Intervistë me poetin dhe piktorin Faslli Haliti: SI U NDA DHE U BASHKUA NË DEMOKRACI TRESHJA POETIKE E QYTETIT TË LUSHNJES
Vitet e rralla në ushtri në Vlorë me Muharrem Fejzon, Leka Toton, Pjetër Arbnorin dhe Tonin Arapin nga Shkodra
- Si më nxiti Ilia Shyti në korrik të vitit 1953, të konkurroja në Tiranë, për t’u futur në Liceun Artistik
- - Në vitin 1957 në Lice dëgjoheshin këngë italiane dhe të huaja
- Një inspektori i kulturës një ish berber thoshte për mua që pse nuk pikturon pallatet e partisë
- Më 22 prill 1963, botova poezinë e parë në gazetën "Drita", ku redaktor për poezinë ishte Kadareja
- Sekretari ideologjik i KP më kritikoi se poezia nuk mbështetej në tabanin popullor
- Shkrimtari KR librin tim “Sot” e quajti një libër reaksionar
-Sigurimsi i qytetit i thotë komitetit të Partisë, se Faslli Haliti ka shkruar një poemë kundër Sekretarit të Parë
-Si më mbrojti kritiku i famshëm Razi Brahimi
- Në shkrimin «Krijimtaria letrare e rinisë» Kadare shkruan: «Ka pasur raste kur ndonjë diskutim për krijuesit ka munguar dashamirësia”
Albert Z. ZHOLI
-Si i kujtoni vitet e shkollës fillore dhe kur e mbarove atë?
Më 1950, mbarova shkollën fillore. Në pyetjen e provimit të fundit të lirimit, në lëndën mësim natyre, më ra pyetja mbi bletën. Si u përgjigja, mësuesi u kënaq, kurse inspektori arsimit më tha, “hajt ik tani, e ruaj lopët”. Nuk më erdhi mirë! Pse s’më tha ik e vazhdo shkollën 7-vjeçare? Nuk shkova me lopë, por u bëra bujk. Isha vetëm 12-13 vjeç, sepse u futa me vonesë në fillore, kur ajo u bë me detyrim. Punova si bujk tre vjet. Gjatë lëvrimit, kur zbreja qetë, lexoja dhe vizatoja. Lexova librin me përralla Aleksandri i madh të Selman Vaqarit që m’u dha nga shkolla si nxënës me fletë lavdërimi. Pas leximit të librit të parë lexova romanin Kasollja të Blasko Ibanjezit, librin Reportazh i shkruar me litar në grykë të Julius Fuçikut etj. Pra lëroja dhe lexoja, dy nga këta tre libra, s’di se si më kishin rënë në dorë. Lexoja, por edhe vizatoja shumë. Një ditë vëllai i madh, ia tregoi vizatimet e mia piktorit, aktorit dhe regjisorit të shtëpisë së Kulturës, Ilia Shyti i cili i pëlqeu e i vlerësoi shumë. Nuk e zgjati. Pas një pune që bëri me mua, në korrik të vitit 1953, më dërgoi të konkurroja në Tiranë, për t’u futur në Liceun Artistik, në degën e pikturës, me bazë fillore. Pas një muaji mora përgjigjen se kisha fituar konkursin, po vadisja arën. Pashë këmbët e mia të mufatura nga uji, të zbardhura, gjithë shpofka si bark bretkose, ose si dy copa polistaroli si ai që njohim sot, thashë me vete; pse këto këmbë do të venë në Liceun Artistik?
-Si vazhdoi ëndrra për shkollë?
Ditët e fundit të gushtit, po korrja misër. Erdhi babai. Lere atë drapër më tha; shko lahu e shpëlahu, bëhu gati, merr valixhen dhe nesër në mëngjes, nisu për në shkollë.
Dhe ditën e parafundit të gushtit të vitit 1953, u nisa për në Liceun Artistik në Tiranë, për të studiuar për pikturë. Ilia Shyti, po më nxirrte nga balta, në asfalt.
Më 1 shtator 1953, në moshën 15-16 vjeçare, fillova Liceun Artisik, në klasën e pestë. Pas muajit dhjetor, në pushimet simestrale, profesori i letërsisë Ali Zela, pasi u njoh me hartimet e mia dhe i pëlqeu, më dha për të lexuar Hamletin, Makbethin, Romeo e Zhulieta, të Shekspirit, tragjedinë Zonja Ingra e Ostrotit të Ibsenit etj. Këta janë librat më me art e filozofi, më tha profesori. Lexoi me vëmendje. Dhe unë duke i lexuar me kujdes e shumë vëmendje, kërkoja të shihja, të gjeja se, ku e kishin, ku e fshihnin artin dhe filozofinë, këta libra, por edhe pse s’arrija t’i shihja e t’i gjeja, arti dhe filozofia e tyre u fosilizun brenda meje si shtresa diamanti.
Por…, më 30 nëntor, pas parakalimit ushtarak që u bë më 29 nëntor, me rastin e jubileut të 10-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë, më 30 nëntor, u mobilizova ushtar e shkova në Vlorë, dy vjet rresht.
-Kë nga figurat e artit shqiptar kishe në ushtri? A kishe kohë të lexoje libra aty?
Gjatë dy viteve të ushtrisë, u gjenda në një mjedis me ushtarë intelektualë Muharrem Fejzo, Leka Toto nga Tirana; Pjetër Arbnori dhe kompozitori Tonin Arapi nga Shkodra etj.. Lexova shumë libra me tregime e novela të klasikëve francezë e amerikanë. Lexova romanin Aventurat e Tom Sojerit, të Mark T ëainit, tragjedinë Intrigë e dashuri të Shilerit, novelën Malva të Gorkit, romanin e bujshëm Një hero i kohës sonë, të Lermontovit, tregimet e Çehovit, Tregimet e Donit të Shollohovit, poezi të Pushkinit, Majakovskit, Lermontovit, etj, i nxitur nga ky mjedis.
-Pas ushtrisë a u ktheve sërish në Lice?
Në nëntor të vitit 1956 u lirova nga ushtria dhe në shtator të vitit 1957 u ktheva përsëri në Lice për të vazhduar studimet e lëna përgjysmë. Pashë se të dy nuk ishim ata që kishim qenë, të dy kishim ndryshuar, si Liceu dhe unë. Liceu i vitit ’57, nuk ishte më ai i ’53-shit. Pedagogët e lëndëve artistike ishin diplomuar, pothuaj, të gjithë në Perëndim: Itali, Francë, etj. Me nxënësit e muzikës, dramës, pikturës, skulpturës, organizoheshin koncerte, etyde dramash, ekspozita. Frynte një erë e re liberale. Altoparlantët buçisnin nga muzika italiane dhe jo vetëm nga ajo sovjetike si dikur në vitin ’53. Liceistët shihnin albume, revista me piktura dhe filma me piktura e piktorë impresionistë e posimpresioniste që shfaqeshin në sallën e pinakotekës së Liceut.
Më dukej sikur nuk isha në Tiranë por jashtë shtetit dhe pinakoteka më dukej si një Luvër i vogël i Tiranës. Ndiqja çdo veprimtari aristike që bëhej në Lice. Ndiqja jo vetëm saxhiot e nxënësve të muzikës, por edhe koncertet e tyre në sallën e koncerteve të shkollës, si dhe shfaqjet e operave në sallën e teatrit të operas, si dhe fragmente veprash që luanin nxënësit që mësonin për aktrim, pa lënë mënjanë, natyrisht, ekspozitat e pikturës që hapeshin, jo vetëm në pinakotekën e shkollës, por edhe ato në Galerinë Qendrore të arteve figurative në Tiranë. Nëse në ushtri më qëlloi të isha midis një mjedisi me ushtarë të kulturuar nën ndikimin e të cilëve e ushqeva veten me lexime librash të autorëve botërorë, liceu Artistik më formoi si krijues me mjedisin e tij të nivelit të lartë artistiik e intelektual, letrar e kulturor. Kështu që në vitin 1961, në qytetin tim po kthehesha, jo siç shkova në Liceun Artistik nga korrja e misrit, por me korrje të reja, këtë her ë, artistike, me mbushje të tilla që zienin brenda meje e që mezi prisnin të derdheshin e të vërshonin furishëm në qytetin tim…
-Pas studimeve u kthyet në qytetin tuaj të Lushnjes, si e gjetët Lushnjen?
Qytetin tim e gjeta me një Vaçe Zela të lindur gjeneshë dhe me një jetë të vakët kulturore e artistike. Në qytet kishte dhe një poet, beniamin i komitetit të partisë i cili ishte mësues letërsie dhe sekretar i organizatës bazë të gjimnazit dhe Organizatave të tjera Bazë të shkollave të tjera shtatë-vjeçare të gjithë qytetit. Një pseudopoet ky që recitonte bejtet e tij, hipur nëpër fiqtë dhe ullinjtë e kodrës së qytetit, sikur kodra të ishin Olimpi i muzave duke krijuar kështu modelin e deformuar e komik të poetit në përgjithësi…Megjithatë ky biçim poeti, ishte shumë i talentuar për të shkulur edhe bifkën më të njomë të talentit, me qëllim që mjedisi krijues të mbetej Saharë, pa një fije talenti, me qëllim që të bleronte vetëm ai si një fije kashte e fishkur «poetike».
Sapo erdha në qytetin tim, fillova të bëja peizazhe me akuarele dhe vaj. “Ai mësuesi i vizatimit, në vend që të pikturojë pallatet e reja që po ndërton Partia çdo ditë në qytetin tonë, vete e na pikturon ca zgëqe që të fusin datën”. Kështu dëgjova të thoshte për mua, inspektori i kulturës një ish berber. U theva, a mbase ky, ishte një pretekst që të jepesha i tëri pas poezisë, ku e ndjeja se shprehesha plotësisht e më fuqishëm e, jo në mënyrë të vakët si në pikturë. Kështu që piktura kaloi në vend të dytë, kurse poezia zuri qoshen e krijimtarisë sime…
-Pra ju filluat punë si mësues vizatimi, po poezinë e harruat?
Jo! Dy vjet pas ardhjes në qytetin tim si mësues vizatimi, më 22 prill 1963, botova poezinë e parë në gazetën "Drita", ku redaktor për poezinë ishte Kadareja. Botimi i poezisë më gëzoi, gati, sa lindja e fëmijës së pare; edhe pse Kadareja e kishte botuar të përgjysmuar poezinë time, nuk m’u zbeh vala e gëzimit të botimit të poezisë, sepse i përgjysmim e kishte përmirësuar poezinë e stërzgjatur.
Pastaj vazhdoi botimi i cikleve që ndonjë poezi e tyre, kritikohej nga revista e hidhur, konservatore "Hosteni". Por ndërsa një fjalë e lëshuar nga inspektori i kulturës ashtu si në tym, më ftohu nga piktura, në poezi, përkundrazi, kritikat më bënin efekt të kundër: të kumboja më shumë. Kritizerët dhe Hosteni villnin vrerë, unë e zbusja, e shuaja vrerin e tyre e ktheja në mjaltë me antidotën e punës dhe frymëzimit tim.
Ndërsa botimi i poezisë së parë më lumturoi si lindja e fëmijës së pare, ajo u shoqërua me anatema. Krijuesi nopran, cinik, me një grint satiri në zemër dhe në majë të gjuhës, pa asnjë farë motivimi, sapo e pa të botuar poezinë time të parë në gazetën "Drita", pështyu gazetën. Nuk e pashë. Ma thanë ata që e panë me sytë e tyre. E besova. E njihja. Buzët e tij kë nuk pështynin. Edhe vetë qiellin. Pa le tokën. U bënë dy që më futën në shenjestër: satiri cinik dhe Hosteni shafran, kobzi. S’u mjaftuan me kaq. Filluan insinuatat, shpifjet që në hapat e para në rrugën time krijuese. Më thirri në zyrë sekretari ideologjik, ish traktoristi i cili dinte të zbërthente e të mbërthente disi traktorin, por asnjë rrokje të vargut, pa le pastaj të zbërthente poezinë.
Ç’e ke këtë poezi “kundër shtergëve që e lënkan atdheun në baltë, breshër e shi dhe na bredhkan pas pranverave. Ku janë këto pranvera. Pse a s’është atdheu ynë Pranverë? Me këtë poezi, shoku sekretar, unë ngrihem kundër filozofisë kozmopolite. Jo more! Filozofinë kozmopolite s’e kuptoj unë e na e kuptoka koka jote! Pas diskutimit egërshanë të librit tim të parë, “Sot”, takoj SD, një ish sigurims të zhveshur për hymeret e tij që ç’nuk tha kundër librit tim. Dëgjo SD. i thashë: po si m’u turre ashtu ti mua, sikur të mos ishim të dy myzeqar ë?. Po meqë jemi të dy krijues, po të citoj një alegori popullore: "Kur prenë rrapin ca druvarë/ Dhe vunë pykën për ta çar ë,/ Ai tha: sëpatën tuaj e kam armik,/ Ndaj nuk ndjej pikëllim,/ Por për pykën unë vuaj/ Që është dru prej drurit im./ Ç’do të thuash ti, me këtë ? Dua të them që ti mbajte anën e shkrimtarit të “madh” KR i cili e ngriti lart librin tim “Sot”që ta shihnin të gjithë të pranishmit në sallë dhe tha me zë të lartë: e shihni këtë libër? Ky është një libër reaksionar! Dhe ti i mbajte ison duke pohuar gjithashtu me zë të lartë: po shokë, mirë e ka shkrimtari ynë i madh, shoku KR. Libri i Faslli Halitit është një libër reaksionar që e sheh me syze dielli jetën tonë të ndritur socialiste. Po si mor SD, reaksionar unë, që së bashku me ty mblidhnim lakra në ledhin e përroit dhe duke i shkulur i hanim ato të gjalla, pa i çuar në shtëpi që t’i zienin nënat tona?
-Si reagoi?
Por SD, në vende që të prekej, të reflektonte, të nesërmen, na shkon në Komitet të Partisë dhe trillon shpifjen më trillane të botës. I thotë komitetit të Partisë, se Faslli Haliti ka shkruar një poemë të gjatë kundër sekretarit të parë, ku e quan pykë dhe byk të cilën e ka daktilografuar në shumë kopje dhe e ka shpërnadarë gjithandej. Unë nuk dija gjë edhe pse kjo flitej gojë më gojë.
-Si vazhdoi kjo situatë?
Më kap Razi Brahimi dhe më thotë: do të pyes për diçka Faslli, unë nuk e besoj ta kesh bërë këtë që dëgjova, sepse ndryshe ti ose duhet të jesh reaksionar, ose naiv. Më thuaj. Si është puna? -i them, jo pa shqet ësim Raziut, kritikut të famshëm që ishte dhe drejtor i shtëpisë se kulturës s ë qytetit tonë. SD, më thotë Raziu, ka shkuar në komitet të partisë dhe ka thënë se Faslli Haliti ka shkruar një poemë kundër sekretarit të Parë, ku e quan pykë dhe byk, e ka daktilegrafuar në shumë kopje dhe e ka shpërndarë gjithandej. Sa ma tha Raziu, unë qesha me të madhe. Pse qesh, më thotë ai?. E di si është puna Razi. Pas diskutimit të librit tim, ku SD, foli mbarë e mbrapsht duke më quajtur mua edhe reaksionar, unë e takova pas mbledhjes dhe i citova një alegori popullore: /Kur prenë rrapin ca druvarë/ Dhe vunë pykën për ta çarë,/ Ai tha, sëpatën tuaj e kam armik,/ Ndaj nuk ndjej pikëllim,/ por për pykën unë vuaj/ Që është dru prej drurit im.
E qartë, më tha Raziu. E kuptueshme.
-Po pas takimit me Razi Brahimin?
Pas kësaj, në shkrimin «Krijimtaria letrare e rinisë» Kadare shkruan: «Ka pasur raste kur ndonjë diskutim krijues ka munguar dashamirësia. Kam parasysh një letër të dërguar në redaksinë e gazettes «Drita» nga një letrar i ri i Lushnjës i cili shfaqte protestën e tij në lidhje me pritjen që ju bë librit «Sot» të poetit të ri Faslli Haliti nga disa anëtarë të rrethit letrar të Lushnjës. Nxënësi që e shkruante këtë letër, ankohej me të drejtë për faktin që disa anëtarë të rrethit letrar të Lushnjës, në vend që të gëzoheshin që një bashkëqytetar i tyre botoi një libër të mir ë poetik, jo vetëm që u hidhëruan shumë, jo vetëm që e pritën me këmbët e para këtë libër, por filluan kundër autorit të ri një fushat akuzash spekulative».
Edhe kur autorin e poemës «Dielli dhe rrëkerat» u dënua me punë të detyruar, F. Rustemi ishte i vetmi që reagoi kundër dënimit të padrejtë të poetit duke i shkruar letër Enver Hoxhës.
Më pas njeriu i tre pa-ve (kolegët e quanin të tillë se ishte professor, pa diplomë, gjeneral pa ushtarë, sepse kishte abuzuar gjatë zhvarrimit të eshtrave të ushtarëve të rënë gjatë luftës së dytë Botërore në Shqipëri si dhe shkrimtar, pa vepra), takon një ditë në kafe shkrimtarin Halil Jaçellari dhe i thotë gjithë mllef, veç mos i daltë gjë Faslli Halitit me Visar Zhitin, gjatë hetimeve në burg se, në shenjestër e kam futur. Njeriu i tre pa-ve, ishte prekur nga një shkrim imi në gazetën «Zëri i popullit», ku aludohej për servilosjen e tij ndaj kunatit, zëvendësministër i Ministrisë së Brendshme.
Për shkakun tim, po shiheshin vëngër edhe disa nga krijuesit më të talentuar të Lushnjës. Kur ndonjë nga “liderët” e letërsisë në Lushnjë, qëllonte të lexonte ndonjë cikël me poezi të Fatbardh Rustemit apo Bujar Xhaferrit, thoshte se poezitë tyre ishin më zi se poezitë e Faslli Halitit, si dhe ndaj shkrimtarit të talentuar Halil Jaçellari, të cilit i thanë në sallën e gjyqit se kishte në kokë lakrat e Faslli Halitit, ndaj thoshte lart e poshtë se do t’i shkelte me këmbë gjithë komunistët e ndëmarrjes.
Nuk thonë kot: më thuaj me cilin rri të të them se cili je. Edhe krijuesit e rinj Visar Zhiti, Bujar Xhaferri, Halil Jaçellari duke mos u ndarë ditë e natë nga poeti i tyre i përkrahur vlerësuar nga Kadare, Faslli Haiti, si ai do të shkruanin dhe ata letrarë, katran me bojë, zi, domethënë...
Comentarios