top of page

STANDARDI I GJUHES SHQIPE, MEHALLA DHE METROPOLI


Sami Milloshi

STANDARDI I GJUHES SHQIPE, MEHALLA DHE METROPOLI

Nga SAMI MILLOSHI

15 Apr 2009

Arkiva

Mehmet ELEZI: intervistë

pjesa e dyte

...në dialekt, lexuesi i rritur me standardin tkurret.

Pyetje: Librin e parë me poezi Zhurmojnë Ujvarat e keni shkruar gegërisht. Paguat ndonjë çmim te lexuesi për këtë?

Përgjigje: Eshtë përmbledhje me vjersha të shkruara në gjimnaz e në vitet e para studentore. Asokohe (1970-1971) në Shqipëri ende mund të shkruhej gegërisht, anipse duke u parë shtrembët prej redaktorëve. Lexuesi nuk ishte çmësuar me gegërishten. Në mosgabohem një vit a dy para librit tim qe botuar një përmbledhje e Frederik Reshpjes me titull Rapsodi Shqiptare. Gegërisht edhe ajo. Dhe qe vlerësuar shumë. Në rrethet letrare flitej për të si një ndër emrat e rinj më premtues të poezisë shqipe. Nuk shqetësonte këndgegërishtja, thithej njësoj.

Pyetje: Pak më lart thatë se keni një mik që ju shkruan shkodranisht e ju i përgjigjeni në gegërishten standard. Ndërkohë janë shprehur mendime se për të shkruar gegërisht pengon pikërisht mungesa e standardit të gegërishtes. Si mendoni, a është mungesa e standardit të gegërishtes një arsye për të mos shkruar gegërisht?

Përgjigje: Nuk çuditem kur këtë e thonë njerëz që marrin përsipër me folë çka nuk dinë. Habitem kur e thonë njerëz të letrave.

2. A ka gegërishtja standard?

Pyetje: Pra doni të pohoni se gegërishtes nuk i mungon standardi?

Përgjigje: Çfarë kuptohet me standard? Le ta themi me fjalë shumë të thjeshta. Me standard kuptohet një tërësi a sistem rregullash drejtshkrimi dhe një gjedhe (model) e pranuar dhe e jetësuar e këtyre rregullave në administratë publike, në shkolla, në media e deri diku edhe në letërsi. Gegërishtja i ka të dyja. Edhe përpunimin e rregullave, edhe botimet. Botimet i ka pasur me plotni.

Pyetje: Kur flisni për rregulla drejtshkrimi të përpunuara keni parasysh ato të Komisisë Letrare të Shkodrës?

Përgjigje: Rregullat e Komisisë janë një shkallë kyçe në udhëtimin e gjatë historik të gjuhës shqipe drejt standardizimit, po vetëm një shkallë. Kjo do të thotë se hullia e standardit fillon shumë më përpara e vijon duke u qartësuar më pas.

Po ndalem te kjo më pas. Rregullat e përpunuara prej Komisisë (1916), për shkaqe të kuptueshme, janë të paplota; megjithatë ecën deri sa u shembën me urdhër politik, menjëherë pas Luftës së Dytë, anipse ky fakt fshihej nga diktatura e potragjelët e saj.. Le tëvijmë më afër në kohë, tetë vjet para Kongresit të Drejtshkrimit 1972. Drejtshkrimi i vitit 1964 i miratuar në Prishtinë ngrihej mbi gjithë nëndialektet e gegërishtes.. I afrohej shumë drejtshkrimit që zbatohej në Shqipëri me bazë toskërishten. Pra ishte shumë pranë njëstandardi mbidialektor, që nuk do të ishte as i gegërishtes, as i toskërishtes, po thjesht i gjuhës shqipe.

Gegërishtja që përdorej zyrtarisht në Prishtinë edhe para drejtshkrimit të vitit 1964 ishte gegërishte e përgjithshme, me elemente të përbashkëta prej krejt nëndialekteve gege. Vendimi me përdorë këtë gegërishte ishte marrë më 1952, në mbledhjen e “disapunëtorëve intelektualë të gjuhës e të letërsisë” (14, 15 nëntor). Në rezolutën e miratuar me atë rast theksohej se “për gjuhë shkrimi të Shqiptarëvet në RPFJ të përcaktojmë nji gegënishte në të cilën të vijnë me bashkëpunue nëngegnishtet e ndryshme simbas kriterit tëmënjanimit t’evolutavet partikulariste të nëndialekteve të ndryshëm të gegënishtes”. Dhe ky parim ishte jetësuar në libra, në shkollë, në administratë, në shtyp. Shkruhej e përdorej një gegërishte kësisoj. Mjafton me u lëshue një sy autorëve të talentuar nga Kosova, qëasokohe na ndalohej me i lexue, që nga Esat Mekuli, pa folur për më të vonët si Anton Pashku e të tjerë.

Pyetje: A njihen këto fakte?

Përgjigje: Këto vendime kanë qenë publike qysh atëherë, janë të botuara dhe është një kulturë e tërë që flet për to. Studiuesit dhe të tjerë që dëshirojnë me i ditë i dinë. Po ka edhe fanatikë të kongresit të ’72-shit, që parapëlqejnë mos me i zanë në gojë. U bëhet ferra Ibrahim, nuk dëshirojnë me ia prekë as qimen standardit të spicuar me pancir, druhen se çdo vlerë e përndjekur e gjuhës shqipe e rrezikon standardin. Por e kundërta është e vërtetë. Madje e vetmja mënyrë me e shpëtue standardin e ndoshta vetë gjuhën shqipe është hapja e standardit në mënyrë shkencore, nëpërmjet një planifikimi të ri gjuhësor. Nëse ato pasuri kërcënojnë diçka te standardi, kërcënojnë pjesën orwelliane të tij. Pra ngurtësinë e bunkertë, ngulfatjen e gjuhës. Ky lloj kërcënimi besoj është i mirëpritur për gjithkënd që e do gjuhën shqipe.

Pyetje: Kur folët për rregullat e Komisisë, thatë pak a shumë se ato janë një shkallë gjatë një udhe të gjatë. Pak më qartë rreth kësaj?

Përgjigje: Rrekjet për një gegërishte të njësuar e sa më afër toskërishtes - në thelb rrekje për një standard të gjuhës shqipe që kalon nëpërmjet gegërishtes por pa u mbetur tek ajo - janë shumë më të hershme se Komisia. Ato dëshmohen qysh me fillimet e shkrimit shqip. Çabej shkruan se te autorët e vjetër “me Gjon Buzukun në krye” vihet re “më një anë një shkallë mjaft e përpunuar e gjuhës, një gjuhë letrare, më anë tjetër një formë gjuhësore me tipare mjaft të përbashkëta...”. Sipas tij “këta autorë nuk kanë shkruar në dialekt me kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Ata kanë shkruar në një formë mbidialektore të gjuhës....”. Duke e dalluar qartë këtë prirje, Çabej del me përfundimin se gegërishtja e shekujve të 16-të – 17-të ka qenë më unitare dhe më afër toskërishtes. Kjo prirje vijoi me Kristoforidhin dhe u institucionalizua në Komisinë Letrare të Shkodrës. Më pas vazhdoi me u konsolidue në Shqipëri deri në mbarim të Luftës së Dytë. Dihet çka ndodhi më pas.

Pyetje: Po gjuha e Fishtës?

Përgjigje: Gjuha e Fishtës është tepër-tepër e pasur. Eshtë lumë që derdhet me shungullimë duke mbledhur burimet e ujvarat e krejt trevave kah kalon. Gjithsesi kulmi i këtij lumi, domethënë rryma kryesore, mbetet shkodranishtja.

Pyetje: Shkodranishtja a nuk është gegërishte?

Përgjigje: Shkodranishtja nuk është baras me gegërishten, siç nuk është as kosovarishtja baras me gegërishten.. Këto janë nëndialekte të gegërishtes. Me të njëjtën logjikë, nuk mund të thuash se labërishtja ose çamërishtja janë baras me toskërishten. Edhe ato janë nëndialekte të toskërishtes.

Pyetje: Folët për Kosovën, po në Shqipëri a kemi pasur gjedhe të shkruar të një standardi gegë? Pas Luftës së Dytë e kam fjalën.

Përgjigje: Përmenda të ndjerin Reshpja, në fillimet e krijimtarisë së tij. Kanë qenë asokohe një brez shkrimtarësh shkodranë që shkruanin një gegërishte pak a shumë të standardizuar, jo shkodranishte. Drago e Llazar Siliqi, Mark Gurakuqi, Kolë Jakova... Dhe shqipërues të papërsëritshëm si Pashko Gjeçi (falë talentit e kulturës së tij Dantja filloi me folë shqip), Gjon Shllaku e Henrik Lacaj, shqipërues përkatësisht të Homerit (Iliada) e të Lukrecit (Mbi natyrën). Por edhe proza e Koliqit nuk është shkodranishte e ngushtë. Edhe ajo mendoj se është më afër një standardi gegë me prirje për t’u hapur gjithnjë. Pastaj Camaj...

Pyetje: Domethënë gegërishtja e ka pasur prej kohësh standardin?

Përgjigje: Thashë, në kuptimin e rregullave të drejtshkrimit, në vijat kryesore ky standard pas Luftës së Dytë është përpunuar në Prishtinë, më qartë në drejtshkrimin e vitit 1964, mbështetur në arritjet e mëparshme. Në kuptimin praktik, të përdorimit, është jetësuar në një përvojë letrare të pasur në të dy anët e kufirit shtetëror.

Ky standard ishte bashkëpunues, siç kishin qenë bashkëpunuese edhe rregullat e Komisisë, në gjurmët e të cilave ec ai. Ai po udhëtonte drejt një standardi të përbashkët, i gatshëm për të tjera kompromise të mbështetura jo në ideologji por në logjikën e gjuhësshqipe e në të mirë të saj.

Gjithsesi mendoj se tashti kjo s’ka shumë rëndësi. Ose, më saktë, ka rëndësi në rrafshin historik, me e njohë të vërtetën edhe në gjuhësi. Për shkak se është fshehur ose është lënë në terr e njëmendta, shumë njerëz në Shqipëri kujtojnë se, ishte si ishte kongresi i drejtshkrimit i 1972-shit, të paktën e « pajisi gjuhën shqipe me standard », që aq shumë i kishte « munguar » gjatë historisë. Kështu kujtojnë. Sepse kështu u është thënë pambarimisht.. E vërteta është shtrembëruar e është shëmtuar mizorisht.

Standardi i gjuhës shqipe ishte dhe përdorej për bukuri, po sapo u kushtetuan komunistët iu vunë minat e u shemb me urdhër politik brenda një nate, sikur të mos kish qenë kurrë. Puna e standardit të kongresit të 1972-shit dhe e politikës gjuhësore që e parapriu atë është afërsisht kështu: ti ke shtëpinë tënde, është një shtëpi e papërfunduar plotësisht, por gjithsesi e mirë, me projekt të qartë plot dritë e hapësirë për të gjithë, dhe papritmas vjen tjetri e ta bën rrëgalle e pluhur me buldozer, pastaj të merr e të fut në një banesëdhomë e kuzhine parafabrikat, ku gatuhet në banjë, dhe vikat sa i mbajnë mushkëritë: E shikon? Të bëra me shtëpi, ishe në rrugë të madhe! Por nuk thotë se ishte pikërisht ai vetë që ta rrenoi shtëpinë e mëparshme e të qiti në rrugë të madhe! Ishte pikërisht diktatura që eshembi standardin ekzistues për ta rifilluar nga e para me një standard tjetër, sipas parimeve të veta feudo-orwelliane.

3. Shtat sportisti në këmishë rakitiku

Pyetje: Tashti duhet ta lëshojmë këtë “parafabrikat”, të kërkojmë ta rindërtojmë shtëpinë në truallin e mëparshëm?

Përgjigje: Sytë janë me pa e mendja me gjykue. Standardi i rri gjuhës shqipe siç rri një këmishë rakitiku në shtatin e një sportisti në kulmin e lulëzimit. Por kjo këmishë ka sa të duash “copë rezervë” për ta zgjeruar duke ia përshtatur shtatit në mënyrën më tëmirë; ka pasuritë e pafundme të gjuhës shqipe, ka vlerat e saj të përjashtuara, të shkelmitura, të fyera prej kongresit të 1972-shit. Ta rikonceptojmë pra këtë këmishë mjeshtërisht, që t’i rrijë lirshëm e hijshëm gjuhës shqipe. Përndryshe ajo do të pëlcasë e do të çahet, nukdo ta përballojë më zhvillimin e shtatit të gjuhës. Mendjet e ndritura e shohin rrezikun e kësaj çarjeje, madje shqyerjeje.

Pyetje: Çfarë kuptoni me çarje?

Përgjigje: Hijet që kërcënojnë një gjuhë nuk janë për gjithkënd të kapshme siç mund të jetë i kapshëm për shembull një rrezik i drejtpërdrejtë politik: një diktaturë, një pushtim... Ndodh kështu sepse një gjuhë nuk mund të bjerë menjëherë, siç bie një kështjellë anjë kryeqytet. Një gjuhë vdiret ngadalë, një gur i ngrehinës së saj rrëzohet sot e një a dy nesër, muret zhgaliten pak nga pak çdo ditë, derisa një mëngjes kuptohet gjëma e pakthyeshme. Por mendjet më të kthjellta i shquajnë së largëti këto rreziqe. Çabej na vjen nëndihmë edhe nga bota tjetër, ku me sa duket shpirti i tij i madh nuk gjen prehje. E vëren dhe e shqipton qartë rrezikun e shkëputjes së standardit nga gjuha e gjallë e popullit.. Rrezikun që ky standard në njërën anë dhe gjuha e gjallë që përdorin të gjithë shqiptarët në anëntjetër, të marrin udhë të ndryshme, duke i kthyer shpinën njëri-tjetrit, secili në fat të vet. Me sa jam në dijeni, është hera e parë që ai shprehet kaq drejtpërdrejt.

Pyetje: Shprehet drejtpërdrejt kundër standardit?

Përgjigje: Dihet se Çabej kurrë nuk e pati përkrahur zgjedhjen e 1972-shit. Tash në librin e tij të sapobotuar Hyrje në Historinë e Gjuhës Shqipe e qartëson qëndrimin e vet dhe lëshon morekujehen. Guxon me e shkrue atë që shumë prej nesh mbase e mendonimnë një farë mënyre, po s’e thoshim dot, se të priste Spaçi me tërë ç’kishe soj e fis. Çabej pohon me guximin e Njeriut të Madh se “sot ka gjer diku dy gjuhë ndër ne: më një anë gjuha e shkruar e intelektualëve, më anë tjetër gjuha e thjeshtë e popullit...”. Këtë e thotëpikërisht në librin Hyrje në Historinë e Gjuhës Shqipe (Botime Çabej 2008), një përmbledhje me ligjërata për studentët. Siç thuhet në një shenim të botuesit, këto ligjërata janë mbajtur për herë të fundit më 1968, vit kur Mjeshtri hoqi dorë nga ligjërimi në Universitetin eTiranës.

Pyetje: Po kongresi i drejtshkrimit a nuk është mbajtur katër vjet më vonë? Më 1972.

Përgjigje: Kongresi ishte thjesht formalitet. Ishte si puna e një martese që kurorëzohet në zyrat e bashkisë pasi është konsumuar shumë vjet rresht. Rregullat që miratoi kongresi, me ndonjë ndryshim të papërfillshëm, përdoreshin prej 20 vjetësh, qysh nga ardhjanë pushtet e diktatorit dhe klanit të tij. Përdoreshin në gjuhën e administratës, të medias, në shkolla, në botime. Disa vjet para kongresit projekt-rregullat e drejtshkrimit qenë shpërndarë për “diskutim”, për të marrë “mendimin e popullit”, siç qe marrë “mendimi ipopullit” edhe kur fshatari dorëzoi “vullnetarisht” gjënë e tokën e çka pati dhe hyri në kooperativat bujqësore të urisë, siç merrej “mendimi i popullit” edhe për planet pesëvjeçare të varfërisë, siç qe marrë “mendimi i popullit” edhe për shkatërrimin e institucioneve fetaree burgimin e vrasjen e priftërinjve të fundit. E miratimi duhej të ishte 99.99 për qind, siç dilnin 99.99 për qind votimet pa kandidatë alternativë. Pra standardi ishte i përfunduar prej kohësh, pritej një akt formal i miratimit të tij. Ky akt formal do të quhej kongres i drejtshkrimit.

Viti 1968, kur me sa duket Çabej e ka formuluar pohimin e mësipërm, ose e ka ripohuar duke iu përmbajtur një përfundimi të mëparshëm, ka rëndësi për diçka tjetër. Në fund të viteve gjashtëdhjetë ky standard gjuhësor kishte vetëm njëzet vjet që përdorej. Emegjithatë rreth njëzet vjet kishin mjaftuar me e shkëputë atë me gjuhën e gjallë, në fjalor e në sintaksë, me krijue një ndarje aq të thellë, sa Kryemjeshtri flet për gjendje të “dy gjuhëve” shqipe!

Nëse kjo mund të thuhej atëherë, kur ky standard kishte vetëm rreth njëzet vjet jetë, pra rreth një brez njerëzor, kur gjithsesi ende mund të shkruhej e të botohej gegërisht, kur standardi i mëparshëm i shestuar në Komisinë e Shkodrës e i përdorur gjatë dhe midisdy luftave botërore ishte ende i freskët në kujtesën e shqiptarëve e në shprehitë gjuhësore të tyre, merre me mend çka mund të thuhet sot, sa larg kanë shkuar sot përmasat e kësaj çarjeje. Kanë kaluar edhe katërdhjetë vjet të tjera me standardin e bunkertë të detyrueshëmnë gjuhën e shkruar e në komunikimin publik, pra edhe gati dy breza. Ndërkohë në popull ka vazhduar të flitet gjuha “tjetër”, gjuha e gjallë shqipe. Në Kosovë e në troje të tjera shqiptare në Maqedoni, në Mal të Zi, në Serbinë e Jugut, aq më shumë. Humnera midiskëtyre dy “gjuhëve”, midis gjuhës së gjallë që flitet në popull e standardit të betonuar, në këto dyzet vjet të tjera ka shkuar shumë më thellë se sa ishte kur Çabej lëshon kushtrimin për krijimin e “dy gjuhëve” shqipe. Thellësia e kësaj humnere është e errët. E errët dhe errezikshme, nuk i shquhen përmasat.

4. Një tubëz e hequr në Himnin e Flamurit

Pyetje: Megjithatë Çabej sikur nuk e përmend fjalën standard.

Përgjigje: A mund të më thoni cili është ndryshimi? Në atë kohë fjalët standard e standardizim nuk përdoreshin. Në vend të tyre thuhej gjuhë letrare, gjuhë e njësuar e të tjera emërtime-sofizma, si koine sui generis. Çabej flet për një “zhvillim negativ, qëkarakterizohet me largimin e gjuhës së shkruar nga gjuha e popullit” deri në gjendjen e “dy gjuhëve” . Gjuha e shkruar a nuk është pikërisht standardi? Madje ai e përforcon idenë kur paralajmëron edhe për rrezikun e “një gjuhë artificiale”.

Fati i një gjuhe është fati i popullit që e flet. Një gjuhë e ndarë më dysh do të thotë një popull e një komb i ndarë më dysh. Një tubëz (strofë) që ka pasur Himni i Flamurit në variantin fillestar të tij ka qenë hequr. Ajo strofë thotë se historia dëshmon se edhe kombetmund të zhduken përmbi dhé. Një e vërtetë që pohohet edhe në librat e shenjtë. E që dëshmohet prej historisë.

Pyetje: Mos po shkojmë shumë larg?

Përgjigje: Larg a afër, shkon përvoja, jo unë. Dhe paralajmërimin e bën një personalitet i pashoq në gjuhësinë shqiptare e më gjërë, si Eqrem Çabej. Zhdukja e një populli në thellësitë e mugëta të qindvjeçarëve mund të jetë dëshmuar si shuarje e mirëfilltë egjuhës e e kulturës së tij, si zhytje në terrin e harrimit.. Por zhdukja mund të vijë edhe në trajtën e copëtimit e të shkërmoqjes, të thërrmimit shkallë-shkallë.

Lëshojini një sy historisë. Të gjitha gjuhët e sotme latine, nga Siujdhesa Iberike (Spanja, Portugalia) deri buzë Detit të Zi (Rumania), janë bija të një zjarri: kanë dalë prej latinishtes. Por latinishtja e shkruar vdiq e shkoi e u harrua, sepse u shkëput e u largua prejpërdoruesve të saj, ua ktheu shpinën të gjallëve ndaj mbeti me të vdekurit nëpër letra. Ndërkohë latinishtja popullore gjalloi, u degëzua e polli, prej saj u krijuan disa gjuhë të mirëfillta (frengjisht, italisht, spanjisht... rumanisht). Ndryshe prej grekëve që vazhdojnë me uquejtë grekë si para dy mijë vjetësh, sot italianët nuk quhen romakë, si të parët e tyre që flisnin latinisht.

Edhe disa gjuhë sllave mjaft të afërta me shoqja-shoqen, dikur s’kanë qenë gjuhë, kanë qenë diçka si dialekte a të folme. Duke u larguar prej njëra-tjetrës në shtete të veçanta, u shndërruan në gjuhë të veçanta e popujt e tyre në popuj, përkatësisht kombe, tëveçantë.

Siç shihet historia shërben do përvoja që ne shqiptarëve nuk na përshtaten. Në të kundërt. Diçka që për të tjerët nuk ishte rrezik, për ne mund të përbëjë rrezik shumë të madh. Pse? Sllavët ishin shumë, kishte boll edhe për t’u ndarë edhe për të mbetur prapë secilipopull sllav i madh në numër. Popujt e latinizuar po ashtu ishin shumë, kishte boll edhe për t’u ndarë edhe për të mbetur prapë secili syresh i madh në numër. Po ne shqiptarët sa jemi? Ne shqiptarët të gjithë të bashkuar krahasuar me ata jemi pak, krejt pak. Ne shqiptarëtjemi vëlla i vetëm në një katund të madh. E po të shkapërderdheshim edhe më duke pjellë “kombe”, këto pjella e sajesa do të ishin “kombthe” grimca, thërrime, zogj të vegjël që zor do të mundnin me fluturue vetë, asnjëri prej tyre.

Copëtimi kulturor e gjuhësor i shqiptarëve do të ishte minë me plasje të vonuar në zemër të Qenies sonë. Ju e dini sa janë munduar armiqtë historikë, rrethet e nacionalizmit parak në rajon, me e vu në jetë strategjinë e ndarjes së shqiptarëve në disa “kombe”. Nëtë gjitha kushtetutat e Jugosllavisë mbas Luftës së Dytë e në dokumente të tjera shkruhet për “shqiptarë”, madje “shiftarë” (shqiptarët e trevave shqiptare në ish-Jugosllavi) dhe për “albanci” (shqiptarët e Shqipërisë). E po kështu flitej për gjuhë të “shiftarëve” e të“albancëve”.

Gjuhëtarët e Kosovës e kishin prekur së afërmi këtë rrezik. Ndaj nënshkruan pa mëdyshje në Kongresin e 1972-shit. E kam thënë edhe herë tjetër, i hodhën ato nënshkrime si Shqiptarë më fort se si gjuhëtarë, si intelektualë më fort se si ekspertë, dhe ky ishte e dotë mbetet akt madhor historik i tyre në ato kushte. Po tashti rrethanat janë të tjera. Shqiptarët në Shqipëri dhe thuajse kudo në Ballkan janë më në fund të lirë. Janë të lirë edhe për të ndryshuar disa gjëra të diktuara nga robëria, nga diktatura. Pra për të menduar e vepruarsi në liri.

Mjaft jemi rrudhur e tkurrur gjatë rrjedhave aspak dashamirëse të historisë; të paktën tashti në Kohët e Lirisë duhet të mos ndahemi më, të mos zvogëlohemi më, duhet të mbetemi këta që jemi, madje të shtohemi e të rritemi, duke e ndërtuar, më në fund, tëardhmen tonë europiane.

Pyetje: Ka të bëjë kjo me nacionalizmin?

Përgjigje: Varet çka kupton me nacionalizëm. Në qoftë se nacionalizëm do të thotë me e dashtë kombin tënd, me i mbrojtë vlerat e tij më të qenësishme, gjuhën e lashtë e të pasur shqipe e vetvetësinë (identitetin), me u përpjekë me i trashëgue e me i zhvillue këto vlera në integrimet europiane duke e pasuruar thyezimin (mozaikun) e qytetërimit europian, të cilit i përkasim, atëherë besoj se nuk do të ndihesha keq nëse dikush thotë se ky është nacionalizëm. Filozofi zviceran Victor-Yves Ghebali, i cili para do muajsh ndërroi jetë, flet për dy lloj nacionalizmash: për nacionalizëm qytetar dhe për nacionalizëm parak. Ç’është nacionalizmi qytetar, sipas tij e të tjerëve? Eshtë përpjekja e përkushtimi me e afirmue e me e zhvillue kombin tënd, vlerat e tij, në rrjedhat e qytetërimit bashkëkohor e si pjesë e tij, në përputhje me vlerat e Lirisë, të Demokracisë. Nacionalizmi qytetar është e kundërta e nacionalizmit parak, të skajshëm, i cili ve në qendër kombin e vet duke i përjashtuar të tjerët, duke i shkelur e shtypur ata. Nacionalizmi qytetar sipas këtyre dijetarëve është forcë shtytëse për të shkuar gjithnjë përpara, është vlerë, është tipar i shoqërive demokratike të zhvilluara. Nacionalizmi parak, i skajshëm është kundërvlerë, është primitivizëm mizor, dhëmbët e tij i ka njohur mirë Ballkani deri para dhjetë vjetësh. Skajimi im është thjesht nacionalizëm qytetar. Nacionalizmi qytetar nuk vjetrohet kurrë, nuk del kurrë “jashtë mode”. Sepse nuk është modë e nuk mund të përqafohet si modë, siç bëjnë disa me kozmopolitizmin, për shembull.. Nacionalizmi qytetar është përmasë e brendshme. Pa energjinë e tij pozitive një komb s’i rrok dot majat.

Pyetje: Folët për ndarje, po ndarje mund të ndodhin edhe pa e prekur gjuhën, apo jo? Ja shembulli i popujve gjermanishtfolës në Europë, që përbëjnë kombe të ndryshme me gjuhë të përbashkët: Gjermania, Austria... Pa folur për Zvicrën e Luksemburgun, ku nukflitet vetëm gjermanisht.

Përgjigje: Me sa di unë, e thatë edhe ju, zviceranët e gjermanët nuk janë quajtur ndonjëherë një komb. Gjithsesi kur ruhet gjuha gjasat janë me u ruejtë edhe njësia e kombit. Ndërsa në u ndaftë gjuha, për tërësinë e një kombi nuk mbetet më shpresë, ndarja e gjuhës është fundi i njësisë (unitetit) së tij. E për një komb relativisht të vogël copëtimi është hap i pakthyeshëm drejt vdekjes. Sa bëhen gjermanishtfolësit në Europë? Janë ndonja njëqind milionë. Më i vogli komb gjermanishtfolës janë austriakët, e vetëm ata janë më shumë se të gjithë shqiptarët e Ballkanit të marrë së bashku! Ne shqiptarët, relativisht të pakët në numër e me kohë historike të humbur, nuk e kemi luksin e gjermanishfolësve për t’u copëzuar edhe më. Ne duhet ta kapim trenin e historisë së bashku.

Edhe parimisht copëtimi kulturor e gjuhësor i shqiptarëve nuk shkon. Në kohën kur tërë popujt e kombet po integrohen me njëri-tjetrin - kjo është prirje historike europiane dhe e përbotshme, së cilës i jemi bashkuar me dëshirë të gjithë shqiptarët - si mund tëmendohet që pikërisht brenda vetes shqiptarët të ndjekin rrugë të kundërt? Dhe kur jemi aq pak e aq të përplasur gjatë rrjedhave të historisë? A nuk do të ishte diçka kundër rrymës?

Eshtë mençuri e madhe e zviceranëve, luksemburgasve, austriakëve po se po, që edhe pse në shtete të ndryshme, të gjithë përdorin gjermanishten standard.

5. « Rruga e mesme » që këshillon edhe Çabej

Pyetje: Ata që kërkojnë përmbysje dhe ngritje nëndialektesh ose të folmesh të tjera në statusin e një standardi të ri, a nuk janë pikërisht ata që po prijnë kah përçarja?

Përgjigje: Jepi secilit hakun. Ata janë pasojë, nuk janë shkak. Janë pasojë e mbylljes me mendësi mëhalle, që iu bë standardit të gjuhës shqipe. Fanatizmi i skajshëm pjell ekstremistë në krahun tjetër. Edhe heretikë.

Ç’është një dialekt i shpallur standard e i mbyllur me fanatizëm gjatë një kongresi të kontrolluar egërsisht nga politika? Eshtë njësoj si me marrë një qytet e me e shpallë metropol nëpërmjet një vendimi a dekreti qeveritar. Po metropolet nuk shpallen me dekrete. Bëhen të tilla me zhvillim.. Që një qytet të marrë përmasa metropoli, ai duhet doemos të hapet, të marrë e të japë me të gjitha viset e tjera, të zhvillohet kulturorisht, të pasurohet sa ta lakmojnë të gjithë. Standardi ka bërë të kundërtën. I ka mbyllur dyert me mure betoni: ndal! Dhe është shumë më i varfër se gjuha e gjallë shqipe.

Pyetje: Ç’mendoni se mund të bëhet që gjuha shqipe të mbetet gjithnjë një e jo dy, siç vëren Çabej?

Përgjigje: Si gjithë të mëdhenjtë e kësaj bote, Çabej nuk ndalet te vërejtja (konstatimi). Ai këshillon edhe çka me ba: “Midis gjuhës ekzakte të shkrimit dhe gjuhës së gjallë të popullit ne duhet të mbajmë një rrugë të mesme”, thotë. Përndryshe, paralajmëron ai, gjuha shqipe mund të bëhet një “gjuhë e pasme (e prapambetur)” ose “një gjuhë artificiale”. Pikërisht me këto fjalë e mbyll librin. Për standardin si « gjuhë artificiale » ka folur edhe një personalitet tjetër i madh i letrave shqipe e i gjuhës, Martin Camaj.

Pyetje: Domethënë?

Përgjigje: Domethënë ajo që po kërkojmë prej disa vjetësh: një hapje të standardit me kritere shkencore. Hapje duke e nxjerrë nga “mëhalla”, për ta bërë gjithëpërfshirës, për ta shndërruar në “metropol”. Gjithëpërfshirës për vlerat më të qenësishme të gjuhës. Gjithëpërfshirës, që aty ta gjejnë veten të gjithë shqiptarët. Gjithëpërfshirës, pa ia prekur bazën toskërishte.

Pyetje: Pa paprekur bazën toskërishte?

Përgjigje: E kam thënë kaq herë.

Pyetje: A mund të jetësohet kjo?

Përgjigje: Ka do kohë që këto çështje po shtrohen e argumentohen në shtyp, në botime, në tubime (kam parasysh mendjet e ftohta, që nisen nga interesi kombëtar e jo nga prirje parake partiake ose krahinore). Edhe unë jam një prej atyre që kanë shprehur disa mendime; i kam argumentuar te libri Gjuha Shqipe në Bunker?, që është botuar edhe si parathënie e Fjalorit, dhe në disa shkrime a trajtesa të mëhershme e të mëvonshme. Tashti del në dritë më qartë e vjen në ndihmë qëndrimi i Çabejt. Kryemjeshtri nuk lëshon teza utopike. Nuk flet për “shpikje” rrugësh. Flet për “rrugë të mesme” nëpër truallin e gjuhës shqipe. Pra duke ndjekur prirjen ose ravën qindravjeçare të saj.

Të gjitha këto pikëpamje duhen rrahur në mënyrë shkencore, pa paragjykime, pa parakushte. Ose me një parakusht të vetëm: me vullnetin kombëtar e shkencor të përbashkët me përcaktue shtratin e “rrugës së mesme” që këshillon Çabej, pa bërë shembje epërmbysje dramatike. Do me thënë me e hapë standardin e sotëm sipas rregullave të qarta në përputhje me ligjet e gjuhës. Kaq.

Pyetje: Mendoni se kështu ndihmohet standardi?

Përgjigje: Jo vetëm ndihmohet. Shpëtohet. Çabej parashikon shndërrimin e shqipes në “gjuhë artificiale”. Po ç’do të thotë gjuhë artificiale? Gjuhë artificiale do të thotë gjuhë e vdekur. Kush mund të përmendë emrin e një gjuhe artificiale që ka mbijetuar ose qëështë në përdorim? Çabej zgjedh këtë eufemizëm, për të mos thënë gjuhë e vdekur.

Nuk më duket se ka mënyrë tjetër me shpëtue standardin.

Dhe vetë gjuhën shqipe.

Dhe... folësit e saj!

Bisedoi #Sami #Milloshi, gazetar i lirë në SHBA

©copyright fjala e lire 2009

41 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page