top of page

SHPENDI TOPOLLAJ: TË MOS PRESIM QË DEMOKRACINË DHE PËRPARIMIN TË NA I SJELLIN TË HUAJT


SHPENDI TOPOLLAJ

TË MOS PRESIM QË DEMOKRACINË DHE PËRPARIMIN TË NA I SJELLIN TË HUAJT


(Intervistë dhënë gazetarit Albert Zholi)

Pyetje: Flitet shumë për drejtësinë e re shqiptare. Dikush thotë se është bërë një punë e mirë, dikush tjetër se është e njëanëshme, dikush tjetër thotë se ka ndikim të drejtpërdrejtë nga qeveria. Cili është mendimi juaj për sistemin e ri të drejtësisë shqiptare? A po ecën në shina të sigurta?

Përgjigje: Në artikujt e mi të mëparshëm, si jurist jam shprehur rreth kësaj që ju pyesni, dhe kam mendimin se sido që ka ecur ky reformim, së bashku me qortimet apo tufat e luleve që i hidhen proçesionit të gjyqtarëve në rrugëtimin e tyre drejt fronit të perëndeshës Temida (Justitia te romakët), përsëri ai nuk mund t`i shpëtojë konstatimit të Walt Whitmanit se “Duke gjykuar nga pjesët kryesore të historisë së botës, drejtësia është gjithmonë në rrezik”. Ca më shumë në rrezik është drejtësia jonë e cila duket se ka marrë përsipër shumë më tepër nga çka presupozon ajo statueta e Hans Giengut që juristët mbajnë mbi tavolinë. Në sytë e opinionit tonë po krijohet përshtypja se tani që u krijua SPAK, shpëtoi Shqipëria. Natyrisht që atje ka edhe njerëz mjaft të mirë e me integritet, por propaganda servile po krijon idenë se këtu po instalohet e ashtuquajtura “Republikë e Prokurorëve”, një term i panjohur më parë në teorinë e shtetit, dhe se duke dënuar disa të paprekshëm, pra me anë frikësimesh, do të ndalet korrupsioni. Kjo nuk ka fare llogjikë, se po të ishte kështu, do e praktikonin të tjerët shumë më përpara nesh. Prokuroria si pjesë e atij mekanizmit gjigant që regullon marrëdhëniet shoqërore, pra si palë akuzuese i ka të përcaktuara dhe të kufizuara detyrat e saj me ligj. Do të çojë në gjykatë çdo hajdut e abuzues me detyrën e ngarkuar, sipas parimit të njohur të Ciceronit se “Drejtësia e tejskajshme është padrejtësia më e madhe”. Ju tani kërkoni të jap mendimin tim rreth tre qëndrimeve që kanë si forcat politike ashtu dhe njerëzit në përgjithësi; pra, se është bërë punë e mirë, se ajo është e njëanëshme dhe se ndikohet drejtpërdrejtë nga qeveria. Të treja këto alternativa qëndrojnë, kush më shumë e kush më pak. Por nuk duhet harruar se edhe sikur këto të përjashtohen, është diçka tjetër që e komprometon drejtësinë tonë, pra atë të një vendi sovran, të pavarur dhe me dinjitet: vartësia nga të huajt e kryesisht nga SHBA. Po si mund të besohet se do të eksportohet drejtësia ashtu sikurse desh të bënte Che Guevara me revolucionin në Afrikë dhe Amerikën Latine? Pastaj, është tjetër gjë të ndihmosh një vend mik dhe krejt tjetër që për hir të kësaj ndihme, të diktosh për interesat e tua duke u përzier në punët e brendshme të tjetrit. Dhe kjo marrje në vartësi të sistemit të drejtësisë, a nuk e shihni se më shumë e ka ngatërruar jetën politike në vendin tonë? Nuk më duket aspak normale, edhe kur një shtet mijra kilometa larg, dekoron Prokurorin tonë. Për çfarë e bën këtë, veçse për shërbimet që u ka bërë atyre, pra duke zbatuar urdhërat e botës. Kohë më pare, për këtë problem kam botuar në gazetën tuaj artikullin “Misionar i shqiptarëve zoti Prokuror, jo i amerikanëve”. Ne sot kemi një armatë juristësh të shkolluar brenda dhe jashtë vendit dhe a nuk është fyerje për ta që drejtësia jonë t`u besohet të huajve? Politika shqiptare, unanimisht është e orientuar drejt aleancës me Amerikën dhe mendoj se kjo është patjetër në interesin e të gjithë Kombit tonë. Patjetër që për ndihmën që ai vend i madh na dha për bërjen e Vetingut duhet t`i jemi mirënjohës, por jo deri këtu.

Pyetje: Po afrojnë zgjedhjet e reja. P.S. po tenton të fitojë mandatin e katërt radhazi. P.D. ende vazhdon përçarjen dhe pse po përpiqet të gjejë gjuhën e bashkimit. Sigurisht avantazhi i P.S. është dhe administrata. Si i mendoni zgjedhjet e ardhshme? Po ashtu, a do të ketë ndonjë ndikim vota e emigrantëve dhe a mund të kemi ndërhyrje për ndonjë deformim të saj?

Përgjigje: Çdo parti atë detyrë ka: të fitojë zgjedhjet. Sa për avantazhin e P.S. nuk është vetëm administrata. Ajo ka me vete të kaluarën, pra trashëgiminë e gjatë nga periudha komuniste, ku është një masë e madhe me prirje rreptësisht të majta dhe të lidhur me atë të kaluar dhe me njëri - tjetrin me shumë reminishenca. Synimi për të mos e mohuar atë të kaluar, qoftë edhe me gabimet tragjike që mbart me vete, i ka forcuar atyre unitetin dhe disiplinën dhe nevojën për të mbrojtur interesat; të gjithë shkojnë në zgjedhje pa përjashtim. Kanë me vete edhe mbështetjen e ndërkombëtarëve, taktikat diplomatike të të cilëve janë sa të çuditshme aq dhe të pazbërthyeshme. Se nuk ka sesi të shpjegohet ndryshe goditja që i është bërë forcave opozitare, ku edhe pa këtë, ka plot të pakënaqur, të zhgënjyer që janë shndërruar në indiferentë dhe as që paraqiten fare në Qendrat e Votimit. Të shpresosh se do të ringjallësh frymën e fillimviteve 90 - të është gabim. Ishte tjetër moment historik, social, ekonomik, politik dhe pse jo, edhe psikologjik. Pastaj, partia në pushtet ka pasur mundësi të bëjë për vete me anë favoresh ata që ne i quajmë oligarkë. Pra, mundësitë financiare të tyre janë mjaft të mëdha. Aparati propagandistik i tyre, me eksperiencën dhe mundësitë që ka, sidomos për të shigjetuar kundërshtarin, funksionon me kapacitet të plotë. Akoma vazhdon avazi i qëndrimeve gjatë Luftës së Dytë Botërore nga baballarë e gjyshër, kur bota ia ka lënë atë muzeumeve. Edhe dështimet apo skandalet e korrupsioni që shohim çdo ditë, drejtuesit e atij krahu, dinë t`i kthejnë në sukses dhe t`i mbulojnë mjeshtërisht edhe me arritje të cilat nuk mund të mohohen. Opozita e cila u katandis në këtë gjendje nga qëndrimi prej mosmirënjohësi dhe frikacaku i një drejtuesi të formatuar artificialisht, është kjo që është falë zgjimit të energjive të udhëheqësit historik të saj. Prandaj dhe e gjithë lufta, deri dhe televizive, nga mëngjesi në darkë synon mënjanimin e tij, çka do të sillte shpartallimin e padiskutueshëm dhe përfundimtar të kësaj opozite. Kjo do të ishte fatkeqësia më e madhe. Dhe diçka tjetër; të gjitha forcat politike, jo me lista të hapura, jo me të mbyllura nuk para merakosen për të vënë më të aftët, por më besnikët dhe të “fortët që sigurojnë vota. E di si thosh gazetari amerikan Kin Hubbard: “Të gjithë duan të votojnë për më të mirin, por ç`e do se më i miri nuk është kurrë mes kandidatëve”. Por të mos ua hamë hakun se edhe këta lloj kandidatësh, e kanë një aftësi; t`u hedhin pluhur syve popullit, sikurse thosh nobelisti i vitit 2006 Orhan Pamuk. Sa për mundësinë e deformimit të votës së emigrantëve, ky mbetet problem i hapur, si gjithçka që këtu nuk ka garanci absolute. Le të fitojë ajo forcë politike që merr më shumë vota, veç duhet ditur se nuk shkohet jeta duke dëgjuar përditë e për natë sherret e tyre. Politikanëve t`u punojë llogjika e jo arrogance e përbuzja për tjetrin.

Pyetje: Në P.S. thuhet se ka dy rryma që “luftojnë në heshje”, rryma apo krahu i fortë i kryeministrit që mbështetet nga Balluku dhe ministra të tjerë dhe rryma apo krahu tjetër mbështetës i Erion Veliajt. A ndihen turbulenca mes këtyre dy krahëve në P.S. dhe cili është krahu më i fortë sipas jush? A do të ndikojë në zgjedhje kjo lloj lufte e heshtur?  

Përgjigje: Edhe pse unë jam në atë moshë për të cilën N. Makiaveli mendonte se: “Sa më shumë rërë që ka zbritur nga ora e qelqtë e jetës sonë, aq më qartë shohim nëpër të”, përsëri etika nuk ma lejon të diskutoj rreth zhvillimeve brenda një partie ku anëtarët e dinë vetë se ç`bëjnë. Por them që sikur atje të kishte debate e mendime të kundërta, kjo do të qe shumë e shëndetëshme edhe për shoqërinë në përgjithësi. Se kam idenë që pikërisht kjo i mungon asaj partie. Nuk e di sesi mund të trimërohet Kryetari i Bashkisë dhe t`i dalë kundër Kryeministrit, sidomos tani që ka për të dhënë disa shpjegime para organeve të drejtësisë për kobat e llahtarshme që kanë bërë drejtorët e tij. Ai ka nevojë për mbrojtjen e Kryeministrit. Pastaj, beson ti se ato ministret që edhe vetë nuk e besojnë se janë të tilla, dhe nuk ua dimë as emrat, do të bëhen sokolesha dhe do të intrigojnë ndaj Edi Ramës që i mori nga anonimati dhe i ngriti në ato lartësi, ku nuk e ka fare problem t`i zbresë sërish atje ku qenë? Në duart e tij janë përqendruar aq pushtete, sa kundërvënien nuk e kanë shkuar në mend as burra me reputacion të madh në drejtimin e vendit, qoftë dhe kur kanë rënë nga fiku. Tjetër gjë pastaj, dëshirat e subkonshiencës, se kjo është në natyrën njerëzore. Nuk qëndron si krahasim, se nuk ka asnjë bazë, por kujtoni Byroistët e asaj kohe që edhe pse e shihnin sesi i priste kokat e shokëve Enveri, përsëri dridheshin e përgjëroheshin për të. Kjo është e rrezikshme se sjell kultin e personit me pamje demokrati, pra krijon preçedentin aspak të mirë të udhëheqësit të përjetshëm, babait të Kombit. Ja pse, kam mendimin se pavarësisht se kush i fiton zgjedhjet, pasi të gjithë vëllezër jemi, duhet vendosur me ligj e drejta e qëndrimit si në krye të pushtetit ashtu edhe të partisë, jo më shumë se dy mandate.

Pyetje: Soros tashmë është kthyer në një problem mbarëbotëror. Në shumë shtete ka mbështetje, në disa të tjera është shpallur i padëshirueshëm. Sa ndikim ka Soros në Shqipëri? A ka sjellë ai një frymë përçarjeje në politikën botërore? Cila është politika e Soros në ato vende që ka ndikim?

Përgjigje: Duhet pasur parasysh se në vitin 1999 George Soros është dekoruar nga Presidenti ynë me urdhërin e lartë “Gjergj Kastroti Skënderbeu”. Ju e dini devizën e tij: “Më pëlqen të fitoj shumë para dhe pastaj t`i shpenzoj për qëllime të mira”. Dhe realisht ai është njëri nga filantropët më të mëdhenj. Por edhe nga më të dyshimtët e më të diskutuarit. Ka dhënë shpjegime në njërin nga librat e tij “Soros mbi Sorosi”, por përsëri rreth jetës, veprës dhe synimeve të tij ka shumë pikpyetje. Paqartësitë për të nisin qysh nga fëmijëria, ku ai jo vetëm fshihte përkatësinë hebreje në Hungari dhe fillimin e pasurimit prej atyre që nazistët u merrnin, por edhe për financime si për politikanë ashtu dhe për media të ndryshme, duke i shndërruar gazetarët, pak a shumë në agjentë të tij. I mirëarsimuar dhe i vendosur përfundimisht në SH.B.A. Zhorzh Sorosi u ndikua nga filozofia e Karl Popperit (1902 - 1994), autor i librit “Shoqëri e hapur dhe armiqtë e saj”, dhe bëri të vetën teorinë e refleksivitetit, sipas të cilës idetë kushtëzojnë ngjarjet dhe ngjarjet kushtëzojnë idetë, çka sillte çuarjen te tregjet që kanë cikle të virtytshme, sipas tij, pra që sjellin zhvillime dhe dështime të vrullshme. Guximi, nuhatja dhe deri riskimi në krijime fondacionesh me emër, ndofta dhe duke shkelur ligjet në fuqi, e pasuruan së tepërmi dhe ai e shtriu influencën në shumë vende, kryesisht lindore. Ai luajti një rol të madh në financimin dhe nxitjen e revoltave të armatosura të vitit 1997 (ndaj dhe u dekorua dy vjet më pas), që çuan në rrëzimin e qeverisë së djathtë në Shqipëri, njëkohësisht dha bursa për disa veprimtarë të rinj që u bënë të dëgjuar në realitetin tonë politiko - mediatik. Si në të gjithë botën, apo në vetë SH.B.A. ku ka financuar në fushatë kandidatë për president, edhe te ne, figura e tij dhe roli që ka luajtur mbeten të diskutueshme. Sidoqoftë, të djathtët e shajnë, të majtët nuk para i dalin për zot. Koha ndërkombëtarisht do t`i vërë një emër, këtij miliarderi tani në pension, të cilin edhe në Amerikë nuk e kanë për zemër. Nuk e di sesa do të ketë influencë i biri Aleksi, tani që ai i la kurorën.   

Pyetje: Fitorja e thellë e Trumpit tronditi botën. Ndoshta theu çdo parashikim. Cili është mendimi juaj për këtë figurë botërore që ka ngjallur kaq shumë interes? A jep në Shqipëri ndonjë mësim fitorja e tij? Ju personalisht çfarë mendimi keni për Trump?

Përgjigje: Unë nuk ngurroj të jap opinionin tim modest, për këta politikanët pasanikë shqiptarë, por të gjykoj Donald Trump - in, miliarderin e zgjedhur me votën e lirë të miliona amerikanëve në vendin më të fuqishëm e demokratik, të paktën brenda kufijve të atij vendi, më duket pak si paradoksale. Megjithatë po them se atë ditë kur plumbi i atentatorit, fatmirësisht, vetëm i shpoi veshin gjatë atij mitingut, i thashë sime shoqeje se tani e siguroi fitoren Trampi. Edhe Evander Holyfieldi me një vesh të kafshuar gjatë ndeshjes me Tajsonin, e siguroi fitoren. Por mund të them diçka lidhur me ca deklarata të habitshme që ai bëri para 20 janarit kur do të kurorëzohej si Presidenti i 47 - të i SHBA. E kam fjalën për Groenlandën, Kanalin e Panamasë dhe Kanadanë. Presidenti i ndjerë Xhon. F. Kenedi kur ishte në jetë pati thënë: “Nëse jemi të fortë, forca jonë do të flasë vetë. Nëse jemi të dobët, fjalët nuk ndihmojnë”. Tani më thoni ju; ç`duhen këto deklarata? Kujt i shërbejnë, veçse turbullojnë dynjanë. E keni parë të prononcohet Ministria jonë e Jashtme? Aspak! Po Groenlanda që banorët e atjeshëm e quajnë Kalaalit Nunaat, me mbi dy milion kilometra katrore dhe rreth dymbëdhjetëmijë banorë që e ka fituar autonominë qysh nga viti 1979 dhe e pasur me uranium e zink, pa folur për blektori, peshkim, e pozitë strategjike etj. është nën juridiksionin e Danimarkës. Dhe kjo e fundit është anëtare e NATO - s. Shih se çfarë ngatërrsash mund të pasojnë. Kurse Kanali i Panamasë mbi tetëdhjetë km. i gjatë po nga viti 1979 iu kthye përfundimisht shtetit të Panamasë. Si do e pranojnë ata kthimin e gjendjes të para kësaj kohe kur SH.B.A. kishte kontrollin e zonës deri tetë km. në të dyja anët? Pa folur për Kanadanë. Sidoqoftë, rizgjedhja e Trump nuk është se vlen si mësim për ne në Shqipëri, ku ngjarjet janë krejt të paparashikuara. 

Pyetje: Flitet shumë për sistemin shëndetësor. Edhe pse po luftohet korrupsioni, sërish shërbimi ndaj popullit në spitalet shtetërore lë për të dëshëruar. Mendimi juaj për rolin e qeverisë në këtë shërbim? 

Përgjigje: Të pakënaqur me shërbimin mjekësor, njerëzit do të jenë gjithmonë, pasi edhe një shpikje e re mjekimi, shoqërohet nga një sëmundje e panjohur më parë. Se fundja e thoshte bukur G.G. Marquezi se “Bisturia është prova më e saktë e dështimit të mjekësisë”. Nuk është se nuk kanë ndyshuar shumë gjëra për mirë edhe në këtë drejtim, por abuzimet me tenderat, ku ministri po ndiqet penalisht, mungesa e aparaturave të sofistikuara, të themi, skanera e rezonanca, mos furnizimi në kohën e duhur me ilaçe, rimbursimi i tyre sa për t`ua mbyllur gojën pacientëve, mos ushtrimi i kontrollve mbi furnizimin e farmacive kontrabandë dhe cilësinë e ilaçeve që na jepen, mos pranimi për të bërë “Check - Up” falas për ata mbi shtatëdhjetë vjeç, largimi i mjekëve te privati në orarin e punës në shtet si pasojë e dypunësimit, kërkimi haptazi i parave nga ana e tyre nëpër spitalet publike, nevoja për mjekë në qytete e zona të thella, apo shërbimet e prapavijës që ende nuk janë në lartësinë e duhur etj. e prishin imazhin e këtij shërbimi jetik për qytetarët. Mendoj se është më mirë të lësh pa bërë një objekt tjetër dhe me ato para të blesh aparatuarat e domosdoshme për të sëmurët që është e papranueshme të presin radhën me muaj të tërë.

Pyetje: Gangrenë e Shqipërisë, korrupsioni. Tashmë në pranga janë vënë shumë ish qeveritarë, por korrupsioni vazhdon. Ku e ka bazën ky korrupsion galopant dhe pse nuk luftohet nga vetë qeveria.

Përgjigje: Duket se qeveria është disi e lodhur. Gjithçka ka mbetur në dorë të një njeriu. Ky njeri edhe i papërlyer të jetë vetë, ka përgjegjësinë për vartësit e tij. Dhe jo vetëm morale, sikurse thuhet. Në atë vend ku është zgjedhur e ka për detyrë të vigjëlojë, pra t`i mbajë sytë hapur. Qeveria duhet të zbulojë dhe denoncojë e para shkelësit e ligjit dhe jo emisioni Stop, Fiks Fare apo stacionet e tjera, se ajo i ka të gjithë mekanizmat e duhura, veçse po i mungoi vullneti. Këtu janë bërë skandale të rënda dhe qeveria është munduar t`i fshehë, nga halli se mos diskreditohet vetë. Por kjo nuk është e drejtë. Askush nuk gëzohet kur ministrat dënohen nga gjykata, po fajet e tyre kanë qenë aq të dukshme dhe të rënda, sa nuk mund t`i mbronte askush. Po nuk duhet menduar se duke u dënuar disa zyrtarë nga drejtësia, do të vendoset rregulli i ndershëm e korrektesa. Nuk e zgjidh gjykata këtë çështje kaq shqetësuese. Së pari, duhet përmirësuar jetesa e popullit dhe jo pas tridhjetëepesë viteve, po ato pensione tallëse. Duhen gjetur forma e mënyra për fronte të reja pune me pagë të arsyeshme. Nga ana tjetër, duhen angazhuar të gjitha organizmat e shoqërisë se është ashtu sikurse thosh Victor Hugo se “Drejtësia e parë është ndërgjegja”. Ama, duhet apasur parasysh se edhe sikur të zgjidhen njerëzit më të devotshëm, përsëri shoqëria duhet të tregohet e vëmendëshme. Ishte kjo arsyeja që romakët e vjetër pranonin: “Corruptio optimi pessima”, që përkthehet: “Kur korruptohen të mirët, bëhen më të këqinj”.

Pyetje: Problemi më madhor i shoqërisë shqiptare është arsimi. Të rinjtë po ikin. Mësuesit nuk kanë nivelin e duhur për një arsim me standarde. Pse është zhvleftësuar roli i mësuesit dhe kërkesa në arsimin shqiptar?  

Përgjigje: Kjo është më trishtuesja për ne sot dhe për të ardhmen. Më takon të shkoj shpesh në takime me nxënës e mësues nëpër shkolla. Janë të gjitha të reja dhe të pajisura më së miri. Por vë re se mësuesit janë të pakënaqur. Jo me rrogat, por me interesin e nxënësve për të mësuar. Askush nuk sheh në rrugë nxënës gjimnazi, fjala vjen, me libra ndër duar. U vjen si turp. Autoriteti i mësuesve ka rënë. Ata kanë drojë të ngrenë zërin, të kërkojnë llogari. Dikur, ndofta vetëm një dhomë ku hynte era shërbente si klasë, për nxënësit e paveshur, por mësuesi ishte shenjtor. Para gati dymijë vjetëve Plutarku thosh se lumturia e njeriut qëndron tek edukimi dhe arsimimi dhe jo te pasuria që ke. Se pasuria e kombeve, mësonte Aristoteli, varet nga edukimi i të rinjve. Dhe e tërë shoqëria duhet të jetë e preokupuar për këtë edukim, si në shkollë ashtu edhe në familje, se ato janë të pandara. I keni dëgjuar sesi flasin të rinjtë, djem e vajza në mes të bulevardit? Është për të ardhur keq. Dhe këtu nuk duhet lënë pas dore edhe sporti i cili luan një rol të jashtëzakonshëm si në forcimin e fizikut, ashtu edhe të karakterit të fëmijëve. Se fëmijët mbetën pas vanitetit të celularëve. Mjedise sportive, është e domosdoshme të ngrihen sa më shumë. Duhen veprimtaritë sportive e kulturore jashtëshkollore dhe patjetër edukimi atdhetar. Të mos mohojmë gjithçka vjen nga përvoja jonë historike, se arsimi shqiptar ka pafund shembuj që ndriçojnë edhe sot e kësaj dite.  

13 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page