top of page

Shpresa F. Gjergji: Kujtime në 6 muajt e ndarjes nga jeta



 

ELEGJI PËR  MOTRËN

dhe shpirtdhimbja e poetit në kujtimet e mia

(Kujtime në 6 muajt e ndarjes nga jeta)

 

Nga dr. Shpresa Fundo Gjergji

 

Sot në përkujtimoren e ndarjes nga jeta të poetit  Arqile V. Gjata, mbushen plot 6 muaj që nuk është më pranë nesh dhe unë ndjej mall. Lexoj poezinë  “Elegji për time motër”, e shkruar dikur nga ai vetë, kujtimet më rrjedhin si “lumenjtë e tij të vjetër” e them me vete, ti poet nuk harrohesh. Ti je ndër vargje i dashur poet, ti rrjedh si “lumi”e nuk shterr, ti je i gjerë si “deti” plot mistere, ti je minier ari që duhet gërmuar, ti mbetesh përgjithmonë Arqile V. Gjata, një poet lirik, që ke hedhur në vargje shpirtin e tënd.Gjata si i tillë, ka gdhendur në fjalë jetën dhe veprën e tij. Vargu i tij shpesh ndihet i dhembur,  rënkon me poetin e jo vetëm.

Sot mu zgjuan kujtimet dhe si mbesa e poetit, nuk dua t’i humbas. Ndoshta edhe se mosha, vjen një ditë e bën të sajën, por edhe se nga dajua im, mësova që të shkruara ato flasin…

E mbaj mend, sa shumë ka qarë (poetët qajnë, qajnë edhe me lotë, edhe me shpirt, edhe me fjalë). E donte shumë të motrën. E kishte patur si derë të madhe shtëpinë dhe zemrën e saj. Mbaj mend nga nëna ime, që më pat treguar për xhaxhi Lean (kështu e thërrisja unë), që në moshë të vogël është përballur me humbjen e motrës së tij binjake. Kur kishte lindur Arqilea, kishte një motër binjake të quajtur Luiza. Luiza e bukur në vitet e vështira të kohës pas luftës së Dytë Botërore, në 1946 ishte sëmurur shumë nga "grykët e bardha", një sëmundje vdekjeprurëse që i mori jetën nga temperatura e lartë në moshën 4 vjeçe. Arqilea mbeti pa gjysmën e tij dhe e vuajti shumë që fëmijë. Më pas edhe nëna e tij e ndjera, u largua para kohe nga kjo botë dhe gjithë mbështetjen e gjeti tek motra e madhe Violeta. (S'mund ti mbaj lotët). Vdekja e Violetës, motrës së madhe të Arqilesë, ishte trishtim i madh edhe për mua si për të gjithë familjen tonë. Por për Arqilenë ishte edhe më e vështirë, sepse ai kishte vite që jetonte në emigracion, Athinë, Greqi. Kishte marrë me vete kujtimet dhe malli e dogji. Ai nisi të shkruante sepse jo vetëm kishte talent (e kishte provuar edhe më parë, në kohën e rinisë të shkruante). Me ndarjen nga jeta të Violetës ai iu dha më tepër poezisë. Shkruante pa pushim, nisi të botonte librat e parë. 

Më kujtohet kur vinte nga Athina dhe mezi priste botimin e librit. Të parës ma dhuronte mua. Më drejtohej, për “profesoren” time (sepse unë, përpos profesionit të mësuesit, isha edhe brenda fushës ku Arqilea shkruante - e gjuhësisë). Më donte shumë, më kish një konsulente të mirë. 

Kur shkruajti "Elegji për time motër", pas disa vitesh që nuk e kishim pranë, nuk ishte çudi që për të, vitet nuk kishin kaluar. Ai vazhdonte e ndjente gjithnjë e më tepër largimin e saj. Si për të përmbushur atë boshllëk që ajo i la, ai shkruante: "Në çelje të pranverës unë qaj...!" Dëshpërim i madh. Brenda vargut të tij flet nënteksti. Unë e pyes veten, a mund të qash kur hyn pranvera?! A ka gjë më të bukur se stina e pranverës?! Pranvera është jeta, natyra zgjohet dhe fillon lulëzimi! Pse poeti qan?!

Dëshpërimi i tij nuk zhdukej...përkonte me kohën e vdekjes së motrës dhe poeti ndjente dhimbje, nuk e gëzonte dot pranverën, jeton me dhimbjen e tij. Sytë e tij sa herë vinte në Vlorë, kishin lotë dhimbjeje e lotë malli. Ai nuk e fshihte kurrë, ishte i butë e shpesh ndihej zemërprekur.

Malli për të nuk shuhet, e kërkon vazhdimisht të motrën ndër vargje, ajo kishte qenë për të si ai mali ku mbeshtetej. Tashmë i ishte rrëzuar... dhe poezia e tij vajtuese thotë:

…Motër,

nuk e di,

përse s’më troket në ëndërr?!

 

Një pyetje retorike, që vetë poeti ia dinte përgjigjen. Por ai ashtu ishte. Atë që ndjente e shkruante. Ndërsa tregon shpirtin e tij, ai mes lotësh di të tregojë në pak rreshta edhe dhimjet që ka kaluar ajo në jetë, për të cilat edhe atij i dhëmb. Ata bashkë i qanin hallet. Ata bashkë qeshnin e qanin. Së bashku i kishin kaluar sfidat e jetës. Kishte shumë dhimbje dhe dashuri mes tyre.

 

"Sa shumë vite e larguar,

dhimbjet  e jetës nuk i mblodhe dot,

ato lëkunden tek kryqet pak më larg teje..s’i ke pare

natën si rënkojnë nga plumbi i zjarrt?!"

 

Pas vdekjes së Violetës, motrës së madhe të Arqilesë, ne, në familje përjetuam edhe një dhimbje tjetër të madhe. Djali i vogël i Violetës, pas vdekjes së saj, u nda nga jeta papritur. Prandaj dajua shkruan "dhimbjet e jetës nuk i mblodhe dot", e ka fjalën për të birin e saj. Kjo ishte një goditje në shpirtin e tij dhe shpesh e kujtonte mamanë time dhe shkonim së bashku edhe me Xhenin, gruan e Arqilesë, e i ndiznim një qiri tek varri, ndërsa nuk rreshtnim të derdhnim lotët mbi mermerin e Idlirit, nipit të tij e vëllait tim të ndjerë, Arqilea me lotë në sy i thotë:

 

"Të kishim nënë e motër,

mes krahëve të tua hallet qaja.

Kam mall të më thuash:

-Si je vëllaçko?!"

 

Arqilea ishte realist në vargje. Ai nuk shkruante kot. Vargjet e tij kanë kuptime të mëdha e janë të ndjera me shpirt. E kujtoj shprehimisht, dhe jo më kotë, se si e cilëson prof. Fatmir Terziu, në një shkrim kushtuar poetit Gjata tek Kritika ndryshe, Vëzhgim në brendësi të prozës dhe poezisë shqiptare,  ai thotë: "Shpirtdhimbja e poetit që krijon bukurinë në fjalë". Dhe kjo është e dukshme, si poeti Arqile V. Gjata i përket poezisë lirike. Është dhe mbetët poet lirik i mirëfilltë. Dhe jo vetëm për mua, por janë të shumtë poetët që e kanë njohur dhe e kanë lexuar, janë të shumta  mendimet dhe shkrimet e tyre, se vepra e tij dhe krijimtaria e tij poetike ka vlera të patjetërsueshme dhe ai si poet edhe shkrimtar la gjurmë të thella me veprën e tij!

 

Kur ai thotë:

 

"Eja motër, të lexojmë së bashku kujtimet e jetës!" - Lea i dhemshur jetonte me kujtimet. Pikërisht ishin kujtimet e tij dhe përjetimet jetësore, që ai të ndiqte rrugën e rrëfimit nëpërmjet vargut poetik. Madje jo vetëm si poet, por edhe në shpirt, nëse e kupton kur e lexon, Arqilea kërkon të sakrifikohet, ai edhe në jetë të falte shpirtin. 

 

Tek poezia për të motrën, vargu i tij të përlot dhe ti e kupton që ai vuan: 

 

Sa herë që vij në Vlorë të puth,

të përqafoj, o motër!

"Mbi mermerin e ftohtë ka gropëza me lotë,

do t’i mbledh me grushtat e mi,

të ujisë  një qeparisë,

si kujtim për ty të rritet!"

Pra "lotët" për të motrën, ai vetë dëshiron ti mbledhë, dhe kur thotë me “grushtat e mi”, kjo nënkupton që për të derdhet shumë lotë… (ka shumë dhimbje), aq sa duhet të mbushen grushtat. Madje merr përsipër t’i shërbejë edhe kur ajo nuk është më në këtë botë, kërkon të ujisë qiparisin pranë varrit të saj. Këtu vargu i poetit lexohet nëpërmjet nëntekstit. Por ashtu siç e shoh unë, ky është sakrifikim poetik. Kjo ndodh sepse poeti në këtë mënyrë shpreh dhimbjen.

 

Gjata mbetet nje poet me shpirt të madh. Nuk kishte hasmërira, nuk mbante inate e mërira, nuk mërziste njeri, ishte i gjendur e i dhemshur. Kur e takoja vija re qe kishte nje energji ndryshe. Ishte shume praktik dhe dhuronte pozitivitet. E shprehte gëzimin me miqtë e me shokët. Ishte alegro në familje, i pëlqente muzika, kërcente. Ishte i papërtuar e ndihmues. Ishte jashtëzakonisht vlerësues i asaj që kishte, familjes, bashkëshortes, miqësive, natyrës, detit, diellit...mbi të gjitha ishte i dashuruar me fjalën. Donte të shkruante dhe 20 vitet e fundit shkruante pa pushim. E donte kaq shumë ta kishte Arqilenë brenda vargjeve, brenda librave, brenda ndodhive e situatave letrare, amaneteve, porosive, vlerësimeve të çmuara, që i dhanë jetë për aq sa jetoi.

 

Gjithçka e përjetuar, për aq sa shkruajti, janë vargje ku fjalët kanë peshën e shpirtit. Ato janë të stisura e të zgjedhura me një finesë poetike, letrare e artistike, që tregon se poezitë e tij janë unike, ai ishte e mbetet me gjithë kuptimin e fjalës “shpirt poeti”, ishte i vertetë, ishte e mbetet fjalë mençur. Mes miqëve e shokëve ai ishte më i thjeshtë e më i kuptueshëm, ishte mishërim i sinqeritetit. Shpesh ishte edhe euforik e donte ta paramendonte suksesin. Kënaqej shumë kur realizonte punët e tij të shkrimeve. Është lumturia e poetit kur i botohet libri.

Më kujtohet kur vinte në Vlorë, së pari do takonte miqtë e shokët e tij. Fliste e bisedonte me ta, por ishte fjalëpak. Dëgjonte shumë. Nuk mburrej. Shpesh përlotej, kishte mall për Vlorën në veçanti. Vinte shpesh në shtëpinë time. E ftoja shpesh, drekonim bashkë,  edhe Xheni, e shoqja e Arqilesë, na bashkohej, dilnim për kafe, punonim në kompjuter për orë të tëra bashkë. Kur merresha me redaktimin e korrektimin e librit Mozaik Letrar të Arqilesë, flisnim shpesh, kishte merak se mos e vonoja. Kujtoj, ishte shumë entuzist kur e përfunduam dhe e nisëm drejt shtëpisë botuese, tek z. Roland Lushi, që e përshëndes përzemërsisht.

Librin e parë, kur sapo dolën nga botimi, ma dhuroi me një dashuri të pamatë. Kishte shkruar shprehimisht me shkrimin e tij:

 

"Ja dedikoj znj. Shpresa Gjergji (Fundo) me shumë përkushtim dhe mirënjohje për punën e saj të shkëlqyer në përgatitjen e kësaj vepre letrare. 

Ju faleminderit Shpresa

Arqilea

Dt 16. 07. 2017, Vlorë 

 

Një autograf i tij, që për mua ka vlerë të madhe. Është një kujtim dhe rizgjim në të njëjtën kohë, që të di të vlerësoj njerëzit e punës, dashurinë e tyre, përkushtimin në jetë dhe të kem nderin të mund të vazhdojë rrugën e tij... 

 

Kur botoi Poezi të zgjedhura- "Kur thinjet deti" ishte jashtëzakonisht i lumtur, jo vetëm për faktin se kishte nxjerr diçka të bukur në dritë, por dajua im e vlerësonte së tepërmi fjalën dhe mendimin e prof. Fatmir Terziut. Në hyrje të librit thuhej:  "Tredimensionaliteti i poezisë së A. Gjatës" - me rastin e 70 vjetorit të lindjes. Dhe do të theksoja me mburrje se profesori i jep Arqilesë një vlerësim tejet të merituar, ku ndër të tjera e quan poetikën e tij: "Poezi që ndërtohen mes një itinerari logjik të mendjes, gatesë elokuente të shpirtit dhe paraqitjes estetike. Duke theksuar që "Gjata është padyshim një poet i mirëfilltë, një mjeshtër vargu, një prurës i këndshëm e merakli i fjalës së bukur artistike". Ishte vërtet i lumtur sa s'thuhet. Ndërkohë më shkruan dedikimin me shumë dashuri:

 

 Shpresa jonë e dashur! Sot po ju dhuroj një pjesë nga shpirti im, që ju do aq shumë. Uroj të keni veç gëzime dhe sa herë që të keni kohë, lexo diçka nga ky vëllim poetik...por jo tani, mbas disa vitesh...! Këtë vëllim mbaje si një kujtim të veçantë nga dajua juaj. 

Me shumë dashuri, Arqilea.

Dt. 15. 05. 2012

 

Dua ende të kujtoj se në 2014, botoi "Lumenjtë janë të vjetër", dhe është një e vërtetë që s'mund të mohohet. Poeti ka një finesë në zgjedhjen e titullit të librit. Si edhe titujt e tjerë plot kuptim, edhe ky titull ka një alegori të thellë. E dimë të gjithë që lumenjtë janë pjesë e shndrimeve natyrore dhe kanë zanafillën e tyre. Por edhe të vjetër ata rrjedhin, nuk ndalin ashtu si puna e pandalur e poetit, pavarësisht moshës. Kishte një vrull ndryshe dhe energji të çuditshme që e bënte të kërkonte gjithmonë nga vetja. Dhe ishte entuziast kur ma solli librin, i lumtur më shkruajti dedikimin e tij:

 

"Shpresës që e kam si një princeshë, mbesës së mrekullueshme që aq shumë e dua.

Me dashuri, Arqilea!

18. 07. 2014

Kujtimet janë të shumta, janë të bukura se, me thënë të drejtën, ne me kujtimet jetojmë. Tanimë të dashurit tanë prej kujtimeve, i kemi në memorje. Por kujtimet për dajon tim s'kanë fund. Ai në çdo rresht që unë lexoj, më zgjohen kujtimet për të, por ato më shtohen akoma, sepse fjala e shkruar që ka lënë më zgjon imagjinatën dhe mendimin e thellë dhe them me vete: Ti ishe e mbete dajua im i thjesht e i dhembshur, por edhe fjalëarti dhe i mënçuri që me bukurinë e shpirtit ke qëndisur poezinë lirike shqiptare. Ky është vlerësim i merituar, kjo është krenari për mua! Më thoshe me kënaqësi “profesorja ime”, sepse ne bashkëpunuam gjatë, por në fakt ti mbetesh profesori im, sepse une po mesoj akoma nga gjithçka që ke lënë të shkruar! 

Nderime për penën tënde të talentuar e të mençur! Mirënjohje çfarë ke lënë pas! 

 

Prehu i qetë!

I paharruar kujtimi yt!

Dt. 13. 03. 2025

 










 
 
 

Kommentare


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page