![](https://static.wixstatic.com/media/a48dbc_ff31e408c6cd428eb318c91bb0bae2cf~mv2.jpg/v1/fill/w_198,h_254,al_c,q_80,enc_auto/a48dbc_ff31e408c6cd428eb318c91bb0bae2cf~mv2.jpg)
Më 17 qershor të vitit 1854 lindi Hoxhë Hasan Moglica, një atdhetar me përmasa mbarëkombëtare, luftëtar dhe dijetar i shquar. Lindi në Moglicë të Dibrës. Ka ndjekur studimet fillimisht në mejtepin e Peqinit e më pas medresenë e Elbasanit, ku pas tyre do të vazhdonte shkollimin në Universitetin e Stambollit, me qëllimin final për t’u rikthyer e për t’i shërbyer vendit të tij. Shtëpia e tij u bë bazë e rëndësishme dhe strehë për të gjithë atdhetarët e asaj kohe. Pas vendimeve të padrejta të Kongresit të Berlinit për çështjen shqiptare, u vu në mbrojtjen e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku mori pjesë së bashku me delegatët e tjerë të Dibrës. Më 1909, Hoxhë Hasan Moglica mori pjesë gjithashtu në Kongresin e Elbasanit, ku midis të tjerave u vendos edhe hapja e Shkollës Normale për të përgatitur mësues për gjuhën shqipe. Hoxhë Hasan Moglica u ekzekutua barbarisht nga shovenistët sërb te Ara e Shermetit më 15 qershor 1915, së bashku me bashkëpunëtorin e tij të ngushtë Avdi Sallaku. Në vitin 1975 Hoxhë Moglica është dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor si Patriot e atdhetar i shquar dhe eshtrat e tij prehen në Varrezat e Dëshmorëve, në Peshkopi.
Comments