top of page

Shqipëria ime e dashur mbeti me sytë e lodhur tek sekondat


Shqipëria ime e dashur mbeti me sytë e lodhur tek sekondat


Fatmir Terziu


Shqipëria ime e dashur mbeti me sytë e lodhur tek sekondat. Trokitja e tyre në sy e veshë, në ndjesi e në gjithnajë është bërë një insinuatë e trishtë, e dyfishtë. Çdo sekondë pason një drithmë. Çdo drithmë përjetohet me një lutje të përshpirtë. E gjitha është mbledhur grusht atje në Durrës e Thumanë. Aty ku dhimbja është bërë jo thjesht një dukuri e përbashkët. Dhe Njeriu i Penës ngjet të jetë dy herë i ndjeshëm me sekondat. Ashtu sikurse është dhe mbetet “Mjeshtrja e Madhe” Vilhelme Vranari Haxhiraj, që teksa ndjek sekondat gjen kohën dhe më shkruan: “I nderuar Fatmir! Uroj të jeni mirë, megjithëse nuk ka asnjë shqiptar të jetë i qetë pas kësaj tragjedie që ndodhi në Durrës e Thumanë. Mos më thoni se çfarë dhembje ka shkaktuar tragjedia e Durrësit dhe Thumanës. Dhembja dhe rënkimi i shpirtit janë të paspjegueshëm. Unë ju falënderoj që shprehni dhembjen dhe ngushëllimin tuaj, përmes asaj Elegjie, por kjo tragjedi s'ka ngushëllim. Kush do t'i qetësojë ato nëna dhe ata baballarë që ngelën me duar në gji? Kush do të bëhet kraharor i ngrohtë apo sup për t’u mbështetur djemtë dhe vajzat e Shqipërisë që ngelën jetimë, që ngelën pa motër e pa vëlla? Kush do t'i hapë dyert që u mbyllën? Do të ndryshken drynët në dyert, që nuk do të hapen kurrë. Më thoni, se të dy jemi prindër a ka dhembje më të madhe se kjo? Miku im, milionerët dhe deputetët nuk i kanë hapur kasafortat, porse njerëzit e thjeshtë kanë treguar një solidaritet të paparë, që i habiti grupet e huaja të shpëtimit. Në hotelet private të Vlorës hapën dyert, ku u strehuan 300 persona deri dje. Kjo ndodhi në të gjithë qytetet e vendit. Ne, si qytetarë të Vlorës po mbledhim ndihma ushqimore,veshje dhe mjete të tjera jetese. I lutemi Zotit që të mos bjerë një tërmet tjetër kaq i fuqishëm se përditë regjistrohen tërmete 3,9 ose 5,3 ballë. Vlora është 120 km. larg Durrësit dhe tek ne gati sa s’u rrëzua pallati. Ishte tmerr i vërtetë. Urojmë të jetë me kaq. U qoftë e lehtë balta e tokës mëmë që do t'i mbajë në gjirin e saj ata trupa të lënduar. Ju përqafoj dhe pranoni ngushëllimet tona për vëllezërit dhe motrat tona të përbashkëta që nuk do ta shohin më dritën e diellit! Ky 28 Nëntor, ishte përvjetor i hidhur i Pavarësisë... Të fala e përqafime Familjarisht nga të gjithë ne! Vlorë, 28 Nëntor, 2019”

Dhe kështu sekondat janë bërë tashmë sinonimë kohe me shqiptarët kudo ku janë. Me qindra mesazhe e emaile miqsh nga të gjitha anët ku ka shqiptari e dashamirësi, dashuri e sinqeritet, dhimbje që ndahet shqiptarisht bashkë me ne këtu e me ata atje, në Atdhe. I fundit vjen nga Fatmira e Zen Lushi që shkruajnë: “I nderuar Fatmir, urojmë që të gjithë shqiptarët të jenë mirë, dhe nëse e ndjejnë se nuk janë të sigurtë prindërit dhe të afërmit tuaj në këto ditë në shtëpitë e tyre, shtëpitë tona në Kosovë janë të hapura dhe në dispozicion për ta”. Kështu janë dhe qindra e qindra të tjerë, sikurse e thashë më parë… Të gjithë janë miq, të panjohur ndoshta fizikisht, por të mbarë, të respektuar, shqiptarë.

Çdo sekondë që një drithmë i shtohet tokës amë, është një dhimbje tjetër nën rrahje sekondash. Tërmeti katastrofik! Shqipëria duket e gjunjëzuar nga tragjedia, shkon në 46 numri i viktimave, 750 të lënduar. Kjo është e pabesueshme dhe duket sikur nuk don të ndalet. Por mbështetja dhe gatishmëria shqiptare po më jep zemër.


24 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page