top of page

Si e gjeta Loken e Halil Alidemës në Croydon


Halil Halidema

Si e gjeta Loken e Halil Alidemës në Croydon

Dr Fatmir Terziu


Lexuesit dhe njohësit e veprës dhe vlerave të shkrimtarit Halil Alidema (1936-1996) dhe mjaft shkrimeve të tjera të shkruara për të, veprën e tij dhe sidomos për gjuhën e ndjeshme, ndoshta do të jenë të përkujdesshëm paksa në këtë “instiktëri letrare” (për të mos thënë çudi) se fjala Loke dhe Lokja e vërtetë është tashmë gjendur në mes të Croydonit, në Britaninë e Madhe. Suksesi me këtë shkrim do të jetë një qasje në veprën që na la Alidema, pasi dihet se ai për një kohë të gjatë “u lodh” të na mbushte mendjen me disa akte, se Lokja ishte e pavdekshme, por që duhej kaq gjatë të kuptonim se ajo është vetë “Amaneti” (Prishtinë, 1969). Drama e tij me tre akte të tilla, ka rrëmuar deri në ditët tona pasthirmat pranë votrës, derisa ato pasthirma udhëtuan si përshpirtje të Lokes, nga “një shtëpi katundi, ku gjendeshin orendi shtëpiake, disa shkami-trekamësha, mes disa tepsiave, një siteje, disa enëve shtëpiake, një oxhaku ku dhizej zjarri e një shllunge leshi” për të vërtetuar se vërtetësia është si gjërat biblike që pasohen mes një rastësie, por ama mjaft domethënëse. Unë gjithnjë kam menduar duke e lexuar dhe rilexuar këtë mjeshtër, se gjërat kishin shkuar drejt dështimit. Por dija një gjë se vetë ai që shkroi mjaft vepra ishte njëri nga ta që lexonte realitetin e ditëve që pasoi në këtë botë, ishte vetvetja, pa dyshim, asgjë më shumë se njeriu, i Thjeshti, që mungon sot, sikurse na mungon Lokja, që tashmë u gjend falë një rileximi tjetër tek “Amaneti” në Croydon.

Jo vetëm lexuesit e tij janë të kënaqur, por dhe tërë njohësit ndjehen mirë, për këtë që tashmë i është dhënë edhe Botës. Emri i gruas së Bajramit (Ajshja) nuk do të jetë harruar duke zbritur shkallët e qilerit, duke mbajtur në duar enë të palame, dhe natyrisht ashtu e lodhur psiqikisht ajo do të jetë dobësuar nga shëndeti. Ngjarja që zhvillohej nën njënin prej katundeve të Kosovës dhe në më të shumtën që i mbeti besnike të vërtetës, natyrisht që e kërkonte vetvetiu Loken edhe në Metropolin Britanik, në Londër. Dhe jo krejt rastësisht kjo dramë me një ngjarje që përjetohet, do ta zbriste në skenën e rrëfenjës vetë Loken, pikërisht në një kënd të vogël ku dhjetra e dhjetra fëmijë shqiptarë, (të rregjistruar si azilantë nën moshë) do të dëgjonin me vëmendje fjalët që “Lokja” e Halidemës do të pasonte në mes të Croydonit. Shqetësimi i Lokes për bagëtitë në atë katund, “simjet nuk i kanë kullotë sa duhet e nuk kanë rritë leshin të bekuemet, edhe nuk mujta me e la mirë, gazepin po e shoh”, duke tundur “furkën me një shllungë leshi tue tjerrë” padyshim ndryshoi dhe vëmendjen e djemve drejt mesazheve të celularëve, duke riskuar pak minuta në leximin tim nga “Amaneti” i Alidemës. Fjalët e përkushtuara të mjeshtrit Alidema, kapërcyen pastaj ngadalë tek Shkurta, Nusja, Bajrami, Hatixhja, Selvija, Azemi, Rama dhe Shega derisa “Pamja e Gjashtë” e “Amanetit” pasoi dramën tjetër në tri akte “Plagët” (Prishtinë, 1969). Pasi leximi kaloi skenarin “Shkambijtë e Zbutur” u ndal më shumë tek drama tjetër me tri akte për fëmijë e Halidemës, “Rrugaçi”.

Dhe natyrshëm mes fjalëve të Mixha Rustës, Fluturas, e të tjerëve ishin dhe fjalët e Sylas (Rrugaçi), me të cilin kishte prapë punë Lokja, por në këtë radhë më afër, mjaft afër realitetit që dhemb nga vetë Nëna… Kur leximi kishte kaluar më se një orë e gjysëm, pashë përsëri nga salla e vogël, ku kishte vetëm heshtje. Në këndin e saj, pak më thellë se ulesat e djemve nën moshë ishte një grua e vjetër, një grua në pension, britanike dhe me një gjuhë tipike më tha: “Faleminderit! Unë jam Lokja!” Ajo vërtet ishte Lokja, edhe pse emrin e kishte Siobnah, edhe pse nuk fliste shumë shqip… Ajo ishte përkujdesësja e njërit prej djemve shqiptarë… Eh, thashë me vete, eh, Halil Alidema! Mjeshtri i pavdekshëm, e gjeta Loken!

Kush ishte Halil Alidema

Halil Alidema (15 mars 1936 – 19 mars 1996) u lind në një familje të madhe patriarkale e patriotike, nga e ëma Mirzadja dhe babai Bexheti në një fshat të Kosovës të quajtur Pozheran (komunë e Vitisë – fshat në magjistralen Ferizaj-Gjilan). Ishte i martuar me Teuta Kryeziun dhe së bashku lindën 3 fëmijë, 1 djalë - Atdheun dhe 2 vajza - Linditën dhe Yllkën të cilët për momentin jetojnë jashtë vendit dhe ndjehen shumë krenarë për prindërit ("heronjtë") që patën. Babai i Halilit, Bexheti kishte edhe tre vëllezër të tjerë: Jonuzin, Bejtën e Izetin. Halili, që në fëmijërinë e hershme, ende pa filluar shkollimin, shijoi gotën e hidhur të helmit të jetës, masakrën e gjenocidin serboçetnik ndaj burrave të Pozheranit dhe tragjedinë familjare, kur nëna Hanë, gjyshja e Halilit, mbeti pa katër djemtë e saj, të jetojë me nipa e mbesa. Serboçetnikët ia vranë dy djemtë: Bexhetin dhe Jonuzin, kurse Bejta e Izeti nën udhëheqjen e patriotit Hysen Tërpeza, emigruan në Greqi, Turqi e pastaj me qëndrim edhe në Gjermani. Bexheti la prapa 5 djem: Sokolin, Sadullahun, Halilin, Zejnullahun dhe Zeqirin dhe 3 vajza: Merrushen, Nazlien dhe Bylën për të cilët u kujdes e ëma Mirzadja, gjyshja Hana, por si kryefamiljarë familjen e udhëhoqi i vëllai i madh i Halilit, Sokoli, i cili ishte vetëm 13 vjeç kur serboçetnikët ia vranë babanë. Sokoli, si kujdestar i familjes luajti rolin e babait (Bexhetit). Ai i shkolloi të gjithë vëllezërit, djemtë e nipat. Sokoli, pas Luftës së Dytë Botërore e regjistroi vëllain e vet Halilin në shkollën fillore në fshatin e ashtuquajtur Pozheran. Halili shkonte me vullnet të madh në shkollë. Ishte i zgjuar dhe kurreshtar për gjithçka, ndaj me interesim të madh ndiqte mësimet e para nga mësuesit e parë shqiptarë, në gjuhën amtare shqipe. Ishte nxënës shumë i shoqëruar me të gjithë, që në vegjëli manifestone virtyte të larta njerëzore. I donte dhe i përkrahte nxënësit e varfër, u ndihmonte dhe i mbronte të dobëtit, e urrente padrejtësinë. Nga këto sjellje jepte shenja se një ditë do të vihej në shërbim të mbrojtjes së drejtësisë, të popullit e të atdheut të vet gjë që u vërtetua shumë shpejt.

Halili ishte nxënës i shkëlqyer dhe qysh në shkollimin e ulët, përveç talentit mësimorë, ai shfaqi edhe talentin dhe prirjet për aktivitete të lira në muzikë, art dhe gjimnastikë. Me kalimin e kohës në periudhën e rinisë, Halili lëshoi shtat, u burrërua dhe filloi të hyjë në fazën e pjekurisë. Horizonti i tij i dijes vazhdimisht po zgjerohej. Atij tani nuk do t’i interesojë vetëm mësimi si shumë shokëve të tjerë, por filloi të interesohej për “punë më të mëdha”, sepse atë e brente brenga dhe shqetësimi i çështjes së pazgjidhur kombëtare. Tek Halili bie në sy një pakënaqësi, një revoltë dhe një rebelim kundër sistemit pushtues të atëhershëm monist të partizanëve serboçetnik. Familja e tij do të etiketohet si familje e anatemuar “armiqësore”. Fati i këtillë do ta përcjellë Halilin pothuaj gjatë gjithë jetës edhe gjatë shkollimit edhe gjatë shërbimit të tij si mësues në universitet.

Ai, “djaloshi i dëshirit” – siç e quan Rrustem Berisha, i etshëm për dije edukim dhe arsimim, mësyu shkollën e mesme. Më 1954 ai u regjistrua në Shkollën Normale të Prishtinës dhe shumë shpejt u afirmua si nxënës i dashur, i afërt, shok i sinqertë dhe besnik, të cilin e donin dhe simpatizonin edhe profesorët e Normales- edukatorët e tij si: Jusuf Shushka, Abdullah Zajmi, Salih Nushi, Hasan Mekuli, Ali Hadri e shumë të tjerë.

Ndonëse ai nuk dallohej ndër shokët në mësime, ai shquhej për diç tjetër. Dallohej pikërisht me qëndrimin e tij burrëror, me pjekurinë e tij për “punë të mëdha”, për patriotizëm, për trimëri e guxim, për këmbëngulje e vendosmëri. Madje ai i kundërvihej dhe kundërshtonte haptas padrejtësitë e sistemit monist dhe shovinizmit serbomadh. Për këtë arsye mësimdhënësit e tij shihnin te Halili një mbështetje dhe një shtyllë të fortë në mbrojtjen e shkollës shqipe. Ai ndjenjën e emocionet e atdhedashurisë i shprehte edhe nëpërmjet sportit kur luante hendboll me kundërshtarët e nacionalitetit tjetër. E gjithë shkolla Normale me nxënës dhe me kuadrin arsimorë solidarizoheshin me Halilin. Atë e njihte tërë Prishtina, madje edhe Kosova. Halili u bë simbol i sportit kombëtar, e veçanërisht i hendbollit kosovar. Ai ishte pjestarë i ekipit hendbollistik "Normalisti". Hendbolli kosovar me Halilin përjetoi një ngritje cilësore. Gjatë shkollimit të mesëm, në vitet e 1957-58, Halili shpreh pakënaqësinë kundër sistemit titist dhe simpatinë ndaj shtetit shqiptar, ndaj bashkë me shokët e shkollës Bardhyl Nushin, Xhemajl Lalën e Nakije Nushin tenton të kalojnë kufirin për në Shqipëri, por nuk kanë sukses, sepse kapen nga udbashët serbë dhe arrestohen. Më pastaj ai i vuan 6 muaj burg në burgun e Gjilanit dhe si djalosh “i rrebeluar” dhe “i padëgjueshëm” përjetoi dhe përballoi me sukses në kurriz kamxhikun e pamëshirshëm të serboçetnikëve, armiqve të babait e të popullit shqiptar.

Burgjet, torturat e ndjekjet serbosllave nuk i ndahen për tërë jetën, mirëpo Halili edhe përkundër këtyre vuajtjeve, piqet e burrërohet, bëhet gjithnjë më i fortë e më i rrezikshëm për armikun. Për këtë pjekuri dhe rezistencë të vazhdueshme stoike, ai u bë dhe mbeti nxënësi më i dashur i gjeneratës së vet. Ai edhe sot kujtohet me admirim e pietet të lartë si mburrja e krenaria e nxënësve dhe mësimdhënësve të kësaj shkolle. Me këdo që do të flasësh, do të dëgjosh vetëm fjalë miradije e falënderimi, fjalë mirënjohjeje për mirësjelljen e tij. Nën këto kushte ai si karakter i pathyeshëm dhe i vendosur në realizimin e idealeve të veta, merr forcë e krah, ndërplotësohet e bëhet më i fuqishëm edhe nga përkrahja morale e shoqes së shkollës, Teuta Kryeziut, me të cilën më vonë do të lidhin kurorë të dyfishtë: kurorë jetësore dhe kurorë të idealit të lirisë e të pavarësisë.

Pjesa më e madhe e politikanëve shqiptarë gjatë pushtetit monist-komunist, ishin të mashtruar nga ideologjia komuniste, e cila udhëhiqej nga doktrina pansllaviste. Për ta çështja kombëtare ishte e dorës së dytë, ndërsa ajo internacional-bashkim-vëllazërim në rradhë të parë. Një përcaktim i tillë, për ne shqiptarët ishte i dëmshëm.

Veprimatria edukativo-arsimore e çiftit bashkëshortor

Halili pasi kreu Normalen, bashkë me shoqen e vet, tani më i martuar me të, si një çift ideal bashkëshortësh, karrierën e tyre të mësuesisë e filluan në fshatin e largët malor, në Firajë të komunës së Shtërpcës.

Si mësues të rinj, plot vullnet dhe energji, filluan me zell të madh t’i arsimonin vogëlushët e shkollës së fshatit Firajë. Ata u bënë të afërt e të dashur për nxënësit e tyre. Nuk përtonin fare të punonin pa ndërprerë tërë ditën, që nga mëngjesi e deri në mbrëmje. Madje puna edukativo-arsimore e tyre nuk kufizohej brenda katër mureve apo oborrit të shkollës, por ata u bënë mësues të popullit, i cili në atë kohë ishte pak i arsimuar.

Halili ishte shume komunikativ e modest në sjellje dhe duke vënë kontakt me fshatarët, shpejt i përvetësoi ata. Ai kishte ndikim të madh në popull, por edhe ata kishin besim të plotë në mësuesin e dashur dhe të nderuar. U mor edhe me aktivitete për rregullimin e infrastrukturës së fshatit si: meremetimin e rrugëve, elektrifikimin e fshatit, rregullimin e oborrit të shkollës etj. Përveç kësaj Halili te fshatarët ushtronte edhe ndikim të madh politik e patriotik, të cilët do t’i bëhen krah i fortë e bashkëmendimtarë në realizimin e synimeve drejt lirisë e pavarësisë së Kosovës.

Po ashtu edhe mësuesja Teuta Kryeziu – Alidema, ishte një Afërditë e vërtetë. Ajo shkonte shtëpi më shtëpi dhe vënte kontakt me vajzat e gratë fshatare të Firajës. Me sjelljen e saj të çiltër e burrërore, me modestinë e fisnikërinë e saj si mësuese e zellshme, me ideale të larta në rrugën e edukimit e arsimimit të femrës shqiptare, ajo përvetësoi dhe i bindi se shpëtimi ynë është arsimimi i vajzave dhe grave shqiptare. Vetëm në këtë mënyrë ato do t’i bëheshin krah burrave të tyre, pra të shkolluara dhe të arsimuara ato do t’i shërbenin popullit dhe atdheut.

Respekti e kujtimi për këtë çift, si mësues dhe edukues të popullit, do të lënë gjurmë të thella dhe do të kujtohen gjatë. Ndonëse ka kaluar një gjysmë shekulli, kujtimet për këtë çift bashkëshortësh ende janë të freskëta. Këtë bindje e dëshmojnë kujtimet e nxënësve, të grave dhe të burrave të fshatit Firajë. Edhe sot shkolla e Firajës mban në korridorin e saj fotografinë e Halilit dhe Teutës. Më pas ky çift vie për të arsimuar edhe popullsinë e vendlindjes së Halilit, pra në Pozheran ku punësohen si mësimdhënës në shkollën 8-vjeçare. Këtu, e gjallëruan jetën kulturore të shkollës, të fshatit dhe të rrethinës së tij; gëzonin përkrahje e respekt nga nxënësit edhe nga të gjithë banorët. Nuk kanë thënë kot: “Guri i randë peshon në vend të vet”. Halili këtu ishte edhe më i fortë edhe më i përkrahur, kështu që kjo shkollë lulëzonte në çdo aspekt dhe ishte shembull jo vetëm për shkollat e komunës së Vitisë, por për të gjitha shkollat e rajonit të Anamoravës.

Mirëpo, këto suksese të Halilit, u ranë shpejt në sy punëtorëve të UDB-së jugosllave moniste. Halili përcillej në çdo hap, ndaj me ndikimin dhe përkrahjen e shokut të shkollës Qerim Gashit, për t’i ikur përcjelljes së udbashëve, bashkë me Teutën, më 1962 u punësuan në shkollën 8-vjeçare të Malishevës, aso kohe komunë në vete.

Halili e Teuta kudo që punuan, edukuan dhe arsimuan nxënësit dhe popullin, duke zhvilluar një veprimtare edukativo-arsimore të fuqishme, ngjallën dashurinë e ndjenjën atdhedashëse e arsimdashëse. Prandaj si të këtillë mund ti emërtojmë me plot të drejtë "Mësues të merituar të popullit"

Puna në fakultetin filozofik

Halili me përkrahjen e shokëve dhe ndihmën konkrete të akademik Ali Hadrit, filloi punën në administratën e Fakultetit Filozofik në Prishtinë. Këtu ai zgjeroi rrethin e shokëve e miqve të vet, jo vetëm ndër punonjësit e administratës së Fakultetit, por edhe ndër profesorë e ligjërues, duke gëzuar respekt e autoritet të madh si njeri i fjalës e i besës, si njeri guximtar dhe i vendosur. Për këtë arsye, ai u nxit të filloj studimet në fakultetin e Drejtësisë, të cilat i kreu me sukses. Edhe punën në administratën e Filozofikut e kryente me saktësi e përgjegjësi të lartë. Ai gëzonte autoritet edhe te një numër i madh i studentëve të mbarë Universitetit të Prishtinës, te të cilët do të ketë ndikim dhe frymëzim në domonstratat e vitit 1968, e veçanërisht në ato të vitit 1981 të Pranverës së Madhe Studentore, për të cilat do të dënohet 11 vjet burg të rëndë si udhëheqës i “Grupit të intelektualëve shqiptarë”, bashkë me Ukshin Hotin, Ekrem Kryeziun, Shemsi Reçicën, Mentor Kaçin, Hilmi Ratkocerin etj.

Viti 1968, Halilin e gjeti student të Fakultetit të Drejtësisë, të cilin e mbaroi në vitin 1973. Nën ndikimin e profesor Ali Hadrit, Halili i filloi studimet pasuniversitare dhe më 1978 magjistroi në shkencat historike me temën: “Paqa e Shën Stefanit dhe Ballkani”.

Në fakultetin Filozofik nuk u lejua të punonte si kuadër mësimor, sepse për pushtetin serbosllav politikisht ishte i papërshtatshëm, ndaj ishte gjithnjë i ndjekur dhe i përcjellur nën hetime të rrepta nga shërbime sekrete serbe. Ndërkaq, teza e doktoraturës e përgatitur me titull: “FUQITË E MËDHA DHE BALLKANI”, për shkak të arrestimit dhe dënimit me 11 vjet burg, prej të cilave i mbajti 5 vjet, mbeti pa u realizuar. Viti 1981 Halilin përsëri e gjeti në ballë të demonstratave të studentëve.

Veprimtaria politike dhe patriotike e Halil Alidemës

Është interesant se edukimi i tij patriotik u zhvillua dhe u zgjerua në rrathë koncentrikë, sikur valët e ujit, që zgjerohen e shtohen kur në ujin e qetë hedhim një gur e ai shkakton valë pas vale, duke zgjeruar rrethin e tyre në sipërfaqen e ujit. Ashtu edhe edukimi, arsimimi, mburrja e krenaria e Halil Alidemës, filloi që nga rrethi i parë, në bërthamën e vatrës patriotike të familjes së madhe patriarkale të Hazir Alidemës, duke u zgjeruar nëpërmjet ndikimit të odave të burrave, që shërbenin si shkolla të traditave kombëtare të kohës, u zgjerua në lagjen Alidemaj, në lagjet e tjera të fshatit të Pozheranit e në tërë Anamoravën, arriti zenitin e vet në tërë Kosovën e në mbarë Shqipërinë Etnike. Kjo edukatë, kjo brumosje patriotike do t’i shërbejë Halilit si bazë e fortë kombëtare në të gjitha periudhat e tij të jetës, në të gjitha ngjarjet e kthesat e mëdha historike, duke përjetuar një shtrirje gjeografike të ndikimit të tij dhe autoritetit si personalitet i rëndësishëm në mbarë truallin shqiptar.

Halili gjithkund e në çdo ngjarje të rëndësishme kombëtare, në çdo lëvizje, në çdo organizatë apo në çdo parti, që kishte synim çlirimin kombëtarë, e shohim të parin, do të thotë si prijës e udhëheqës, ose ndër të parët, që mbanin përgjegjësi dhe obligim t’i shtynin dhe t’i zhvillonin proceset politike përpara. Si i këtillë edhe i pari ra në konflikt me okupatorët serbosllav, duke shërbyer gjithmonë si digë dhe mbrojtje e fortë e rrethit familjarë e shoqëror, por edhe si nxitës në përqafimin, bashkimin e përkrahjen morale e fizike të ideve patriotike.

Ndërsa si nxënës i Normales, duke hequr bustin e Milladin Popoviçit, duke u përpjekur të kaloj kufirin për Shqipëri, si mësues dhe si nënpunës administrativ, si student me korrespodencë, ishte në konflikt të përhershëm me regjimin monist jugosllav.

Kështu viti 1968 Halilin e gjeti si student të juridikut. Gjatë këtyre demonstratave, ai jo vetëm që ishte një pjesëmarrës aktiv, por ishte edhe kryesues e frymëzues i tyre, duke ndikuar në rininë studentore e më gjerë të fshatit të vet (Pozheranit), ku iu bashkuan edhe rinia fshatare, Ferizaji me rrethin e Kaçanikut e tërë Anamorava. Ai shpaloi flamurin kombëtar, në natën e 27 nëntorit në shtëpi të Berat Zenunit e pastaj e vendosi atë mbi derën e banesës së vet ku qëndroj për plot 1 muaj. “Filozofia politike dhe kombëtare e Halilit u manifestua me vrullin më të madh në demonstratat e përgjakshme të vitit 1968, për të drejtat themelore kombëtare, kundër sistemit robërues”.

Për shkak të pjesëmarrjes aktive në këto demonstrata, ai u dënua me disa muaj burg të rëndë në kazamatet serbe, nga pushteti monist serbosllav i asaj kohe. Veprimtarinë e tij patriotike, ai e vazhdoi edhe në shkrimet e veta, duke pasuruar aktivitetin politik e patriotik me anë të pendës. Shkrimet e veta ai kurrë nuk i ndërpreu, ato sa vinin e shtoheshin, varësisht nga frymëzimet dhe ngjarjet, si: “Rrëmihësit e varreve”, “Rrënjët e trollit tim”, “Filozofia e së vërtetës”, “Vjersha të kohës së nxënësve” e shumë punime të tjera nëpër gazeta e revista aktuale të kohës. Veprimtaria e tij më e plotë shkencore dhe poetike u ndërplotësua me botimin e tri vëllimeve të tij, që panë dritë më 2004, siç janë: “Paqa e Shën Stefanit dhe Kongresi i Berlinit”, “Dialogu me kohën” dhe “Pakoha” , që u botuan nën përkujdesjen dhe financimin e së bijës Lindita Alidema – Kokollari dhe dhëndrrit Hamzë Kokollari.

Veprimtaria politike, patriotike e shkencore e Halil Alidemës nuk pushoi as në burgjet e Prishtinës, Mitrovicës, Beogradit apo edhe te Pozharevcit, por përkundrazi shtoi dhe forcoi moralin kombëtar të tij.

Halil Alidemën e shohim të marrë pjesë aktive edhe në Lëvizjen Gjithëpopullore për Pajtimin e Gjaqeve, Plagëve dhe Ngatërresave, që filloi punën e vet me 2 shkurt 1990 me iniciativën e rinisë studentore e të një grupi intelektualësh të prirë nga plaku i urtë profesor Anton Çeta. Halili në fillim ishte pjesëmarrës në themelimin e LDK-së, e udhëhequr nga dr. Ibrahim Rugova. Mirëpo duke mos u pajtuar me politikën e tij paqësore, ai themeloi partinë e Unitetit Kombëtar – UNIKOMB-in, në krye të së cilës qëndroi më vite të tëra derisa ishte gjallë.

Veprimtaria politike në ekzil

Veprimtaria politike e Halilit në Kosovë po vështirësohej shumë. Gjendja politike ishte e papërballueshme. Qëndrimi në Kosovë ishte i rrezikshëm. Atij i rrezikohej edhe jeta nga terrori e dhuna shtetërore ushtarako-policore millosheviçjane. Halili u shtrëngua që veprimtarinë e tij politike dhe organizative ta vazhdojë jashtë Kosovës në ekzil.

Fillimisht, më 1992 kaloi në Maqedoni te disa shokë në Shkup, të cilët e përkrahnin moralisht dhe politikisht, por edhe materialisht. Aty kishte një numër të madh shokësh bashkëmendimtarë si: Beqir Mustafë Kabashi, Daim Hyseni, Driton Salihu, Xhevat Ademi, Kadishe Hamiti etj.

Pas një kohe kaloi kufirin shqiptaro-maqedon, u vendos në Shqipëri, në Tiranë, ku si kryetar i UNIKOMB-it zhvilloi aktivitete të intensifikuara në shumë fusha. Ishte organizues i stërvitjes së guerilës së UÇK-së, si diplomat, politikan e orator. Ishte pjesëmarrës në Konferencën e Maltës, që u mbajt në janar të vitit 1993, ku morën pjesë delegacionet e më shumë se 30 vendeve të Mesdheut me temën: “Për paqe, demokraci dhe bashkëpunim”. Në mënyrë të denjë, me një oratori të rrallë e me argumente dhe fakte bindëse, e përfaqësoi Republikën e Kosovës. Madje, në të kthyer nga ky takim, Halili i dha një intervistë RTSH-së më 17 janar 1993 me titull “KOSOVA DËSHMON”, si dëshmi të kësaj interviste konkrete, autori i saj e posedon në fondin e arkivit personal.

Halili në Tiranë vuri kontakt me shumë miq, të cilët jo vetëm që e mirëkuptuan qëllimin e tij, por edhe e ndihmuan në realizimin e tij, ndër ta mund të veçojmë: Fluturak Gërmenji, Vladimir Beja kolonel admiral rezervë, Ramazan Sala, Uzeir Dervishi e shumë të tjerë.

Më 21 gusht 1992, zonja Marjana Gramdis deputete e njëkohësisht kryetare për politikën ndërkombëtare të Austrisë, zhvilloi një bisedë me kryetarin e Partisë së Unitetit Kombëtar të shqiptarëve në trojet etnike, zotin Mr. Halil Alidema, i cili ndodhej për një vizitë pune në Austri. Me këtë rast Jeton Kuta zhvilloi një intervistë me Halil Alidemën. Halili u bë pararendës i UÇK-së. Ai u mor me organizimin dhe vendosjen e ushtarëve shqiptarë nga Kosova në disa qendra stërvitore në Shqipëri, duke u emëruar komandant i parë i grupeve të njësiteve guerile, që do të vinin nga trojet shqiptare për t’u stërvitur në Shqipëri. Halili bënte edhe sigurimin e kuadrit të oficerëve, pedagogëve e ushtarakëve, në organizimin ushtarak të gueriljes, siguronte mjete financiare për teknikën luftarake e uniformat.

Në vitin 1995 e 1996 u bë një punë shumë e rëndësishme, kur ai arriti me sukses të krijojë baza stërvitore në Shqipëri, në Palestrën Sportive “Partizani” në Tiranë, ku udhëheqës i grupit stërvitor ishte me pseudonimin “Agron Ligata”, pastaj Qendra e Shkollës së Bashkuar të Oficerëve “Skënderbeu” (Tiranë), njëra nga këto baza, ku nën Komandën e Shtabit Operativ të asaj kohe janë stërvitur edhe Komandantët Legjendar të UÇK-së – ADEM JASHARI e ZAHIR PAJAZITI.

Meritë e veçantë e Halil Alidemës në fushën e propagandës politike e shkencore është edhe botimi i “Libri i Bardhë” në 11.000 ekzemplarë, me emrin “Zani i Kombit” e cila vepër u botua në 5 gjuhë: shqip, anglisht, frëngjisht, italisht dhe serbisht.

Pra, veprimtaria politike e patriotike, si dhe organizative e patriotit të nderuar HALIL ALIDEMËS është shumë më e gjerë sesa të dhënat e shënuara në këtë biografi. Jeta e tij është shumë më e pasur, veprimtaria e tij patriotike shumë më e gjerë dhe më e nduarnduart, ndaj jeta dhe veprimtaria e tij meriton studime më të gjera dhe më të shumta. Ai në të ardhmen do të bëhet burim i pashterrshëm studimi nga shumë historianë, kritik letrarë e atuobiografë të tij.

Jeta e tij është një variant i luftës së pandërprerë për ekzistencë, për realizim synimesh e qëllimesh si ideale jetësore. Ai në jetën e vet u ballafaqua me vështirësi jetësore, me sakrifica shoqërore, me përpjeta e tatëpjeta të aktivitetit të tij personal, me sukses e disfata, me gëzime e hidhërime, jetoi me probleme familjare e kombëtare, i rrethuar me miq e me armiq, të cilët e çmonin apo e nënçmonin, madje edhe e urrenin për veprimtarinë e tij kombëtare. Disa vraponin pas tij, kurse disa iknin prej tij, disa i ndihmonin dhe ja hapnin shtigjet jetësore, kurse disa i vinin prita, kurthe e pengesa. Kishte edhe prej tyre që vraponin ta përqafonin me mallëngjim e dashuri, kurse disa vraponin ta dënonin me plumb mortor. Mirëpo edhe pse Halili përjetoi shumë vështirësi e pengesa, mundime e tortura, ai kurrë nuk u thye, nuk u dorëzua. Përkundrazi, ai u bë më i madh, më i njohur, më i dashur, më i frikshëm për armikun sepse jetoi, veproi e luftoi dhe mori frymë për të gjithë ne, për një popull, për një komb e për një atdhe. Prandaj ai u përcoll në banesën e amshueshme në Tiranë, në mënyrë madhështore me pikëllim e nderim të madh, prandaj sot shkolla Fillore dhe e mesme e ulët në vendlindjen e tij (Pozheran) e poashtu edhe rrugica që gjenden në vende të ndryshme të Kosovës si në Prishtinë, Gjilan, Ferizaj etj. mbajnë me krenari emrin e tij.

Referimet:

  1. Biografi për Halil Alidemën, Lib. "Meteorë Lirie" nga Prof. Sabit Alidema, Tiranë 2006

  2. Sabit Alidema, Ditari personal, Pozheran, 14.03.1998

  3. Informatë, Ekrem Kryeziu – mik dhe bashkëpuntorë i Halilit, Prishtinë, 01.07.2005

  4. Hakif Bajrami, Biografia e Halil Alidemës, libri “Paqa e Shën Stefanit dhe Kongresi i Berlinit”, Prishtinë 2004, f. 159

  5. Grup autorësh, “Libri i bardhë”, Tiranë


749 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page