top of page

SHPENDI TOPOLLAJ: PËR POEZITË E SINQERTA TË URIM MEZINIT



   Robert Frosti, amerikani i madh që me krijimtarinë e tij, lidhi poezinë e shekullit të XIX - të të atij vendi me atë të shekullit të XX - të, ka thënë se “Poezia është kur një emocion i ka gjetur mendimet e tij dhe mendimet i kanë gjetur fjalët”. Me sa duket edhe inxhinieri Urim Mezini, pas shumë provash, e ka gjykuar se emocionet, mendimet dhe fjalët e tij janë bashkuar në një dhe ia vlejnë të botohen në dy përmbledhjet poetike “Loton malli” dhe “Shpirti i trazuar”. Ai edhe vetë e di mirë këtë, prandaj shkruan: “Fjala duhet të jetë e mirëmenduar /Të ketë gjithmonë peshën e vet / Nëpër shumë filtra të ketë kaluar / Por mbi të gjitha, të jet` e vërtetë”. Kuptohet, se për të arritur deri këtu, është dashur kulturë letrare, mund, kohë dhe talent, pasi është ashtu sikurse përcaktonte Leon Tolstoi se “Arti nuk është një punë dore, ai është transmetim i ndjenjës që artisti ka përjetuar”. Dhe nga ato që njeriu në përgjithësi dhe poeti në veçanti përjeton, ka edhe të qeshura, edhe lot, pra, edhe gëzime, edhe hidhërime. Se e tillë është vetë jeta e cila i merr ngjyrat e saj nga vetë njerëzit, pra nga ato që ata thonë e që bëjnë. Dhe në vorbullën e kësaj jete ai kuvendon me varkën e fatit të tij të cilës i drejtohet: “Varka ime e vogël / Një jetë më shoqërove / Në dallgë e stuhi / Shpesh herë më shpëtove”. E më tej: “Gjithë kohën në jetë / Shumë stuhi kaluam / I mbajtëm për vete / Askujt s`i treguam”. Por ja që vjen një çast dhe njeriu ka nevojë të rrëfehet. Ai e bën këtë, pasi e sheh që zemra e tij është e mbushur edhe me dashurinë dhe sidomos me dhimbjen për vuajtjet e të tjerëve. Siberiani i njohur Jevgeni Aleksandroviç Jevtushenko mendonte se “Vetëm atje ku ndiesia e dhimbjes për të tjerët fillon, atje fillon poeti”. Dhe duke e pasur shpirtin të mbushur me të tillë ndiesi edhe Urimi nis rrugëtimin e tij poetik. Dhe ashtu sikurse premton në njërën nga poezitë e tij, ai u kthehet kujtimeve, nostalgjive e mallit për vendlindjen, fëmijërinë, prindërit, bashkëshorten, dashurive, flirteve, vlerave njerëzore, por dashje pa dashje edhe veseve të saj qysh nga varfëria, largimet, korrupsioni e deri te vetmia apo edhe te shqetësimi për Kosovën. Për të gjitha këto, ndofta ka vend për ndonjë vrejtje në planin artistik të poezive. Edhe pse Urimi e përdor me sukses rimën, mundet që vargu të mos jetë gjithmonë në të njëjtën gjatësi apo të mungojë ndonjëherë tingëllimi me muzikalitet i saj. Por askush nuk mund ta qortojë atë për mungesë sinqeriteti, gjë që ja shton gjithmonë vlerat poezisë. Ai nuk kërkon artifice për ta zbukuruar poezinë e tij. Është tërësisht i vërtetë në ato që rrëfen. Pra, i qëndron besnik asaj që ka premtuar te poezia “Pak shije nga vetja ime” ku thotë: “Shpesh herë më ngacmojnë mendime / Që të shkruaj për veten time / E të jem sa më i vërtetë / Tamam ashtu siç kalova në jetë”. Ja dhe vargjet që i dikton shpirti, ku metaforat siç vëren Kujtim Xhebexhiu janë mjaft të goditura: “Rrëzohej dita, e tek poshtë binte / E muzgu, kaltërsinë ngjyroste në ar / Lajmëronte natën më shpejt të vinte / Që puthjet t`fillonim sa më parë”. Dhe të tilla figura e gjetje artistike në këto poezi mund të ndeshësh pafund, si p. sh. “Dil prit diellin t`puth malin” etj. çka tregon se poeti Urim Mezini është në rrugë të mbarë. Por natyrisht që mendoj se ka vend edhe për ndonjë vrejtje, të cilat në të ardhmen mund të shmangen, dhe që unë me besimin se do të mirëkuptohem, po i përmend disa prej tyre: Së pari, nuk duhet përzjerë dialekti me të folurën zyrtare, së dyti duhen eliminuar gabimet ortografike dhe së treti, duhet bërë kujdes në përdorimin e shprehjeve gazetareske apo disi naive si fjala vjen: “Në garë me kohën”: Pastaj u bëmë shokë, e rregullova muhabetin. “Një dashuri, bukur e përjetuar”: e s`lamë vend pa u kafshuar. “Pak çaste me veten”: Shyqyr gjeta kohën. “Dëshmitare kisha hënën”: Për të sos rrezet tuaja. “Çasti kur ika”: Doja t`qetsohesha, t`mos humbja radarin. “Kujtimet xhelozojnë njëra - tjetrën”: Nuk isha në gjendje t`i vija n`radhë e t`i sillja në terezi… U dakordësuam dhe këshillën e tyre dëgjova. “Hobi i tyre është të debatojnë”: Me hamendje të bëjnë zbor… Është më mirë t`mos angazhohesh. “M`i fale buzët dhe sytë”: me një fije t`qerpikut tënd / T`projektojmë bashkë dashurinë. “Ziliqari”: Në drejtësinë tënde, gjasme të supozuar. “Shitësi i farave”: mbushnin grushtin e i bënin filma. “Si ta shuaj të nxehtin sonte”: Vazhdimisht kërkoje të merrje iniciativën. “Vajza që desha”: Martesa jonë ishte model… Thuaj se çdo gjë linte lezet. “Dua të të jap një shanc tjetër”: Nuk do të haj inat e të lë mangësi. “Hiqe egon e sëmurë”: Jeta jetohet e prosperohet. “Sa me fat që t`pata për krah”: S`po m`ecte kurbeti, hajrin s`ia pashë… U mundova 24 / 24 në çdo sekondë të të doja. “Rrugica jonë”: Hëna kishte liçencën për të monitoruar. “Në limanin e qetësisë”: mjegullnaja ka ikur e drejtësia ka funksionuar. “Pak shije nga vetja ime”: U bëmë të zotët e t`hallallit. “Jetimë për qeverisje”: qeveritë për ne s`kanë pas gajle. Në përfundim, duke e uruar Urimin për suksese të tjera edhe më të arrira i them atij të vazhdojë pa drojë botimin e poezive të tjera të dala nga zemra, duke pasur parasysh atë që thosh Markezi se “Kujtesa e zemrës eliminon të keqen dhe e madhëron të mirën.

40 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page