top of page

SI TË NDËRPRITET...


31 MAJI – DITA NDËRKOMBËTARE PA DUHAN. 6


SI TË NDËRPRITET TYMOSJA E DUHANIT?


Lutfi ALIA


Deri në vitet ’90, efektet dëmtuese të tymit të duhanit injoroheshin, ndërsa në këto 30 vite, me studimet e shumta shkencore, është vertetuar rrezikshmëria për shëndetin dhe jetën e duhanxhinjëve dhe të atyre që thithin tymin pasiv të duhanit në mjediset shtëpiake, të punës dhe në mjediset publike.

Aktualisht 90 % e duhanxhjinjëve i njohin pasojat e rënda për shëndetin që krijon duhani, ndërsa 10 % i minimizojnë dhe i nënvlehtësojnë, për të mos u privuar nga kënaqësia e krijuar nga droga nikotinë, pra mbeten skllevër të dipendencës nga nikotina.

Edhe pse i njohin dëmet që shkakton tymosja e duhanit, po iu rikujojmë duhanxhinjëve si lëndohet shëndeti i tyre nga substancat e shumta të çliruara nga djegia e duhanit në cigare, në puro, në llullë dhe në nargjile.

Të dhënat shkencor kanë vertetuar se tymosja e duhanit e shkurton jetën e duhanxhinjëve 10 – 12 vite, pra vdesin parakohe, duke humbur një pjesë të konsiderueshme jete, vetëm për të shijuar kënaqësinë e përkohëshme të drogës nikotinë. Është vertetuar se 50 % e duhanxhinjëve vdesin nga sëmundje të shkaktuara nga 4700 substancat toksike, irituese, inflamatore dhe kancerogene. Sëmundjet e shkaktuara nga duhani janë përgjegjëse për 20 % të vdekjeve në grup moshat 35 – 65 vjeç dhe 30 % në moshat e avancuara mbi 65 vjeç.

Rikujtojmë se mbi 90 % e kancereve të mushkërive zhvillohen në duhanxhinjë, që tymosin mbi 20 cigare në ditë. Aktualisht ndër duhanxhinjtë është shtuar numëri i kancereve të gojës, të fshikzës urinare e të stomakut.

Një ndër tre duhanxhinjë vdes nga sëmundje kardiovaskulare, ndër të cilët 60 % nga sëmundje të arterieve koronare (infarkt miokardi). Një ndër efektet e herëshme të tymit të duhanit është rritja e presionit të gjakut, pikërisht 10 minuta pasi përfundohet tymosja e cigares, presioni i gjakut rritet edhe 30 mmHg, çka shprehet me ndërlikime në subjektet, që vuajnë nga hipertensioni (presioni i gjakut i lartë).

Në duhanxhinjtë, ateroskleroza është më e herëshme, më intensitet më të lartë dhe e ndërlikuar me iskemi të trurit, me koronarosklerozë (infarkt miokardi) dhe me dëmtime të veshkave. Iskemitë dhe hemoragjitë e trurit janë 10 herë më të shpeshta në duhanxhinjë, se sa në ata që nuk tymosin duhanin.

Duhanxhinjtë kronikë vuajnë nga dy sëmundje të arterieve, sindroma Rayneaud e shkaktuar mga ngushtimi i arterieve të krahëve, e shprehur me mavijosjen e gishtave të duarve dhe nga endoarteriti obliterant, që pakëson furnizimin me gjak të gjymtyrëve të poshtëme e shprehur me ecje me vështirësi duke çaluar dhe me shenjat e quajtura “këmba e duhanxhiut”, që dikton ndërhyrje kirurgjikale, por në shumë raste pa rezultate.

Sëmundjet e aparatit të frymëmërrjes janë të pranishme në 100 % të duhanxhinjëve, të shprehura në forma dhe në tipa të ndryshme, si me bronkite kronike dhe bronkopati kronike obstruktive, që shkakton invaliditet të lartë dhe është shkaku i tretë i vdekjes të subjekteve duhanxhinjë.

Përmasat e pandemisë të tabagismit, numëri i madh i duhanxhinjëve dhe pasojat dramatike për shëndetin dhe jetën e tyre, shprehen me probleme komplekse mjekësore, shoqërore dhe ekonomike. Trajtimi i një duhanxhiu më sëmundjet e më sipërme, ka kosto 40 – 50 % më të lartë, se trajtimi i një të sëmuri që nuk tymos duhanin, pra ndikon direkt në rritjen e shpenzimeve sanitare. Në Itali shpenzohen 10 miliard euro vetëm për të sëmurët duhanxhinjë, shpenzime që përfaqësojnë 8 % të buxhetit për shërbimin shëndetësor kombëtar.

Nga kjo situatë dramatike shtrohet domozdoshmëria e forcimit të luftës kundër tymosjes të duhanit e zhvilluar në parandalimi i tabagismit dhe kurimin e duhanxhinjëve të dalin nga dipendenca ndaj nikotinës.


PARANDALIMI I TABAGISMIT.


Parandalimi i tabagismit shtrihet në fronte të gjëra, duke filluar me masa për pakësimin e kultivimit të bimës së duhanit, me pakësimin e prodhimit industrial dhe të tregëtimit, me ndalimin e tymosjes të duhanit në mjedise publike, në mjediset e punës dhe në shtëpi, me ndalimin e tymosjes të duhanit nga minorenët etj.

Këto masa parandaluese shtrojnë detyrë imperative impenjimin e institucioneve shëndetësore, institucionet kulturore dhe artistike, shkollat dhe familjet të aplikojnë strategji dhe taktika edukimi, për ndërgjegjësimin e çdo individi për dëmet e shumta që shkakton tymosja e duhanit.

Të gjitha masat dhe aktivitetet për të kufizuar tabagismin, janë nxitur fuqishëm nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, më vendimin për ndalimin e tymosjes të duhanit në mjediset publike. Këto direktiva janë adaptuar nga shumë shtete, sidomos në vitin 2003, me aprovimin në parlamente të ligjit për ndalimin e tymosjes të duhanit në mjediset publike, në mjediset e administratës, në mjediset spitalore, në auditoret, në shkollat, në bare, restorante, plazhe, parqe lojrash për fëmijët, në mjetet e transportit publik (autobuza, trena, anije, tragete, taksi), në kampet sportive, në stadiumet, në sallat e kinemave dhe të koncerteve. Ndër masat e rëndësishme është dhe gjoba për ata që tymosin në mjedise ku ndalohet tymosja e duhanit, si dhe gjobat për subjektet, që hedhin në tokë bishtat e cigareve. Në të gjitha institucionet dhe mjediset publike funksionojnë njësitë e luftës kundër duhanit, që survejojnë dhe ndëshkojnë abuzuesit dhe individët e pandergjegjshëm, që shkelin rregullat dhe ligjet kundër tymosjes të duhanit.

Gjithashtu janë përcaktuar rregulla për etiketat e paketave të cigareve dhe të konfeksioneve me duhan të grirë, me vendosjen e shkrimeve ku theksohen rreziqet për shëndetin të provokuara nga tymi i duhanit. Në zbatim të direktivave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për parandalimin e tabagismit, shumë shtete e kanë ndaluar me ligj reklamat e prodhimeve të duhanit, nisëm që filloi me bllokimin e reklamave të paketave “Marlboro” në makinat e Formula Uno, përvojë që u përgjithësua nga kanalet televizive, revistat dhe gazetat. Ndalimi i reklamave të prodhimeve të duhanit u shpreh me pakësimin 15 % të tregëtimit të paketave dhe të konfeksioneve me duhan të grirë.

Direktivat dhe vendimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe masat me karakter legjislativ që morën shumë shtete, përfaqësojnë instrumenta të rëndësishme dhe rezultative në luftën kundër tabagismit dhe me ndikim në tutelën e shëndetit të subjekteve që nuk e tymosin duhanin.

Duke analizuar 50 studimet shkencore ndërkombëtare, dedikuar ndikimit mbi shëndetin e popullatës 10 vjet pas ndalimit të tymosjes të duhanit në mjediset publike, rezulton se u pakësuan 20 % shtrimet në spitale me sëmundje të zemrës dhe me sëmundje të aparatit të frymëmarrjes, u pakësua 10 % numëri i rasteve me kancere të mushkërive. Në një studim spanjoll, botuar në revistën “Nicotine & Tabacco Research”, rezulton se ndalimi i tymosjes të duhanit në mjediset publike, ndikoi që 12 % e punonjësve në bare, në restorante, në dyqane dhe në adminsitratën publike, e ndërprenë tymosjen e duhanit.

Këto rezultate inkurajuese kanë ndikuar që lufta kundër tymosjes të duhanit të zgjerohet, duke e ndaluar tymosjen dhe në parqet dhe lulishtet publike, përvojë rezultative fillimisht në Belgjikë dhe aktualisht e shtrirë pothuajse në të gjitha vendet e Unionit Europian. Tymosja e duhanit po ndalohet dhe në sheshe ku zhvillohen koncerte, në bankinat ku priten autobuzat urbane, trenat etj. Me këto vendime, krijohen kushtet e jetesës në mjedise të pastra natyrore dhe publike, pa ndotje me substancat toksike të çliruara nga djegia e duhanit.

Një ndër masat e rëndësishme dhe efektive në luftën kundër tabagismit është edukimi i masave popullore të mos tymosin duhanin, kësisoj parandalohen dëmet e shumta që shkakton, por dhe për të bindur duhanxhinjtë të ndalojnë tymosjen.

Parandalimi i tabagismit ka shumë rëndësi për mbrojtjen e shëndetit të adoleshentëve dhe të rinjëve, duke i edukuar dhe bindur me fakte dhe argumenta, se tymosja e duhanit e shkatërron gradualisht shëndetin fizik dhe psikoemocional. Në këtë drejtim rol vendimtar kanë familja dhe shkolla, që t’i edukojnë fëmijët dhe sidomos adoleshentët, të ruajnë shëndetin dhe të zbatojnë një stil jetese të shëndetëshme.

Në Itali, 21. 9 % e djemëve dhe vajzave të moshave 15 – 24 vjeç e tymosin duhanin. Shumica e tyre e fillojnë duhanin duke imituar prindërit duhanxhinj, një pjesë tymosin për të treguar se janë “burrëruar” dhe se kanë fituar pavarësinë, një pjesë e vogël tymosin për të shoqëruar duhanxhiun kapo. Ndonëse me ligj është e ndaluar tregëtimi i cigareve subjekteve nën moshën 18 vjeç, ende abuzohet nga shitësit, veprim i gabuar që ka lejuar tymosjen e duhanit nga adoleshentët, por që është favorizuar dhe nga mungesa e kontrolleve nga organet kompetente.

Në zbatim të politikave dhe për të nxitur masivizimin e aktiviteteve për parandalimin e tymosjes të duhanit,

për të sensibilizuar opinionin publik për domozdoshmërinë e ndalimit të tymosjes të duhanit, Organziata Botërore e Shëndetësisë ka shpallur “31 maji, dita pa duhan”, aktivitet i praktikuar në të gjithë botën.


KOMPROMISET DHE DILEMAT E DUHANXHIUT ME DUHANIN.

(TË TYMOS, APO TË MOS TYMOS DUHANIN!)


Duhanxhinjtë janë subjekte të vështirë. Edhe pse i njohin dhe i ndjejnë efektet dëmtuese të tymit të duhanit, janë të pavendosur, konfuza dhe justifikohen me te gjitha mënyrat për të vazhduar tymosjen, nuk gjejnë forca e nuk kanë vullnet të eleminojnë dipendencën nga nikotina. Nuk e them për humor, as për ironizim, por në fakt duhanxhinjtë jetojnë me dilemën: ”Të vazhdoj të tymos, apo ta ndërpres duhanin !?”.

Kur bashkëbisedohet me duhanxhiun, përgjigjia e parë justifikuese është: “Duhani më relakson dhe më ndihmon të përqëndrohem. Në se nuk tymos duhanin, bëhem nervoz”.

Në fakt këto gjendje janë sugjestive dhe të kundërta më atë që shprehin duhanxhinjtë. Tymosja e duhanit fillimisht krijon ndjenja stimulimi të shprehura me shtimin e të rrahurave të zemrës, rritet presioni i gjakut, shtohet adrenalina në gjak, krijohet eufori e përkohëshme, më pas ndjehet i relaksuar dhe anksiolitik, gjendje që shoqërohen me një kompleks shenjash si djegie dhe erë e keqe në hundë e në gojë, dhimbje koke, kollë me gëlbazë, djegie stomaku etj. Pikërisht, për këto efekte bifazike duhanxhinjtë tymosin njëra pas tjetrës cigaret, për të marrë sasinë e nikotinës që i krijon euforinë, kënaqësinë dhe pëlqyshmërinë për duhanin, por pasi ka tymosur cigaren, këto ndjenja çduken, andaj duhanxhiu bëhet nervoz, sepse kërkon të përjetoi përsëri ato gjendje që i krijoi nikotina – drogë. Në fakt, pak minuta pasi përfundon tymosjen e cigares, dyhanxhiu ka ulje të përqëndrimit të vëmendjes, ndjen uri, sepse nikotina i shton sekrecionet e stomakut, andaj dëshiron të hajë diçka, duke u justifikuar se kësisoj largon erën e keqe të gojës, që i krijon nikotina.

Ajo që duhanxhiu e quan nervozizëm, është padurimi për të ndezur cigaren tjetër, për të mbajtur nikotinën në nivele të larta ne gjak dhe për të rishijuar efektet e dipendencës psiko-fizike të nikotinës drogë.

Një dilemë tjetër e duhanxhiut është: “E kam të vështirë ta ndaloj tymosjen, nuk kam forca, nuk kam vullnet, duhani është më i fortë se unë”.

Natyrisht, për efektet drogë të nikotinës, me dipendencën farmakologjike, psiqike dhe fizikopsikologjike është e vështirë të ndëpritet menjëherë tymosja, por në fakt jo e pamundur. Ndërprerja e duhanit arrihet hap pas hapi nga subjekte me personalitet të fortë, si e thekson Kernberg. Personaliteti i duhanxhiut shprehet me karakter të pa qëndrushëm, me temperament emotiv, me reagim nervoz kur ndërpret tymosjen e duhanit, preferon të shijoi kënaqësitë që i krijon droga nikotinë dhe pse e di mirë që duhani i dëmton shëndetin.

Ndërprerja e duhanit kërkon vullnet të fortë dhe forca impenjative, për të bërballuar abstinencën e nikotinës, madje duhet pak kohë për të përballuar këtë situatë të shprehur me shenja irituese. Duhani nuk është më i fortë se njeriu, por është duhanxhiu i dobët, që nuk i përballon dhe nuk i kundërshton efektet drogë të nikotinës.

Një subjekt që ndërpret tymosjen e duhanit, fillimisht ndjehet nervoz, i irituar, reagon vrullshëm dhe ndaj stimujve të vegjël, lodhet shpejt dhe ka vështirësi të flej, ka gjumë të shqetësuar. Në fakt ky kompleks shenjash tregon se trupi i duhanxhiut po çlirohet nga nikotina, e cila vazhdon të eleminohet gradulaisht, pra duhanxhiu po çlirohet nga dipendenca farmako-psiqike dhe fiziko-psikologjike. Këto shenja vazhdojnë 1 deri 2 javë pas ndërprerjes të tymosjes të duhanit, sidomos java e parë është më e vështirë, por në se përballohet, në javën e dytë këto shenja minimozohen dhe çduken njera pas tjetrës.

Kompromis tjetër i duhanxhiut me duhanin shprehet me justifikimin: “Po provoj ta ndërpres, andaj po tymos vetëm cigare të lehta (Light)”.

Ky është veprimi më i gabuar e me pasoja për shëndetin dhe dipendencën me nikotinën. Cigaret e light u prodhuan për ta mbajtur lidhur duhanxhiun me duhanin. Cigaret e quajtura të lehta kanë sasi të pakët nikotine, andaj duhanxhiu tymos më shumë cigare dhe e thith me thellë tymin, për të mbajtur të lartë nivelin e nikotinës në gjak, kësisoj krijojnë dipendencë më të fortë se cigaret e zakonëshme. Industria e duhanit, e shtoi prodhimin e cigareve light, për të tërhequr klienta, kryesisht femrat dhe adoleshentët, që të zëvëndësonin pakësimin e duhanxhinjëve, sidomos pas vitit 2003, kur u verifikua pakësimi 10 – 20 % i duhanxhinjëve, çka u shpreh me pakësimin e tregëtimi të cigareve, pas aplikimit të ligjit kundër tymosjes të duhanit në mjediset publike.

Duhanxhiu që merr iniciativën të ndërpresë tymosjen e duhanit, duhet të vendosi divorcin përfundimtar, jo të justifikohet se do ta ndërpresi duke pakësuar numërin e cigareve ditore. Është një teknikë si thika me dy presa. Duhanxhinjtë me personalitet dhe karakter të fortë, duke i pakësuar gradualisht numërin e cigareve që tymosin çdo ditë, pas një periudhe relativisht të gjatë, apo të shkurtër, arrijnë të desensibilozohen gradualisht nga nikotina, e përballojnë abstinencën dhe arrijnë t’i pakësojnë cigaret deri në 5 – 10 në ditë. Në se arrihet në këtë nivel, duhanxhiu duhet ta ndërpresi përfundimisht tymosjen e duhanit, sepse duke vazhduar të tymosi, është një lloj si t’i hedhish përsëri benzinë zjarrit. Kush vendos ta ndërpresi tymosjen e duhanit, të veproj në mënyrë deçizive e të shembi mitin fallso të duhanit dhe të mbrojë e të forcojë shendetin, të zgjasi jetesën.

Justifikimi tjetër i duhanxhinjëve është: “E kam ndërprerë disa herë, por e kam filluar përsëri”.

Në fakt, ky është veprim i pranushëm deri në një farë mase, sepse ndërprerja e tymosjes të duhanit është proçes ndryshimi gradual, i realizuar me disa faza të një pas njëshme, mundësisht të zhvilluara në kohë të shpejtë dhe pa i përsëritur. Këto subjekte fitojnë një përvojë, se mund ta eleminojnë tymosjen e duhanit dhe sa më rrallë të rikthehen në “zakonin e vjetër”, aq më të lehtë do ta kenë ta ndërpresin përfundimisht. Pasi e ke ndërprerë tymosjen e duhanit dhe të biesh në tentacion ta ndezish një cigare përsëri, nuk është dështim, por një mundësi tjetër për ta braktisur përfundimisht dhe mënyra më e mirë është të mos përsëritet, mos i hidh benzinë zjarrit që po shuhet, sfidoje cigaren, mbroje shëndetin dhe jetën.


TRAJTIMI I DUHANXHINJËVE PËR TË DALË NGA DIPENDENCA NDAJ NIKOTINËS.


Nikotina përthithet lehtë nga mukoza e gojës, e hundës, e trakesë, e bronkeve dhe nga kapilarët e hojeve të mushkërive dhe pasi hynë në gjak, brenda 10 sekondave arrinë trurin, mëlçinë, gjëndërrat mbishkore etj. Pasi lëndon qelizat e këtyre organeve, nikotina shpërbehet në mëlçi dhe eleminohet me veshkat në formë kotinine, ndërsa mushkëritë e eleminojnë me gëlbazën, që merr ngjyrë të verdhë të pistë. Organizmit të duhanxhiut i duhen dy orë kohë, të përgjysmoi përqëndrimin në gjak të nikotinës, kësisoj duhanxhiu bëhet prè dipendence të vërtetë, e shprehur me rritjen e dëshirës së vazhdueshme e të papërmbajtur të tymosi një cingare tjetër, për të rritur dhe për të mbajtur konstant përqëndrimin e nikotinës në gjak dhe të “shijojë” efektet e droges. Nikotina krijon dipendencë farmakologjike, psiqike dhe fiziko-psikologjike, është drogë me të gjitha efektet, stimuluese, eksituese dhe hypnotike, krijon ndjenjë kënaqësie dhe ndryshime kalimtare psikofizio-logjike në duhanxhinjtë, andaj dhe lufta kundër duhanit duhet të përqëndrohet në eleminimin e këtyre efekteve.

Dipendenca farmakologjike. Krijohet nga nikotina e depozituar në receptorët nikotinikë të bërthamës amigdale të trurit, e cila rregullon emocionet. Receptorët nikotinikë në fibrat presinaptike të neuroneve dopa-minergjikë, provokojnë çlirimin e dopaminës, e cila krijon ndjenjat e kënaqësisë të njejtë si e shkakton kokaina dhe heroina. Nikotinomania e duhanxhiut shprehet me nikotinodipendencën dhe me efekte toksike në organiz-min e duhanxhiut (toksikomania dhe toksicitieti).

Dipendenca psiqike. Nikotina, kur kontakton receptorat nikotinikë, nxit çlirimin e substancave psikotrope, sidomos të dopaminës e cila vepron aktivisht në funksionet psiqike të duhanxhiut. Nikotina aktivizon dhe rrugën mesolimbike, që është qarku i brendshëm i trurit, që rregullon ndjenjë e euforisë, aspekt i veçantë që shprehin duhanxhinjtë. Gjithashtu, nikotina nxit çlirimin e norepinefrinës, shton prodhimin e endorfinave, të cilat krijojnë një relaksim të lehtë dhe ulje të gjëndjes të ankthit, shton sekretimin e acetilkolinës, e cila ka efekte stimuluese, ashtu si shton dhe sekretimin e serotoninës, që rregullon humorin dhe pakëson oreksin.

Dipendenca fizike. Krijohet nga tymosja kronike e duhanit dhe kur nikotina i kapërcen nivelet e tolerancës,

provokon shenja fizike të papëlqyeshme, sidomos kur tentohet të pakësohet tymosja, çka e nxit duhanxhiun të vazhdoi tymosjen e duhanit, për të mos kaluar në sindromën e abstinencës.

Dipendenca psikologjike. Ndikim të madh në forcimin e lidhjes të duhanxhinjëve me tymosjen e duhanit ka dipendenca psikologjike, që është shprehje e kulturës dhe e edukatës familjare dhe shoqërore, sidomos e mangesive në edukimin e nxënësve në shkollat.

Abstinenca ndaj nikotinës. Nërprerja e menjëherëshme e tymosjes të duhanit, shkakton krizë abstinencës e shprehur me një kompleks shenjash si gjendje boshllëku, nervozizmi, iritabilitet, bulemia, kanë dhimbje të muskujve, të shpinës, të këmbëve, të duarve; të përziera, dridhje e duarve dhe e të trupit dhe kapsllëk. Kulmi i shprehjes të këtyre shenjave arrihet 48 – 72 orë pas ndërprerjes të duhanit. Normalisht, organizmit të njeriut i duhen mbi tre javë, që të dizintoksikohet nga nikotina, çka sugjeron se ndërprerja e tymosjes të duhanit duhet të kryhet gradualisht dhe në mënyrë progresive, deri në ndërprerjen e plotë, që të çlirohet nga dipendenca.

Krahas këshillave që u renditën në pjesët e sipërme, ndërprerja definitive e tymosjes së duhanit ndihmohet dhe me përdorimin e disa medikamenteve dhe sidomos i leukoplastit me nikotinë të vendosur ne lëkurë.

Mbi të gjitha është vullneti, personaliteti, karakteri i fortë për të konkretizuar vendimin për ndërprerjen e tymosjes te duhanit, për të mbrojtur shendetin dhe jetën nga dëmtimet dhe sëmundjet shumta, që provokojnë moria e substancave toksike, që çlirohen nga djegia e duhanit, ndërsa medikamentet ndihmojnë për të shpejtuar këtë vendim të domozdoshëm. Duhanxhinjtë duhet të ndërgjegjësohen të mos e djegin shëndetin me duhanin, të mbrojnë e të gëzojnë një jetë të shëndetëshme.

Ndër terapitë e përdorura për ndërprerjen e tymosjes të duhanit, National Institute on Drug Abuse (NIDA), sugjeron medikamentin vareniklina tartarato, sidomos përdoret për gratë që duan të braktisin duhanin, sepse ky medikament bllokon dipendencën nga nikotina. Vareniklina është më efektive në gratë, se sa në burrat dhe garanton rezultate më të mira se sa nga medikamenti bupoprione dhe nga terapia zevendësuese me leukoplast me nikotinë, që vendoset në lëkurë. Vreniklina vepron në tru, ku lidhet me receptorët nikotinikë të acetilkolinës, pra në të njëjtit receptorë me të cilët lidhet dhe nikotina, por verniklina nuk ka efekte droge dhe duke bllokuar lidhjen e nikotinës me këto receptorë, e pakëson dëshirën për të tymosur cigaret, shmang dipendencën nga nikotina, kësisoj i ndihmon duhanxhinjtë ta nderpresin tymosjen e duhanit.

Vareniklina përdoret në trajtimin e duhanxhinjëve me bronkopati obstruktive kronike dhe në duhanxhinjtë, që kanë vuajtur nga sëmundje të zemrës dhe të vazave të gjakut, duke u shprehur me ndërprerjen e shpejtë dhe definitive të tymosjes të duhanit.


ÇFARË NDODH PASI NDËRPRITET TYMOSJA E DUHANIT?


Pasi ndërpritet tymosjen e duhanit me cigare, puro, të duhanit me llullë dhe më nargjile, fillon gradualisht të rivendosen funksionet indore dhe organore që ishin tronditur, ose dëmtuar nga veprimi i 4700 substancave të pranishme në tymin e duhanit:

- Pas 30 minutash, normalizohen të rrahurat e zemrës dhe temperatura e duarve dhe e këmbëve.

- Pas 2 orësh, nikotina fillon të eleminohet me urinë, pakësohet përqëndrimi në gjak.

- Pas 8 orësh rritet gradualisht përqëndrimi i oksigjenit në gjak.

- Pas 12 orësh përmirësohet frymëmërrja, normalizohet ritmi dhe thellësia e thithjes të ajrit.

- Pas 24 orëve pakësohet përqëndrimi i monoksidit të karbonit në mushkëri, çka shprehet më përmirësimin e

oksigjenimit të gjakut dhe furnizimi e indeve me oksigjen.

- Pas një jave pa tymosje duhani, çduket shija e keqe e nikotinës, përmirësohen nuhatja dhe ndjenja e shijes

ndaj ushqimeve. Lëkura fillon të shprehi ngjyrën rozë, çduket dhimbja e kokës, normalizohen të rrahurat e

zemrës, çduken të përzierat, përmirësohet oreksi dhe gjumi bëhet i qetë.

- Pas një muaji, mushkëritë rikuperojnë 30 % të funksioneve që ishin ulur, përmirësohet frymëmarrja, rrallohen

shumë infeksionet bakteriale dhe virale, sidomos nga viruset sezonale.

Në këtë periudhë ripërtrihen qelizat epiteliale me cilie të rrugëve të frymëmarrjes, kolla është e shpeshtë dhe

ndihmon në zbrazjen e gëlbazës nga rrugët e frymëmarrjes. Fillimisht masat e gëlbazës janë të shumta me

ngjyrë bezhë të pistë, me përmbajtje bloze dhe gradualisht pakësohen dhe bëhen ngjyrë të bardhë.

- Pas 3 muaj pakësohen shumë akceset e kollës kronike, normalizohet oreksi dhe pesha trupore.

- Pas 6 muaj përmirësohet aftësia e përqëndrimit të vemendjes dhe rendimenti intelektual.

- Pas 1 viti, ulet mbi 50 % rrezikshmëria e zhvillimit të infarktit të miokardit dhe e iskemisë të trurit.

- Pas 5 vite pakësohet mbi 50 % mundësia e zhvillimit të kancerit të mushkërive dhe në organet e tjera.

- Pas 10 vite pa tymosje duhani, nuk ka rrezik zhvillimi i kancerit në mushkëri dhe në organet e tjera.

26 views0 comments

Comentarios


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page