
Opinion
Si e gjithë bota, edhe ne shqiptarët e ndoqëm nëpërmjet ekraneve televizive takimin midis presidentëve të SHBA zotit Donald Trump dhe atij të Ukrainës zotit Volodymyr Zelensky. Natyrisht që nisur nga lufta e drejtë dhe e stërzgjatur që populli i Ukrainës po bën dhe mbështetja e përkrahja që ndëkombëtarisht i është dhënë në këtë luftë sa të paprovokuar aq edhe kriminale, na jepte të drejtën të mendonim se takimi mes dy burrave të shtetit do të mbetej brenda suazës së sjelljes diplomatike dhe krahas qëndrimeve, propozimeve dhe shkëmbimit të mendimeve në tërësi, do të krijoheshim premisat që të mundësonin uljen në tavolinën e bisedimeve me atë që e kemi quajtur së bashku Carin e ri të Rusisë. Nuk ka njeri që të mos e dëshirojë arritjen e një paqeje të qëndrueshme mes palëve krejtësisht të pabarabarta. Mijrat e viktimeve nga të dy anët, shkatërrimet kataklizmike të qyteteve, goditja që i është dhënë sidomos ekonomisë së Ukrainës dhe tmerri nga traumat psikologjike që i janë shkaktuar deri fëmijëve të atij vendi që kjo luftë po vazhdon t`i shkaktojë, nuk ka sesi të hidhen pas krahëve, e megjithatë bisedimet mbeten e vetmja alternativë për ta pushuar atë. Kuptohet që ndërmjetësimi i një njeriu të rëndësishëm që udhëheq vendin më të fuqishëm, do të ishte inkurajues dhe shpresëdhënës për udhëheqësin e atij vendi të raskapitur, por gjithmonë me simpatinë e të gjithëve për rezistencën heroike dhe dinjitetin që po tregon. Por mbetëm tërësisht sa të zhgënjyer aq edhe të çuditur, kur edhe pse i ftuar në Shtëpinë e Bardhë nga një vend mik, ai u prit me këmbët e para. Rast unikal besoj jo vetëm në historinë e Presidentëve të SHBA, por edhe në atë botërore. Gjithçka nisi me preludin e pakëndshëm të ironisë së zotit Trump që teksa e priti te dera presidentin e thirrur si mik, e vuri në pozitë të vështirë duke artikuluar fjalët “Sa veshje elegante”. Aty për aty, kjo stigmatë ndaj atij që vinte nga gërmadhat dhe tymnaja e llogoreve, pra nga zjarri i pamëshirshëm i dronëve dhe raketave, dhe nuk i kishte mjaftuar koha të vishte frakun që kërkon protokolli, tingëlloi edhe si një nga ato batutat e befta të zotit Trump, por duke parë se si u zhvilluan ngjarjet më tej, deri te përzënia e mikut, rast tjetër ky i papreçedent dhe mjaft turpërues, që nuk kishte ngjarë as më 22 qershor të vitit 1940, kur ekipi francez me Philippe Petain në krye nënshkroi kapitullimin në një vagon treni, la ngado një shije aspak të mirë. Shije të mirë la burrëria e palëkundur e të ftuarit që Z. Trump së bashku me zv. Presidentin JD Vance e bombarduan me qortime, sikur të ishte ndonjë nxënës i shtëpisë së fëmijëve që kishte ikur pa leje nga shkolla. Kemi ndenjur me gjak të ngrirë nga frika se mos do t`i shkulnin veshin atij, shembull aspak i mirë ky edhe për udhëheqësit e vendeve të tjera që e quajnë veten demokratike. Ca më shumë për udhëheqësit tanë prepotentë, arrogantë dhe gojështhurur. Ne e dimë se amerikanët, pragmatizmin, pra filozofinë që sjell përfitime, e kanë doktrinën bazë ku mbështetet e gjithë politika e tyre, e sidomos ajo e jashtmja. Por se do të vinte puna deri sa t`i kërkonin presidentit të Ukrainës borxhin prej qindra miliardë dollarësh, kjo ishte krejtësisht e pabesueshme. Vetiu lind pyetja se mos vallë ia dhanë atë ndihmë sa për ta zgjatur luftën dhe jo për ta fituar atë? Dikush do të thotë se ndofta zoti Trump e kërkoi atë si presion për t`u nënshtruar Zelensky dhe të pranonte paqen me kushte poshtëruese, pra të deklaronte se e kishte humbur luftën dhe për ta lënë me kaq, pranonte kalimin e tokave të pushtuara nën juridiksionin e Rusisë. Se kështu plotësohej premtimi solemn i zotit Trump që po të kishte qenë ai në vend të Joe Biden - it lufta nuk do të kishte filluar dhe sapo të ishte ai president, do të vendoste paqen. Nga ana tjetër, ishte rasti mjaft oportun ta detyronte Ukrainën që t`i jepte amerikanëve zotërimin e metaleve të çmuara si p.sh. litiumit. Interesante është se nga ana e zotit Trump, presidenti Zelensky ishte quajtur diktator dhe kjo, pasi ai nuk po bënte zgjedhjet e radhës. Ky etiketim nuk i qëndron asnjë llogjike po të kemi parasysh sesa qesharake dhe të pamundura do të tingëllonin këto zgjedhje nën zjarrin e pareshtur të armikut që ka hyrë brenda territorit të saj. Pastaj, si mund ta quash të tillë një Komandant të Përgjithshëm i cili po i bën ballë trimërisht telasheve e sakrificave që imponon kjo luftë e padrejtë? Është krijuar mendimi se SHBA nuk devijon nga parimet e saj në politikat e jashtme, kur ndërrohen presidentët. Por në praktikë nuk rezulton kështu. Deri dje presidenti i Ukrainës quhej hero nga amerikanët, kurse tani kërcënohet e nxirret jashtë, se e do puna ta ndreqim muhabetin me Putinin. Dhe pikërisht kur amerikanët mbajnë një qëndrim kërcënues për ta gjunjëzuar e dekurajuar popullin ukrainas, deri edhe me sanksione, vendet kryesore të Evropës po e përkrahin atë. Ata nuk kanë si ta panojnë që për çështjen e Ukrainës, të bisedojë kokë më kokë Amerika me Rusinë pa prezencën e të interesuarit kryesor, Ukrainës dhe vendeve të BE - së. Madje, sa nuk po pohojnë se na ktheu krahët ky zoti Trump, ndaj të forcohemi për ta mbrojtur vetë pavarësinë tonë. Dhe ajo që të bën përshtypje është se në këtë situatë, nga ana e qeverisë tonë është kyçur goja. Kjo nuk vjen se nuk duan të futen në vallen e deklaratave se kujt t`ia prishin e kujt t`ia ndreqin, se këta tani po ndihen politikanë të rangut botëror. As se nuk e dinë se këto zhvillime mund të kenë reperkursione në marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë. Por, belaja është se duke rendur për ta bindur zotin Trump, që dikur edhe e kanë quajtur fatkeqësi për planetin, se janë besnikët më të mëdhenj të tij, nuk guxojnë të deklarohen në mbështetje të presidentit të Ukrainës. Si mund të pajtohen ata me mendimin se me Putinin mund të bisedohet dhe se ai na qenka kundër luftës? Por populli që ata drejtojnë duhet ta dijë qartësisht se anën e kujt duhet të mbajë. Se nesër, zoti Trump për hir të atij pragmatizmit karakteristik të politikës amerikane, mund t`i vërë kushte të papranueshme dhe të disfavorshme Kosovës tonë, pra t`i kërkojë asaj që gjoja për hir të ruajtjes së stabilitetit në Ballkan, duhet t`i bëni këto e ato lëshime kriminelit Aleksandar Vuçiç. Ose më keq akoma: Po nuk bëtë si u them unë, pra po nuk u bëtë “më të dëgjueshëm”, do të na paguani të gjitha shpenzimet që aviacioni ynë luftarak bëri ato 78 ditët që bombarduan Beogradin. Përsëri do heshtëte Ministira jonë e Jashtme? Ne si popull e përshëndetëm qëndrimin e Kryeministrit tonë përballë përfaqësuesit të Federatës Ruse për agresionin e tyre në Ukrainë. Po tani, çfarë qëndrimi mbajmë ne shqiptarët? Jemi dakord që t`i kthehen krahët nga kushdo qoftë popullit të vuajtur ukrainas? Prandaj në politikë, a në realpolitikë nuk duhet të bëhesh shërbëtor i neveritshëm i të fortit, por i të drejtës dhe e drejta kërkon edhe guxim e kurajë që neve historikisht nuk na ka munguar. Ka një domethënie të madhe e vërteta pse nuk i ka zhvleftësuar koha fjalët e Ciceronit se “Asgjë që nuk është në përputhje me drejtësinë nuk mund të jetë e ndershme”.
Comments