top of page

Shqiptarë mos harroni!


Qamil Cufaj

Shqiptarë mos harroni!


Me Qamilin, një nga pinjollët e fisit demokrat Cufaj


Dr Fatmir Terziu


Ndoshta ishte rastësi, por takimi me një njeri që gjithë jetën e tij ka kërkuar lirinë dhe ka luftuar për këtë arsye jetësore të njeriut, ia kalon rastësisë. E pamë ndërsa i ishte bashkëngjitur një proteste të demokratëve të Londrës, ndërsa ndodhej në krahun e atyre, me të cilët ai ka një çerekshekulli lidhje të tërthortë. Drejton prej kohësh strukturën e PD-së në Kamëz dhe është demokrati me mish e me shpirt që kërkon vetëm bulën e djersës së ballit. Ai është Qamil Cufa, njëri nga vëllezërit e kësaj dere të madhe patriotike dhe demokratike, që ai gjysëmshekull mizor i ndoqi dhe i përndoqi, se një nga anëtarët e familjes së tyre të madhe gjeti rastin dhe shkuli gjëmbat e hekurta të kufirit të diktaturës për të kërkuar atë që tërë rrënjët e këtij fisi e kishin dashur me kohë: Lirinë dhe Jetën e Lirë.

Me një fëmijëri të trazuar, për shkak të bindjeve kundërshtare me rregjimin të babait, dhe me një arsye të fortë për të qenë një njeri mbi të gjitha, ai u detyrua të kalonte një pjesë të jetës së tij larg trungut, por aty ku më parë ishte fiksuar si i tillë në Kukës. Kjo lëvizje jo pak do ti kushtonte pinjollit të këtij fisi, për të cilën ai kujton…

Ishte mesnatë. Frynte erë e madhe dhe shiu sapo kishte kapërcyer ndarjen e mureve dhe kërkonte të pushtonte edhe atë kornizë ku ndodhej dhoma e gjumit. Dera në fillim u dëgjua të kërciste lehtë. Pastaj një trokitje e madhe, e fortë dhe e shpeshtë na bëri që të ndjejmë se diçka nuk po shkonte mirë. Pamë njëri-tjetrin në sy dhe… vetëm kaq. Dera u shkallmua dhe neve nuk na u dha rasti të shkonim e ta hapnim atë pas asaj trokitjeje të hatashme. Në sytë tanë në fillim u panë dy policë me uniforma dhe pas tyre katër të tjerë civilë.

“E dimë që nuk na prisnit?” – hakëreu njëri, që sikurse e mësova më vonë ishte i dërguari i Degës së Punëve të Brendshme.

Ne nuk kishim asnjë mundësi të përgjigjeshim, apo më keq akoma të flisnim ndonjë fjalë.

“Ju do të vini me ne…”

Kaq ishte. Më mbajtën gjithë natën në dhomat me çimento në atë të ftohtë të dimrit. Në mëngjes, dikush një fytyrë e re më thiri nën kujdesin e një polici në zyrën e tij.

“Kërkon të arratisesh? Ë? Prandaj e le Pukën për të qenë më afër kufirit këtu në Kukës?”

“Jo…”

“Si … Jo?”

“Po ne kuksianë jemi…”

“Kërkon dhe të tallesh?”

“Jo, ja shikojeni letërnjoftimin!”

Ai nuk e besoi. Herë shikonte në letërnjoftim e herë në letrën anonime, a ndoshta të stisur zyrtare të shkruar për ne… Por kaq ishte dhe dikush urdhëroi të më lëshonin, por të mbahesha nën mbykqyrje. E thënë më saktë nuk kishin asnjë mundësi, se në atë kohë fshati im i lindjes kishte kaluar nën administrimin e Kukësit dhe kështu unë nuk kisha gënjyer, edhe pse njiheshim nga administrimi si pukjanë. Por ato kohë duket se po harrohen. Po harrohet dhe një formë tjetër që po instalohet nga problemet e kohës.

E di që është vështirë, por demokracia është liria e njeriut. Kam mësuar se kohë më parë një sondazh i publikuar nga OSBE-ja ka nxjerrë 52% të shqiptarëve si nostalgjikë për komunizmin dhe kohën e Enverit… Por edhe pse kohët që po jetojmë sot nuk janë asi ato që kishim ëndërruar në fillim të viteve ’90-të, ku shqiptarët dolën shesheve dhe përmbysën regjimin komunist, përsëri nuk mund të thuhet se atëherë ishim më mirë…

Unë dua të sjell këto ngjarje për të kujtuar edhe një herë frikën, dhe tmerrin, pasigurinë e jetës, por mos të harrojmë dhe varfërinë dhe vuajtjen që kemi kaluar gjatë asaj periudhe vërtetë të trishtë. Mos harroni dyqanet bosh, radhën e qumështit dhe të vajgurit, aksionet, alarmet falco, bunkerët…. Apo të mos flasim për vrasjet pa gjyq e internimet… Shqiptarë mos harroni!


183 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page