
(Kushtuar studjuesit durrsak Hashim Kërtusha)
Të shkruash për studjuesin Hashim është nder por edhe përgjegjësi, pasi vlerat e tij si njeri janë model që ta ka ënda ta kesh pranë por edhe ta promovosh.
Ai është një personalitet si i arsimit dhe i letrave.
Në arsim ai i kushtoi 42 vite të jetës së tij për arsimimin dhe mirëedukimin e fëmijve duke qenë një nga mësuesit e dalluar jo vetëm të zonës së Ishmit por dhe më gjërë.
Për këtë arsye është nderuar nga kuvendi popullor me urdhërin" Naim Frashëri"të klasit të II-të.Gjithashtu duke qenë model në procesin mësimoro-edukativ është nderuar me çmimin "Mësues i dalluar"dhe para daljes në pension nga DAR-Durrës vlerësohet me çmimin
"Mësues i vitit". Këto vlerësime janë jo vetëm një sodisfaksion për të, por dhe një kënaqësi për mikun që është dhe shokun që ta ka ënda ta njohësh e të bisedosh.
Jo vetëm në fushën e arsimit por duke qenë për shumë vite mësues letërsie ai shquhet për një dell të brendshëm në përshkrim si në prozë, poezi dhe në tregime ku sarkazma dhe humori asnjëherë nuk mungojnë.
Gjahu i tij i preferuar është proza,ku përveç trajtimit të ngjarjeve me delikatesë dhe gati të jetuara pasi mësuesja çeke ishte një e afërme e tij, autori bën një përshkrim të përsosur të qendrës së Pragës dhe lulishteve të saj sa mendon që këtij përshkrimi i'a ka zili dhe çdo shkrimtar çek.
Romanet e tij si "Saidea","Dashuri dhe lot","Një jetë me dashuri të vrarë" dhe"Due caffe per favore "për kënaqësinë tuaj është mirë t'i lexoni me kujdes, pasi trajtohen ngjarje ku brenda ka dramë me dashuri dhe urrejtje të ndërthurura bukur, personazhe të spikatura ku në shumicën janë ngjarje të jetuara ku diku ka një hapyy end dhe diku jo.
Gjithashtu autori shquhet dhe në librat e tij me tregime e kujtime ku trajton me finesë si ndodhi të gjetura në zonën e Ishmit ashtu edhe ato të jetuara aty,apo nga vitet e shkollës e më gjerë.
Dhe në këtë kuadër vlen të përmenden librat nga "Nga Torino në Rodon", "Tregime të zgjedhura","Vitet që lam pas" dhe "Mes dy shekujsh".
Një gjini e rëndësishme e cila është trajtuar me ndjenja, thjeshtësi e figura të goditura letrare është poezia, kjo mbretëresha e shpirtit dhe fisnikërisë njerëzore.
Aty janë një gamë e gjerë lëvrimesh si përshkrimi dhe ndjenjat që ka për vendlindjen,bukurinë dhe historinë e Ishmit,peisazhe që i m'vishen Durrësit si një ballkon i gjerë dhe i larmishëm.
Në plejadën e librave poetik z.Hashim e nis me librin e I-rë "Miq mirësejegjeta"ku ndër të tjera shkruhet:
Qytetit tim
Nga drita e dhomës time,
Shoh qytetin novator,
Deti, porti, rrugë, ndërtime,
Dyrrahu madhështor.
Në këto vite sa ndryshove,
Me pallate, vila plot,
Ke peisazhin natyror,
Dhuratë nga i madhi Zot.
Në librin poetik "Nën këtë copë qiell"shkëputa vargun e mëposhtëm:
Poezia kënaqësi letrare
Letërsia më dhuronte kënaqësi,
Romane, tregime e vëllime poetike,
Tolstoi, Dumas e dhjetra të tjerë,
I veçantë Shekspiri i poemës magjike.
Me endje për kohën thotë autori lexoja Rubairat e gjigantit Omer khayyami,ku mes shokësh me kënaqësi i recitoja e i ndjeja.
Në librin poetik "Trevë në jetë sa vetë njerëzimi "shkëputa një poezi ku dashuria nuk ka si të mungojë në këtë valle ndjenjash poetike.
Një natë nën hënën rrezeartë,
E ndjeva veten të dashuruar,
Deri kur dritën humbi çdo yll,
Agimi më gjeti të përqafuar.
Apo ironia figurative si më poshtë:
Korbi me trup të mbuluar,
Me pendë të zeza katran,
Ditën për diell pa ëndërr,
Ju duk vetja si një fazan.
Në librin poetik "O sa mirë me qenë shqiptar", një libër poetiko-patriotik, në evente të ndryshme kjo thirrje për çdo shqiptar është bërë hymn në evente të ndryshme artistiko-kulturoro-sportive.
Si në vargun e mëposhtëm:
Bijtë e shqipes nga mbarë kombi,
Patriotë e atdhetarë,
Formuluan ma t'bukrën shprehje,
O sa mirë me qenë shqiptar.
Apo...
Nga kalaja hedh vështrimin,
Tek shoh qytetin plot dritë,
Të falem Prizren i dashur,
Për mbarë kombin beslidhja e 2-të
Apo harresa...
Sypërmbys foli mavria,
Kur na erdhi nga Greqia,
Si kujtohej Çamëria,
Dhe pse është vendlindja e tija.
Në librin poetik "Nga shqiponjat tek pulëbardhat"pëlqeva shumë poezinë"Dallëndyshes"
Eja dallëndyshe eja,
Fluturo me ngadalësim,
E kam ruajtur folenë tënde,
Në pulkazin e konakut tim.
Eja dallëndyshe eja,
Rikonstruktoje folezën tënde,
Unë këtu e kaloj dimrin,
Kthimin tënd e pres me endje.
Si shtegtare në rrugë jete,
Nuk ta shoqëroj dot shtegtimin,
Kur pranë meje vrulli t'ndalet,
Dua të pyes për fusha e male.
Eja dallëndyshe eja,
Shih sa më kanë rënduar vitet,
Eja prehu në folenë tënde,
Unë duke soditur i kaloj ditët.
Ti, në fole vezët ngroh,
Unë statujë në vendin tim,
Sa do të desha dallëndyshe,
Të ishim bashkë në çdo shtegtim.
Përveç librave të sipërcituar në plejadënn e librave të tij poetik janë dhe librat "Në lindje të kaltërsive detare"," Ishmi trevë në brigjet e Adriatikut",“Ato vite","Në gjurmët e ekzistencës", "Në brigjet e kaltërsisë" dhe "Një jetë në vargje".
Kjo listë librash të gjinive të ndryshme është një amalgamë e shtrirë ndjenjash,ngjarjesh e faktesh që e kanë pasuruar Z Hashim në shpirt duke botuar 34 vepra.Kam pasur fatin e madh të bashkëpunimit me këtë njeri me vlera duke u bërë pjesë dhe e redaktimit të 14 veprave të tij.I jam mirnjohës që më dha besim për t'u bërë pjesë e tij.
Veprimtaria letrare e z.Hashim Kërtusha është një pasuri e vyer për të afërmit dhe miqtë e tij dhe një vlerë e letrave shqipe.
Duke e përfunduar i uroj shëndet e pleqëri të mbarë dhe dashuri të pakushtëzuar nga të afërmit dhe miqtë e tij
Comentários