Prof.dr. Eshref Ymeri
Vitin e kaluar, Shtëpia Botuese “Onufri” nxori nga shtypi dhe hodhi në qarkullim vëllimin poetik me titull “Ujshëm” të poetes, publicistes dhe përkthyeses së talentuar Elida Buçpapaj. Libri përmban dymbëdhjetë cikle me 42 poezi dhe zë një vëllim prej 172 faqesh. Ai e pasuron më tej krijimtarinë letare të kësaj poeteje, e cila, përveç botimit të vëllimeve të mëparshme poetike, ka sjellë në gjuhën shqipe edhe përkthime të shumta nga krijimtaria e mjaft poetëve të huaj.
Ky vëllim më ra në dorë ca kohë më parë dhe kur e mbarova së lexuari para dy ditësh, më la mbresa të fuqishme për lirizmin e tij mahnitës. Madje lirizmi përbën boshtin kryesor të krejt poezive të këtij vëllimi. Problemi i lirizmit, si një fenomen estetik, dëshmon për aftësinë e autores për trajtimin e dukurive të jetës së përditshme. Përmbajtja psikologjike e përjetimeve të saj përbën themelin e lirizmit të këtij vëllimi, në të cilin ajo ka krijuar një unitet artistiko-psikologjik, duke filluar nga sistemi i figurave dhe i motiveve lirike, deri te përsosja ritmike dhe intonative. Lirizmi përbën njërën nga karakteristikat e të menduarit artistikisht të Elidës, që bazohet në përjetimet personale gjatë perceptimit të ngjarjeve në morinë e realiteteve shqiptare, çka gjen pasqyrim në gjendjen e saj shpirtërore.
Përmes lirikës poetike, Elida shpreh mallin për atdheun e dashur, prej të cilit është larguar rreth një çerek shekulli më parë dhe ëndrrat e kanë ndjekur pas orë e çast për t’u kthye në gjirin e tij. Shtegtimet e saj lirike, duke filluar që nga Amerika dhe deri te atdheu amë, janë me të vërtetë emocionuese. Në shtegtimet e saj ndihet dëshpërimi i ikanakëve, të cilët jeta i detyroi të braktisin vatrat amtare dhe të marrin arratinë drejt vendeve të huaja. Dhe fajin për këtë poetja ua vë politikanëve parazitë, në përshkrimin e të cilëve lirizmi i saj vjen e merr tiparet e një revolte patetike.
Shumë prekëse është poezia “Refugjatët”, të cilëve Evropa, siç shkruan poetja, “ua mbyt anijen e shpresave”. (Ah, Evropë, Evropë! Ndaj nesh ti ke ushyer smirë, për gjuhën tonë të shenjtë, të dëlirë, se prej saj ke marrë shumë dije, se është një gjuhë perëndie. Ndaj Plini Plaku vetë ka thënë: latini që kur është zënë, me alfabetin tonë ka nxënë. Leibnici yt dikur ka shkruar, këtu e dy shekuj të shkuar: kulturën tonë parakristiane, që ta mësojmë ne kësaj ane, na duhet shqipja kapedane. Për ne ke qenë përherë një dhelpër, ndaj kurrë nuk more pamje tjetër. T’i them këto, Evropë e mpitë, që ta kthjellosh trurin një ditë).
Në të njëjtën kohë, në poezitë “Heshtja”, “Indiferencë”, “Populli” etj. Elidën e kaplon një zjarr poetik për heshtjen e popullit para një grushti politikanësh, të zhveshur nga dinjiteti kombëtar dhe të zhytur në botën e aferave korruptive. Poeten e revolton heshtja e njerëzve në vendin tonë, i cili ndodhet në kushtet e një neodiktature. Kur i lexova këto poezi dhe disa të tjera për gjendjen ku është katandisur vendi ynë në atë neodiktaturë, m’u kujtuan fjalët e regjisorit rus të filmave dokumentarë Vitali Manski (1963):
“Putini po jeton në një realitet krejt tjetër, në një realitet “hyjnor”.Dhe, për pasojë, - vazhdon regjisori, - “pjesa dërrmuese e popullsisë ruse e përfshin atë në radhën e shenjtorëve” (Citohet sipas: “Ç’ka në kokë diktatori?”. Marrë nga “Novaja gazjeta”. 29 qershor 2016).
Shtrohet pyetja: mos vallë edhe populli ynë, në kushtet e neodiktaturës, është duke ecur në gjurmët e popullit rus?
Lexuesin e ngre peshë poezia kushtuar Nënë Terezës, humanistes emblematike në mbarë rruzullin tokësor. Kur lexuesi njihet me përmbajtjen e kësaj poezie, mund t’i shtrojë vetes pyetjen:
“Perëndimi evropian vallë a e ka vrarë mendjen ndonjëherë se si shpjegohet që pikërisht Skënderbeu dhe Nënë Tereza kanë dalë nga radhët e etnosit shqiptar?”.
Sigurisht që nuk e ka vrarë kurrë mendjen ndonjëherë, se ndryshe, edhe për fajin tonë, nuk do të na i kishte bërë çarçaf trojet tona etnike. Personaliteti i Skënderbeut dhe i Nënë Terezës janë dëshmia më kuptimplote e fisnikërisë së kombit shqiptar, të cilin gjithmonë e ka pasë karakterizuar shpirti i madhështisë, i mishëruar gjatë shekujve në humanizmin dhe në mikpritjen proverbiale.
Lexuesit i ngjallin mallëngjim të thellë poezitë “Kosova dashuria ime” (Kosova mon amour) dhe “Të du Kosovë”. Në vargjet poetike të Elidës, Kosova lartohet mjeshtërisht, si krenaria e mbarë kombit shqiptar, si “tanku” i kreut të “kolonës” mbarëshqiptare. Por Elidën zemërndezur e ha një merak përbrenda: mos vallë edhe Kosova ka filluar të ecë në gjurmët e atdheut amë në instalimin e neodiktaturës?
Plot aromë ngrohtësie tingëllon lirizmi poetik në poezitë kushtuar mjediseve zvicerane, si “Berna”, “lumi Aare”, “Urat e Bernës” etj.
Në vargjet poetike të Elidës gjejnë pasqyrimin e vet pylli i heshtur në dremitjen e vet të magjishme, qielli kryelartë, deti hijerëndë, shiu jetëdhënës dhe retë endacake në bredhërimat e tyre nëpër hapësirat e përjetësisë.
Ciklin e fundit të këtij vëllimi poetik, me titull “Nënës time”,Elida ia kushton kujtimit të nënës së saj të dashur, Lili Skënderit, e cila u nda nga jeta më 08 shkurt 2016. Në ato vargje Elida ka derdhur gulshet e shpirtit të saj të brengosur, mallin përvëlues për nënën e saj të shtrenjtë, bashkëshorten e poetit të shquar lirik Vehbi Skënderi, i cili, ashtu si Mitrush Kuteli dhe Lasgush Poradeci, kurrë nuk e pati ulur kokën para diktatorit dhe diktaturës.
Në lirizmin poetik të Elidës vjen e përftohet figura e personalitetit të saj, të ravijëzuar edhe psikologjikisht, edhe emocionalisht, me reagimet përkatëse karakteristike ndaj realitetit mjedisor dhe ngjarjeve të përjetuara. Poezia e kësaj poeteje me një personalitet të konsoliduar intelektual, dëshmon për shkallën e formimit të saj kulturor. Ajo është mjeshtre e gdhendjes së fjalës poetike. Puna profesionale me fjalën poetike nuk është një zeje e arrirë për të gjithë poetët, por sidoqoftë janë pikërisht ata që e mbajnë të ndezur zjarrin e përjetshëm të poezisë. Talenti i Elidës qëndron në pasqyrimin e realitetit me vërtetësi artistike.
Poeti mund të jetë edhe doktor i shpirtit njerëzor, edhe mësues i jetës, edhe piktor, instrumente të të cilit janë jo ngjyrat e tablosë, por aftësia për ndërtimin e rimave. Poezitë e Elidës dëshmojnë më së miri se ajo është një mjeshtre me shije të hollë në strukturimin e vargjeve të tyre. Poeti i shquar rus Aleksandër Bllok (1880-1921)ka thënë:
“Ç’është poeti? Një njeri që hedh në letër vargje? Natyrisht që jo. Ai quhet poet jo se hedh në letër vargje. Por sepse kur hedh në letër vargje, do të thotë se ai sjell në harmoni fjalët me tingujt, sepse ai është bir i harmonisë, është poet”.
Dhe me të vërtetë: në lirizmin poetik të Elidës, në këndvështrimin tim, nuk janë rimat ato që përbëjnëveçorinë kryesore të poezisë së saj, por është thellësia, saktësia dhe përmasa e riprodhimit të gjithçkaje që ajo percepton në jetën e ditëve tona.
Santa Barbara, Kaliforni
10 janar 2020
Comentários