante 

Këmbët. E shoh atë fëmijë

Si rritet i shtyn dy malet pak më

Tutje do të hap një dritare pas

Shpine për të parë detin. Nuk e di

Se po rritet në oborrin e vogël 

Hap shtigje atje ku dy malet si

Dhëmbë egërsire në natë 

po mbyllen.


HELMI I URREJTJES

Ç’janë ata që më shohin më fyejnë

Më urrejnë apo më duan. Jam

I nevojshëm a i tepërt. Të gjithë u 

Bënë mërzia ime dhe pse secili

Më ka vënë në shënjestër. Mos vallë 

Unë jam pak më shumë ose më 

Më pak se secili prej tyre. Si

U ndodha kështu në qendër unë

Miku i periferive. Jam kaq i lodhur

Nga lajkat që më brengosin fytyrën. Dua

T’i dëboj por jam i kapur. Ata tani

U bënë një ansambël që i dirigjon

Urrejtja ndaj meje. Ai që shtrëngonte

Prangat ishte xhelati më i

Vogël i shtetit dhe më përmbyti

Me helmin e urrejtjes


UDHEN TA TREGON AJO QE KE HUMBUR

Ajo çfarë mungonte më nxiti

Një motor i shuar fjalë që humbi

Kuptimin. Një pikë e re nisjeje: të 

Kërkoj atë që kam humbur. Para se

Të të gllabëronte asgjëja. Çohu lëviz

Dil te maja ku shfaqet perspektiva. E 

fshehur është thellë e humbur

Te vetja. Te hapi i parë përpiqu

Të shohësh të fundit sepse udhën

Do t'a tregojë përherë ajo

Që ke humbur


MENDJA QE NDERRON UDHES

Nxito më pas prit vonesën do

Të vijë ajo që është penguar

Udhës. Mos e pyet çfarë ndodhi

Që tani po e bluan pritja jote. Më

Tej s’dihet sa do të presësh ti që aq

Shumë nxitove për t'a pritur. Ajo

Që s’varet nga ne por nga retë

Që po viziton në qiell nga mendja që 

Ndërron udhës. Kemi pritur

Dhe kohën e humbëm me dyshimin 

Që na e ka rrëmbyer 

Pritësi. Është krim i përditshëm

Me vrasës që kurrë s’do e zë të 

paguajnë çmimin

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page