top of page

Sot ndërroi jetë në Elbasan daja im Ramazan Sinani


Sot ndërroi jetë në Elbasan daja im Ramazan Sinani, vëllai i dytë i nënës sime të shtrenjtë. Një grusht Dhé është shërbimi i fundit për të, për Njeriun e dashur, njeriun e gjakut, njeriun që të mbetet në memorje në ikjen e tij të amshueshme drejt duarve të Zotit. E kështu është ky grusht Dhè.. dhimbje, dhimbje që tretet vetëm Atje, atje në atë Dhè. Le të lutemi sot për Dajën tim të nderuar, intelektualin dhe profesionistin Mjeshtër të Ndërtimit, që ndau brishtësinë e tij rinore që nga Oxhaqet e Larta e deri tek ndërtesat që tashmë mbajnë frymëra njerëzish pos mureve që ngritën dhe projektuan duart e tij në më shumë se gjysëm shekulli punë në disa qytete dhe në Elbasan.

E kështu dhimbja është jetike, po aq sa dhe dialektike në shembëllimën e saj të ikjes. Njeriu është ajo qënie që shkon përmes një udhe, e cila në më të shumtën e saj mbetet e pashkruar, e harruar… që preket e rreket tek hidhërimi. Hidhërimi është i baticës. Me kalimin e kohës, ajo mund të tërhiqet dhe të na lërë ndjenja paqeje dhe përparimi, vetëm që të zhytet përsëri me gjithë dëshpërimin dhe pikëllimin e saj dërrmues. Ecën përpara dhe me radhë, por me çdo tërheqje të dëshpërimit, ne mbetemi pak më të fortë, më elastikë, më thelbësorë dhe më të mirë në jetën tonë të re. Kështu na këshillonte ai të gjithëve, ndërsa ne ecnim në një udhë, që hera-herës e shndritte drita në errësirë, e hera herës na bënte të shihnim gjithnjë një dritë, atë që quhet e tillë për të udhëzuar jetën.

Kështu i thjeshtë, i urtë, i dedikuar, punëtor e mbarëvajtës do të mbahet mend Daja im, që tashmë ka udhën e tij të Paqtë atje tej, ku Zoti është tashmë pranë tij. Ramazan Sinani kështu do të mbahet mend, do të kujtohet me nder e respekt nga të gjithë, nga të afërm, e nga familjarë, nga miq e shokë, nga ata që e njohën dhe nga të gjithë ata me të cilët punoi. I Përjetshëm qoftë kujtimi i tij, Dajës sim të respektuar, Ramazan Shaban Sinani!


(F. Terziu)



 
 
 

ความคิดเห็น


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page