top of page

SHQIPFOLËS APO SHQIPTAR?


Sami Islami

SHQIPFOLËS APO SHQIPTAR?


Nga Sami Islami


Gjuha është njëri nga elementët kryesor për të përcaktuar indentitetin kombëtar, por jo edhe i vetmi, sepse për t’u identifikuar ndryshe nga popujt e tjerë nevojitet edhe kultura, tradita, historia e vaçantë, të cilat e plotësojnë identitetin. Kësaj radhe nuk do të ndalemi për të shtjelluar çështjen e identitetit, por do të përqendrohemi vetëm tek një segmet i tij, që është gjuha. Në këtë kontekst e shoh të arsyeshme të ndalemi pak te një problem i gjuhës shqipe, e pikërisht tek përdorimi i fjalës (mbiemrit) “shqipfolës” dhe fjalës (emrit)“shqiptar”.

Shpesh më ka rënë të dëgjoj, por edhe t’i ndesh të shkruara këto dy fjalë, të përdoren me kuptim jo të qartë (në të shumtën e rasteve të përdoret fjala “shqipfolës” për “”shqiptar”) gjë që, sipas mendimit tim, është gabim. Menjëherë e mora Fjalorin e Gjuhës Shqipe për ta konsultuar. E hapa dhe e gjeta. Fjala SHQIPFOLËS-E mb. shpjegohej me:“ që ka shqipen si gjuhë amtare, që flet shqip(edhe si em. ) Popullsi shqipfolëse. Treva shqipfolëse.“ (!) (Fjalor i Shqipes së Sotme, Tiranë, 2002, f. 1288). Mirë për ata që „shqipen e kanë gjuhë amtare“, por ata „që flasin shqip“a duhet domosdoshmërisht të jenë shqiptarë? Dhe këtu është edhe problemi që shpesh po dëgjohet në media por edhe në institucione të tjera. Fundja gabimi, ndoshta edhe mund të mos konsiderohet edhe aq i mediave apo i institucioneve. Gabimi qëndron tek fjalori. Si duket në kohën kur është botuar fjalori për herë të parë (këtu e njëzetë pesë vjet më parë) , mbase, asnjërit nga përpiluesve të tij nuk i ka shkuar ndër mend se shqipfolësmund të jetë edhe një i huaj (që e flet gjuhën shqipe). Në qoftë se “shqipfolës”do ta quajmë vetëm atë, siç “prferon” fjalori, „i cili e ka shqipen si gjuhë amtare”, atëherë si duhet të quhet ky tjetri, i cili gjuhën shqipe nuk e ka gjuhë amtare, „shqiptar“ apo „shqipfolës“? Besoj se s’ka nevojë për koment!

Në vazhdim le të shohim se si shpjegohet fjala „shqiptar-i“ në Fjalorin e Shqipes së Sotme, që e kemi në duar, e që është botim i vitit 2002(!), siç thamë . Kjo fjalë shpjegohet kështu: “Banor vendës i Shqipërisë ose ai që e ka prejardhjen nga Shqipëria”. Kaq. (!) Nëse këta zotërinj, kur e kanë përpiluar këtë fjalor me fjalën (emrin) “ Shqipëri” i kanë menduar të gjitha trojet shqiptare, pra vetë Shqipërinë bashkë me Kosovën, Çamërinë (sado që Çamëria tani pothuaj është zbrazur nga elementi shqiptar, por të gjithë e dimë sa ajo ka qenë dhe do të jetë shqiptare), Iliridën, Kosovën Lindore, ky përkufizim është krejt në rregull, po nëse ky fakt nuk është marrë parasysh (për arsye të ndryshme politike, ose thjesht nga mosdija), atëherë del se shqiptarë paska vetëm në Shqipëri(!). Po çfarë gjuhe flitet atëherë në Kosovë, Çamëri, Iliridë, Kosovë Lindore…? A janë edhe këta shqiptarë?

Se “shqipfolësi” nuk është gjithnjë vetëm shqiptar, mund të ilustrohet me shembuj të shumtë nga kombe ose popuj të tjerë të botës. Ka shumë vende në botë, që flitet një gjuhë, por njerëzit që e flasin atë gjuhë nuk i përkasin të njëjtit popull ose komb. Po ta marrin, për shembull, gjuhën angleze. Kjo gjuhë flitet në shumë vende të botës , përveç që flitet në Angli (ose pothuaj në tërë Britaninë e Madhe), ajo flitet edhe në Amerikë (SHBA), në Australi, në Zelandën e Re, në Xhamajkë etj.…Të gjithë këta popuj janë “anglishtfolës” por a janë “anglezë”?. Pastaj kemi gjuhën frenge, e cila, poashtu, përveç që flitet nga francezët (pra në Francë), ajo flitet edhe në Belgjikë, Kanadë etj. (as këta popuj nuk është e thënë të jenë “francezë”). Në këtë kontekst mund të përmendet edhe gjuha spanjolle, e cila flitet pothuaj në gjithë Amerikën Jugore (por këta a janë spanjollë, apo jo ?), etj. etj.

Kemi edhe shqiptarë që nuk janë edhe aq shqipfolës. Këta janë disa shqiptarë që jetojnë në Gorë. Dhe po t’i pyesish se çfarë kombi janë , ata do t’ju përgjigjen se janë shqiptarë , por në fakt ata flasin kryesisht serbisht. Këta edhe mund të quhen lirisht “serbishtfolës”, por jo edhe “serbë”!

Numri i shqipfolësve sot në botë është duke u rritur vazhdimisht. Kjo për arsye se shqiptarët me kulturën dhe me gjuhën e tyre të lashtë, kanë ngjallur interesim tek popujt e tjerë, qe edhe ata ta mësojnë gjuhën shqipe. Ka plot pjesëtarë të popujve të ndryshëm që e flasin gjuhën tonë. Disa e flasin shumë bukur bile. Dhe të tillë ka shumë. Kurse numri i shqiptarëve në botë është aq sa është, qoftë ata që jetojnë në Shqipëri, Kosovë, në Kosovën Lindore, në Iliridë, apo jashtë trojeve shqiptare.

A mund të quhen sot ata të huaj që e flasin gjuhën shqipe shqiptarë? Gjithsesi jo. Po a mund të quhen këta të huaj “shqipfolës”? Sigurisht se po. Pra këtu është edhe diferenca kuptimore në mes të këtyre dy fjalëve, që fatkeqësisht shpesh po artikulohen duke iu referuar zakonisht fjalës “shqiptar”. Mbiemri “shqipfolës-e” në fund të fundit edhe nuk ka nevojë të përdoret, kur është fjala për ato treva, shtete, ose thjesht vende të caktuara ku jemi të bindur se ata janë shqiptarë. Sepse kjo “shqiptar” e ka në vetëvete edhe këtë tjetrën “shqipfolës”. Ndërkaq “shqipfolësi”, siç thamë, nuk domethënë të jetë shqiptar.

Në fjalor edhe sintagmat “popullsi shqipfolëse” , “trevë shqipfolëse“ janë shpjeguar gabim. Nga se, po të mos dihen edhe elementet e tjera që e karakterizojnë kombin, nuk dihet qartë nëse kjo popullsi apo trevë është shqiptare apo jo? Sepse siç thamë edhe më lart “shqipfolësi”nuk përmbush kuptimin e “shqiptarit”.

Fundja, ky fjalor, mund të themi se ka edhe mangësi të tjera. Përveç mangësive në leksik (gjuha shqipe ka disa herë më shumë fjalë se ato që sot gjenden në fjalor), lypset që, në të ardhmen, me rastin e një ribotimi eventual, të bëhen korrigjime kuptimore (sematike). Kjo për arsye se, siç është kështu , nuk do t’u ndihmonte aq shumë përdoruesve të fjalorit, si atyre shqiptarë, por edhe të huajve.

#Sami #ISLAMI

25 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page