Fatmir Terziu
Një letër e publikuar mjaft herët dhe që gjendet në arkiva, na dikton të mësohet se Skënderbeu në 2 Nëntor të vitit 1466 i ka kërkuar ndihmë Administratorit të Venedikut të asaj kohe në Shkodër. Ndihma ka qenë e destinuar në lidhje me një situatë në të cilën mendohej se rajoni që mbulonte Skënderbeu, po kalonte si “pasojë e një sëmundjeje që kishte kapluar në mjediset e administruara prej tij” (Babiger, F. : 1992: 268). Ndihma në të njëtën kohë i ishte drejtuar edhe venedikasve që merreshin me administrimin e Durrësit, të cilët i ishin përgjigjur menjëherë me një shumë të madhe, por që më pas e kishin zvogëluar për arsye të pacituara. Në anën tjetër, ndërsa ndihma nuk u dha, vetë Skënderbeu ka qenë i detyruar ti drejtohej ashpër aletëve të tij të Venedikut. Venediku në përrgjigje të “ashpërsisë” së Skënderbeut ndërroi menjëherë të ngarkuarit e tij të Plotfuqishëm në Shkodër. Mësohet se Giosafat Barbaro (1413-1494), diplomat i njohur dhe një udhëtar gjerësisht i njohur venecian, ishte emëruar menjëherë si shtyllë e fortë venedikase në atë kohë administrator i Shqipërisë në Shkodër. Atë e takojmë më vonë duke kryer misione të rëndësishme në Persi. Pastaj në 12 korrik 1473 u vendos Antonio Loredan e më pas një emër mjaft i lakuar, që në atë kohë kishte dalë në skenë. Ai ishte Leonardo Boldù, që më vonë do të bëhej i ngarkuari administrativ për Shqipërinë dhe njëkohësisht edhe administrator i Shkodrës.
Por, ndërkohë mësohet se një zë i fuqishëm nga Venediku ishte në favor të Skënderbeut. Nuk ka të dhëna të shumta, por thuhet se viti 1467 jo pa qëllim sjell në skenë dhe Lekë Shpanin (1442-1495), që ishte një fisnik shqiptar. Ai ishte një anëtar i familjes së fisit të Madh Shpani, që sundoi Drivastin, në mes të shekullit të 15 dhe u vendos në Venecia dhe shërbeu si diplomat i Republikës në Perandorinë Osmane. Një anëtar i familjes Shpani pohohej në atë kohë, se ai ishte prej disa familjeve perandorake Bizantine. Të dhënat e mëtejshme tregojnë se Shpani gjithnjë ka qenë në favor dhe në ndihmë të Shkodrës dhe territoreve që admnistroheshin nga shqiptarët e asaj kohe. Ndërsa flitet se ai gjithnjë ka luajtur dhe një rol të madh në përkrahjen e Skënderbeut, ndaj ka ndihmuar që në Shkodër të vendoseshin dashamirës të komandantit Gjergj Kastrioti - Skënderbeu.
Shkodra, ishte bërë një problem për Sulltanin, pasi ajo nuk merrej që nuk merrej lehtë, por dhe me luftën dhe vendosmërinë e saj ishte bërë dhe një pengesë për depërtimin e ushtrisë turke më tej drejt Italisë, kështu që vetë Shkodra dukej se ishte në një kërkesë të pashpallur “ndihme”. Më pasa mësohet se situata e kaluar nga koha e Skënderbeut, detyroi vetë Venedikun të ndërrmerte masa të tjera. Nga ana tjetër ekspeditë pas ekspedite, ushtria turke synonte më shumë. Qëllimi i ekspeditave ishte Kalaja e Shkodrës (Scutari, Shkodra Shqiptare), në liqenin me të njëjtin emër në Shqipërinë e veriut, e cila ka dhe një lidhje të mirë në det (Freely, J. : 2009: 38). Këto ekspedita zgjatën mjaft. Aq gjatë sa që emri i Skënderbeut edhe pas disa viteve të vdekjes vazhdonte të kishte jehonë të madhe. Vetë Venediku, kishte dërguar Senatorin Leonardo Boldù si Proveditor, një njeri që njihej për shumë suksese të mira në det dhe që kishte praktikuar gjatë në Shqipëri, në mënyrë që në këtë ekspeditë të kujdesej edhe për njerëzit në tokë. Gjeneralët e dërguan atë me katër galerë në Kotor.
Më 26 mars 1473 Leonardo Boldù i kishte shkruar një letër tjetër Këshillit të Dhjetë duke i informuar ata se ai kishte marrë një raport të hollësishëm nga Marino Hungaro. Këshilli i Dhjetë si pasojë e kishte urdhërruar John Kantakouzenos të vazhdonte me detyrën e tij dhe i premtoi atij se nëse rasti do të ishte i suksesshëm, ai do të merrte shpërblime të kënaqshme. Në rrugën e tij të kthimit ai mori urdhërin pranë Korfuzit për të lundruar me flotën në Shqipëri dhe atje për të bashkëpunuar me Grittin në marrjen e masave të nevojshme. Në të njëjtën kohë, në maj të vitit 1474, postin e rëndësishëm të administratorit të të gjithë Shqipërisë e kishte marrë vetë Leonardo Boldù , i cili ishte i mirënformuar me vendin dhe kishte provuar veten në këtë kurs (Babinger, F & William C. Hickman - 1992: 334).
Leonardo Boldù , i ngarkuari administrator i qeverisë veneciane për Shqipërinë, gjithashtu kërkoi ndihmën e kryekomandantit të Malit të Zi, Gjon Çernojeviç për të ndihmuar në mbrojtjen e Shkodrës. Por kur pa se ndihma ishte e pamjaftueshme nisi të mendonte për paqe. Kështu shfletohen letrat e këtyre propozimeve. Në letrën e parë propozimet për paqe u përshkruan në detaje. Ndërsa në Molënën e dytë flitet për një bisedë midis John Kantakouzenos dhe Proveditorit të Shqipërisë dhe Shkodrës Leonardo Boldù , në të cilën Kantakouzenos duket qartë se paraqet propozimet e reja zyrtare për Venedikun nga Pashai (Stavrides, T. :2001: 197). Leonardo Boldù e morri Patronatin e qytetit shqiptar të Shkodrës më 24 shtator 1473, pasi Muhamedi II u kthye në Perëndim pas fitores mbi Turkomaninë e Uzun Hasanit, duke synuar deri në nivelin e tij më të lartë. Tashmë synimi otoman ishte shtuar për Shkodrën. Dhe kështu rrethim pas rrethimi synohej vetëm Shkodra. Por, Shkodra dukej një kockë e fortë.
Kur Venediku pa se Shkodra ishte në duar të sigurta dhe se diplomacia po luante rol të madh, në revanshin e madh të ekspeditave, në të njëjtën kohë, Leonardo Boldù , ish-administrator i Shkodrës, u zgjodh ambasador venecian në Stamboll. (Freely, J. : 2009: 38). Atje roli i tij ka mbetur mjaft misterioz. Por ajo që dihet është se ai mbajti fort lidhjet e tij shqiptare dhe kështu kishte pak probleme në tërë truallin që ai kishte administruar më parë.
Comments