top of page

Sofra Poetike, Boras 2021


Fran GJOKA


Festivali i X-të Internacional i Poezisë

“Sofra Poetike, Boras 2021”


Shkrimtari Viron Kona u nderua me “Penën e Artë të Migjenit.”



Shkrimtari dhe përkthyesi i njohur shqiptaro-suedez z. Hamit Gurguri, shpreh këtë motivacion, për çmimin “Penda e Artë e Migjenit” dhënë shkrimtarit Viron Kona në emër të Qendrës Kulturore Shqiptare “Migjeni”, Borås, Suedi:

I nderuari Viron,

Kam nderin dhe kënaqësinë t’ua dorëzoj paketën ”Pena e Artë e Migjenit”, të cilën Qendra Kulturore Shqiptare ”Migjeni” ua ndau me rastin e festivalit të Dhjetë internacional të poezisë ”Sofra Poetike, Borås, 2021”. Ky çmim ju është ndarë për kontribut të jashtëzakonshëm në lëmi të letërsisë për fëmijë, në veçanti për Bubulinon në suedisht dhe udhëtimet e tij nga qyteti i Kirunës tutje në botë. Ti, i respektuari Viron, bashkë me miq të tjerë nga Shqipëria, na e begatuat, na dhatë kurajë, na mbështetët zëshëm dhe pa hezitime në punën tonë vullnetare në dobi të kulturës sonë në mërgatë. Ju u treguat shtyllë, krah e dritë udhërrëfimi për ne jasht atdheut. Me dëshirë për bashkëpunim tutje, vëllazërisht ju përgëzojmë dhe ju urojmë!


Intervista

-Z. Viron, mësuam se para disa ditësh erdhën nga Suedia poetët dhe përkthyesit Sokol Demaku dhe Hamit Gurguri, të cilët, në një takim krijuesish në hotel “Mondial” ju dorëzuan juve, në emër të Qendrës Kulturore Shqiptare “Migjeni” të qytetit të Boråsit, Suedi, çmimin letrar “Pena e Artë e Migjenit”. Mund të na thoni diçka më shumë rreth QKSH ”Migjeni” dhe këtij çmimi letrar?


-Qendra Kulturore Shqiptare “Migjeni” në qytetin Borås të Suedisë funksionon suksesshëm qysh nga 10 marsi i vitit 2007. Ajo u themelua me inisiativë dhe kërkesë të vetë bashkatdhetarëve. Qëllim kryesor ishte ruajtja e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar të bashkatdhetarëve shqiptarë me banim në Borås me rethinë. Nga themelimi e deri më sot prej kësaj Qendre janë organizuar e zhvilluar vep­rimtari të shumta kulturore, informative, letrare, artistike, folklorike, sportive dhe humanitare. Rol të veçantë ka pasur dhe ka grupi themelues, në krye të të cilit ka qenë dhe është Sokol Demaku, poet, mësues, përkthyes dhe atdhetar i njohur. Si detyrë mbi detyrat, kjo Qendër, tashmë e njohur jo vetëm në Suedi, por në të gjithë gadishullin skandinav dhe më gjerë, ka pasur ruajtjen e gjuhës shqipe, kulturës, traditës dhe identitetit kombëtar te shqiptarët me banim në Borås, e sidomos që, këto çështje madhore të përcillen suksesshëm te gjeneratat e reja dhe fëmijët që kanë lindur në Suedi. Ndër veprimtaritë e shumta të kësaj Qendre janë tubimet e shumta për ngjarje përkujtimore dhe data të shënuara historike kombëtare si p.sh. Dita e flamurit-28 Nëntori, Shpallja e pavarësisë së Kosovës, manifestime letrare, artistike, folklorike, botime librash, botimi i revistës “Dituria”, funksionimi i radios shqipe ”Dituria”, përkthimet e ndërsjella nga gjuhët shqipe dhe gjuha suedeze, binjakëzime shkollash të Suedisë me ato të Shqipërisë e Kosovës, organizimi i delegacioneve kulturore me vizita të ndërsjella për këmbim përvojash dhe krijimin e urave lidhëse të miqësisë Suedi-Shqipëri, Suedi-Kosovë, por dhe mes Suedisë dhe trojeve të tjera shqiptare në Maqedoninë e Veriut, në Greqi, në Mal të Zi dhe në përgjithësi në mërgatën shqiptare. Ka vite që kjo Qendër spikat dhe rrezaton jo vetëm në qytetin suedez Borås, por tek të gjithë shqiptarët e Suedisë. Thuajse çdo vit, krahas veprimtarive me karakter edukativ, social - kulturor për fëmijë dhe të rinj, QKSH ”Migjeni” organizon dhe zhvillon edhe një festival internacional të përvitshëm poetik, të titulluar “Sofra Poetike”, ku marrin pjesë poetë, gazetarë, shkrimtarë, përkthyes, aktorë, piktorë, kompozitorë, këngëtarë, folkloristë, stilistë, kërcimtarë, etj. Ky i sivjetmi, ishte festivali i X-të, që zhvillon kjo Qendër Kulturore.


-Ju keni qenë i ftuar nga kjo Qendër Kulturore Shqiptare?

-Po, kam qenë i ftuar disa herë. Hera e parë ka qenë kur kjo Qendër, në bashkëpunim me bashkinë e qytetit të Boråsit dhe shkollën shumëgjuhëshe “Fjardingskolan”, realizuan përkthimin në gjuhën suedeze të librit tim për fëmijë “Eh, more Bbulino!” Ishte një ftesë e rrallë për mua, e cila më dhuroi shumë emocion dhe gëzim. Befasia më e madhe ishte atmosfera e ngrohtë shqiptare dhe suedeze, që iu bë librit, në atë mbrëmje tejet madhështore, me pjesëmarrje shkrimtarësh, gazetarësh, mësuesish, intelektualësh, autoritetesh zyrtare, siç ishte drejtoresha e arsimit dhe e kulturës e qytetit, drejtues shkollash dhe institucionesh kulturore e artistike, si dhe lexues të ndryshëm.


-U pasqyrua ai përurim në mediet suedeze?


-Po, gazeta suedeze “Borås tidning” e kishte lajm që në faqen e parë, të shoqëruar edhe me një fotografi që zinte gjysmën e faqes.

-Përkthimi i librit tuaj ”Eh, more Bubulino!” pati ndonjë shtysë apo ndodhi rastësisht?



-Asgjë nuk ndodh rastësisht. Unë, duke hapur faqet e internetit ndesha një ditë në revistën shqiptare ”Dituria”, që botohej në Suedi. Dërgova atje në fillim një tregim nga libri im “Bubulino”, dhe ata e botuan. Atëherë më shkoi mendja që t`i dërgoja herëpashere njëri pas tjetrit tregimet e “Bubulinos”. Redaksia atje dhe z. Sokol Demaku, kryeredaktor i revistës dhe mësues në shkollën suedeze “Fjardingskolan”, të cilin nuk e kisha takuar ndonjëherë, më nxitën me e-maile që të shkruaja sa më shumë në atë revistë, pasi krijimet që unë dërgoja pëlqeheshin. Një ditë, kur punoja në Ministrinë e Arsimit, Rinisë dhe Sportit, më thanë se kishin ardhur një grup miqsh të mi nga Suedia, të cilët kërkonin të më takonin. U befasova dhe, shpejt, në një pritje kafeje, u njoha me ta. Ishin: Per Kettissen, rektor i shkollës “Fjardingskolan” të Boråsit, Annette Ekelund, zëvendësrektore, Sonja Persson, mësuese e ciklit të ulët dhe z. Sokol Demaku, mësues dhe kryeredaktor i revistës shqiptare “Dituria”. Ky ishte kontakti im i parë me ta. Në bisedë e sipër, pasi u njohën më gjerë me krijimtarinë time, ata vendosën përkthimin e librit tim “Eh, more Bubulino!” për shkollën e tyre dhe shkollat e qytetit të Boråsit. Kështu filloi ajo lidhje me Suedinë, të cilën gjer më sot e kam konkretizuar në 6 libra të shkruara nga unë, e që i kushtohen Suedisë: ”Bukuri suedeze”, ”Për Ju miqtë e mi”, ”Zonja nga Boråsi”, ”Ju dua më shumë se veten”, ”Poleni viking”(me bashkautor), ”Kur vjen Sokoli”...

Suedisë


-Keni marrë pjesë në festivale të tjerapoetike në Suedi?


-Kam qenë i ftuar në vitin 2012, në 5 - vjetorin e revistës “Dituria”, së bashku me mikun tim dhe profesorin e paharruar Murat Gecaj. Atëherë pata fatin të takohem edhe me albanologun e njohur suedez Ullmar Qvick (Kvik), të cilit i dhurova disa kopje të librit tim “Për ju miqtë e mi”, kushtuar vizitave të mia në Suedi, si dhe disa shkrimtarëve suedezë: August Strindberg, Selma Lagerlof, Astrid Lindgren, Ullmar Qvick(Kvik), por edhe disa shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë me banim në Suedi: S. Z. Daja, S. Demaku, B. Latifi dhe H. Gurguri. Në ftesën e vitit 2013, kur me mua ishte dhe mësuesi i talentuar Petrit Xhaja, një nga qëllimet e vajtjes ishte dhe përurimi atje i vëllimit tim me tregime me motive shqiptare e sudeze “Zonja nga Boråsi”. Përurimi u zhvillua në një pjesëmarrje të gjerë shqiptare e suedeze, ku, mes të tjerëve, merrnin pjesë edhe kryetari i bashkisë së qytetit me zonjën e tij, si dhe një grup i madh njerëzish të penës, artit dhe gazetarisë.


Kurse në vitin 2017, u ftova në festivalin “Sofra Poetike”, së bashku me studiuesin dhe sociologun e njohur prof. Zyhdi Dervishi, si dhe me publicistin dhe gazetarin e talentuar që nuk e kemi më midis nesh Dr. Nuri Dragoj. Në atë festival, si dhe krijues të tjerë, edhe unë recitova poezinë time. Mund të them se recitoja për herë të parë në një mjedis artistësh, dhe, kjo ishte shumë emocionuese dhe frymëzuese.


-Këtë vit, cilët ishin disa nga fituesit e festivalit të X-të?


-Poeti Bahtir Latifi, në artikullin e tij përmbyllës dhe vlerësues për Festivalin e X-të Internacional të Poezisë “Sofra Poetike, Boras 2021”, midis të tjersh shkruan: "Në Boras të Suedisë, Qendra Kulturore Shqiptare "Migjeni", organizoi festivalin tradicional të Poezisë ” Sofra poetike 2021” të 10-tin Jubilar, ku me poezitë e tyre u paraqitën poetë e poetesha të shumtë nga vise të ndryshme të Suedisë dhe të Evropës. Përveç poetëve dhe poeteshave shqiptare, në këtë festival tashmë tradicional, morën pjesë edhe poetë nga vende dhe komunitete nga shtete të ndryshme, që lexuan në gjuhët: shqip, suedisht, anglisht, spanisht, arabisht, bullgarisht, greqisht, etj. Dy shkrimtarët e njohur Hamit Gurguri dhe Rizah Sheqiri, drejtuan dhe moderuan festivalin, duke komunikuar me pjesëmarrësit që ishin prezentë në sallë, ashtu dhe me ata që, për shkak të pandemisë, e ndiqnin festivalin nëpërmjet internetit nga qytete të ndryshme të Suedisë apo shtete të Evropës. Juria vlerësoi autorë dhe autore pjesëmarrës ndër më aktivët në këtë festival, arritjet e tyre letrare artistike, si dhe kontributet e dhëna në vite. Në komunikatën përmbyllëse të Jurisë, shkruhet se “Për kontributin në fushën e letërsisisë, në gjuhën shqipe e suedeze, Qendra Kulturore Shqiptare ”Migjeni” shpalli poetin dhe shkrimtarin Rizah Sheqiri, Kryetar Nderi të kësaj Qendre. Çmimi "Pena e Artë e Migjenit", sivjet iu dha krijuesve: poetit suedez z. Peter Nyberg, poetes Migena Arllati, romancierit Hamit Gurguri, gazetarit Bahtir Latifi, shkrimtarëve Viron Kona dhe Sokol Demaku. Në ceremoninë e asaj dite, krahas çmimit “Pena e Artë e Migjenit”, që mu dha mua, iu dha edhe një “Mirënjohje” poetes Nurie Baduni, mësuese te shkolla “At Zef Pëllumbi”,Tiranë.

-Si organizohet festivali “Sofra Poetike” dhe si bëhet vlerësimi i fituesve?


-Pjesëmarrësit në festival dërgojnë në adresën e festivalit, në QKSH” Migjeni” nga dy-tri poezi për konkurrim. Ata që janë në sallë i recitojnë poezitë e tyre përpara një Jurie të posaçme, e cila në përfundim bënë edhe vlerësimet përkatëse. Në përfundim të festivalit është bërë traditë që përurohet një antologji me krijimet më të mira. Këtë vit u përurua antologjia ”Fontanë e fjalëve”, ku janë përfshirë 80 poetë, në 11 gjuhë.


-Si u prit nga kolegët poet e shkrimtarë vlerësimi me “Penën e artë të Migjenit?

-Mes krijuesve gjithnje ka shfaqje mirësie dhe mirëkuptimi. Kështu, në ceremoninë e dorëzimit të çmimit, pati përgëzime dhe vlerësime nga shkrimtarë, poetë, gazetarë dhe intelektualë. Falenderoj për mendimet e tyre shprehëse dhe nxitëse për një krijimtari edhe më të begatë, shkrimtarët dhe studiuesit: Hamit Gurguri, Sokol Demaku, Hektor Veshi, Fatmir Terziu, Delo Isufi, Gladiola Jorbus, Merita Kuçi, Nurie Baduni, Bujar Poçari, Zyhdi Dervishi, Kadri Tarelli, Agim Bajrami, Demir Osmani, Bashkim Saliasi, Muhamet Cenko, Mal Buçpapaj,...


-Meqenëse përmendët z. Fatmir Terziu, unë z. Viron do dëshiroja ta mbyllja këtë intervistë vlerësuese për ju, pikërisht me shënimin që ka shprehur z. Terziu, në fund të një artikullit që ju kushtohet ju te “Fjala e lirë”. Ja se çfarë shkruan z. Fatmir Terziu:

“Urime për ju i nderuar shkrimtar, poet, publicist, human dhe mbi të gjitha Njeri i nderuar e i respektuar, Viron Kona, dhe duke ju dëshiruar edhe më shumë sukses në të ardhmen. Nuk mund të isha më i lumtur për Ju, ose më krenar se sa detyrimi edhe për këto pak rrjeshta, për një meritore të denjë, të ndershme, e të plotëmerituar në tërë atë që Ju keni kryer e vazhdoni të bëni me talentin tuaj. Urime! Kur të tjerët mendojnë se puna e shkrimit, krijimit, përkushtimit, nuk mund të bëhet, ju i nderuar Viron Kona, gjithnjë jeni ndër të parët, që treguat të kundërtën, që, krijimtaria, përkushtimi, talenti, zelli dhe vetësakrifikimi i kohës më të bukur të ishte e vërtetë e asaj që sjell në pah këtë që meritoni më shumë se kushdo sot e në raste të tjera nesër. Dhe kjo vjen natyrshëm. Është një gjë mjaft domethënëse në lidhje me jetën, sapo të filloni të mbani shënim gjërat për të cilat jeni mirënjohës, filloni të harroni gjërat që ju mungojnë. Dhe përveç urimit në këtë rast çfarë mbetet për të shtuar, memorjen institucionale dhe vëmendjen ndaj shkrimtarit Viron Kona, që meriton më shumë e më shumë. Ndaj i nderuar shkrimtar, jetoni jetën tuaj në një mënyrë të tillë që të mbaheni mend për mirësinë tuaj, dhembshurinë, ndershmërinë, karakterin, dashamirësinë dhe një forcë për të mirë, të gjitha këto që kanë shumë lidhje me veprën tuaj, dhe një respekt për jetën, në përgjithësi”.

19 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page