Tregim nga Fatmir Terziu
Askush deri në atë ditë nuk e kishte besuar se do të ndodhte ndryshimi në jetën e tyre. Në Ushkur jeta kishte kohë që kishte mbetur si bastuni i njeriut të ditur që kishin sjellë qeveritarisht aty për të shpjeguar vetëm dy fjalë, që në fakt ishin vetëm një fjalë në gjuhën e Ushkurit: “stand by”. Pra, të gjithë tashmë e dinin, por praktikisht do ta mësonin pikërisht në një ditë me diell. Ishin të gjithë aty. Pikërisht aty ku shkopi i të huajit ngrihej lart dhe qëndronte pingul mbi dorën e tij të madhe e të mbushur. Ai e mbante shkopin si një lloj magjistari. Nuk habiste për qëndrimin e tij pa shkop, pasi tashmë të gjithë e dinin se ekuilibri i tij prishej mjaft radhë. Edhe pse ishte një burrë i bëshëm me tërë muskujt e një dyzetëvjeçari, qëndrimi i tij me shkop i kishte shuar kureshtjet, kur aty pikërisht aty në atë shesh kishte lënë hijen e tij nga lart një Kaçator.
- Ja prej atij e kam këtë dhuratë. Dhe ata që e kishin dëgjuar shpjegimin e tij, nuk merakoseshin më për shkopin e tij. Shkopi i tij tashmë ishte vetëm për atë nënkuptim fjalësh, ishte për atë “stand by”. Ja pra që kishte ardhur dita dhe “stand by” do të shpjegohej edhe praktikisht. Teoria e tij kishte qenë “terapi shoku” dhe mjaft nga intelektualët e gjendshëm e kishin debatuar shumë. Tani që syreshët ishin ndarë në kahje të ndryshme, madje kishin ndërruar disa herë edhe xhamitë me kishat, pastaj kishat me xhamitë, thuhej se ishte më e lehtë të bëhej sqaresa praktike e shkopit “stand by”. Ishte më e lehtë se xhumahetet dhe grigjat mund të binin më lehtë dakord në gjetjen e mirëkuptimit. E kështu u tha. E kështu u bë. Në atë ditë me diell nisi sqarimi i shkopit “stand by”. Ata që kishin lidhje me xhaminë u tha do të gjendeshin para saj në orën e caktuar. Ata të kishës do të gjendeshin para kishës. Të dy institucionet e besimit të kultit kishin kullat e tyre. Minareja ishte e gjatë, por edhe zgjatja qiellore e kishës nuk ishte më pak e tillë. Dhe kishte ardhur koha. Në fillim bënë pas tij, pas shkopit të të huajit, ata të kishës. U bënë një e nga një dhe nisën me radhë të hypnin e zbrisnin në majë. E, kur mbaruan u këshilluan të prisnin edhe palën tjetër që kishte hypjen dhe zbritjen në minare. Sikurse dihej dita e parë zgjati dhe përfundoi deri në muzg me hypjet e zbritjet e xhumahetit dhe grigjës në majat përkatëse të institucioneve. Ditës tjetër përsëri para tyre tek Çinari do të ishte Ai, i huaji dhe shkopi i tij “Stand by”. Dhe koha nuk priste më. Ishin shtuar tensionet. Madje të dy anët e Çinarit kishin filluar të tërfëllonin dhe rrënjët e tij. E ibrikët e fildishtë që u lanin këmbët zonjëzat me ndryshesa të vogla, ditëve me sevda, binin mjaft në sy të diellit. Tej e tej në Ushkur ishin të vetmit që ndanin rreze dhe dukej sikur paralajmëronin atë mëngjes me diell, sigurisht të dilnin nëpër dritare gjokse të varura e të mbështetuara bukur pas parmakëve me lule të ndezuara. E syri mbetet sy, edhe për vendasin edhe për të huajin. I huaji në tërë këtë siklet ishte në piskamë shpirti nga brenda. - Ore, si e ka hallin ky? - Ore, po tall bizhdilet me ne? Në rrëmujën e pyetjeve të tjera të dy palët nuk kishin më zgjdhje tjetër, vetëm të prisnin bulëzat e rrëmujëta të ballit të qafoheshin poshtë baqthit e qafës së tyre. Fundja ishin paguar qeveritarisht të kryenin eksperimentimin e “stand by” me ekspertin e ekonomisë së lirë dhe progresit të lëvizjes së lirë në tokën ku të gjithë shkelnin njësoj, madje dhe jashtëqisnin njësoj. Nga hoteli më në fund u pa në fillim të dilte eskorta me uniformë të ngjeshur. Pastaj u dhanë boritë e makinave andej nga dy grykat e gjëra të Ushkurit, dhe pastaj sa në dy dete e dhjetëra liqene zambakëve iu ndritën veshëzët e tyre të njomur mirë e mirë në ujë të pastër. Natyra nga ana tjetër mezi priste atë dihatje. E gjitha më pas u çlirua mbi kodra, kur një sy shfryrje e madhe, e gjatë dhe dalldisëse u plas tutje, si për të paralajmëruar daljen në sokak të shkopit “Stand by”. Ai ecte. Rikosheta e hijes së tij ngecte dritareve dhe ballkoneve me lule e gjokse meraku. Ndërsa shoqëruesit ende kishin punë me eskortën e përzier, me makina qeveritare, presidenciale, partiake, diplomatike, e të tjera me targa mistike. Më në fund Çinari kishte krijuar një lidhje të tretur me hijen e tij poshtë zgjatmës së bastunit të tij. Gjithë ai Çinar që kishte mbajtur me shekuj poshtë tij burrat e Ushkurit, tashmë ishte bërë një pikë, një pikëz e vogël nën bastun. - E thamë ne ky do të jetë ndonjë magjistar! - E thamë ne ky po luan me ndonjë magji të mistershme! Të dy anët e Çinarit riciklonin mjaft si këto hamendësi nën cigare e nën tym duhani. Ja më në fund. Çinari kishte rënë në qetësi. - Stand by! Fjalët dolën nga vajza më e bukur e Ushkurit, minifundi i së cilës tashmë nuk binte më në sy, pasi të gjithë ishin ngulur vetëm në një pikë, në hapjen dhe mbylljen e gojës së saj. - Pra më dëgjoni me vëmendje. I Deleguari i Plotëfuqishëm i fateve tona të integrimit, një nga miqtë më të mëdhenj të Qeverisë, pasi shpenzoi tridhjetë vite e tridhjetë ditë në zbulimin e problematikave tona, më në fund teorikisht dhe praktikisht vërtetoi se Demokracia jonë është tashmë “Stand by”. Kjo do të thotë … Më saktë, po ju pyes të dy grupeve: “Çfarë ndjetë kur ishit atje lart në ato maja?” - Ne dridheshim, majat nuk … dridhje. Pra e shikoni, e ndjetë atë që më në fund duhet ta kuptoni. I Deleguari i Plotëfuqishëm i fateve tona të integrimit thotë se kur ndjeni dridhje atje në majë, majat janë në kohën e duhur, në vendin e duhur, në punën e tyre të duhur. - Por, ne dridheshim. Majat nuk dridheshin… Atëherë më dëgjoni mirë. “Stand by!” Majat, tashmë po mendohen nga t’ju hedhin majtas apo djathtas. - Pra? Pra… Ju jeni tashmë të mirëkualifikuar. E keni provuar si teorikisht, ashtu edhe praktikisht se Demokracia është sikurse ndodh atje lart në majë. Ajo tashmë është duke u menduar, madje duke u rimenduar mirë… E ndërsa Çinari edhe ai kishte rënë në një qetësi të mistershme, lart në qiell sipër kokës së tij, u rishfaq Kaçatori. Në dritaren e tij atje lart, fare lart ku e qiellta plasej mbi një fytyrë të çrregullt reje, shkopi i tij kishte qëndruar pingul, dhe me renë e bardhëfryrë shkruante në qelqëri: “Stand by”.
Fatmir Minguli Nje shkrim qe ndan pozicionet midis esese dhe pamfletit fshikullues! Subjekti ndonse i fshehur nen fjalet kyce Ushkur, stand by, Kacator, dhe Cinar, del qarte me absurdin e kudondodhur ne Ushkur. Ushkur nuk eshte krahine ne Angli,por nje vend diku nga ketej, Kacatori nuk eshte aeroplan gjerman i luftes se pare boterore,por se cka te beje me ndonje mesenxher, Stand by nuk eshte thjeshte nje lloj qendrimi, por "rri aty se je mire" Cinari nuk eshte reklama e fernet Brankes italiane por lisi i lashte i shqiptareve. ky shkrim eshte nje roman per jeten e tridhjete vjeteve mbas '90. Rri mire aty ku je!
Begzad Dhe Myrvete Baliu Faleminderit qe e ndani kete tregim me ne mik i nderuar. Nje tregim qe e perploteson diten dhe memorien tone! Bota jone shqiptare eshte e ngarkuar me shume histori, ndersa krijuesit si ju na ndihmojne qe ta perceptojme dhe ta leme per brezat qe vijne.
Kozeta Zavalani Nderthurje realiste shkruar mjeshterisht bukur...urime e pergezime per penen tuaj! Faleminderit qe e shperndave mes nesh, ju uroj te diele te bukur per ty familisht
Miho Gjini Ky "njeriu i ushkurit" qe vjen ne Fshatin Ushkur,, per te liruer e shtrenguar "ushkuret e fshatareve te vet, sjelle bukur asocacacionin e satires Gogoliane te Cicikoveve tane qe zbresin poshte per te "tundur-shkundur" shkopin, sa majtas-djathtas. Nje tregim i shkurter, si sprove elegante drejte nje novele a romani satirik, kur i tere vendi yne eshte kthyer ne nje satire te vertete!
Klara Buda Urimeee, nderkohe qe lexoj, po pyesja si perkthehet fjala ushkur ne anglisht -:)