top of page

Skënder Milaqi: Sintezë mbi librin e ri poetik "Aromë gjethi"



Meçan Hoxha befason lexuesin me poezinë e tij

            (Sintezë mbi librin e ri poetik "Aromë gjethi" të poetit Meçan Hoxha)

Ishte dhuratë e çmuar, që Shtëpia Botuese "2M" dhe autori Meçan Hoxha na bënë me librin “Aromë gjethi”, në prag të festave të fundvitit.

Meçan Hoxhën e njohim prej kohësh si historian e studiues skrupuloz, si publiçist e shkrimtar të suksesshëm. Së fundi, na u prezantua dhe me një vëllim me 100 poezi, sistemuar bukur në shtatë kapituj.

Vëllimin me poezi, "Aromë gjethi"e pata lexuar më parë si projekt dhe e përshëndeta përpjekjen për të realizuar një libër me poezi. Ai ka shkruar dhe më herët poezi që i ka botuar në rrjetet sociale apo në ndonjë gazetë e revistë periodike, por realizimi i një libri me poezi është një sipërmarrje e një niveli tjetër, ku Meçani na befasoi dhe ju siguroj që i tejkaloi parashikimet, duke na rrëfyer një poet niveli.

Poezitë e zotit Meçan janë të thjeshta, të ndjeshme, origjinale dhe me identitet, që kupton se janë vetëm të tijat, pa lule, abstraksione, fjalë boshe e huazime letrare të panevojshme.

Libri i ndërtuar si një pallat 7 katësh, ku secili kat ka poezitë e tij, është një ndërthurje e bukur nga familja tek vendlindja, nga bukuritë e natyrës tek motive Lavdie, nga ngjarjet e kohës tek kurbeti dhe, së fundi na sjell pranë zërin e poetit, me ndikimin e tij të fuqishëm në shoqëri.

Në analizën time do të ndalem në disa poezi, që lanë më shumë mbresa tek unë.

Që në fillim, nën titullin “Buqetë për familjen”, autori na mrekullon shpirtin me dashuri nëne. Me vargje të ndërtuara bukur, poetikisht na lidh me bekimin e nënës i kësaj shënjtorje që do e ndjejmë pranë gjer në grahmat e fundit të jetës.


Në poezinë "Shikimi i nënës", shprehet:


S'më lëshoj kurrë ai shikim,

As të vogël e as të rritur,

Mbeti për jetë të jetëve,

Rreze dielli e patretur.


Dhe te poezia, "Nënat tona":

Të gjitha kanë të njejtën zemër,

Të njejtin shikim, merak e mall,

Për të gjitha ka vetëm një emër,

Emër me peshë sa një mal.


Në poezinë "Jeta jonë", shkëpus vargjet:


Ecnim duke kënduar:

“Pranverë, pranverë..."

Por jeta s'është aq e bekuar,

Ka dhe vjeshtë, dimër e verë.


Vargje që sinkronizojnë ecurinë e jetës, me të gjitha dallgët që përmban ajo.

Në kapitullin, “Buqetë për familjen” të trondisin poezitë kushtuar dhimbjes nga humbja e të birit. Te “Loti dhe flutura” lexojmë:


Ndaj e shoh fluturën si vegim,

Mos është djali, kërkon mendim?

Pse më bën të mendoj se ka Zot,

E nga syri të më derdhen lotë?


E sheh flutura pikëllimin,

Me flatra më bën freski,

Më ter lotin e largon trishtimin,

Dhe ikën, më le në vetmi.


Flutura e përdorur si simbol mitologjik, aq e njohur në traditën e kulturës sonë, realizon kontaktin me djalin që s’rron, bashkon dhimbjen dhe mallëngjimin për një çast, për t’ia lënë vendin jetës në vazhdimësi me të dashurit përreth.

Dhe, në këtë kuadër, vjen bukur poezia,"Pasuritë e mia" ku i qëndron hijshëm strofa:


Me këta rubinë,

E mbush plotë shtëpinë,

S'më duhet kuleta,

S'e dua pasurinë.


Pra s'ka gjë më të çmuar se fëmijët, nipërit e mbesat, mjafton që të dalin të denjë për veten, familjen e shoqërinë.

Sa bukur e trajton autori nostalgjinë dhe mallin për të parët e tij!

Te poezia "Rrudhat e babait" shkruan:


N'ato rrudha u rrita,

Dhe gjithësinë pashë,

Pas tyre u mbajta,

Qëndrova,nuk rashë.

Në rrudhat e tija,

S'pati ligësi,

Por, vetëm të ardhme,

Me shumë dashuri.


Apo te poezia "Qeleshja e gjyshit":


Vërtetë gjyshi nuk është më,

Por imazhi i qeleshës së bardhë,

Mbeti tek unë përgjithnjë,

Si mosndarje, ngarkuar me mall.


Sa vargje të goditura artistikisht dhe me ndjenja!

Po aq bukur nga ana poetike e trajton autori natyrën, peisazhin dhe harmoninë e jetës në kodra, lëndina e ujëvara duke i dhënë gjallëri vargut për të lënë shenjë.


Është vendlindja ime,

Që nuk e kam më pranë,

Veçse, për ato kujtime,

Rri zgjuar e zemra më qan.


Apo...

Pi ujë në një krua dhe në shkollë trokas,

Këdo që takoj, kam dëshirë t’i flas,

Eci, arë më arë, dhe ngjitem në stan,

Ndiej të jem, sërish mësues dhe çoban.


Te poezia “Burimi im”:


Atje ku rridhte tatëpjetë hijes,

Herë ngadalë, herë me nxitim,

Ndenjur ulur pranë dëllinjës,

E quajta: - burimi im.


Pjesë nga poezia "Mëngjesi në fshatin tim":


Ndiqeni në ecje diellin mbi Komjan,

Kur me rrezet e arta puth çdo burim,

Qëndron në kroje, takon ndonjë zanë,

Përshëndet nga afër, edhe mallin tim.


Me një këndvështrim origjinal, te poezia "Kënga e bilbilit", na jepet jo vetëm bukuria e asaj kënge, po dhe forca ripërtëritëse që vjen prej saj:


Këndon bilbili në dimër e verë,

Nuk e tremb ngrica e vapa,

Prej ligjërimit në pranverë,

Marrin jetë dhe degët e thata.


Fundi i poezisë nga e merr titullin libri, "Aromë gjethi", i referohet mitologjisë së bukur greke, me një gjetje pikante:


Gjethin e donin dhe Driadat*,

Ndaj e mbrojtën atë me jetë,

Euridika* lindi e vdiq me sopatë,

Që askush gjethin t'mos e prekë.


Driadat-sipas legjendës greke ishin të bukura dhe vlerësoheshin si shpirti i pemëve si dhe Euridika, personazh i asaj legjende.

Në kapitullin “Motive Lavdie”, veçojmë një strofë për Heroin Kombëtar, Skënderbeun: 

Për famën e tij shkroi bota anembanë,

Krijuan legjenda, studime, romane e poezi,

Të famshmit Rembrandt, Longfello e Vivaldi,

Pikturuan, kompozuan e shkruan lavdi.


Dhe vargjet për Naimin:


Oh sa mrekulli, Naimi është gjallë,

Bashkë me përqafimin, gëzim dhe mall,

Jeton bashkë me ne, por si Perendi,

Vetëm ndonjëherë shfaqet si njeri.


I bukur na vjen “Monologu i kasolles së Galigatit”, ku shkruhet:


Ju më dogjët, më bëtë shkrumb e hi,

Nuk më latë as kashtë e as gardhë,

Nuk di ç'po ndodh me këtë histori,

Veçse s'ma nxini faqen, e kam të bardhë.


Krahas këtyre që trajtuam, vëllimi ka poezi sociale të goditura, me sqimë dhe që vlen të lexohen me kërshëri si:

Poezia "Braktisje", ku në një strofë gjejmë:


Çdo ikje bëhet për së miri,

Dhe pse malli mbetet atje,

Kujtesa e ringre të shkuarën,

Ndaj nostalgjia jeton me ne.


Poezi mbresëlënëse është "Pesha e lotit", ku lexojmë:


Përmasat e lotit nuk njohin kufij,

I madh sa bota, i rëndë si magji,

Edhe prej shijes, ndjen një çudi,

Helm hidhërimi, mjaltë nga gëzimi.


Dhe po e mbyll këtë analizë duke cituar  disa vargje prej poezisë, "Poezia":


Poezia nuk del nga xhepi,

Ajo zbret nga qielli,

Nuk ka nevojë për hekurosje,

Funksionon dhe me xhubrosje.


Poezia është ndjenjë,

Ndjenjë që dhëmb e këndon,

Është ritmë Pegasi që fluturon,

Shpirtin dhe zemrën t'a qetëson.


Nuk mësohet në shkollë poezia,

Profesori më kot mundohet,

Lind nga dhimbja dhe magjia,

Vetëm qiejve u dorëzohet.


Nga analiza e poezive të zotit Meçan, konkludohet për një artist të pjekur e poet serioz që, mua personalisht, më surprizoi, sepse në krijimtarinë e tij gjen poezi me nivel të admirueshëm.

   Duke e përfunduar e duke mos pretenduar se i kam thënë të gjitha, shpresoj dhe besoj që rruga shkrimtarit, tashmë të afirmuar z.Meçan Hoxha, të vazhdojë sa më gjatë dhe të jetë e suksesshme.

11 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page