top of page

Skënder Tapia poeti i perlës muzikore: „Kur këndoj për ty nënë”




Skënder Tapia poeti i perlës muzikore: „Kur këndoj për ty nënë


Prof Dr Fatmir Terziu


Ndërsa në vite, po aq edhe sot vëmendja kritike ndaj poezisë për fëmijë është penguar nga mungesa e një kuptimi të qartë se çfarë është një poezi për fëmijë dhe si duhet vlerësuar poezia për fëmijë, janë "firuar", dhe po aq edhe "harruar" ata poetë që jetën e tyre ia përkushtuan ndër vite poezisë, edhe pse tek-tuk në ndonjë libër që merr përsipër studimin e kësaj krijimtarie ata shënohen shkitazi. Shpesh, kjo lloj krijimtarie shihet si një zhanër më i vogël në krahasim me poezinë e shkruar për të rritur. Në studimin tim „Një sy pas në letërsinë për fëmijë“ (2010), ajo që kam trajtuar eksploron premisat dhe kontradiktat që informojnë ligjërimin ekzistues kritik mbi poezinë për fëmijë dhe pohon se një mënyrë më efektive e shikimit të poezisë për fëmijë mund të arrihet përmes poetikës njohëse dhe jo përmes krahasimit me poezinë e të rriturve. Duke argumentuar se poezia për fëmijë ruan ritmet dhe kënaqësitë e trupit në gjuhë dhe lehtëson përshtatjen emocionale dhe fizike me të tjerët, studimi im shqyrton rolin vendimtar që luan poezia e fëmijëve në krijimin e një mjedisi mbajtës në gjuhë për t'i ndihmuar fëmijët të menaxhojnë mjediset e tyre shqisore, të hartojnë dhe të rregullojnë funksionet e tyre neurologjike, përmbajnë ankthet e tyre ekzistenciale dhe marrin pjesë në jetën e përbashkët.

Në krijimtarinë letrare shqipe të letërsisë për fëmijë, mund të thuhet se vitet 1978-1979-të kanë qenë vite ku kjo risi e krijimtarisë aktivizoi një numër të konsiderueshëm autorësh. Vetëm nga Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” në vitin 1978 në letërsinë artistike shqipe, u përfshinë autorë si L. Arapi me “Pse Petriti mbeti prapa?”, B. Bajraktari me “Një përrrallë për motrën e vogël të Mikenit”, M. Bala me “Boçëzat e bardha”, B. Balliçi me “Moj e vogla, moj e mira”, A. Bishqemi me “Drugdhendësi i vogël” dhe “Fidani i dardhës”, P. Bjedi me “Kantieri në festë”, G. Bushaka me “Çufoja dhe bubi kaçurrel”, Xh. Bushati me “Hyni në çadrën time”, F. Cakaj me “Jam bir i poppullit tim”, H. Ceka me “Gëzim i motrave”, F. Çakërri me “Ç’u bë bora”, S. Çakshiri me “Në pyll buzë rrjedhës”, M. Çullhaj me “Fitorja e milingonave”, B. Dedja me “Republikën Popullore Socialiste mbrojmë”, V. Dilo me “Bekçiu i fshatit” dhe O. Grillo me “Ai që mundi perandorin” e të tjera.


Një nga emrat e poetëve elbasanas për fëmijë të kësaj kohe është edhe Skënder Tapia. Është një emër që u përmend dhe u ngrit në këndin e tij elbasanas që në mesin e viteve gjashtëdhjetë, kur ai dallohej asaj kohe me prezencën e tij si drejtues i Shtëpisë së Pionierit „Nazmi Dervishhasani“ të Elbasanit në Rrethin Letrar të asaj shtëpie. E kështu mes emrave që më pas u shquan në fushën e artit si aktori, prezantuesi dhe oratori i mirënjohur Eduart Çala, apo dhe poetja Beatriçe Balliçi, vetë Skënder Tapia, kishte nisur të bënte emrin e tij në poezi, në një kohë që asaj kohe krijuan në rrethin letrar dhe Vera Grabocka, Lenia Memishaj, Shpresa Todri, Bela Memishaj, Liri Shabani, e ndonjë tjetër.

Ishin vitet më të hershme kur ai dedikoi vjershat e para, të cilat krahas qasjeve në rrethin letrar, panë dritën e botimit në revista e moshave të ndryshme të asaj kohe. Më pas në vitin 1982 ai botoi dy vjersha, që tërhoqën vëmendjen e kritikës lokale. Vjershat „Pranvera jonë“ dhe „Trojet tona“, u bënë më tutje dhe pjesë e përzgjedhjeve „Almanaku 2“. Tek e para natyrshëm rrjedh motoja e kohës, e qeshura spikat si një pjesë e së tërës, por ka një dalje nga kornizat tradicionale, pasi në të nuk ka parti dhe nuk ka përkushtim ose përmendje të tepruar individuale. E gjitha është një rrokje metrike e ritmit poetik dhe natyra bën pjesë tërëisht si një formë e tërsisë figurative letrare. Tek e dyta forma patriotike, forcohet me „trojet tona stërgjyshore“, që sipas kohës ka një arsye të thuhet se „ditë e natë i mbron një popull e një ushtri“. Këtu propaganda nuk mund të japë më shumë frymë se sa duhet, pasi i gjithë populli është ushtar, dhe kjo nënkuptohet kur „trojet tona po t'i prekin, sado pak,/tok me prindët do t'i bëjmë tym e flakë“.

Para se të botoheshin dhe seleksionoheshin këto vjersha, kishte parë në vitin 1977 dritën e botimit një vëllimth me 54 faqe i titulluar „Qeshin vogëlushët“. Ky vëllimth i autorit Skënder Tapia ishte për fëmijët e vegjël të asaj kohe. Ndër vite ai dhe ka botuar disa libra për fëmijë, libra për fëmijë, të gjitha me poezi: “Të kemi në zemër” (1972), “Afër zemrës ” (1973) , “Eja Rondine” (1974), “Qofsh i lumtur Adi” (1975), “Fëmijët qeshin” (1977), “Qofsh i lumtur” (1979), “Eja partizan” (1979) dhe “Këndoj për ty” (1984). Shkroi edhe disa pjesë për fëmijë për teatrin e kukullave, shumë tekste këngësh si “Shumë bukur gjuha jonë”, “Kur këndoj për ty nënë” etj. që ishin të suksesshme në disa festivale të kohës.


Ai lindi në vitin 1935 në Elbasan ku ndoqi shkollën fillore ndërsa vazhdoi shkollën e mesme në Tiranë në Shkollën Pedagogjike “17 Nëntori”. Në Tiranë vazhdoi kursin dyvjeçar të gjuhës

dhe historia. Më pas punoi si mësues dhe si drejtor i Shtëpisë së Pionierëve në Elbasan, aty ku sikurse e cituam ai vetë kishte qenë një anëtar aktiv i saj që në moshë të njomë. Në vitet e fundit ai edhe pse pati humbur shikimin vazhdoi megjithatë, për të punuar me durim dhe këmbëngulje të përfundoj disa libra që kishte në mendjen e tij, sikurse është dhe libri „Çakalli dhe ariu“ (2003), një libër i ndjeshëm me fabula dhe që parapriu librat e tjerë me fabula „Luani dhe mia“ (2007), etj.

Duhet theksuar se vjersha e tij “Kur të këndoj për ty nënë”, që u bë këngë, është përzgjedhur nga Festivali i 16-të Kombëtar (Shkodër -1978) dhe në versionin origjinal, në dy interpretime, është kënduar nga Inva Mula dhe Ardit Gjebrea shoqëruar nga kori i pionierëve. Ajo u këndua në një version tjetër edhe në edicionin e 35-të jubilarë të Festivalit Mbarëkombëtar, Shkodër 1997. Muzika e kësaj kënge u realizua nga Avni Mula dhe u orkestrua nga Alfred Kaçinari dhe natyrisht autor i tekstit ishte poeti elbasanas, Skënder Tapia.

Në arkivin e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, bie në sy një intervistë e tij e vitit 1998-të me titullin „Njeriu që sheh me sytë e zemrës“ të botuar tek „Sirena e vogël“ dhe që ndodhet në faqen 3, ku më pas po në këtë organ ka botuar tre fabula më titujt mjaft domethënës „Zogu dhe guri“; „Patoku dhe dhelpra“; „Llampa elektrike dhe qiriri“ (1998).

Ndër vite redaktorët e tij, sikurse ishte dhe vetë shkrimtari i mirrënjohur Odhise K. Grillo, në vitin 1984 e patën vlerësuar mjaft krijimtarinë e tij, po ashtu dhe Dolli Gjinali, Lec Shkreli, Petraq Zoto, Remzi Zeqja, Iliriana Sulkuqi, që e ka përkujtuar krahas të tjerëve në libërthat e saj memorialë të ditëlindjeve sipas viteve dhe muajve e disa të tjerë.

Në marsin e vitit 2018-të ai u shkëput përfundimisht nga bota e shkrimit ku vitet e fundit sytë i kishin mbetur në errësirë, dhe bota e tij jepte vetëm dritë, për të ndriçuar përgjithnjë me atë që ai dha e përkushtoi me mish e me shpirt poezisë së dedikuar nga zemra. Iku dhe la simbolikën e tij krijuese gjysmë shekullore, duke mbetur memorjeve si mësues, drejtues, krijues dhe shkrimtar i dashur për fëmijë dhe pse jo dhe për moshat e tjera, pasi ai krijoi dhe dha mesazh të qartë për të gjithë. Talenti, pasioni, përkushtimi dhe devotshmëria nisën qëkur ai mësonte, qëkur krijonte, dhe në vlagë të jetës pasionante në ambientet e Shtëpisë së Pionierit „Nazmi Dervishhasani“ të Elbasanit, apo dhe në drejtimin e kuadrit të arsimit, ku ai punoi disa vite me radhë brenda ish-seksionit të arsimit të rrethit Elbasan.




119 views0 comments

Комментарии


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page