Sipas kësaj gjuhe të shlirtë
Nga Fatmir Terziu
Ndodhem në botën e saksive të mbushura me lule natyre,
dora kalon mbi trupin delikat,
fligmën e tyre,
mbi cipal,
zbres ditën që ikën si minë me sahat,
me gazetat që lexohen në ekran
prej internetit të dobët me ndalesa,
sa herë që harroj atë që do të thoja, madje edhe atë që flas
fshihet nga kujtesa.
A nuk është për të qeshur kur sheh para syve
se si u jepen lule të shkulura nga kopshtet
vrasësve të tyre?
Të gjitha lulet janë të vrara atje si në errësirë
edhe në saksi, sipas kësaj gjuhe të shlirtë,
çfarë prisnit nga ky lexim i pështirë,
i trishtë,
çdo gjuhë është me të vërtetë një lamtumirë
çdo gjuhë është një dëshpërim i shumëfishtë.
Unë hesht para saksive si një auditor në mes të provimit
hulumtoja diçka që harrova t'ua them për lulet
ndoshta ishte prej dhimbjes dhe turpit,
në zemrën time u hap një pus i errët sa s'thuhet:
mbushim saksitë me plehun prej llumit
e vetëm t'u ngrejmë muskujt luleve duhet.
E në fund sajojmë një përgjigje nga vetë saksitë
fajin e kanë lulet, sipas kësaj gjuhe të shlirtë:
Pse bëhen më të bukura nga dita në ditë?
2022-2023
Comments