
Siri Sulejmani u lind në fshatin Tragjas të Vlorës më 25 Mars, 1937. Pas mbarimit të një shkolle teknike punoi Buldozerist. Nipi i avokatit të famshëm Skënder Muço, antikomunist, bashkëkohës dhe shok i Isuf Luzajt. Më 1971 botoi vëllimin e parë me tregime, “Gjëmimet e para”, pastaj vijuan: “Në rrjedhën e jetës”, “Njeriu i njohur në udhë”, “Udhëve nga kemi ardhur”, “Zemra e shokut” dhe në vitin 1981 u botua vëllimi “Një ndodhi në kafen Kursal”, pas të cilit iu mbyll porta e shtëpisë botuese. Ka botuar nëpër organet e shtypit deri më sot rreth 200 shkrime të gjinive të ndryshme Në vitin 1996 botoi novelën “Gjaku rënkon”, në 2003-shin vëllimin me tregime dhe novela “Udhëtim në botën e imponuar”, kurse në vitin 2006 librin me disa gjini “Dëshmitari i qiellit”.
Duke lexuar kohët e fundit shkrime dhe tregime të shumta të autorit në mendje më shkruhej ideja se fjala e tij filozofike herët a vonë do t’i ngjitet majave të munguara të letërsisë shqipe. Shkrime e tregime si “Ankthi i së vërtetës së hidhur”, “Për një gotë ujë”, “E fshehta e një krimi”, “Tundimi i Djallit” e mjaft të tjera janë thesare të kulturës sonë dhe krijimtarisë së mirëfilltë letrare. Autori me këto shkrime dhe me këtë stil dëshmon se është një kapës filozofik i gjërave që prodhojnë mesazh për kohërat. (Fatmir Terziu)
***
Siri Sulejmani: “Nëpërka”
Në qoftë se do të pranojmë mendimin se njeriut në castin që vjen në jetë dhe kur në sytë e hapur i futet pamja e kësaj bote vuloset edhe fati i tij, duhet të besojmë se fati i Arbina Suroit ishte shkruar të rridhte në rrëpira tragjike dhe pamvarësisht nga mosha e brishtë dhe shpirti i saj fisnik, t’i mbetej për jetë nofka e frikshme “Nepërka”
Shumë vite më parë, halli dhe nevoja për punë më cuan në krahinën Lashinë ku po ngrihej nje ndërrmarje e madhe. Me kalimin e kohës, ndërsa njihja banorët e vëndit, më bëri përshtypje të vecantë një burrë i moshuar me një pamje të ndryshme nga burrat e zakonshëm: kishte një trup mesatar, të paktë në mish, por të fortë, një fytyrë të hequr me një lëkurë të bardhë të hollë dhe fare pa qime. E shikoja shpeshherë vetëm, me një cibuk të vogël që dukej sikur nuk e hiqte ndonjëherë nga goja. Më të rrallë e shikoja tek rrinte me tre-katër moshatarë të tij ku pothuajse vetëm dëgjonte mendimet e të tjerëve. Kisha parë burra qose, por jo aq fare, pa asnjë shënje burri në fytyrë. Kisha vënë re se disa e shikonin me respekt, kurse të tjerë me druajtje, në mos me frikë. Jetonte më vete në një shtëpi të vogël në anë të qytezës që po rritej nga muaji në muaj. Për të shuar kureshtjen, pyeta një ditë një plak të cilin e shikoja shpesh të rrinte me të. Ai u mendua një copë herë duke fërkuar mjekrën dhe si në mëdyshje më tha:
- Ai nuk është burrë, është grua. - Përgjigja e tij më bafasoi, ngaqë një gjë të atillë nuk e kisha hasur ndonjëherë në jetë dhe e pyeta:
- Si ka mundësi, pse është i veshur si burrë dhe rri me burra? – Bashkëbiseduesi, ashtu i menduar më tregoi këtë histori të rrallë:
Pësëdhjetë vjet më parë, kur burri grua, Arbi, tashti, atëhere Arbina, ishte tetëmbëdhjetë vjece, i vranë hasmët babanë dhe vëllanë e vetëm, ia vranë në pusi, ndërsa ata po ktheheshin në shtëpi bashkë me mbrëmjen nga një vaki e ndodhur në një fshat rreth një ore larg fshatit të tyre. I vëllai ishte atëhere njëzet vjec. E ëma e Arbinës kishte vdekur tre vjet më parë nga një plagë e keqe në gji. Ulërimat e vajzës mblodhën pranë shtëpisë së tyre gati të gjithë banorët e fshatit. Një fatkeqësi e tillë nuk mbahej mënd nga fshatarët prej shumë vitesh. Dy të vdekur në një ditë, në një shtëpi, ishte tejet tronditëse. Dhimbja e goditi rëndë vajzën tetëmbëdhjetëvjecare, e hidhëroi deri në palcë, i tjetërsoi vetëdijen mbi jetën, i fiku cdo ëndërr dhe në shpirtin e saj iu nxi jeta. Nga fisi i babës nuk kishte njeri të afërt, kështuqë pranë saj u ndodh daja, i vëllai i nënës. Zoti e ndihmoi vajzën që me kalimin e kohës të mblidhte veten, të ndërpriste ngashërimat që po e shkatëronin dhe të mendohej se c’do bënte me jetën e saj më tutje. Gjatë gjithë kohës, daja me të shoqen nuk e lanë asnjëherë vetëm Arbinën, flinin aty në shtëpinë e saj, herë njeri, herë tjetri. Arbina ishte ndër vajzat e zakonshme, pa ndonjë bukuri të dukshme, për cudi, në kraharor nuk kishte gji të maisur, sic ndodh natyrshëm me vajzat e asaj moshe. Kishte një trup të lidhur e të fuqishëm, gjë që e kishte ndihmuar për të përballuar të gjitha punët e zonjës së shtëpise pas mungesës së nënës. I kishin bërë disa kërkesa Pjetër Suroit për fejesën e së bijës, por, mesa do të shikojmë më poshtë, fati i saj kishte të tjera rrugë, të ashpra e të vështira për të bërë.
Do të kthehem shumë prapa në kohë për një shpjegim sa të vërtetë aq dhe të pabesueshëm, pikërisht te hasmëria që dërgoi në varr babë e bir: Njëqind vjet më parë, aty nga mesnata, pranë shtëpisë së gjyshit të Pjetër Suroit, kishte ardhur një hajdut. Në kohën që ai po largohej pasi kishte marrë me vete për dore njerin nga dy qetë e arës, e zonja e shtëpisë ishte zgjuar dhe menjëherë ngriti të shoqin nga gjumi. I zoti i shtëpisë kishte rrëmbyer mauzerin dhe i kishte bërtitur hajdutit ta lëshonte kaun dhe të shkonte në udhën e tij, ndryshe punët do t’i ndante gjaku.
“A nuk po e di se me më marre kaun, mi pret durt e më lë arën pa e mbjelle”, - i kishte thënë me zë disi te zbutur atij, por hajduti ishte përgjigjur harbutce:
Mos dil prej shpie e mos hidh cap përpara se pasha yjtë e gjithësisë të kam me të lanë dekun në tokë.
I zoti i shtëpisë kishte marrë shënjë nga dritarja dhe me ndihmën e dritës së një vetull hëne që depërtonte nëpër retë e grisura, kishte hequr këmbëzën mauzerit duke e lënë të vdekur hajdutin. Të nesërmen u hap lajmi në të katër anët dhe njerëzit e viktimës erdhën dhe e morën njeriun e tyre. Burrat e fshatit Grusi, ishin mbledhur grusht në mbrojtje të bashkëfshatarit të tyre që kishte vrarë për të mbrojtur pronën e tij dhe nderin e shtëpisë, madje për mbështetjen e tyre kishin gjetur mënyrën për të bërë me dije njerëzit e të vrarit.Viktimën e hajnisë e morën njerëzit e tij. Pas dhjetë ditësh, nga fshati i njeriut të vrarë erdhën gjashtë burra për të bërë kuvënd se si do të shkonin ngjarjet më tej. Përfaqësia e fshatit Grusi i priti në hyrje të fshatit. Kuvëndi i burrave, në mes të të cilëve ishte edhe një njeri asnjëanës, i njohur për arsyetim e drejtësi në gjithë krahinën, zgjati për gati dy orë. Bashkëfshatarët e gjyshit të Pjetrit këmbëngulnin për pafajsinë e tij nga që i vrari kishte shkelur banesën e tjetrit per hajni. Përballë këtij arsyetimi u gjëndën ngushtë të ardhurit. Kryetari i tyre, më plaku, i ati i të vrarit, i tha gjyshit të Pjetër Suroit: Falun të kjoftë gjaku për njëqind vjet. Me këtë fjalë u ndanë burrat dhe ngjarja u harrua nëpër vite. Mirëpo, për cudi, një ditë, pas njëqind vjetësh, një grup burrash të armatosur erdhën në fshatin Grusi dhe i kërkuan gjakun Pjetër Suroit. Ai thirri menjëherë pleqësinë e fshatit dhe kuvëndi i burrave u përsërit pas njëqind vjetësh. Natyrisht, historia e vjetër dihej nga të gjithë të moshuarit, madje edhe fjala që kishte ndarë sherrin njëqind vjet më parë ruhej në kujtesën e të gjithëve. Pjetër Suroi i mbështetur në fjalën e dhënë njëqind vjet më parë u tha të ardhurve prerë:
- Baba i të vramit në atë kohë ka pranue fajin dhe e ka falur gjakun, në mes burrash i ka dhanë dorën gjyshit tem dhe ajo hasmëri ashtë mbyllun nga koha.
- Po, por ua ka falur për njëqind vjet, e njëqind vjetët janë mbushur para do kohësh, tash ne dum gjakun prej teje. Fjala mori ashpërsi, debati u ndez. Vëndësit mbroheshim me të vërtetën, kurse të ardhurit mbështeteshin te fjala e thënë e të parit të tyre se gjaku ishte falur vetëm për njëqind vjet. Se fundi ata i kërkuan Pjetrit njëqind napolona flori për larjen e gjakut. Por Pjetri u tha: Për aq pare mue më duhet të shes krejt katandinë teme, por edhe me i pasun nuk mund t’ju nap gja pasi nuk iu a kam fajin unë. Kështu u ndanë me hasmëri të hapur. Pa kaluar shumë ditë “hasmët” i dolën në pritë Pjetër Suroit me të birin dhe u morën jetën!!!
Koha rrodhi e hidhur për Arbina Suroin, por ajo cdo ditë e natë kishte shtrydhur mëndjen për të gjetur rrugën e marjes së hakut të babait dhe vëllait të vetëm. Një pasdite, ndërsa daja po lidhte me tela drurët e një gardhi, ajo i tha:
Dajë, të lutem, më dëgjo një grimë, leri c’ata tela pasi kam marrë një vendim të premun për fatin tim.
Fol, Arbina, përse e ke fjalën? - i tha i ungji.
Unë kam vendos me u nda nga kjo jetë.
- Si, cfarë po thue, don me hjek qafe vedin? - e pyeti i ungji me frikë dhe habi
- Jo, por do pres flokët, do vishem burrë dhe do marr hakun e babës dhe vllaut, ndryshe nuk ka pse më duhet jeta. Ai beri ta pengonte, por Arbina iu përgjigj e vendosur:
Kjo është e vetmja rrugë, tjetra është vdekja dajë. Prej teje kërkoj të më ndihmosh, me ma shit lopën, apo delet dhe me më ble dy pistoleta dhe një trajsë me fishekë, fjalën nëpër fshat do ta hapni sikur kam shkue ne qytet. Shtëpinë me gjithcka, do t’i lë në kujdesin tënd, ban c’ka të duash me to. Të jesh i sigurtë se do ja dal mbanë, Zoti do më ndihmojë se jam në hakun tim dhe te atyne që tash po hanë dhé. Ata, më dalin shpesh në ëndërr dhe më kujtojnë detyrën që kam. Në fillim do të strehoem te kushërinjtë e nanës në Vrushan, do rri atje fshehtas, kam ra në fjalë me ta. Prej andej do gjej rrugën për të mësuar emrat dhe shtëpitë e dy njerëzve që ma nxinë derën e shtëpisë dhe jetën time. Për këtë mundohu edhe ti me më ndihmue. Do t’i gjej dhe do iu qepem prapa për jetë a vdekje. Zëmra ma thotë se do t’i gjej dhe dora nuk do më dridhet.
Daja i saj, Zef Xheka, i rënë në mendime e pyeti:
- Pse të duhen dy pistoleta, oj Arbinë?
- Njanën të ma gjesh të vogël, si ajo e bac Dedës, me e fsheh ndënë sqetull, tjetrën do ta mbaj hapur sic e mbajnë trimat, - i tha ajo. Zefi u mendua një copë herë dhe i tha:
- Përderisa e ke marrë të pakthyshëm këtë vendim, bija ime, të ndihmoftë Zoti, unë do të jap cdo ndihmë që të më kërkosh. Emrat dhe vendndodhjen e vrasësve, ti gjen daja brenda javës, por…kam merak a do mund me ja arritë qëllimit, pa u demtue vetë?
- E kam besimin në shpirt, dajë, gjaku i babës dhe i Pjerinit do ma hapi rrugën e do më bëjë dritë edhe në natën e zezë, ata kanë gjetur vdekjen pa asnjë faj.
Pa kaluar shumë ditë nga ajo bisedë, Arbina Suroi u zhduk nga fshati i saj. Ashtu me flokë të prerë, e veshur me rroba burrash dhe me qeleshen e zakonshme, dukej si një djalosh i vërtetë. Madje herëpashere u shkonte brisk faqeve me shpresën se ai pushi i hollë gati i padukshem i faqeve, do të forcohej dhe do ti jepte pamjen e nje fytyre burri. Për emër, mbajti shkurtimin e emrit të saj: Arbi. U vërtit nëpër krahinë e nëpër stane barinjsh, mblodhi të dhëna të sakta për hasmët e saj dhe nisi t’u zinte pusinë. Fjala për shndërrimin e saj në burrë u hap në tërë krahinën. Arbina rrinte me burra, mësoi duhanin dhe në xhepin e xhamadanit nisi të mbante kutinë me duhan. I pëlqente të afrohej me tepër me pleq, të dëgjonte këshillat dhe përvojën e tyre. Levizjet dhe jeta burrërore pas një viti e burrëruan. Herepashere ngjitej lart bjeshkëve, futej në një luginë të thellë ku zhurma e armës nuk dëgjohej dhe stërvitej për qitjen sa më të sigurtë me pistoletë. I ungji, Zef Xheka, sipas dëshirës së saj, ia kishte siguruar një pistolet të madhësisë së zakonshme edhe një të vogël me mulli, të cilën e mbante te fshehur në një kllëf të lidhur poshtë sqetullës Një kushëri i saj i dytë e lajmëroi, se njëri nga hasmët e saj kishte zbritur atë ditë në mulli. Arbina zbriti fshehtas bjeshkës se Kroit dhe zuri pusi në një gumushë të madhe shkuresh pranë rrugicës ku do kalonte hasmi. Priti gjatë duke i rrahur fort zëmra. Ishte hera e parë që gishti i një vajze të re, me ëndërra dhe dëshira të mira për jetën, do shtrëngohej në këmbëzën e pistoletës për të marrë jetën e një njeriu. Pas gati një ore e gjysmë, Prec Zhyra, njëri nga vrasësit e të atit dhe vëllait, u duk në një hundishtë duke ecur drejt saj. Iu duk sikur nëpër trup i vërshoi me furi gjaku, zëmra nisi ti rrihte sikur do i dilte nga kraharori i mbushur me urrejtje.Vrasësi mbante varur në sup një dyfek të shkurtër. Ajo priti sa i doli përballë, u ngrit vërtik dhe qëlloi mbi të tre herë. Ai tërhoqi rrembyshëm pushkën nga krahu, por nuk mundi të bënte më tej asnjë lëvizje, ngaqë u përkul me një anë dhe ra prapëtas. Arbina i shkoi pranë, dhe me shikim ne sytë e tij të zgurdulluar, i tha: Qen bir qeni, tash shko e bani të fala babës në atë botë prej meje. Me hapa të nxituar u fut lart pyllit të Zgores pa rënë në sy të kërkujt.
Vrasja e Prec Zhyrës u përhap rrufeshëm në gjithë krahinën prej dymbëdhjetë fshatrash. Emri i Arbinës nisi të lakohej me dashamirësi nga njerëzit e ndershëm që ia dinin hallin, por edhe me frikë dhe urrejtje nga ata që i kishin ende borxhe për të larë. Dikush e quajti “nepërkë” me pika, duke e njësuar kështu me një zvarranik, që kafshon për vdekje. Ky emër nisi të marrë shtrirje në gojë e njerzve.
Me ndihmën e një komiti me të cilin ishte njohur nëpërmjet kushërinjve të saj, që tanimë krenoheshin për të, kaloi për gati një vit në tokat e Malit të Zi. Nga jeta e saj pranë burrash, bëri të mësonte alkoolin; në fillim ashtu lehtë, bashkë me kafen një raki, por me kalimin e kohës, instinktivisht e shtoi dozën e saj. Në moshën njëzetenjë vjece, e regjur ne lëvizje dhe veprime, madje edhe me një besim gati të tepruar në vete, u kthye nga shteti i huaj. Në mes të një nate të zezë, trokiti dera e shtëpise së Zef Xhekës, i cili i befasuar nga ajo trokitje në atë orë të vonë, u ngrit, mori pushkën dhe pasi iu afrua anash derës pyeti:
- Kush je ti?
- Hape, dajë, jam unë, Arbina. Zefi hapi portën dhe sapo ajo u fut brenda, e mbylli duke i vënë prapa një lloz hekuri. Ndërkohë u ngrit nga rrobat dhe e shoqja e dajës dhe u ulën të tre në shesh përballë oxhakut.
- Nga po na vjen, burrneshë? - e pyeti daja.
- Prej malesh, dajë, por më qit të lutem një gotë raki se ndihem e lodhun,- i tha ajo.
- Njetash, bre, - i tha i ungji, ndonëse i bëri përshtypje jo të mirë kërkesa e saj. U ngrit dhe solli midis tyre një shishe raki dhe dy gota. E shoqja e dajës u ngrit per t’i gatitur për të ngrënë dhe për t’i dhënë dicka me vete. Kur Zef Xheka po mbushte gotën e saj, i tha si nëpër dhëmbë:
- E paske mësue të shkretën?
- Epo, nuk thonë kot më thuj me kë rri, me të thanë se kush je, dajë, - i tha ajo dhe e ktheu gotën përgjysme për shëndetin e tyre. Pasi u tregoi shkurt për jetën e saj larg shtëpisë, u tha:
Një orë përpara se të gdhihet më duhet të largohem me të shpejtë, pasi një miku im më ka premtue me ma nxjerrë në shteg Pashuk Lugën. Do t’ia heq lëkurën edhe atij dajë, pastaj do jem e lumtur edhe sikur të vdes.
- Kush të ka premtue, Arba, mos të mashtrojnë dhe të vrasin, ka plot njerëz dinakë e të paguem, - e pyeti i marakosur i ungji.
- Jo, dajë, ai është njeri besnik dhe i ndershëm, kur ka qënë në ditëhalli, kushërinjtë e mi në Fruzhan, i kanë dhënë strehim duke e vënë edhe veten në rrezik.
- Matu dhjetë herë dhe pre një herë, sokoli i dajës. Njeriu në rrezik duhet mu rujt si delja prej gërshëret. Kam dëgjue se hasmët kanë premtue pare të madhe me të xanë të gjallë ose me të vra…
- Le te bahet c’ka ka thanë Zoti dajë, deri tash ai me ashtë gjëndun pranë, - i tha Arbina.
Pa u zbardhur as majat e maleve, ajo u ngrit dhe iku me pistoletën në dorë, por të fshehur me një qafdore prej leshi. Pas tre orë udhëtimi nëpë përrenj e pyje, takoi komitin Nol Biba, në bjeshkën e Shkjellës.
- Përgatitu shpirtnisht se shpejt do të kesh dasmë në shtegun e Kunadhes, - i tha ai.
- A po ma thue drejt, cfarë lajmit ke? - e pyeti ajo.
- Pas një ore, aty do kalojë Pashuk Luga. Do nisesh tashti të zësh pusi pas shkëmbit Këtu përrreth do jem edhe unë, prandaj mos e merr me frikë.
Pas rreth trecerek ore, Pashuk Luga u fut në shtegun e kunadhes i hipur mbi një kal të grivër. Ecte shpenguar me frerët e kalit në dy duart. Arbina doli midis shpatullave të shkëmbit, i drejtoi në ballë pistoletën hasmit dhe i tha:
- Prite, Pashuk Luga, fjalën e tim vëllau, që ia more jetën në rini pa të pas asnjë borxhë. - Katër të shtëna pistolete i ktheu mali në oshtimë. Pashuk Luga u përkul mbi krifën e kalit të trëmbur dhe pasi la mbi të njollat e gjakut që po i vërshonte nga qafa, u këput e ra në anë të rrugës mbi një drizë. Arbina u nis me të shpejtë nëpër shkurre, lart faqes së malit Goran. Kur u fut në pyllin e gështenjave, i doli përpara nga shkurret komiti Nol Biba, i cili i dha dorën dhe iu afrua gati për ta përqafuar, por ngazëllimin e vajzës për veprën që kishte kryer, e frenoi instikti femëror i turpit, për t’i qëndruar larg përqafimit.
Arbina, nëpërmjet njerëzve të saj, bëri me dije se Pashuk Luga kishte paguar gjakun e të vëllait të saj të pafajshëm. Brenda njëzetekatër orëve, lajmi për vrasjen e Pashuk Lugës nga vajza djalë, apo gruaja burrë, u përhap me habi dhe frikë, jo vetëm në krahinë, por zbriti edhe poshtë në xhandërmarinë e qytetit. Trimëria e Arbina Suroit, u fut edhe në regjistrin zyrtar të shtetit. Pranë emrit të saj u shënua në kllapa edhe nofka e frikshme ”nepërka”. Nje rapsod e futi emrin e saj në këngë me cifteli, madje disa e krahasonin trimërinë e saj me atë të Shote Galicës së famshme.
E bindur se rreziku mund t’i vinte nga cdo anë, ndonëse hasmëria duhej të quhej e mbyllur, Arbina, e këshilluar edhe nga miku i saj komiti Nol Biba, kaloi kufirin dhe u fut larg në tokat e Sërbisë, për të humbur gjurmët. Pasi mori kësisoj edhe hakun e të vëllait, ajo ndiej e mbushur me gaz e hare. Tani nuk mendonte për asgjë, ëndrrën e saj të madhe e të frikshme e kishte realizuar. Jeta e saj kishte marrë një kuptim të vecantë. Kishte vrarë dy njerëz, gjë që i ligjëronte pozicionin e një burri trim. Tashti përdorimi i armës ishte për të një gjë e zakonshme. Gati instinktivisht ndiente në shpirt një lloj bezdie ndaj botës delikate të femrës. Ajo ishte e bindur se ne atë rrugë që ishte futur do të ecte deri në fund të jetës së saj si burrë.
Me rekomandim të komitit të regjur Nol Biba, Arbina, jo vetëm zuri vënd në një han të sigurtë, por u njoh aty me dy njerëz që bënin pothuajse jetën e saj, në fshehtësi. Herëpashere uleshin së bashku tre shokët dhe pinin verë në dhomën e posacme të hanit. Dy shokët silleshin me të si të ishte vëllai i tyre, e mbanin gjithmonë afër dhe i përkëdhelnin sedrën, ndonëse në të vërtetë, fakti që zëri dhe fytyra e Arbit u sillte në mënd njomështinë e një femre, u kishte grishur kureshtjen. Dy të njohurit ishin shqiptaroserbë, në emrat e rtyre kishin prapashtesën sërbe “ic”. Njëri quhej; Salibegovic, kurse tjetri, Ibrahimovic. Një mbrëmje, ata i thanë se kishin blerë një qëngj të cilin po e piqnin në furrën e hanit.
Do shtrohemi sëbashku në dhomën tonë, do pimë verë sonte, do urojmë Ibrahimovicin, pasi i ka ardhur lajmi nga shtëpia se i ka lindur djalë, - i tha Salibebegovici. Arbina nuk kishte arsye të mos i përgjigjej ftesës së shokëve të përditshëm, ndonse herëpashere në shpirt nuk kuptonte pse i ngrihej një zë dyshimi dhe frike, por që shpejt i fashitej përballë sjelljes se tyre dashamirëse si dhe respektit që ata kishin për komitin Nol Biba. Në dhomat e hanit, njerëzit flinin në stroma të shtruara në dysheme. Atë natë, dy shokët e saj, kishin shtruar edhe një stromë të tretë për Arbin, duke menduar se darka do vazhdonte gjatë. Kur ajo shkoi në dhomën e tyre, sërish thellë në shpirt iu ngrit zëri i paragjykimit. Në mëndje i erdhi porosia e dajës ”kur njeriu ndodhet në rrezik, duhet të ruhet si delja nga gërshëra”. Kështuqë, në castin e duhur, futi fshehtas pistoletën e vogël poshtë jastëkut.
Sipas zakonit të komitëve por edhe te kohës, armët i lanë të tre në një kamare rreth nje metër e gjysmë në lartësin e murit. Në kohën që klientet e pakët të hanit kishin rënë për gjumë, tre shokët u shtruan përreth një sofre me mish të pjekur, djathë dhe verë. Dy vëndësit nuk i kursyen shakatë, historitë e trimërisë, respektin që ruanin për komitin Nol Biba, por edhe nxitjen e pijes. Pas mesnate Arbina e kishte humbur kontrollin, kishte humbur vetëdijen dhe ishte shtrire e këputur praptas në gjumë. Dy “shokëve” ashtu të harlisur nga vera, u ra ndërmënd të shuanin kureshtjen për pamjen femërore të shokut të tyre dhe i zbërthyen pantallonat. Përpara trupit të tij dhe kofshëve të bardha e të fuqishme, mbetë të shtangur. Shoku i tyre ishte femër. Të rrëmbyer nga pasioni i pijes, i epshit të moshës, dhe të sigurtë për mungesën e vetedijes së saj, e përdhunuan njëri pas tjetrit. Në një ndiesi tejet të mjegulluar, Arbinës iu duk se dicka ndodhte me trupin e saj, por nuk ishte në gjëndje të kuptonte, të qartësohej. Të dy shokët, pasi hoqën pistoletat nga musëndra dhe i vunë poshtë jastëkut, u shtrinë në stromat e tyre të dehur nga dëfrimi dhe pija, me bindjen se, nesër e tutje, shokun e tyre do ta kishin shoqe për dëfrim, të cilën do ta ruanin dhe do t’i qëndronin pranë. Gjithsesi, sipas tyre, prej saj nuk mund t’iu vinte ndonjë e keqe.
Sa pa zbardhur mire mëngjesi, Arbinës i doli gjumi.U ngrit ndënjur si e trullosur. Hoqi mbulesën dhe pa e tmerruar vehten të përgjakur. Iu duk sikur e fshikulluan dhe u rrënqeth e tëra. Kishte humbur në gjumë virgjërinë. Kishte humbur dinjitetin, krenarinë, gëzimin për c’ka kishte arritur me trimëri burri. Në shpirt ndjeu një dhimbje, që i kujtoi ditën kur shkoi pranë trupave të babës dhe vëllait të përgjakur të vdekur. Një urrejtje e papërmbajtur i përshkoi gjithë qënien e saj. Shpirti iu mbush me etje kriminale. Futi dorën poshtë jastëkut, mori pistoletën me mulli dhe duke e mbajtur fshehur pas trupit, u klithi dy shokëve me tërbim:
- Cohuni, more miq, cohuni të bëjmë llaf burrash - Ata u ngritën të përgjumur.
- Kush pizeven ka lëpirë gjak këtu në mes të kofshëve të mia, more kodosha? - i pyeti kërcënushëm, por ata të dy ja dhanë gazit. Në cast ajo zbuloi pistoletën dhe i derdhi të shtatë plumbat në kokët e tyre. Dy “miqtë” u këputën mbi stroma të vdekur ne vënd. Arbina u ngrit, u vesh me të shpejtë dhe pasi gjeti pistoletën e fshehur poshte jastëkëve të tyre, zbriti shkallët e drunjta të hanit. I zoti i hanit, i cili ishte zgjuar nga krismat e pistoletës, me kot e pyeti “djaloshin” tek zbriste shkallët nxituar, se cfarë kishte ndodhur. Ngaqë nuk mori përgjigje nga “Arbi”ai, u ngjit në katin sipër dhe shtangu i tmerruar kur pa dy klientët e tij me koka të cara e të mbytur në gjak. U dha alarmi dhe pas katër orësh, Arbinën e arrestoi policia e shtetit. Në hetuesi ajo tregoi cdo gjë për c’ka kishte ndodhur në han me dy viktimat. U foli hetuesve me urrejtje për pabesinë e “miqve” të saj dhe për dëshirën që po t’ia ngjallnin, sërish do t’iua hidhte trutë në erë. Kurse për jetën e saj nga vëndlindja nuk u tha asnjë fjalë. Shkuarjen në shtetin e huaj e justifikoi me një alibi, në kërkim të gjatë të një vëllai të humbur. Juristët vendës, vendosën ta mbanin gjatë në hetuesi. Ishte koha kur lufta e dytë botërore po futej ne Ballkan, madje në Sërbi ishin dëgjuar krismat e konflikteve të para. Me zhvillimin e mëtejshëm të luftës, u krijua dhe shthurja, rrëmuja dhe shpërthimi i burgjeve. Kështu që Arbina mundi të arratisej nga burgu ku qëndroi rreth pesë muaj, dhe të kthehej në vëndlindje. Vitet e luftës i kaloi në fshehtësi, sa në një vënd në tjetrin. Me vendosjen e regjimit të ri, i cili i ndaloi rreptë hasmerite, Arbina, pasi i shiti të gjitha c’kishte në fshat, u largua për të ngritur një shtëpi të vogël në Lashinë ku do të mbyllte vitet e fundit të jetës…
(Ribotim)
Siri Sulejmani: “Si dështoi sigurimi të më zhdukte në Burgun e Laçit”!
Publikohet historia e panjohur e Siri Sulejmanit me origjinë nga fshati Tragjas i Vlorës, i cili që nga vitet ’60-të kur punonte si eskavatorist, traktorist, buldozerist, etj., nëpër kantiere ndërtimi në disa rrethe të vëndit, falë një talenti që kishte si letrar, u pranua si anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe si anëtar i Kolegjumit të revistës “Hosteni”, duke arritur të shkruaj edhe disa libra, si: “Gjëmimet e para”, “Zemra e shokut”, “Në rrjedhën e jetës”, “Njeriu i njohur në udhë”, “Një ndodhi në kafe Kursal”, etj. Dëshmia e rrallë e Sulejmanit që para viteve ’90-të njihej si “shkrimtari që vinte nga klasa punëtore”, se si donte ta zhdukte fizikisht, ish-komandanti kampit-burg të Laçit, kolonel, Hazbi Lamçe, në fillimin e viteve ’60-të kur ai punonte si eskavatorist në ndërtimin e Uzinës së Superfosfatit që asokohe ndërtohej nga të burgosurit politik, njeriut që iu ngarkua eliminimi i tij dhe përse nuk u arrit ajo gjë?!
“Aty nga viti 1967-të kur punoja si eskavatorist në ndërtimin e Uzinës së Superfosfatit në periferi të qytetit të vogël të Laçit, Drejtori i kampit të burgosurve, kolonel Hazbi Lamçe, me të cilin kisha pasur një konflikt, kërkoi të më eliminonte fizikisht dhe për të më vrarë mua, bëri edhe një plan konkret të cilin i’a ngarkoi një elektriçisti nga rrethi i Matit”. Kështu e kujtonte shkrimtari i njohur Siri Sulejmani, autor i shumë librave para viteve ’90-të, një ngjarje të largët të ndodhur në vitet ’60-të, kur ai u fut në “rreth të kuq” nga ana e Sigurimi të Shtetit, për t’u eliminuar fizikisht. Lidhur me këtë ngjarje dhe të tjera, Siriu na i dëshmon në një intervistë që ia kemi marrë disa vite të shkuara dhe që po botojmë në këtë shkrim.
Zoti Sulejmani, si e kujtoni atë ngjarje për të cilën thoni se Sigurimi i Shtetit donte t’ju zhdukte fizikisht?
Aty nga mesi i viteve ’80-të redaksia e revistës “Hosteni më dërgoi me një shërbim në rrethin e Matit, i cili kishte të bënte me sqarimin e një letre që ishte dërguar pranë asaj reviste ku unë isha anëtar kolegjumi. Pasi mbarova punë, u ula për të pirë një kafe në lokalin e Hotel-Turzimit të qytetit të Burrelit. Aty në tavolinë m’u afrua një person i panjohur rreth të ‘50-ve dhe kërkoi leje të ulej me mua për të pirë bashkë kafenë. Unë në fillim nuk e njoha por kur më tha emrin, u kujtova se kisha punuar me të në Uzinën e Superfosfatit në Laç.
Kush ishte ai?
Ai quhej Zenel Rami dhe punonte si inxhinier elektrik në Ndërrmarjen Komunale të Burrelit, ndërsa në ato vite kur ishim bashkë në Laç, ai punonte elektiçist. Pasi u përshëndetëm, Zeneli më tha: Siri, ju erdha në tavolinë për të shkarkuar nga shpatullat një barrë të rëndë që më mundon prej 20 vjetësh.
Për ç’farë e kishte fjalën?
Ai filloi të më tregonte këtë histori, të cilën edhe unë po ua them ashtu siç ma rrëfeu ai: Aty nga viti 1965-së, teksa Zeneli po kalonte poshtë dritares së zyrës së komandantit të kampit të burgosurve, kolonel Hazbi Lamçes, ai e thirri atë duke i bërë shenjë që të ngjitej lart në zyrë. Zeneli u ngjit lart menjeherë dhe Hazbiu i cili e priste në koridor, e futi brenda në zyrë dhe e mbylli derën me çelës. Mbi tavolinë ai kishte lënë pistoletën e tij, e cila shkëlqente. Pasi e pyeti Zenelin rreth familjes, Hazbiu i tha: “Ju jeni një familje e mirë në Burrel, ndonëse keni një njeri të arratisur, Partia ka menduar t’ju mbajë afër, por ajo do prova besnikërie ama”. Ndërsa Zeneli duke ngritur supet tentoi të përgjigjej, komandanti i kampit e ndërpreu, duke i thënë: “Dëgjo me vëmëndje fjalët e mija: Ka dy muaj që në uzinë ka ardhur një njeri i lig, armik i partisë dhe i shoqërisë. Është Siri Sulejmani, që punon me vinçin “Pirun”, e njeh apo jo? Ndërsa Zeneli pohoi me kokë, Hazbiu vazhdoi: “Ai është dhe armiku yt. Kushedi se nga ka mësuar se ju keni një njeri të arratisur dhe ka përgatitur intrigën”. Zeneli i trembur i’u përgjigj se atë të arratisurin, ai e kishte kushëri të largët, por Hazbiu që nuk donte t’ja dinte se ç’thoshte ai, vazhdoi: “Mos u tremb se atë punë e kam unë në dorë. Se çfarë ke ti të arratisurin më mirë e di Partia, po më dëgjo mua tani. Ai Siriu i vinçit duhet vrarë dhe këtë ta ngarkon ty Partia”.
Si iu përgjigj Zeneli propozimit të Hazbi Lamçes?
Zeneli tejet i trembur i tha: “Si mund të vras unë një njeri?! Këtu ka komandë, ka polici, ç’ne unë”. Pas kësaj, Hazbiu vazhdoi: “Mos na humb kohë me broçkulla, po unë çfarë jam këtu, e di ti kush drejton këtu apo jo? Dëgjo mua me vëmëndje: Kur bie mbrëmja, ndërsa punoni nëpër grumbullimin e arkave të maqinerive, ku mund të shtrish një buall e s’ merret vesh, këputi një levë në kokë dhe… të tjerat i ndreq unë. Ra shiu e piu dheu, e zuri vinçi, e vrau arka e makinerisë, apo e goditi një i burgosur. Fundja mish për top i kemi këtë të burgosur këtu. Tregohu matjan i zoti siç je ti, se mua do më kesh pranë. Ngreu tashti dhe për dhjetë dymbëdhjetë ditë e dua të kryer këtë punë”. Pas kësaj, Hazbiu e kapi për krahu Zenelin e duke dalë tek dera i tha që të mos fliste lartë e poshtë dhe bëri me gishta shënjen e gërshërës.
Çfarë bëri Zeneli pasi doli nga zyra e Hazbi Lamçes?
Siç më tregonte Zeneli, ai u largua që andej si i shushatur dhe nuk dinte nga të shkonte. Që nga ai moment ai nuk ishte më i qetë, as nuk hante, as nuk i flihej dhe as punonte dot. Në këtë gjëndje që ndodhej, atij disa herë i kishte shkuar ndërmënd të vriste veten. Ditët kalonin dhe ai filloi të tretej nga shëndeti pasi i dukej se në çdo hap që bënte, komandanti i kampit e ndiqte nga pas.
A e bisedoj me njeri Zeneli atë gjë?
Në mirbesim, Zeneli kishte pyetur një dibran për mua dhe ai po në mirëbesim i kishte thënë: “Siriu është njeri i mirë, por e ka keq me komandantin e kampit dhe prite ndonjë ditë kur ta hajë”.
Si iu përgjigj Zeneli?
Zeneli i tha: “Si mund të ndodhi kjo gjë, ka shtet këtu apo jo?”. Dibrani kishte vazhduar duke i thënë se Hazbi Lamçja kishte zhdukur shumë të dënuar dhe i kishte mbuluar me proces-verbal. Pas atyre fjalëve Zeneli ishte trembur më shumë, duke menduar se Hazbiu mund ta zhduke edhe atë.
Gjatë atyre ditëve, a e nxiste më Hazbi Lamçja, Zenelin për detyrën që i kishte ngarkuar?
Në një prej atyre ditëve, Hazbiu zbriti nga makina dhe duke e kapur për supi i tha: “Çfarë po bën, pse rri si guak, të vrasësh atë është njëlloj si të vrasësh një pulë”.
Po kur u plotësua afati prej 12 ditësh çfarë i tha Hazbiu?
Pas 12 ditësh, Zeneli shkoi vetë në zyrë tek Hazbiu dhe i tha se nuk e kryente dot atë detyrë që ai i kishte ngarkuar. Në atë moment, në kulmin e nervave, Hazbiu i tha: “Frikacak, matjan i poshtër, kulish i Ahmet Zogut. Dil përjashta”. Teksa Zeneli po dilte tek dera Hazbiu i tha të kishte kujdes se po të hapte gojën do shkonte tek të shumtët.
Çfarë ndodhi më pas, eliminimin tuaj a ia ngarkoi njeriu tjetër Hazbiu?
Nuk e besoj, sepse pas disa ditëve mua më pushuan nga puna dhe gjithë kampi kujtonte se mua më kishte pushuar Drejtori i Kampit, ndërsa unë e dija se ajo gjë më kishte ardhur nga Hazbi Lamçja? Po kështu edhe kolonel Hazbi Lamçen e transferuan në një detyrë tjetër. Pas shumë kohëve, një punëtor tjetër, Vasil Xholi më tregoi se Hazbiu i kishte bërë presion që të më dilte mua dëshmitar, duke thënë se unë kisha sharë Partinë.
Përse kërkonte t’ju eliminonte fizikisht Hazbi Lamçja dhe a ishit ju në dijeni të planit të tij?
Unë kisha një konflikt me Hazbiun, por nuk më shkonte kurrë në mënd se ai kishte futur njerëz për të më vrarë. Këtë gjë e kam mësuar për herë të parë nga Zenel Rami, i cili atë histori, ma ka treguar edhe disa vjet më vonë, në prezencën e mikut tim, shkrimtarit dhe humoristit të njohur, Gaqo Veshi, apo siç njihej ndryshe me pseudonimin letrar, Hyskë Borbojka.
Po me Hazbi Lamçen a të rastisi të “ndesheshe” më pasi u largove nga kantieri i Laçit?
Për fat nuk na takuan më rrugët bashkë, se ai pati një përfundim të keq, pasi edhe vetë ai regjim të cilit i sherbeu për vite me rradhë si oficer i Ministrisë së Punëve të Brendëshme me detyra të ndryshme si komandant kampe e burgjesh, e arrestoi dhe e burgosi në fundin e viteve ’70-të.
Siri Sulejmani: “Si më mbrojti Sterjo Spase për tregimin në revistën “Nëntori”
Shkrimtari i njohur Siri Sulejmani u lind në vitin 1937-të në fshatin Tragjas të Vlorës, prej nga është dhe origjina e familjes së tij. Pasi mbaroi një shkollë të mesme profesionale, ai u largua nga fshati i tij, duke punuar kantier më kantier, në çdo cep të Shqipërisë, duke ushtruar disa profesione si: eskavatorist, buldozerist, zetorist, traktorist, kombanier, tezgjaist, saldator, hekurkthyes, mekanik etj. (Profesionin e tij si eskavatorist, Siriu e vazhdoi edhe pas viteve ’90-të duke punuar me ekskavatorin e tij, diku anash rrugës nacionale në Bushat të Shkodrës me kanalet kulluese). Duke qenë shumë i dhënë pas librave, që në moshë të re ai filloi të shkruante si autodidakt dhe vetëm në vitin 1968-të arriti të botonte tregimin e parë në revistën “Nëntori”. Për të botuar atë tregim, Siriun e ndihmoi shkrimtari i njohur Steroj Spase, i cili edhe e mbrojti atë në një mbledhje të redaksisë nga disa “lajthitje ideore” që kishte bërë letrari i ri. Pas atij tregimi i cili u prit mirë në rrethet letrare të asaj kohe, Siriu filloi të botonte tregime të tjera, të cilat më pas ia lanë vëndin librave si “Gjëmimet e para”, “Zemra e shokut”, “Në rrjedhën e jetës”, “Njeriu i njohur në udhë”, “Një ndodhi në kafe Kursal”, etj. Në vitin 1972, Siriu u pranua si anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe për 20 vjet me rradhë ishte anëtar kolegjumi i revistës “Hosteni”. Në kohën që ai u afirmua dhe bëri emër si shkrimtar që vinte nga klasa punëtore, filluan dhe peripecitë për shkak të biografisë, pasi ai ishte nipi i Skënder Muços dhe Mehmet Alemit, dy eksponentë të njohur të Ballit Kombëtar në zonën e Vlorës. Për këto arsye Siriu kishte ndërruar edhe gjenialitetet, pasi emëri dhe mbiemëri i vërtetë i tij ishte Seri Ligu. Siriu është autor i nëntë librave dhe i mbi 200 shkrimeve në shtypin e kohës, por edhe pse në moshë të thyer, ai vazhdoj të shkruante përsëri edhe pas viteve ’90-të, deri sa u nda nga jeta më 3 korrik të vitit 2014-të.
Comments