top of page

Sociologu Gëzim Tushi dhe libri “Gratë në kohën e tyre”


Fran Gjoka

Sociologu Gëzim Tushi dhe libri “Gratë në kohën e tyre”


Fran GJOKA


Sociologu i njohur, Mjeshtri i Madh, Gëzim Tushi ka një kohë të gjatë që i është përkushtuar me këmbëngulje sociologjike, intelektuale dhe politike temës së madhe e të ndërlikuar të femrës në përgjithësi dhe veçanërisht problematikave sinkretikee komplekse të gruas shqiptare. E tërë kjo punë e deritanishme është sintetizuar në mënyrë kompakte në librin e tij me titull sinjifikativ “Gratë në kohën e tyre”, në të cilën ai trajton problematikat, betejën gjinore, progresin dhe dështimet, debatet herë sintetike e herë tautologjike, që janë bërë dhe bëhen në lidhje me këtë problem madhor e tejet shqetësues të shoqërisë tonë. Autori jo vetëm përmes këtij libri, por ai ka qenë i investuar intensivisht në debatet publike, konferenca shkencore që janë zhvilluar në këto tri dekada, duke qenë i involvuar seriozisht në mendimin politik e sociologjik shqiptar.

Autori, në libër, duke u marrë me temën sensibile të situatës së gruas në shoqërinë shqiptare, herë në kontekstin e zhvillimeve historike e pastaj edhe konceptuale e filozofike, evidenton një lloj përzierjeje kaotike të problematikës së gruas herë në rrafshin teorik dhe herë në situatën empirike të ngjarjeve që rrethojnë botën e vërtetë të gruas shqiptare. Synimi autorit është jo thjeshtë të bëjë një analizë të situatës konkrete, por të synojë që cilat do mund të ishin ato veprime precise politike, sociale e ideologjike në intensifikimin e betejës me bazë gjinore për emancipimin permanent të grave dhe rolit të ri të tyre në familje e shoqëri.

Në këtë kontekst, në se do ta përmblidhnim me dy fjalë synimin e sociologut Tushi në librin “Gratë në kohën e tyre”, mund të themi se ai nuk është një libër vetëm për gratë. Libri ka një “bosht” më të gjerë e më të qartë që mund të konsiderohet si përpjekje për një orientim më të drejtë për aksionin, politikat dhe veprimet që mund dhe duhen ndërmarrë në përballjen me sfidat e shumta e të komplikuara të betejës së përbashkët sociale e politike për të bërë hapa më të sigurtë në rrugën e përmirësimit të statusit të gruas dhe përmirësimin e treguesve të barazisë gjinore.

Autori e shikon, trajton dhe vlerëson problemin gjinor me një optikë ndryshe, duke qenë kundër konceptit rutinor semplist se tema e gruas shqiptare dhe trajtimi i saj është i njëjtë. Ai shfaqet kundër idesë se “tema e gruas është po ajo që ka qenë gjithmonë”. Ky koncept është retograd e konservator, mendon sociologu Tushi. Ky lloj konservatorizmi gjinor vazhdon të jetë një “limfë” që akoma qarkullon pothuaj lirisht në “dejet maskiliste” të shoqërisë tonë.

Në këtë libër, autori, përveç trajtesave politike e sociologjike, i kushton vëmendje shumë të kujdesshme edhe problematikave më të holla gjinore. Kjo është arsyeja pse ai mendon se duhen trajtuar me shumë prioritet probleme të tilla si ato të martesës dhe divorcit, zgjerimi i epidemisë sociale të shthurjes së martesës dhe përpjekjes për ta “nxjerrë nga loja” sociale këtë institucion bazë të jetës humane, liberalizimi ekstremist i seksualitetit dhe zgjerimi i kakofonisë së lidhjeve seksuale tejet të liberalizuara. Doemos, autori e shikon të udhës që të

trajtojë në të njëjtën kohë nga pozitat e zhvillimeve të jetës postmoderne edhe disa probleme delikate dhe akoma të padiskutuara me zë të plotë lidhur me të drejtën e femrës që të ketë integritet moral të pacënuar, barazi sociale të vërtetë dhe “sovranitet seksual”.

Sociologu Gëzim Tushi e shikon këtë çështje edhe me optikën e zhvillimeve politike në vend, ndikimet dhe dallimet që ekzistojnë në vështrimin dhe trajtimin e temës së gruas. Kjo është arsyeja që atë e bën të jetë i interesuar edhe për dikotominë e trajtesave nga politikat e majta e të djathta, duke analizuar pikëpamjet filozofike, morale dhe sociale, jo thjeshtë në kuptimin literal, por esencial të programeve të partive në Shqipëri.

Autori është i mendimit se problemi i barazisë gjinore, si çështje e madhe politike, sociale dhe e grave shqiptare në përgjithësi nuk duhet mbuluar në programet e partive politike të majta apo të djathta me frazeologji bombastike, me slogane sociologjizante apo populiste që nuk të lejon të dallosh mirë bazën ideore, orientimin specifik, objektivat dhe strategjitë e tyre, dallimet thelbësore e programore midis tyre.

Sociologu Tushi është i mendimit se patologjia e trajtimit evaziv të problemeve të barazisë gjinore është një pengesë e madhe në rrugën e progresit të kauzës së madhe e të papërfunduar të gruas shqiptare. Sipas tij, problemi nuk është vetëm filozofik dhe teorik. Thelbi polivalent i problematikës gjinore nuk duhet trajtuar duke e “ambalazhuar” me frazeologji e slogane të përgjithshme, të cilat të lënë në një situatë të paqartë për rrugën që duhet ndjekur.

Ai ngul këmbë për të bërë betejë të vendosur. Sepse, sikurse ai arsyeton në librin “Gratë në kohën e tyre”, megjithë ndryshimet që kanë ndodhur, përsëri pozita sociale dhe barazia gjinore për gratë mbetet një nga objektivat e paplotësuara të qytetërimit tonë. Sipas Tushit, gjërat në këtë fushë duhen parë jo në pamje, jo si duken në sipërfaqe, por ashtu sikurse janë në thelbin e tyre. Ky është “kusht i ditës” për të kuptuar të vërtetën e pozitës së gruas. Ky duhet të jetë motiv nxitës, për të ndërmarrë ato veprime sociale për ta bërë procesin e barazisë gjinore të vërtetë, të prekshëm, të matshëm, të vlerësueshëm njëherësh nga shoqëria dhe vetë gratë tona.

Sipas autorit, kjo është detyrë imperative, sepse disa ndryshime që ka sjellë koha moderne në shoqërinë tonë, më shumë se i kanë favorizuar gratë dhe kanë zgjidhur problemet e tyre, në shumë raste më shumë i kanë ngatërruar disa raporte socio-biologjike që duhen ndarë prerazi. Sidomos kur është fjala për vlerësimin e dallimeve thelbësore midis roleve gjinore të determinuara të grave dhe detyrimeve sociale që ka për të plotësuar të drejtat e tyre sociale shoqëria. Natyrisht, duke i ndihmuar ato të përballin sfidën e paplotësuar për të qenë të barabarta dhe kompetitive në jetën e përditshme, në familje, në shoqëri, në “botën e punës” dhe në “sferën e profesionit”.

Tani “rolet” biologjike, gjinore dhe sociale të gruas në shoqërinë tonë janë ndërlikuar më shumë. Ngaqë kanë ndodhur ndryshime të thella në statusin social, në parametrat e vlerësimit të pozitës së saj në përputhje me imperativat e kohës, principet e jetës moderne, determinimit të natyrshëm të raporteve të të drejtave të saj gjinore, të cilat janë të ndodhura përballë me logjikën gjinore deformuese e ekonomisë së tregut. Raportet e grave në shoqërinë tonë lidhur me shkollimin, profesionin, punën, martesën, veçoritë e seksualitetit, rolin si nënë, detyrën për lindjen e fëmijëve, etj., janë bërë për gratë jo vetëm “barrë” e natyrshme biologjike, por dhe peshë sociale, duke u bërë për to një proces shumë i ndërlikuar dhe stresant.

Sociologu Tushi, për ta bërë sa më koherent idenë në libër, shtron disa pyetje: -Çfarë duhet të bëjnë gratë në kohën tonë? Cilin rol duhet të luajnë ato më mirë? Kujt duhet t’i japin prioritet, roleve që janë “determinime gjinore”, që lidhen me identitetin e tyre seksual, apo roleve sociale, që lidhen me to si qënie sociale dhe politike, që kanë të drejta të barabarta me burrin? Si duhet të sillen ato dhe çfarë qëndrimi duhet të mbajnë për “detyrimet jetike” të tyre? Kë duhet të vlerësojnë më shumë martesën dhe fëmijët, apo punën, të ardhurat, karrierën profesionale?

Autori mendon se duhet të njohim dhe të pranojmë sociologjikisht të vërtetat që kanë filluar të shfaqen në raportet që femrat tona kanë sot me veten, familjen dhe shoqërinë, për të njohur pozitën e tyre të vështirë, të vendosur nga koha në “trekëndëshin” e dëshirave të tyre për karrierë, martesë dhe familjen. Një “trekëndësh social” i vështirë, në mes të së cilës është femra që ka dëshirë t’i realizojë të gjithë “rolet” biologjike dhe sociale, por që realizimi i tyre në praktikë nuk është i lehtë, nuk bëhet pa vështirësi dhe pengesa, qoftë të natyrshme, por edhe artificiale.


16 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page