top of page

SHPENDI TOPOLLAJ: SHIJAKU I PARË ME DRITËN E TË VËRTETËS...


SHPENDI TOPOLLAJ: SHIJAKU I PARË ME DRITËN E TË VËRTETËS NGA HISTORIANI NIKOLLA SUDAR

(Rreth librit “Shijaku, ky oaz fisnikërie, atdhetarie dhe humanizmi...”)  

   Ndofta intuita prej kolonjari më ka shtyrë që të paktën prej gjysmë shekulli të ndjek besnikërisht porosinë e kolonjarit të madh, Fan Nolit, për të zënë shokë nga Shijaku, se ata sipas tij, janë burra që u zien gjaku, fjalë me të cilat Mjeshtri fisnik Nikolla Sudar çel librin e tij. Dhe njëri nga këta është padyshim ky historian dhe përkthyes, tek i cili përkrah vlerave të larta njerëzore dhe intelektuale qëndron plot dinjitet dashuria e pashterur për vendlindjen. Kur i hedh një vështrim të shpejtë gjithë veprës së tij dhe padashur të del përpara data e ardhjes së tij në jetë, pra 19 dhjetori i vitit 1940, po padashur të vjen edhe pyetja se ku e gjen gjithë këtë energji ky njeri që s`do t`ia dijë për moshë? Dua të besoj se kishte të drejtë Goethe që ndofta nisur edhe nga përvoja e tij (se pikërisht kaq ishte dhe ai kur përfundoi kryeveprën botërore “Fausti”), mendonte se “Jeta pa punë është pleqëri e parakohshme”. Se ja ku vjen Nikolla plot freski e vitalitet, me këtë libër, botuar tash së fundi, gjithmonë me synimin që dashurinë dhe mirënjohjen e tij për njerëzit e Shijakut dhe rolin që ata luajtën në histori, ta ndriçojë me dritën e së vërtetës. Dhe jashtë ç`do dyshimi, duhet pohuar se periudha më e deformuar dhe shpesh e shndërruar në shëmti është ajo e viteve 1939 - 1944, ku shumë figurave të nderuara dhe me kontribute të padiskutueshme, iu mohua gjithçka kishin bërë me ndershmëri e guxim në interes të lirisë së kombit dhe i ndoqi pas gjithë jetën ata dhe familjet e tyre, damkosja e pamerituar, rrjedhojë e marrisë komuniste e cila nuk përfillte as mësimin e drejtë të dialektikës hegeliane se “Njeriu s`është kurrgjë tjetër, veçse një varg i veprave të veta”. Shijaku me ato 64 fshatrat e rrethinave të veta, sikurse del te libri i Nikollës, në të gjitha ngjarjet madhore të vendit, nuk ka qëndruar duke mbajtur sehir. Banorët e tij me vetëdije të qartë kombëtare janë përfshirë në anën e duhur, kur Atdheu ka pasur nevojë për ta. Burrat e mençur dhe luftëtarët trima, janë rreshtuar në llogoret e para si të luftës për arsim e dije ashtu edhe për të mbrojtur e çliruar nga zaptuesit trojet e veta. Por gjithçka është zhvilluar në skenën e një konteksti të trazuar politik, ku aktorët, duke pasur regjisorë të ndryshëm, shpesh me botkuptime diametralisht të kundërta, kanë luajtur role jo gjithmonë në harmoni me dëshirat dhe nevojat e çastit dhe të perspektivës, dhe ku përpjekjet për të kapur pushtetin, sollën atë dëm nga i cili nuk po çlirohemi dot as sot e kësaj dite. Në zonën e Shijakut, pavarësisht modestisë së autorit Nikolla Sudar, askush më mirë se ai, nuk do të nxirrte nga skutat ku i kishin futur të vërtetat për individë me reputacion dhe për familje të nderuara të cilat së bashku korrigjojnë falsifikimet dhe mohimet e bëra. Se ai, pati fatin të punojë me përkushtim për vite e vite me radhë në njohjen e të vërtetave, në mbledhjen e fakteve e dëshmive dhe ekspozimin e tyre në një muze të historisë së asaj treve. Kjo periudhë i shërbeu atij për të arritur te përfundimi i Tukididit se “Historia është filozofia në shembuj”. Me këta shembuj Nikolla e ka ndërtuar librin e tij, duke nderuar pa asnjë ekuivok luftën partizane, dhe duke theksuar atë çka bënë bijtë e Shijakut për çlirimin e atdheut, shumë nga të cilët dhanë dhe jetën. Ja sesi shprehet vetë ai: “...kur ajo (lufta disavjeçare), përfshin mbarë botën e qytetëruar, kur nga fitorja e saj varet ekzistenca e kombit dhe kur për të mobilizohen, si asnjëherë tjetër, tërë forcat mendore, shpirtërore dhe fizike, atëherë ajo zë vend nderi në memorien e tij të pavdekshme”. Në Br. XXII - të S. që u formua, njëri batalion, i katërti ishte me djem të Shijakut. Por njëkohësisht në librin e tij, ai nxjerr sheshit edhe rrjedhojat që pasuan nga mllefet ideologjike, kopjimi i praktikave sovjeto - bolshevike që e kishte parimin bazë, marrjen dhe mbrojtjen e pushtetit me pushkë, apo inatet, cmirat, zilitë e deri hakmarrjet e ndonjë mendje e zemërngushti. Shtatë burra të fisëm vetëm nga fisi i shquar i Deliallisëve të shkuar në plumb, nuk janë pak për një qytet si Shijaku, pa folur për brengat dhe mundimet që i ndoqën të afërmit e tyre. Në çdo rrethanë populli i Shijakut ka qenë i qartë dhe e ka respektuar si pakkush domosdoshmërinë e veprimeve dhe qëndrimeve të përbashkëta për çështje madhore. Ata janë udhëhequr nga dashuria për njëri - tjetrin dhe nderimi për individë e familjet me emër, gjë për të cilën flet përfshirja thuajse e të gjithëve në lëvizjen nacional - çlirimtare. Por shumë prej tyre, me zgjuarsinë natyrore apo atë të kultivuar nëpërmjet shkollimit deri jashtë vendit, kur panë demagogjinë e komunistëve, të zhgënjyer, u tërhoqën dhe e vazhduan atë luftë me forcat nacionaliste. Të tillë ishin, intelektuali demokrat Minella Toçi, Komandanti i batalionit të zonës Osman Vora, patrioti Hysen Kokoli, studenti i Universitetit të Torinos, Metali Alite e plot të tjerë. Se është shumë domethënës ajo që bënë nacionalistët si Kapllan, Mustafë e Bahri Deliallisi në 20 nëntor të 1943, gjatë operacionit gjerman “Hafenfahrt” (shëtitje në bregdet), për të shpëtuar nga arrestimi disa nga drejtuesit kryesorë antifashistë si Fadil Dashi, komandant i batalionit të Parë të Pezës, Skënder Roda, komandant i batalionit të Ishmit, dhe ilegalë të tjerë, gjë që ishte mjaft e rrezikshme dhe ndofta sillte vetsakrifikimin edhe nga pionierë si Fiqiri Deliallisi e Sadik Tepshi. Dhe qenë po Deliallisët që me autoritetin e tyre i shpëtuan nga kampet e Përqendrimit edhe ata 30 të arrestuarit që i çuan në burgun e Tiranës. Dhe nuk ka pse të çuditemi kur shohim se brenda qytetit lëviznin lirshëm si partizanët ashtu dhe nacionalistët. Autori Nikolla Sudar në kapituj të veçantë përshkruan portretet e shumë djemve të Shijakut, të gjithë luftëtarë të vendosur edhe pse luftën e vazhduan nga pozicione të ndryshme. Po ashtu, gjen aty histori grash me kobure në brez, që nuk e njihnin frikën si Xhevahire Vezi e cila duke e lindur djalin në burg, i vinte atij emrin Partizan, çka çuditi edhe vetë armiqtë, Zelija Bërmuça apo vajza përparimtare Mereme Shkodra me dashurinë e saj të parealizuar për dëshmorin sypatrembur Bahri Shaqiri i cili ra heroikisht gjatë luftimeve në një mision të vështirë në Kosovë. Po ashtu, aty gjejmë figura të paharruara si ajo e “rebelit” Ram Markut, doktor Koço Deda dhe gruas së tij Anthia që nuk pranoi të vishte këmishën e zezë të fashizmit, “nënë Terezës” së Shijakut, humanistit Cen Bulku, Malltezëve, Dizdarëve, Gashëve, mësuesve atdhetarë Sulë Zalla (Shqipja), Qazim Domi e Hamza Vlashi, i ndershmi Sulë Gallai me shokë e deri ata që së bashku me “Nderin e Kombit” Isuf Allamanin veterinerin - shkencëtar, u pushkatuan poshtërsisht e pabesisht, gjë për të cilën kam shkruar dhe një roman i cili është botuar dhe në gjuhën italiane. Në planin psikologjik e sidomos atë letrar, autori i këtij libri, na jep vuajtjet e Cen Krujës dhe divit Qamil Kacmoli atje në kampin e Vloçishtit, vuajtje që me forcë danteske na i ka përshkruar në vargje profesori Arshi Pipa te libri i tij tronditës “Burgu”. Por vlerat e qytetarëve të Shijakut, nuk do të ishin të plota, pa theksuar ndër të tjera  mbrojtjen që ata i bënë familjeve të përndjekura hebreje, mbajtjen dhe fshehjen e tyre, duke mos peshuar rrezikun që u kanosej. Të lë mbresa të pashlyera përpjekja dhe këmbëngulja e vetë Nikollës për të gjetur dokumente arkivore për të rehabilituar një njeri dhe luftëtar si Qemal Deliallisi, për ta shpallur atë dëshmor të Atdheut, gjë që tregon karakterin burrëror dhe prirjen për drejtësi të këtij historiani që me këtë libër i ka ngritur një përmendore qytetit ku u lind dhe u rrit, qytet që sikurse thotë ai vetë, i qëndroi besnik tolerancës midis forcave të ndryshme politike, dhe që fare mirë e ka thënë drejtuesi i atëhershëm i “Legalitetit” Hysen Kokoli se “Asht turp që shqiptari të ngrejë dorë kundër shqiptarit”. Dhe duke qenë se Nikolla është përkthyesi i nobelistit A. Sollzhenjicin, duke e uruar atë për punën e vyer që ka bërë, i them se po pati ndonjë merak për mospërfshirjen në libër të ndokujt, le të kujtojë fjalët e tij tek “Arkipelagu Gulag”: “Ua kushtoj të gjithë atyre që nuk u mjaftoi jeta për të rrëfyer dhe të më falin që nuk i pashë, që nuk i përmenda dhe që nuk i mora dot me mend të gjitha”.

16 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page