top of page

SONTE DO TË BJERË BORË


SONTE DO TË BJERË BORË

CIKËL ME POEZI

NGA PANAJOT  BOLI

 

 

GUSHËKUQI PA SHTËPI

 

Ej,dreq, sa vonoi të zbresë mengjesi nga mali

Fajin ia hedh shtratit e nga dritarja kokën ngre

Si s’m’u shqitën ato sy të  trishtuar të atij zogu

Kur ushqeja pulat mbremë,me qiellin ster me re

 

Gushëkuq ish,e pashë tek dridhej keq mbi gardh

Puliste sytë i mbledhur kruspull në borën me erë

Pulave u thashë t’i japim pjesë dhe atij të ngratit

Të ha edhe ai,fatkeqi,në mbremjen e hidhur zeher.

 

Në natën  me kapotë akulli,ku u mblodh  ky zog?

Mbulohem me velencë të trashë,ah,çfarë ngrohtësi

Në ëndërr vjem e më flet ai si fëmijë:oh,sa mërdhij

-Ngriva jashtë, të ngrohem pak se unë s’kam shtëpi

 

Me ankth e pres këtë mengjes,të shoh zogun e mirë

Mbi gardh të më presi,me dorë si mik ta përshendes

T’u them  pulave ta kenë si vëlla të mirë gushëkuqin

T’i thonë si u gdhive  e bujrum me ne çdo mengjes.

 

GJËAGJEZA  IME

 

Si Zanë bjeshkë e kam, e dua shumë

Vjen përnatë,më ngacmon në gjumë

 

Si princeshë e kam,si ajo s’ka tjetër

Si mjalti e ëmbël, me aromë pjepër

 

E bukur është si Dea, të bukur emër

Nis me shkronjën Z,siç themi zemër

 

Më agimin matet,që  lind në mengjes

Buzëqeshja e saj,si ylber drite në vesë.

 

Jam dielli,thotë, kurse ti më je hënë

Kush është e mira ime?Asnjë s’e gjen.

 

Është gjëagjëzë e thjeshtë , e bëra vet

Nuk jua tregoj zgjidhjen,e kam sekret

 

 

SONTE DO TË BJERË BORË..

 

Sonte do të bjerë borë, murmurit gjyshi

Dhe me mashë shtyn urët e zjarrit

Duke u ngrindur me oxhakun

 

Thëllimi gëric xhamat e dritarës si mace

Dhe dridhen ato nga të ftohtit

Duke kërcitur dhëmbët

 

Flokët e gjyshit hutohen nga xixat e zjarrit

Dhe vjen borëbardha ia shpushpurit

Duke degjuar përrallën e saj

 

Sonte do të bjerë borë,prapë murmurit gjyshi

Dhe malin e stresuar sheh pas perdës

Duke bërë tinëz kryqin

 

Sonte do të bjerë borë, prapë murmurit gjyshi

Dhe nata gëzohet e zhvishet pa turp

Duke pritur vellon e bardhë

 

Murmurit gjyshi me malin që sa s’ndal frymën

Dhe nata  pret të vesh vellon e bardhë

 

I VETËM ME SHIUN

 

Këtë pasdite dua të jem i vetëm me shiun

Me notat e muzikës së tij të dremis në gjumë

Të shoh se si edhe mali rri i tulatur para tij

Dhe peshqit që i fshihen turbullirës në lumë

 

Këtë pasdite dua të jem i vetëm me shiun

Të pulit sytë e kafen ta pi me të në shoqeri

Mes mbretërisë së mjegullës të jem si alien

Simfonia e kuajve të shiut të zbus shpirtin gri

 

Ka njerez që me shiun pa të drejtë po zihen

Unë jam si toka e etur  që po e pret me  llahtar

Shpirtin e ashpër ma shkrin kjo butësi e lengët

Ma qetëson dhëmbjen si puthja në buzën e tharë

 

Këtë pasdite sa dua të jem i vetëm me shiun

Ta përqafoj, flokët me krehër e tij t’i m’i shtroj

Të  freskoj gjoksin që më djeg, e sytë t’i flladit

Buzët dhe gushën si puthja jote, t’i m’i ledhatoj

 

Në këtë pasdite ,i vetëm,ky shi i qetë seç rigon

Po ma shkrin shpirtin, dhe...mjegulla më mbulon

 

KUR KËRKON NJË HËNË TJETËR

 

Ti pe vjeshtën që sakrifikoi bijtë e saj

Të mos i torturonte Zeusi dimër

Dhe ike me dallendyshet

 

Ndofta aty larg është më ngrohtë

 

Ti pe yjet që zhyteshin në pellgjet e vjeshtës

Kishe frikë mos mbyteshin në to

Dhe ike,mos ftohej  dashuria

 

Ndofta aty larg yjet janë me të ndritshme

 

U trembe mos beheshe si hëna tani në vjeshtë

Të deformohej trupi yt  i bukur

Dhe ike,se të qeshnin zogjtë

 

Ndofta aty larg, hëna është me e bukur

 

Kërkove një hënë tjetër, një hënë me të bukur

Yjet t’i mbash në dorë e të luash

Dhe ike, larg sa më larg

 

Ndofta aty larg, lëhtësohej dhimbja e ndarjes

 

Nuk kaptove dete, oqeane që zgjateshin e zgjateshin

Se ato janë si ameba, të paanë

Dhe ike, te dielli tjetër

 

Ndofta  aty larg, harrohej dhimbja e ndarjes

 

U the dallendysheve  të mos të prisnin të ktheheshe

Se ndryshon nata me ditën aq larg

S’ta takohemi dot në endërr.

 

Ndofta aty larg, hëna dhe yjet nuk ta shuajtën dhimbjen

 

Paçka se unë jam në planet tjetër.

29 views0 comments

Comentarios


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page