top of page

Shpresa Gjergji: Hija e vdekjes dhe dashuria e pavdekshme e poetit 



 

 

Poezia elegji dhe shpirtdhimbja e poetes EVA Gavanit

 

 

Hija e vdekjes dhe dashuria e pavdekshme e poetit 

 

Në elegjinë "Për Tim Vëlla" të Eva Gavanit, hija e vdekjes dhe dashuria e pavdekshme ndërmjet vëllait dhe motrës janë tema të theksuara, të cilat ndërthuren në mënyrë të natyrshme për nga ndjenja që e përshkon, dhe të fuqishme për nga mënyra se si përcillet tek lexuesi. Poezia trajton dhimbjen e humbjes së vëllait, duke përshkruar vdekjen si një realitet të pamëshirshëm që kthehet në një "hije" për poetin. Sidoqoftë, ndërkohë që vdekja është një forcë që nuk mund të shmanget, dashuria për vëllain është e përjetshme, duke kaluar përtej vdekjes dhe të gjitha kufizimeve të natyrës fizike. 

 

Hija e vdekjes në poezinë elegji 

 

Në elegjinë e Gavanit, vdekja shihet si një hije e rëndë që ndjek të gjallët dhe sjell me vete një trishtim të thellë. Vëllai, edhe pse ka kaluar në amshim, mbetet një pjesë e pandashme e jetës së motrës, dhe kjo "hije" që ndjek jetën e saj është një kujtim i përhershëm i dhimbjes dhe humbjes. Ky përshkrim mund të vihet re:

 

"Ti loti që kurrë nuk rrodhi,

Por brenda shpirtit u bë det,

Je brenga që kurrë s' më doli,

Je brenga që brengat vret." 

 

Janë vargje, ku dhimbja e vëllait të humbur dhe mungesa e tij fizike përkthehen në një brengë shpirtërore e mbetet e gjallë. Ato i kalojnë përmasat dhe krijojnë dhimbshëm ndjenjën se hija e vdekjes përndjek gjithçka. Ajo e ka kthyer lotin në det, ajo e mallkuar e ka kthyer brengën që vret, brengë që mbeti brenda shpirtit të poetes. Por nuk ngelet këtu,  bukuria e poezisë, vjen me stilin unik, me stisjen e fjalës, me vargun melodioz elegjik që të zhyt në botën me dhimbje të poetes dhe ti ndjen dhimbje gjithashtu. Këtu vargjet flasin fuqishëm dhe brenda dhimbjes e sheh vdekjen jo si një fund, por si një transformim të shpirtrave që vazhdojnë të jenë të lidhur akoma përmes kujtimeve dhe dashurisë. 

 

Dashuria e pavdekshme 

 

Përkundër hijes së vdekjes, dashuria ndërmjet vëllait dhe motrës është e pashembullt dhe përmes vargut poetik në këtë elegji, ajo shfaqet e pavdekshme. Gjatë gjithë elegjisë, motra e përshkruan vëllain e shpirtit të saj, si një figurë të përjetshme, e konsideron si një shpirt të gjallë që sdo të humbasë kurrë, ai shpirt mbetet përjetësisht i lidhur ngushtë me të. Është dashuria që ajo ndjen për të, që nuk mund ta fsheh madhështinë dhe forcën e saj, sa as vdekja nuk mund ta shkatërrojë këtë lidhje të thellë shpirtërore.

Në vargjet:

 

"Je supi që kurrë se pata,

Je fjala e munguar,

Je zemra që më ndalet,

Dora që mbet' shtrënguar." 

 

Në këto vargje, dashuria për vëllain është jo vetëm e paevitueshme, por ajo që spikat në to, është se poetja edhe në mungesë e konsideron "supi ku mbështetet", vazhdon të jetë suport i fortë në ekzistencën përmes kujtimeve, imagjinatës, i lidhur fort me shpirtin e motrës. Kjo është një lidhje e përjetshme që as vdekja nuk mund ta ndal. As në tokë e as në qiell, për ta s’ka ndarje… 

Një koncept filozofik ku imagjinata jeton me ekzistencialen dhe vazhdon të udhëheqë mendimin poetik duke sjellë vargjet rrënqethëse elegjike si pjesë e shpirtit të vrarë poetik. 

 

Nëpërmjet kësaj elegjie të dhimbshme poetike, dashuria mes tyre mbetet e pavdekshme, sepse ajo është transformuar tashmë në diçka hyjnore, ka hyrë në marrëdhënie hapsinore të pakufizuar duke sjellë përmasa dhe ndjesi që i përkasin universit. Prandaj ka arritur tek pavdeksia sepse tashmë s'është fizike, jo prej mishi, jo prej materie, por në një dimension më të gjerë, ka mbrritur në stade të tilla që kujtimet janë ngurosur e jetojnë me shpirtrat motër vëlla, ku shpirti i motrës vuan dhe ai i vëllait nuk gjen paqe për motrën e vet. Një lidhje e fortë, e pazgjidhshme, e mbetur njësoj e në vazhdimësi… 

 

Në këtë kontekst edhe poezia elegji përçon një mesazh të fuqishëm të vazhdimësisë së lidhjeve shpirtërore, që kalon përtej kufijve të jetës dhe vdekjes. Ekzistencializmi fizik nuk është më, por dashuria dhe kujtimi i një personi të dashur, prej geneve, prej gjakut, copë shpirti e shkëputur prej shpirtit të motrës në moshën më të bukur, mbeten të gjalla dhe vazhdojnë të ndikojnë edhe të mbeten pjesë e pandashme në përjetësi.

 

Ne vargjet:

 

“Nga gjithë prangat jam çliruar,

Të jem e lirë sa ti vërtetë,

Por dhimbja prangë e plagë mbeti,

E s' munda të çlirohem dot një jetë.”

 

Këto vargje, hedhin velin e dëshpërimit të një periudhe të rëndë shpirtërore, ku natyra dhe përvoja e jetës lidhen ngushtësisht dhe padyshim e ndjekin në jetë. Poetja, tashmë e njohur Eva Gavani, përdor imazhe të fuqishme si "shkule rrënjë e tunde gjeth" duke e tundur edhe poezinë në kontekstin figurativ për nga ndjeshmëria, për të përshkruar humbjen, pasuar nga ngrirja dhe dhimbja, të cilat bëhen "prangë e plagë". Ajo reflekton mbi çlirimin nga prangat, por dhimbja mbetet, ajo nuk mund të çlirohet. Një metaforë për përjetimet që i sjell kaq reale e të ndjera përmes vargjeve, e cila flet brenda nesh, qan, madje uëlrinë kur lexon poezinë. Sado të dua të kërkoj e të gjej një “oaz” për të pushuar, poezia e saj është shumë e ndjeshme dhe pasqyron ndjenjën e peshës së ngjarjeve të jetës, ku ndonëse mund të duket se kërkon të fitojë njëfarë lirie, dhimbja mbetet e lidhur thellë me shpirtin e saj, udhëton bashkë me të.

Ilustrimet që sjell përshkruajnë peizazhe të natyrës, “pemë të shkulur”, ku në imagjinatë të vijnë natyrshëm rrënjët e saj të nxjerra nga toka, “bari i ngrirë”, që përfaqësojnë një periudhë të vështirë të jetës, të shkatërruar, e cila ka sjell këtë brengë, një atmosphere kjo, tejet e trishtuar, që pasqyron thellësisht shpirtin vajtues të poetes dhe që i jep nota prekse elegjisë.

 

Alegorizmi si shprehje e thellë e shpërfaqes artistike të ndjenjësNjë qytet i mbyllur, me porta të mbyllura dhe rrugë të braktisura, që tregon ndarjen nga diçka e shtrenjtë, që  tani është vetëm një kujtim e që gjithcka është kthyer në legjendë. Jo më kot përmendet legjenda në këto vargje. Kuptimi alegorik me fines e zgjuarsi intelektuale e jo vetëm, sepse poetja ka një bagazh të pasur të shprehive me leksik të gjetur artistikisht, ka ditur ta sjellë madhështinë e dhimbjes dhe të jetëgjatësisë së jehonës e forces që ajo mbart. Ajo legjendë tashmë e dhimbjes, po e tret poeten pak nga pak. Vëmë re se alegorizmi është shumë i thellë e shprehës. Dhimbja vazhdon të jetë e pranishme, ajo jeton me poeten dhe percillet tek lexuesi si elegji vargjesh që qajnë e vuajnë.

 

Si në legjendë vëlla i dashur,

Ti vjen si Kostandin mbi kalë,

Sa herë thërras në dhimbje tretur,

Sa herë kërkoj frymën të ndal.

Legjenda e Kostandinit dhe Doruntinës është një histori e njohur në folklorin shqiptar, që ka lidhje me dashurinë, sakrificën dhe heroizmin. Ajo është një nga legjendat më të njohura dhe ka pasur një ndikim të madh në formimin e kulturës dhe identitetit shqiptar. Kjo legjendë është e lidhur ngushtë me tragjiken dhe heroizmin ndaj ndarjes dhe sakrificës. Sipas legjendës, Doruntina e kërkonte vëllain e saj dhe, për këtë arsye, në një akt të mrekullueshëm, Kostandini i varrosur, u ngrit nga varri për t'i përgjigjur thirrjes së motrës së tij. Ai bëri një udhëtim për t'u bashkuar me të dhe për ta shpëtuar nga dëshpërimi dhe dhimbja. Akti i ngjalljes dhe kthimi nga varri është simbol i dashurisë së pandalshme dhe të shenjtë midis motrës dhe vëllait, si dhe një shenjë e sakrificës dhe heroizmit. Krahasimi tek “Elegji për tim vëlla” vjen i dukshëm dhe rënqethës.

Gjithashtu shohim një lidhje simbolike (sepse alegorizmi vjen nëpërmjet simbolizimit) me legjendën e Kostandinit dhe Doruntinës, nëpërmjet temës së sakrificës, humbjes dhe dhimbjes që nuk mund të shlyhet. Kjo ndjenjë e dhimbjes dhe humbjes pas një sakrifice të madhe mund të shihet edhe si një paralelizëm figurativ në këtë poezi. Elegjikja, vuajtja, dhimbja mbeten "prangë" e pashlyeshme që e mban të lidhur me të kaluarën. Humbja e thellë dhe e dhimbshme që nuk mund të harrohet, e bënë atë të aludojë, të ëndërojë t’i kthehet i vëllai si Kostandini, por është e vetëdijshme se kjo ndodh vetëm në legjenda. Po kështu, në poezinë e Gavanit, procesi i çlirimit është një udhëtim i mundimshëm, dhimbja mbetet një ngarkesë shpirtërore që nuk mund të largohet, duke pasqyruar ndjeshmërinë dhe thellësinë e luftës brenda individit.

 

Nga Dr. Shpresa Fundo Gjergji

 

 

 

ELEGJI PËR TIM VËLLA

 

 

Si në legjendë vëlla i dashur,

Ti ngrihesh si Kostandini mbi kalë,

Sa herë thërras në dhimbje tretur,

Sa herë kërkoj frymën të ndal. 

 

Ti je supi që kurrë se pata,

Je fjala e munguar,

Je zemra që më ndalet,

Dora që mbet' shtrënguar. 

 

Ti loti që kurrë nuk rrodhi,

Por brenda shpirtit u bë det,

Je brenga që kurrë s' më doli,

Je brenga që brengat vret. 

 

Sepse nuk kisha tjetër,

Ta thërrisja vëlla si ti,

E s' pati kush në jetë tjetër,

Të ish I Lirë sa ti. 

 

Se shkule rrënjë e tunde gjeth,

E barin krejt e ngrive,

E ike tretur në legjendë,

Portat e një qyteti mbylle. 

 

Nga gjithë prangat jam çliruar,

Të jem e lirë sa ti vërtetë,

Por dhimbja prangë e plagë mbeti,

E s' munda të çlirohem dot një jetë. 

 

Si në legjendë vëlla i dashur,

Ti vjen si Kostandin mbi kalë,

Sa herë thërras në dhimbje tretur,

Sa herë kërkoj frymën të ndal.

 

( Eva Gavani 9 dhjetor 2024)

 

8 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page