top of page

Shtatë…



Dhe vijmë në jetë. Vijmë dhe festojmë Ditën e Shenjtë. Ditën që ne e quajmë Ditëlindje. Ditën që na shipe gjithkund dhe na krijon pëshpëritje. Pëshpëritje që na bëjnë përshtypje. Pra… Ku jemi ne? Ku bëjmë pjesë ne? Dy prej këtyre pyetjeve, urdhërojnë mjaft herë pyetje të tjera. E gjithnjë, pos pyetjeve të tilla sublime, gjithnjë kemi këndvështrime. Këndvështrime me ndjenja habie, kërshërie, mirëkuptimi, dëshpërimi, përqëndrimi, kurioziteti e mjaft të tjera që shkojnë në një pikë të përbashkët. Në këtë pikë gjithnjë kemi shatë. Të shtatë na udhëtojnë që nga fakti i të qënit dhe i të ndjerit mes dhimbjes dhe vështirësisë, nga embrion, bebe, tek dhëmbi, ecja, ëndrra, muaji që na solli në jetë (e në rastin tim Korriku) e deri tek ardhja…Pra kudo dhe kurdoherë janë shtatë.

Dhe ato janë shtatë sytë e mirëkuptimit. Me këto shtatë sy njohim mjaft gjëra, kapim shumë situata, njohim disa njerëz. E ndërsa disa njerëz në jetë janë na shfaqen kaq komandues, harrojnë se urtësia hyjnore është pas të gjithave. Kjo do të thotë që është më mirë gjithnjë që të ngrihesh në dituri dhe të mos biesh në harbutëri, injorancë, vetëpëlqyeshmëri. E gjitha të shipe aty ku pikërisht shtatë shikimet mirëkuptohen në shtatë mënyra.

Ashtu si ka shtatë rrafshe të vetëdijes, ka shtatë gjendje shpirtërore, po ashtu ka edhe shtatë gjendje të të kuptuarit. Është gjithmonë një numër i saktë dhe ai shtatë. Numri shtatë është numri hyjnor. Shtatë kuptimet janë:

Syri i Instinktit: drejton botën e kafshëve që përfshin insektet, peshqit, amfibët, zvarranikët, zogjtë dhe gjitarët.

Syri i intelektit: sundon pjesën më të madhe të sferës së përbashkët njerëzore të ekzistencës.

Syri i frymëzimit: është për ata shpirtra njerëzorë, ndjenjat e të cilëve zhvillohen si poetë dhe artistë dhe njerëz të tjerë krijues.

Syri i Intuitës: është për ata shpirtra njerëzorë të përparuar që kanë vizione të ndërgjegjshme dhe kuptim të vërtetë deri në pikën intuitë. Ajo që kuptohet me intuitë është gjithmonë e vërtetë. Ajo që kupton me intelekt ndonjëherë është e vërtetë dhe nganjëherë jo.

Syri i Brendisë: shpirtrat njerëzorë në planin e katërt dhe të pestë kanë mprehtësi dhe kuptimi i tyre është i drejtpërdrejtë, pa menduar me mendje.

Syri i Ndriçimit: do të thotë të shohësh Zotin ashtu siç është dhe përjetohet nga ata shpirtra njerëzorë që shohin Dritën e Zotit brenda dhe jashtë mendjes së tyre. Kuptimi është hyjnor.

Syri i Realizimit: ky është shkrirja, bërja dhe kuptimi i vetvetes si Zot (gjendja Unë jam Zoti). (Autori).


Nga Fatmir Terziu


Embrion


Më duket se llogaria ime është e tretur

për nëntë muajt e fundit llogaria ime ka mbetur zero.

Askush nuk po e sheh embrionin tim të mbetur.


Bebe


Më mungon buzëqeshja e qetë ku strukem

kur më shikoni duke harruar vetveten.

E di që më shihni në një mënyrë që nuk mundem.


Dhëmbi


Nuk dua të më lëhtësosh daljen tjetër

sepse unë tashmë e di se si përfundon.

Veprimi është një frazë tek miti i vjetër.


Ecja


Do të doja të të fusja në mendje e në zemër,

dhe do të doja të mund të përshtatesha menjëherë.

Lëviza këmbët dhe m'u kërkua një hap tjetër.



Ëndrra


Edhe pse e di që ishe atje ku u përfjetëm

nuk e mbaj mend fytyrën tënde.

Por e ndjeva në zemër kur u zgjova vetëm.


Korrik


Aluzion i thëllimit të verës

era ka humbur biletën e kthimit.

Pëshpërit se është pas derës.


Ardhja


Do ta kaloj ardhjen dhe do të them vetëm:

është mirë të kesh një ditë të bukur.

A e mban mend si u gjetëm?

8 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page