Si parantesë e një ndalese tek poezia e Zafiratit
Dr Fatmir Terziu
Poeti sarandiot Vangjel Zafirati përveç leximit në dygjuhësitë e tij të jetëlidhjes, greqisht dhe shqip, prej disa kohësh është lexuar dhe në gjuhën bullgare falë përkthimit dhe botimit të poezive të tij në mjedisin e lexuesve bullgarë të poezisë. Mes gjuhës dhe vlerës, mes trajtesës dhe imazhit, mes mesazhit dhe argumentit mund të themi se tashmë poezia e Zafiratit është një hap pranë asaj që me kohë Herder e theksoi “se poetët e krijuan idenë e Natyrës si një zhvillim organik i sistemit logjik të lidhjes pa kufij me njeriun dhe natyrën” tek studimi i tij “Për Filozofinë e Historisë”. Në anën tjetër na duhet të zbulojmë natyrën e trajtesës së poezisë së këtij poeti në një vëzhgim më të ngushtë, duke parë pikërisht referencën e kohës dhe hapësirës. Mbi bazën e saj kanti na bën të mundshme një mënyrë tek e cila ngjashëm arsyetohet dhe arsyeton produkti poetik. Mbi këtë teori del në pah se poeti Zafirati tashmë është një produkt real poetik me krijimtarinë e tij, ku ai është dhe mendimdhënës, gjithashtu dhe njeri i vargjeve që shtjellojnë mendimin e pjekur të lidhjeve jetike, ato mendime që vijnë nga kulturat të cilat gjithnjë janë në shërbim të mesazheve pozitive. Pra kjo e bën më në zë, jo se nuk ka qenë i tillë Zafirati, por dhe me një arsye të qashtër dialektikash jetike, tashmë të para dhe nga leximi në gjuhët e Tjetrit.
Poeti Vangjel Zafiratiështë jetëlidhja poetike mes dy kulturave, midis leximeve kulturore në gjuhë të tjera. Vargu i tij është vetë jetëkultura që lidh, dimensionon, udhërrëfen, pikëtakon, transmeton detaje që lidhen me bashkëjetesën, forcën dhe traditën e kësaj bashkëjetese të ardhur nga vetë natyra jetëdhënëse. Është poeti që gjen gjuhën me “Portokallet e vogla” ku hapësira dhe koha janë forma, jo vetëm për perceptimin tonë, por edhe për intuitën tonë, ku perceptualja ose imagjinarja krijohen lehtësisht nga leximi i vargjeve dhe pastaj mes retorikës së filozofisë së tij “Ç’mendojnë të voglat/veshur në të bardha?!” na detajon elementet e vetë kësaj metafizike të kohës dhe hapësirës, mes një retorike të ndërlidhur me jetën dhe bashkëjetesën e saj. Poezi të tilla si “Burimi i pyllit”; “Etje”; “Bisku i lules” apo “Pranverë” janë dëshmi të këtyre transmetimeve elokuente të gjithëjetesës njeri-natyrë. Por, jo kaq thjesht, ky poet nuk është vetëm një jetëlidhje kulturore, por edhe një poet që përdor linjat e hapjes poetike për ti dhënë tonin poezisë së tij.
Le të shohim poezinë e tij “Trupi yt”. Vangjel Zafirati shkruan: “Në krahët e mi,/Një lumë/Veror dhe i argjendët që dridhet./Dhe pylli i flokëve të tu,/Pesë shelgje/Zallishten e bardhë përkëdhelin./Këndon puhiza në zallishte:/“Mi fal sytë e zinj, buzët si qershi”.” Në këto vargje shihet se poezia është e përbërë nga një fjali e thyer deri në intervale të ndryshme, dhe kjo mjafton të themi se është e vërtet për të thënë se ajo është e lirë apo e thyer për "aq sa varet nga" çdo linjë e poezisë. Nga ana tjetër poezia “Bisku i lules” shkon përtej filozofisë dhe na jep faktin se autori nuk është thjesht një sy që sheh zbrazëtinë dhe transformin e jetës dhe botës, por dhe një vëzhgues filozofik i fenomeve jetike, të ngjashme më tërë atë që lind dhe ftillohet si dashuri efikase jetike, njerëzore dhe shumëdimensionale. Ai është dhe mbetet një sy i pafajshëm, që zbulon jo rastëisht dimensionet e transmetueshme: “Ringjalljen tashmë/e quajnë Dashuri./Bisku,/i vogli i lules,/që dashuroi Diellin.”
Mes poezisë së Zafiratit ndjejmë se ne shohim formatëzat jetike, ngjyrëzat, labirinthet dhe madje dhe paternat e zërit në të cilën tema ripërsërit mendimin e shumëfishtë sipas variacioneve filozofike të saj. Duket qartë tej poezia “Burim i pyllit”: “Burim i pyllit,/lot i fshehtë i gurit./Brengë e pathënë/e lisit./Burim i pyllit,/puthje e premtuar,/Syri i vajzës/i vesuar.” Për intuitën e e pastër tek kjo poezi nuk ndjejmë objeksione të tepërta, por si tek poezia “Etje” eksperienca shkon më tej tek dritësia e gjërave natyrore të qasura me mesazhin për njeriun, jetën dhe vetë diskursin jetik qytetës të mesazhit: “Kaloi një vesë e lehtë/edhe i puthi/të bukurat e Majit,/Luleshqerat./Lëvizën, u përkulën/lehtas përmbi bar/dhe diellit iu falën:/“Nga etja, u freskuam pak!”
Poezia “Pranverë”: “Rend me nxitim ëndrra e saj./Lumë i shndritshëm përmes rrepishtes./Rroba të bardha të nderura në diell/E mbi degët e pranverës./Me puhizën e parë, gati të ngrihem./Ëndrra rinore që nxjerrin krahë./Një vajzë lan rrobat në lumë/e psherëtin e gjithë rrepishtja.” dhe poezia “Vjeshtë”: “Musht rrushi/fshati kundërmon./Përflaket/ajri i dehur./Nxiton një vajzë/në rrugicën e ngushtë./Digjet një pemë/në krahët e Vjeshtës.” apo edhe poezia “Gratë në rërë”, na afrojnë më shumë tek formati filozofik i zbrazëtisë, si koncept njerëzor dhe poetik me të cilin autori tejkalon atë që ndjen dhe formon një ndjesi dhe arsye të re të lidhjes me botën qytetëse. E gjitha ka lidhje me jetën, me njeriun, me dashurinë, si tek bvargjet e poezisë së cituar së fundi: “Ti ecje mbi zallishte,/e lehtë dhe e çelur./Folna,/zonjëz e detit./Deti,/dashuri e akumuluar./grua e shqetësuar që/në gjumë flet përçart.” Pra zbrazëtia si një gjendje njerëzore nuk mbetet thjesht një ndjenjë e mërzisë së përgjithësuar, tjetërsimit social dhe apatisë, por një hapësirë mes mesazhittë vargut të Zafiratit si element i jetës dhe dashurisë njerëzore. Ndjenjat e zbrazëtisë shpesh shoqërojnë dysthymi, depresion, vetmi, anhedoni, dëshpërim ose çrregullime të tjera mendore/emocionale, duke përfshirë çrregullimin e personalitetit skizoid, traumën pas traumës, çrregullimin e vëmendjes së hiperaktivitetit, çrregullimin e personalitetit skizotypal dhe çrregullimin e personalitetit kufitar. Një ndjenjë e zbrazëtisë është gjithashtu pjesë e një procesi natyror pikëllimi, si rezultat i ndarjes, vdekjes së një të dashur, ose ndryshimeve të tjera të rëndësishme. Megjithatë, kuptimet e veçanta të "boshllëkut" ndryshojnë nga konteksti i veçantë dhe tradita fetare ose kulturore në të cilën përdoret: “Shpirti dhe/trupi i gruas./Sa herë vdekjen/e mposhtëm bashkë!” Le të vazhdojmë me këtë poezi për të kuptuar më tej arsyet pse poeti determinon në thellësi të mendimit me zbrazëtinë kur sheh: “Deti,/i palëvizshëm, i heshtur./Brengë e pafund/në sytë e gruas./Rënkim i detit/edhe i yti./Dhimbjen e natës/si ta qetësoj!/Preka detin/edhe ai rënkoi…/Kishte një dhimbje/të thellë, shpirti im./Të Erosit/porta të nxehta./I falem trëndafilit”.
Diskursi i zbrazëtisë së qytetit në poezinë e Zafiratit
Ky kuptim ndërmer formën e një projeksioni me të cilën poezia hyn në labirinthe të dukshme e të padukshme të jetës qytetëse. Kjo formë e dukshme dhe e padukshme është formësimi taktik dhe proverbial e metaforik i gjërave të përditësisë që formojnë ekzistencën. Ekzistenca, kjo formë e prekshme dhe ndjeshme, hyn si ajri nëpër poret e trupit të frymorëve, ndërsa tiktaket e jetës funksionojnë si një aparat praktik mes artit të fjalës. Arti i fjalës si i zgjedhur në penën e Vangjel Zafiratit, kapërcen arsyen e një argumenti metaforik që pasohet nga vetë arsyeja e një “Qyteti me diell” (2009), përtej arsyes së këtij dielli që formon ngjyrat e vendlindjes, apo edhe pamjen e jetës së këtij qyteti në dimër, në kohën kur ky qytet është vetvetiu me diell, kur shfaqet perëndia jonë dhe kur vijnë ngjyra vjeshte. Të gjitha këto sipas Heideger, kalojnë së pari nga zbrazësia, për të formuar qytetësen e përditësisë dhe rrjedhën e gjërave tek njerëzorja. Njerëzorja si gjëja më ekstreme e përditësisë përmban në vetvete të mundurën e mundshme për të gjetur modulin poetik, që ashtu si në tërë agregatin teorik të ndikuar nga Bregu dhe Joni, ka një arsye tjetër të dygjuhësisë. Dygjuhësia është kapja e të qenit. Të qenit në arsyen e Heideger, kapërcen strukturën e zbrazëtisë dhe udhëton me svargut poetik si tek “Pritje”, ku autori mendon se ‘tani/mbase në ndonjë kishëz/lutesh për ne’.
Kjo është vetë zbrazëtia që vjen e formësuar në katedrën qytetëse të jetëditësisë si diskurs i vetë qytetit. Ky diskurs është sa i tillë në formën e jetës, por edhe i zhdërvjellët në formën e “Harresë”-s. Harresa është vetë arsyeja e asaj që sjell vdekjen. Vdekja solli në skenë ndoshta kryeveprën poetike të Çajupit të madh, kur ai i këndoi Evgjenisë së tij të dashur kur ajo ndërroi jetë prej lehonisë në vitin 1889, pasi i kishte lindur djalin e tij Stefanin. Kur këndoi ai për të dashurën e tij, harresa merrte formë tjetër, atë të cilën i biri do ta kishte si shenjë të keqe gjatë udhëjetës, atë “harresë” për një kujtesë të paparë, për nënën e tij të panjohur. Dy raste analoge flasin për harresë tek krijimtaria e Viktor Hygoit, po aq edhe tek ajo e italianit, Xhakomo Leopardi. Të parit, Viktor Hygoit i mbytet vajza në lumin e qytetit. Poeti shtanget nga hidhërimi dhe i kushton asaj vjershën “Në Villequier” ndërsa Leopardi pasi i vdes e dashura krijon vjershën e tij kryevepër “A. Silvia”. Të tre, si Çajupi, Hygoi dhe Leopardi i revoltohen Zotit për ‘harresë’ në kënde të tjera, duke e ‘qortuar’. Edhe Zafirati që e sheh ‘vdekjen’ si kalesa e qytetëses, ku siaps tij vizioni qytetës është tek ‘porta të ndryshkura/nga harresa dhe pritja e gjatë’ dhe ku ‘vetëm vdekja i kalon/dhe Doruntina që vjen nga larg’, natyrisht që e sheh fatkeqësinë e vdekjes qytetëse njësoj si vdekja e njeriut të afërt, si vdekja që shkon dhe sjell në skenë harresën dhe ‘pragjet e shtëpive/mbuluar me heshtje dhe bar’. I vetmi ndryshim është se diskursi këtu formon një kënd tjetër, që ndoshta apriori mendohet se është një këndvështrim tjetër i personales, por që në fakt është e njëjta gjë, E njëjta vdekje, e njëjta harresë.
Dy folje që formojnë dy togfjalësha e bëjnë më të fuqishme këtë zbrazëti në poezinë e Zafiratit. Foljet ‘kishte’ dhe ‘përcillte’ që dominojnë në këto togfjalësha përkatësiht, ‘kishte një dhimbje’ dhe përcillte lugina’ tek poezia “Natë me dëborë” e qartësojnë më tej faktin e harresës dhe asaj që pasohet nga dhimbja. Sipas autorit ‘mbase dhimbja ishte e vetmisë’. Ajo që vjen në këtë arsye është mitologjikja, apo edhe ajo që legjenda e sjell si faturë të metaforës dhe tërë analogjisë së mesazhit poetik, ku në rastin e parë “Doruntina” është një domethënie e qashtër dhe pastër, për atë që duhej dhe duhet të jetë fjala e dhënë, besa e dhënë, ajo ndoshta do kishte qark të shkurtër këtë zbrazëti, këtë vetmi diskursive. Ajo vetmi diskursive pasohet si një humbje qytetëse, ndoshta në një afërsi artistike me humbjet që pasuan në jetën e Çajupit, kur i vdiq djali i tij Stefani dhe më pas nëna e tij Zoicë. Dhe në vargun e Zafiratit kjo formë humbjeje ‘që s’ishte nga të ftohtit dhe uria/një dhimbje shpirti/përcillte lugina’ duket se është vetë arsyeja që të kuptohet diskursi qytetës i zbrazëtisë.
Këtë diskurs të zbrazëtisë qytetëse e pason një lloj aspektualiteti poetik që vjen deri nga forma “Ninullë” dhe ajo që pason e kalon ngushtë “Në oborrin e shtëpisë” ku vargjet sqarojnë mes pritjes: “Dhe pret babai/djemtë/që nuk erdhën akoma” dhe ku “Nëna,/ezhytur në mendime,/në karafila digjet e tëra”. Diskursi me këtë zbrazëti merr formën e tij të përmbushjes me “E diel në fshat” dhe “Burim i pyllit”, ku faktorët artistikë ndiqen nga ‘trokëllima e një kali/në rrugicat e ngushta/ apo/koha ishte dhe legjendat’. Në burimin e pyllit ka edhe një shenjë tjetër që pasohet nga ‘puthje e premtuar/syri i vajzës/i vesuar’. E gjitha ndodh kështu, jo vetëm si pasojë e zbrazëtisë, por vetë diskursit që sqaron se në këtë qytet ‘s’mund të mendosh/sidomos për gjëra të bukura’ pasi sipas autorit ‘patriotët profesionistë/vrasin çdo gjë që lind’. Kjo është “Në këtë qytet” dhe tek “Simbiozë” ku “krimi/shëtit i lirë në qytetin e shkretë”. Është ai diskurs që sillet si fati i orës së florrinjtë të Çajupit në vitin 1888-të, kur ai u kthye për të parën herë në Sheper nga Misiri, duke kaluar malin e Sopotit, në kruan e atij vendi, u takua me çetën e Bejo Kërmës dhe aty Bejo hajduti dhesh t’i merrte sahatin, por studenti Andon nuk u tremb aspak dhe i foli me guxim hajdutit: “Këtë s’ma kanë bërë as fellahët” (bujk punëtor i Misirit, fshatar i fushave në atë vend).
Por diskursi i zbrazëtisë edhe tek “Qyteti me verë”, apo edhe me diell, zbret mes harresës ‘në sytë një 16 vjeçareje’ pra ‘vajzë 16-vjeçare/që dielli harrohet/në sytë e tu/qyteti ynë/vajzë 16 vjeçare/që rrezja e diellit të zhvesh/qyteti ynë”. Më këtë diskurs është vetëm “Afërdita” që ‘mbi dy shtylla mermeri/dora mbi vullkan/dhe përmbi flokë/shkuma e bardhë rrëfen faktin se është “Afërdita e Milos/në shëtitoren buzë detit’ ku ‘Perëndimi djeg qytetin!”. Më tej ka ‘Mëngjes’, ka bisqe lulesh, vetëdije, ringjallje, ngjyra vjeshte..., ka dhe aty një fjalë që vjen nga “Jeta”.
Duke përmbledhur
Jo thjesht tek gjuhësia, apo dhe shtimi i një gjuhe tjetër tek leximi i poezisë së Zafiratit, por si një ndalesë tek poezia e tij tipike, e shkurtër dhe tejet filozofike në mendim. Poezi të shumta të autorit që u analizuan, por dhe të tilla si “Këshillë”; “Pulëbardha” e të tjera tregojnë se mes zbrazëtisë si filozofi, autori na jep të gjitha ngjyrat bashkë me një nocion mjaft të bukur poetik. Ky artikull eksploroi disa nga mënyrat në të cilat imazhet e vëna në punë në kuadër nga poeti Vangjel Zafirati shprehin nocionet elementare natyrëqasëse dhe qytetëse të zbrazëtisë. Fillimisht u dha një pasqyrë e qasjes filozofike të autorit, nga e cila Zafirati shihet se frymëzoi dhe pastaj përshkroi marrëdhënien mes poezisë dhe mjedisit tipik Jugor në qarqet letrare të një zone që ndikohet nga Trirema Poetike Joniane e themeluar nga “Mjeshtri i Madh” Agim Mato, duke futur kështu një mjedis letrar nga i cili filloi impulsi poetik më i ridimensionuar. Së fundi, u afrua mes leximit të poezive të Zafiratit, duke argumentuar se poezitë e tij shërbejnë edhe si një model në thjeshtësinë dhe heshtjen e saj, mishërohen shumë edhe në modestinë e vetë poetit. Në formulimin e argumentit tim, unë u sugjeroj një vëmendje më të madhe të gjithë kritikëve dhe lexuesve të poezisë dygjuhëshe jugore, në një orvatje të ndjeshme për të zbatuar pjesërisht një integrim të metodologjive të ngjashme me bashkimin e referencave në imazhin e plotë dhe nga kënde të ndryshme të poezisë së Zafiratit.
Comentários