top of page

SHQIPONJAT E TËRBAÇIT



Përsiatje për Asamblin” 10 Shqiponjat e Tërbaçit



KRISTO ÇIPA


Lapidare në selinë e saj ndërbotërore


Kënga e moçme iso-polifonike shqiptare tashmë krenare dhe lapidare në selinë e saj ndërbotërore në UNESCO po përjetëson vetveten me të gjithë madhështinë e saj, ndërkohë që simotrat e saj, vallja dhe ritualet po kalojnë një periudhë tejet të vështirë sa nga braktisja e kohës po aq edhe nga shkëlqimi i këngës. Në kulturën mijëra vjeçare të popujve pikërisht ritet dhe ritualet kanë shoqëruar çdo sekondë ndryshimet dhe përjetimet sa provinciale dhe globale të jetës, duke shtresëzuar në memorion e kombeve dhe popujve vitalen, të bukurën, orgjinalen.

Pa dashur të merremi në këtë shkrim me të përgjithshmen, po fokusohemi tek një risi dhe njëkohësisht lashtësi, tek kënga, vallja dhe ritualet e fshatit Tërbaç të pasqyruara tashmë me mjaft profesionalizëm tek Asambli “10 Shqiponjat e Tërbaçit”

Ishte një befasi e ëmbël shfaqja në publik e këtij asambli me të gjithë ngjyrimin folklorik, kulturor dhe elegant që shpalosi papritur si lëndina me lule shumëngjyrëshe pranë një burimi me freski, pasi ke kaluar qafat e larta dhe të egra të këngës burrërore të Tërbaçit.


Një optimizëm dhe shpresë


Ska dasëm, gëzim dhe kremtim historik pa stolisjen dhe përcjelljen e nuses, pa ninullën dhe nanurisjen e djepit, pa himnizimin dhe bekimin e vatrës së zjarrit dhe e bukës që del prej tij, pa nisjen dhe përcjelljen e bariut dhe luftëtarit etj. Që në paraqitjen figurative asambli krijoi një optimizëm dhe shpresë, duke na kujtuar se dramat dhe tragjeditë që prodhoheshin në truallin shqiptarë nga aktorë e faktorë vendas e të huaj, mund të kapërceheshin vetëm me dashurinë, mirësinë, ëmbëlsinë, fantazinë dhe jo rrallë me trimërinë që karakterizonte gruan shqiptare në përgjithësi dhe shqiponjat e Çikës në veçanti.


Uniteti artistik


Përshtypja e dytë ishte uniteti artistik i të dhjetë shqiponjave, si një trup i tërë pa protagonizëm individual, por me protogonizëm shumë sfidant kolektiv. Nga fillimi në fund në interpretim të ngelet në mendje e shpirt i gjithë asambli.


Befasoi skenën e isopolifonisë


Së treti, nxjerrja nga “bodrumet” e shekujve dhe pluhuri i kohës i thesareve të diamanta me shkëlqim të butë e të purport, e befasoi skenën e isopolifonisë e cila ishte e tendosur nga gjëmimet e grupeve, ku seicili ishte majë e pahijezuar, por shumë e thepisur. Duhen patjetër lëndina të tilla folklorike ku shpirtin ta mbështjell ëmbëlsia si mëndafsh.


Tekstet e reja të të ëmblit Albert Habazaj


Së katërti tekstet e reja të të ëmblit Albert Habazaj janë si motivet e papërsëritshme në qilimat, rrugicat, flokatet dhe velenxat tona të stërmrekullushueshme ku çel vazhdimisht zambaku i agimit. Përfytyrimi ëngjëllor dhe realizimi pranveror në një truall vjeshtak i kanë kapërcyer kufijtë gjeografik të vendit tonë dhe ikin lirshëm e natyrshëm drejt mrekullive botërore, pa pasur nevojë të paraqesin pasaportë në asnjë doganë kulturore, përkundrazi e presin si kryezonjë duke u prezantuar vetë mikpritësat me pasaportë të tyre.


Konkluzion


Nuk do të veçoja asnjë element për të mos prishur atë harmoni unike që ka ky asambël, por as nuk do të bëja vërejtje, se koha do ti diktojë vetë dhe do vetkorigjohet. Na duhet ta shijojmë kështu siç e gatoi Albert Habazaj në prodhimin e parë orgjinal dhe koha do u këndoj në vesh me pëshpëritje të ëmbël secilës shqiponjë e Bertit në shpirt, për të na dhënë gjetje dhe variante të reja. U urojmë me zemrën plot: udhë të mbarë e të gjatë dhe me trashëgimi në breza.


Pilur, më 16.06.2022

222 views1 comment

1 Comment


Albert Habazaj
Albert Habazaj
Jun 16, 2022

Autori i këtij shkrimi Kristo Çipa, përgatitësi Timo Merkuri dhe botuesi Fatmir Terziu! Aq sa duket e thjeshtë e thuhet me lehtësi urimi: MIRËNJOHJE, aq është i thellë dhe i çmuar për këtë gjest fisnik tuajin ndaj Shqiponjave të Tërbaçit, që do të jetë përherë në fluturim hapësirave folklorike, dhe kur qesh dielli, dhe kur qëllon furtuna... Përsëri MIRËNJOHJE

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page