top of page

Shënime vitesh...


”Takimet e Gjeçovit”,

një manifestim i madh kulturor, letrare, artistik e shkencor.

(Disa kujtime nga pjesëmarrja ime në një nga manifestimet “Takimet e Gjeçovit”, që zhvillohet në fshatin Has të Prizrenit.)

Ndër veprimtaritë kulturore më të rëndësishme që zhvillohen çdo vit në Kosovë është edhe veprimtaria kulturore-letrare” Takimet e Gjeçovit”, i cili është një manifestim i madh në kujtim të Shtjefën Gjeçovit. Ky manifestim filloi të mbahet që në vitin 1941, vijoi në vitet 1942, 1943, u ndërpre për një kohë, rifilloi në vitin 1971 dhe prej atëherë vijon të mbahet pandërprerë, kurse pas pavarësisë së Kosovës ai ka marrë përmasa kombëtare.

Emri i Shtjefën Gjeçovit (1873-1929), është shumë i njohur për të gjithë shqiptarët. Ai ishte shkrimtar, etnolog e arkeolog, i përkushtuar ndaj zbulimit dhe afirmimit të traditave etnokulturore. Është ai që përgatiti veprën madhore “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, pjesë të së cilës u botuan kur ai ishte gjallë në revistën “Hylli i Dritës”, kurse si libër më vete doli në vitin 1933. Parathënien e atij libri e ka shkruar poeti i madh kombëtar Gjergj Fishta. Dihet se “Kanuni i Lekë Dukagjinit” është një monument i së drejtës zakonore të shqiptarëve.

Shtjefën Gjeçovi lindi në Janievë (Kosovë), ku mori mësimet e para. Shkollën e mesme e kreu në Kolegjin Françeskan të Troshanit, për të vijuar më pas studimet teologjike në Bosnjë. Shërbeu si famullitar në vise të ndryshme, si në Pejë, në Kurbin, në Gomsiqe etj. Në Arbënesh të Zarës punoi për një kohë mësues i shqipes. Mori pjesë në kryengritjet kundër osmane të viteve 1909-1912 dhe më pas në Luftën e Vlorës më 1920. Duke jetuar mes njerëzve mblodhi traditat gojore, etnografike, të drejtën zakonore dhe u interesua për gjuhësinë e arkeologjisë. Gjeçovi është autor i shumë veprave letrare dhe artikujve e studimeve etnologjike e arkeologjike. Gjithë veprimtarinë e tij të shumanshme kulturore e përshkon atdhetarizmi. Kjo veprimtari u bë shkak të vihej në shenjë të rretheve shoviniste serbe, të cilat organizuan vrasjen e tij më 14 tetor 1929.

Përshtypje mbresëlënëse

Në veprimtarinë e madhe “Takimet e Gjeçovit”, më saktë në edicionin e 43-të të saj, që u mbajt në Zym, komuna e Prizrenit, më 11 tetor 2014, pata nderin dhe kënaqësinë të isha edhe unë njëra nga pjesëmarrëset. Mbaj mend se atë vit këtë manifestim të madh kulturor, letrar e shkencor e organizoi SHSH “Shtjefën Gjeçovi” në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe Drejtorinë e Kulturës së Prizrenit.

Duke u mbështetur atëherë në një artikull të studiuesit të njohur Frrok Kristaj(për të cilin mendoj se ka kontribute të veçanta në organizmin e manifestimit “Takimet e Gjeçovit”), kisha lexuar se atje zhvillohen aktivitete letrare-shkencore, mbahet “Ora e Anton Pashkut” dhe jepet shpërblimi “Atë Shtjefën Gjeçovi” për një të arritur kulturore në nivelin kombëtar. Mësova gjithashtu se “Takimet e Gjecovit” financohen kryesisht nga zymjanët, por edhe nga Ministria e Kulturës e Kosovës.

Në manifestime jepen shpërblime e çmime letrare për vepra më të suksesshme të botuara në mes dy manifestimeve përkatëse, apo për vepra jetësore, por edhe për poezi të lexuara në manifestime, përveç që në “Takimet e Gjeçovit” jepet çmimi edhe për interpretim, konkretisht çmimi “Unaza e Katit” (Katarina Josipit). Këto takime përcillen nga më shumë se tre-katër mijë dashamirë të fjalës artistike (e ndonjë herë edhe më shumë). Në takime zhvillohen gjithashtu koncerte të muzikës moderne, klasike, balet, rite popullore, valle, folklor, ekspozita të librit, ekspozita figurative apo të kostumografisë vendore. Ka marrë zhvillim më të madh ky aktivitet, veçanërisht pas ngritjes së amfiteatrit me afro 1000 vende, ngritjes së monumentit të Atë Shtjefën Gjeçovit, vizitave në varrezat e krijuesve: Sh. Gjeçovi, L. Palajt, A. Pashkut, K. Josipi, Nënës Tereze (përmendorja në Zym) H. Lekajt.

Ka paraqitur interes edhe çelja e Muzeut të Zymit, që tërheqë shumë vizitorë. Vit pas viti në Zym të Hasit shtohen numri i pjesëmarrësve, por dhe i poetëve, shkrimtarëve, artistëve të të gjitha fushave, jo vetëm nga Kosova dhe Shqipëria, por nga të gjitha trojet shqiptare dhe nga diaspora. Për këtë aktivitet bëhen botime librash të gjinive të ndryshme, veçanërisht historike, letrare e kulturore, por dhe almanakë siç është edhe Almanaku i titulluar “Takimet e Gjeçovit” 2014, i përgatitur nga Frrok Kristaj, Nikollë Kërhanaj, Abnora Kolgjeraj.

Abetarja e Zymit

Në Zym ndodhet një monument i Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, ndodhte një monument i Nënës Terezë, aty shikon një reliev shkëmbinjsh që nënkuptojnë fuqinë e njerëzve të këtij trualli. Aty ndodhet dhe një gur-shkëmb në formën e një lapidari, e ku, mbi të ka një mbishkrim në të cilin shkruhet: “Abetarja e Zymit”. Ky gur është zbuluar në vitin 2007 dhe ka historinë e tij, por mbi të gjitha shpreh përmbajtjen e thellë se fshati Zym i Hasit ka qenë jo vetëm vend i shumë personaliteteve, heronjve shqiptarë të pushkës dhe të penës, por tregon edhe për mendimin e përparuar të zymjanëve për arsimin, shkollën shqipe e cila e ka fillesën e saj në vitin 1864. Abetarja e Zymit është një dokument tashmë i njohur dhe i arkivuar.

Personi që ka dalë në foto te ky gur është artisti Agim Gashi, rapsod dhe këngëtar, njeri i letrave, atdhetar i cili ndërroi jetë në vitin 2017. Ky njeri me botë të madhe dhe me kulturë, mban në dorë romanin tim “Jetë Ferri”, të cilin e ka pëlqyer dhe sapo i erdhi rasti nisi të flas për atë libër duke më emocionuar së tepërmi me fjalët dhe konsideratat e tij të sinqerta. Agim Gashi ishte një shpirt shqiptari dhe atdhetari me zemër të madhe. I paharruar kujtimi i tij.

Në manifestimin u prezantua dhe vepra ime letrare, veçanërisht romani “Një jetë ferri”. Unë vet u paraqita aty me poezinë “Sikur të mos isha femër”, të cilën e recitova përpara gjithë pjesëmarrësve. Aty isha e shoqëruar nga mikesha ime me banim në Tiranë, Luljeta Llupi. Në atë takim madhështor pata kënaqësinë të takohesha dhe të njihesha nga afër me artistë të njohur nga Kosova, Shqipëria dhe diaspora, e midis tyre njoha nga afër dhe u miqësova me artisten e mirënjohur në Kosovë Leze Qena (1935-2020). Mbaj mend që e nderuara dhe e paharruara Leze Qena sapo unë përfundova fjalën dhe recitimin, erdhi drejt meje më uroi me gjithë zemër dhe më përqafoi ngrohtësisht. Lezen nuk e kemi më mes nesh, ajo u nda nga jeta në vitin 2020, por do të mbahet mend nga artdashësit dhe populli i Kosovës veçanërisht për shfaqjet e saj në televizion në filma televiziv dhe në kinema. Nuk harrohet roli i saj si “Antigona Fishekxhiu Hoxha” në serialin televiziv “Familja moderne”, por dhe me aktrimin e saj në role të shumta në skenën teatrore kombëtare.

Guri i kurbetçiut (Kurbetçarit)

Guri i kurbetçiut është një gur interesant në formë dhe në pamje, por ajo që tërheq më shumë është përmbajtja e tij, ai është shënjuar në këtë fshat si shenjë e kurbetçinjve zymjanë. Ai nuk është se pret vetëm vizitorë, që ta shohin për një kureshtje, por është dhe një gur amaneti, është një gur kur ata që shkonin e shkojnë në kurbet kthejnë kokën tek ai gur sikur t`i falen, sikur t`i falen atdheut dhe vendlindjes dhe e mbajnë në kujtesë atë vazhdimisht, siç thonë edhe në ëndrrat e tyre, atje larg në mërgim. E, përsëri kur kthehen, përsëri falen tek ai gur, si te guri i atdheut, që mban përbrenda historinë e një njeriu, të një fshati, të një fisi, të një popullit të tërë. Ka aq shumë gjëra në Zym. Për t`i përshkruar duhet një libër i tërë, por mbi të gjitha le të themi se Zymi është një fshat që tregon shembullin më të mirë dhe më të lartë të kulturës shqiptare dhe të atdhetarizmit.

Një dhuratë modeste shoqatës “Shtjefën Gjeçovi”

Në edicionin e vitin 2015 të veprimtarisë kulturore, letrare dhe shkencore kushtuar At Shtjefën Gjeçovit, krahas urimit, i dërgova dhuratë shoqatës “Shtjefën Gjecovi”, 12 palë kostume kombëtare shqiptare, të stiluara, të prera dhe të qepura nga unë vet. Në letrën përshëndetëse, që mban datën 15 gusht 2015, dërguar festuesve zymjanë, ndër të tjera shkrova: “Duke ju dhuruar këto kostume popullore, ju uroj punë të mbarë, suksese e gjithçka tjetër të mirë në jetë dhe ju premtoj se do të keni mbështetjen time si gjithmonë, brenda mundësive të mia modeste, por pa kursyer për asnjë çast as veten time e as punën time...”

Çmimi “At Shtjefën Gjeçovi”

Siç përmenda më sipër në “Takimet e Gjeçovit”, krahas llojshmërisë së veprimtarive letrare, artistike dhe shkencore ndahen dhe çmime e vlerësime të ndryshme, ku më kryesori është çmimi “Atë Shtjefën Gjeçovi” për arritjet më të mira në nivel kombëtar, kurse për interpretimin më të mirë jepet çmimi “Unaza e Katit” (Katarina Josipit).

Mund të themi se tashmë fshati Zym i Hasit është duke u kthyer në një pikë turistike, ai vizitohet jo vetëm nga qytetarë nga Kosova, por edhe nga Shqipëria dhe nga diaspora; tashmë ka interesim edhe nga të huaj që kanë dëgjuar shumë për Shtjefën Gjeçovin, Katarina Josipin dhe shumë emra të tjerë të njohur, personalitete të shquara të gjuhës, aktrimit, koreografisë, muzikës, shkrimit, kostumografisë, shkencës etj.

Nderim për aktoren e madhe Katarina Josipi

Çmimi “Unaza e Katit”

Në vazhdim të këtyre përshtypjeve të paharruara, desha të shkruaj pak radhë për Katarina Jospin, këtë grua artiste të madhe të Kosovës dhe trimëreshë shqiptare. Kam shkruar dhe më parë për Katarinën edhe në librin tim ”Zemra të bukura”, botim i West Print, Tiranë, 2022.

Katarina Josipi (Katë Dulaj), (1923-1969), lindi në fshatin Zym të Hasit të Thatë, komuna e Prizrenit. Ishte e bija e Gjin dhe e Gjyste Dulajt. Shkollimin fillor e filloi në Zym, por pas vrasjes së Atë Shtjefën Gjeçovit, e vazhdoi në Nish.

Karrierën si aktore e filloi me Teatrin Amator të Ferizaj, kurse në pranverën e vitit 1948 vijoi pasionin e saj në Teatrin Popullor të Prishtinës, ku aktroi 21 vjet. Katarina Josipin e kemi parë në skenën e Teatrit profesionist, e kemi dëgjuar në radio me radiodrama, por e kemi parë edhe në televizion e në filma.

Luajti mbi 80 role, duke interpretuar përkrahë Nexhmije Pagarushës, Bekim Fehmiut, Hyrie Hanës, Leze Çenës dhe shumë aktorëve dhe artistëve të tjerë të skenës së Teatrit të Prishtinës apo të teatrove të tjera të Kosovës.

Gjatë gjithë jetës së saj si artiste ajo u shfaq dukshëm edhe si një atdhetare e shquar, duke përballuar me guxim shantazhet, kërcënimet dhe gjyqet e pushtuesve serbë.

Me emrin e saj (Katarina Josipi) është pagëzuar Shoqëria Kulturo – Artistike, tashmë Ansambli Etno-Kulturor në Zym.

Katarina pati një jetë personale të vështirë. Dy fëmijët e vegjël ndërruan jetë për shkak të një sëmundjeje dhe kjo e dëshpëroi jashtëzakonisht shumë Katarinën. Ndërkaq, bashkëshortin ia dëboi regjimi serb nga Kosova dhe ai u strehua në Shqipëri, ku krijoi një familje të re, ndërsa Kati nuk u martua kurrë, gjersa mbylli sytë në moshën 46-vjeçare. Një vit përpara se të ndahej nga jeta ajo shkoi në Shqipëri dhe vizitoi ish-bashkëshortin dhe fëmijët e tij. Katarina Josipi u varros pranë Atë Shtjefën Gjeçovit.

Në vendlindje, në Zym, në vitin 2019 shtëpia e saj e lindjes është kthyer në muze. Kjo shtëpi konsiderohet si një monument i trashëgimisë popullore.

Shtëpia e Katarina Josipit është ndërtuar në shekullin XIX dhe ka shërbyer për banim gjatë tërë kohës. Ajo i takon tipit të shtëpive me çardak druri, vlerësohet edhe arkitektura e saj. Në pjesën e brendshme të saj bien në sy jastëku i profilizuar, tavanet, një dollap prej druri, raftet, oxhakët, furra, hambarët e drithit, cergat, enë druri, enë dheu -vegshat, vorbat, enë dhe kusi bakri, tavolina etj. Tashmë ajo shtëpi -muze, siç kam lexuar, është pasuruar shumë me shenja dhe simbole origjinale që paraqesin jetën dhe veprimtarinë e Katarina Josipit.

Ndihem mirë kur dëgjoj se, sikurse në monumentin e Shtjefën Gjeçovit, në muzeun e Zymit, tek monumentet e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, të Nënës Terezë, tek guri “Abetarja e Zymit” etj., por dhe në shtëpinë – muze të Katarinës, ka vizitorë të shumtë të interesuar për jetën dhe vlerat e mëdha të aktores, e cila ka qenë dhe aktorja e parë shqiptare në Teatrin Kombëtar të Prishtinës. Ende nuk kam shkruar ta vizitoj atë shtëpi-muze, që e kam vazhdimisht në mendje, por vlerësoj faktin që në Kosovën tonë po nderohen me respekt e nderim të thellë figura të shquara që kanë kontribute të mëdha kombëtare. Sikurse populli edhe shteti dhe institucionet nuk duhet të harrojnë kurrë këto figura dhe personalitete të shquara që kanë sakrifikuar dhe deri kanë dhënë jetën për atdheun dhe begatinë e tij të gjithanshme.


15 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page