top of page

SI U SHKRUAN DY LIBRAT PËR KRIJIMTARINË E MEXHID MEHMETIT


Dr. Bardhyl MALIQI


Intervistë me fëmijët e mi. Vajza e ka njohur Mexhidin në mars të vitit 2012 në festivalin e Sarajevës, djali në verën e vitit 2018 te “Mrizi i Zanave” kur ishte student. Kjo ishte arsyeja e interesimit të tyre për këta dy libra.


O ba - Pse tek shkrimi përgjithësues për vitin tuaj letrar të publikuar dje nuk shkrove edhe për atë se si u krijuan dy librat për krijimtarinë e Mexhid Mehmetit?

-Nuk shkrova sepse ishte prononcim tepër i gjatë dhe si i tillë dilte shkrim më vete. Pastaj, ç’kuptim do të kishte të përmendja titujt e dy librave të mi, që lexuesit nuk i kanë shijuar ende!? Ata vërtet u botuan por për shak të pandemisë nuk janë shpërndarë si duhet. Por, edhe po t’i kishin në duar ato, pa i lexuar librat e Mexhidit, nuk do të kishin shumë vlerë.


- Si lindi poema “Preshevanuse përdëllimi” dhe libri kritik “Shprehësi imagjinare në krijimtarinë për fëmijë të shkrimtarit Mexhid Memeti”?


- Fare natyrshëm. Në verën e vitit 2019, me shkrimtarët kosovarë të ardhur me pushime në Sarandë, iu thashë se kam qenë në të gjitha viset shqiptare në Ballkan, në Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut, por jo te shqiptarët e Serbisë Jugore: në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Po të më jepet ndonjë rast, do të shkoja me dëshirë.

- Po kur ju erdhi rasti?


- Pas verës, në mesin e tetorit, më vjen një ftesë për një veprimtari letrare që zhvillohej nga Shoqata e Shkrimtarëve “Feniks” e Luginës së Preshevës, që drejtohet nga poeti Bilall Maliqi, me të cilin njihesha mirë nga veprimtari të tjera letrare ku kemi qenë të dy të pranishëm. Kisha foto me të dhe me shaka i thosha kushëri, pasi kemi të njëjtin mbiemër..

Nga biseda me të në telefon, Bilalli më tha se ndërmjetës për ftesën ishte shkrimtari Mexhid Mehmeti, gjithashtu i ftuar në Manifestim. Deri në Prishtinë, më tha Bilalli, do të vini me mundësitë tuaja, aty do t’u presë z. Mexhidi dhe së bashku do të udhëtoni deri në Preshevë.

Vendosa të shkoja. Mora dhe bashkëshorten me vete, pasi shprehu dëshirën të vinte dhe ajo, të paktën deri në Kosovë. Në mbrëmje na priti Mexhidi me veturën e tij tek stacioni i autobusëve të Prishtinës, i cili na tha që atë natë do jemi mysafirët e tij dhe se të nesërmen do udhëtonim për në Preshevë. Deshëm të vendoseshim në hotel, por ftesës këmbëngulëse dhe bujare të Mexhidit ishte vështirë t’i rezistohet.Bottom of Form

I ramë nga Shkupi për shkak se policia kufitare serbe do të hapte teleshe nëse si shtetas i Shqipërisë vije direkt nga Kosova! Rruga ishte e bukur, plot gjelbërim dhe fshatra e qytete që nuk i kisha parë më parë, pasi në aksin rrugor Shkup – Preshevë, shkoja, siç e përmenda, për herë të parë.


- A ju bëri përshtipje udhëtimi?


- Mësova shumë gjëra nga ai udhëtim, por për këto do t’iu flas një herë tjetër... Me ne udhëtonte edhe Ismet Bajrami, një bashkëvendas dhe mik i Mexhidit, gjithashtu krijues, i cili, gjatë gjitugës, na mbante me biseda të gjalla.

Presheva, megjithëse një qytet i vogël province, mua m’u duk si qendra e botës, pasi librin me poezi të zgjedhura të Mexhidit “Përtej Harrimit” e kisha lexuar dhe është pak të them më pëlqeu. Pata shumë impresione, mbajta dhe ca shënime, që kur ma dhuroi gjatë verës në Sarandë.


- Si u shkruajt poema “Presheva nuse përdëllimi”?


- Fare natyrshëm, librin e Mexhidit “Përtej Harrimit” e lexova sërish kur erdha në Sarandë. Shkrim nuk mund të bëja sepse Prend Buzhala kishe shkruar gjatë dhe bindshëm në parathënien e vet. Atëherë natyrshëm mbresave të librit iu shtova dhe mbresat nga terreni nga ishte frymëzar edhe Mexhidi, nga Presheva e tij e dashur. Pra “Presheva nuse përdëllimi” është një libër poetik impresonesh të veçanta. Një përmbledhje poetike e mbresave të leximit.


- Jemi kuriozë ta mësojmë si ju shkoi veprimtaria?


- Veprimtaria do të zhvillohej në Bibliotekën e qytetit “Mehmet Jusufi”, pimë një kafe si pas rruge dhe shkuam në katin e dytë. Poetët dhe të ftuarit ishin lart, por akoma nuk kishnin hyrë në sallë. Me ardhjen tonë, ata sikur u gjallëruan dhe pas pak filloi veprimtaria. Mua, si mikun më të largët, më vunë në presidium. Në qendër të veprimtarisë ishte poetja e ndjerë preshevare Feime Selimi me katër librat e saj poetikë të mrekullueshëm. Më pati impresionuar njëri prej librave të saj që e pata lexuar e për të cilin lexova një kumtesë. Fjala ime për atë libër u prit me interes, sepse autorja më kishte dhënë shkas të flisja edhe për kultivimin e talenteve.


- A u njohe me krijues të tjerë dhe si t’u dukën ata?


- Aty u njoha më mirë me mjaft poetë dhe prozatorë kosovarë, por edhe të Lugiës së Preshevës. Përshtypje të mirë më bëri fakti se në manifestim kishte edhe ca nxënëse shkolle të vogla në moshë si Arlinda Vitija, por edhe vajza të pjekura tani në profesion si Selvete Avdullai etj. Por, u mrekullova kur takova legjendën e letërsisë preshevare të ardhur nga diaspora, shkrimtarin e moshuar Ramadan Rexhepi, që ecte me hap djaloshar.

Librin e tij “Kumbonarja”e kisha lexuar herën e parë me kureshtje dhe herën e dytë me shumë vëmendje. Po ju them me bindje se ishte më lart në stil se i preferuari im Migjeni dhe prozatori tjetër shkodran Ernest Koliqi. U revoltova me ish profesorët e mi, që nuk ia dinin as emrin. Si është e mundur, thashë me vete?!


- Ju u vlerësuat me një çmim apo jo?


- Preshavrët më shpërblyen për fjalën time, për poezitë dhe librat e mëparshëm, me çmimin e kerrierës. Nuk e prisja...


- Si ra në kontakt me letërsinë për fëmijë të Mexhid Mehmetit?


- Rrugës së kthimit ecëm më shpejt të mos na zinte nata dhe i ramë shkurt nga Preshava nëpër Gjilan për në Fushë Kosovë. Deri në Prishtinë me ne erdhi edhe poeti nga Shqipëria Odise Plaku. Gjatë asaj dite, bashkëshortja ime dhe e Mexidit kishin pasur kohë për ta vizituar gjatë Prishtinën. Ato nuk mundëm t’i merrnim me vete sepse ime shoqe e kishte harruar pasaportën.

Në mbrëmje Mexhidi më dha disa libra të tij. Ndër to edhe dy librat me letërsi për fëmijë. “Çamarrokët” që i kishte 3 vëllime dhe “Ecejaket e Hero Lindit” me 7 vëllime. U befasova tej mase. Së pari lexova “Çamarrokët”, i bukur, por jo edhe i pazakontë. Por, kur lexova “ Ecejaket e Hero Lindit” u befasova për të mirë. Një libër pa frikë i jashtëzakonshëm. Në asnjë libër të letërsisë shqipe për të rritur dhe për fëmijë nuk e kemi një pasuri dhe shprehësi të tillë të pazakontë. Pastaj më bëri përshtypje fakti se ishte në 7 vëllime, me shtatë vëllime nuk kemi asnjë autor në letërsinë shqipe. Kjo më kujtoi Marsel Prustin dhe librin e tij “Në kërkim të kohës së humbur”

Gjeja e parë që më erdhi ndërmend pas leximit të këtij libri të mrekullueshëm, ishte t’i shkruaja Ministrisë sonë të Arsimit, që ky libër të ishte i detyrushëm për shkollat 9 - vjeçare, pasi ai do ta begatonte botën e fëmijëve.


- Çfarë ka të jashtëzakonshme ky libër?

- Siç e kam argumentuar edhe gjatë shtjellimit të librit tim “Shprehësi imagjinare të botës së fëmijëve”, Mexhid Mehmeti në krijimtarinë letrare për fëmijë ka përdorur disa gjetje artistike të mençura, që i kanë dhënë dorë në shtjellimin me sukses të lëndës romanore. Për shembull titujt e të 7 librave të kësaj serie, që kanë Një protagonist. Vetë konceptimi i të shtatë librave, të cilat herë-herë krijojnë paralelizma, herë kundërvënie e herë vazhdimësi, është zgjidhje e mençur, që i ka dhënë dorë autorit, për t’i shkruar ato me frymëzim dhe për të realizuar gjetje të veçanta gjuhësore dhe letrare.

Kështu, udhëtimi i Hero Lindit me Fluturaken është në antipod me fluturimet e tij në Botën e Territ, me Botën e Ngrirë, apo me miqtë e Botës së Shpresës (Ar Gjend, Hekur An, etj.) nga të cilët ndahet personazhi kryesor Hero Lindi dhe që përbëjnë, në fakt, 7 ngjyrat e ylberit: nga bota e territ - e zeza, tek bota e dritës - e bardha dhe kjo strukturon gjithçka në vetvete: atmosferën, ngjarjet, personazhet, dialogët, veprimet dhe natyrisht përshkrimet e mjedisit si dhe emrat e personazheve të çdo libri.

-Në një bisedë të mëparshme ju na folët veçanërisht për gjetjet artistike të Mexhidit. Si duhet t’i kuptojmë ato?

-Gjetjet artistike janë pak në krahasim me gjithçka tjetër, ato nuk janë figura letrare, por konceptimi i gjithë lëndës. Ndarja e librave sipas botëve nga Bota Terri tek e Bota Ëndrrës, Bota e Përrallës, Bota e Gënjeshtrës, Bota e Ngrirë, Bota e Shpresës dhe Bota e Dritës. Njeriu fle, pra është në terr, kur fle, sheh ëndrra, po ëndrrat s’janë veçse g@njeshtra i duket sikur fluturon, por në fakt është në krevat si i ngrirë, por në agzhol ka shpresë dhe fillon të zgjohet, çel dita dhe fëmijëa tanë fillon sërish nga e para. Në çdo botë kemi një prioritet të lëndës që ajo servir, terri ka protagonist lakuriqtë dhe minjtë, urithët dhe pleqtë e vonuar, tunelet dhe labirithet. Pra ndërtimi bëhet me lëndën organike të kësaj bote konceptuale.

Po kështu, gjetje janë edhe drejtimet e larmishme letrare të përdoruara në shtjellimin e lëndës romanore, që përfshin, siç e kemi thënë, gjithë spektrin duke filluar nga romantizmi deri tek realizmi magjik, nga realizmi tek absurdi, nga stigmatizmi i së keqes te triumfi i së mirës si element i realizmit socialist. Edhe kundrimi i Hero Lindit nga Fluturakja mbi lartësitë e botës dhe mundësia që të shikonte mbi majën e malit më të lartë flamurin e shtetit të tij dhe dëshira të ishte yll i barabartë me yjet e tjerë të hapësirës etj., në thelb mbeten gjetje artistike të rëndësishme në shkrimin dhe strukturimin e romanit shumëplanësh.

Ne të rriturit e dimë: dehja nuk vjen vetëm nga pija, vjen edhe nga veprimet e mira apo të këqija. Ndaj, të përpiqemi t’i përvetësojmë mësimet e arrira që transmeton ky libër shtatëvëllimësh. Ta mësojmë dhe ta shijojmë dijen dhe artin e këtij autori të çmuar të letërsisë mbarëkombëtare për fëmijë!

Pnademia nuk më la kohë që t’i drejtohesha Ministrisë së Arsimit.

Koka na digjte zjarr të gjithëve, sepse pas tërmetit ra edhe pandemia. Por, atë që nuk munda ta bëja vjet do ta bëj sivjet. Ky libër duhet doemos të bëhet pasuri e botës shpirtërore të fëmijëve tanë.



218 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page