top of page

SHPENDI TOPOLLAJ: PSE PO TREGOHET BOTA KAQ E PASHPIRT?




   Të gjithë e pranojnë se po jetojmë në kohë moderne, dhe ky modernizim shihet te zhvillimi ekonomik, pra te përparimet e shkencës, te shkuarja në hënë, te satelitët që vërtiten rreth botës, te habia teknologjike në përgjithësi, te mundësitë e komunikimit, te kontrolli i çdo veprimi të njeriut, te lëvizja me makinat lluksoze, me avionë supersonikë, te lundrimi me anijet, jahtet dhe tragetet e shtrenjta, tek ushqyerja me OMGJ, e kështu me radhë. Por askujt nuk i bën përshtypje (madje e quajnë fare normale), rritja e pandërprerë e buxheteve të luftës, gara e shfrenuar e armatimeve, sofistikimi dhe shpikjet e reja të mjeteve të dëmtimit në masë, pra dronëve, raketave dhe bombave, ku e ku më shfarosëse se ato të Hiroshimës dhe Nagasakit. Dhe pastaj, pas kësaj apatije, zgjohen historitë e vjetra me rivendikime, mospajtime religjionesh, nisin sherret diplomatike, kërcënimet, provokimet, nxitjet nga superfuqitë, furnizimet me mjete dhe municione luftarake dhe konfliktet e egra, ku sakrifikohen mijra e mijra jetë njerëzish dhe shkaktohen dëme të pallogaritshme materiale, kulturore, historike, ekonomike, etj. etj. që qytetërimit në përgjithësi i duhen vite të gjata, mund, djersë, sakrifica dhe shpenzime të jashtëzakonshme për t`i zëvendësuar. Në gjithë këtë katrahurë që lufta krijon, humbja e jetëve njerëzore është ajo më e rënda, më e dhimbshmja dhe më e pariparueshmja. Ernest Hemingway mësonte se “Asnjëherë mos mendo se lufta, pa marrë parasysh sa e nevojshme ose e justifikuar, nuk është krim”. Mirëpo, në pamje të parë, krijohet ideja sikur shoqëria njerëzore i ka krijuar mekanizmat që t`i pengojë ato, t`i amortizojë dhe të mos i lërë të përhapen. OKB - ja dhe gjithë krijesat e lloj - llojshme, ku marrin rroga mjaft të majme një mizëri nëpunësish, janë gati të përmendin fjalët e Victor Hugoit se “Lumturia kërkon që e gjithë bota të jenë të lumtur”, por realiteti është krejt i kundërt. Nuk mohohet se edhe intelektualët, shoqëria civile dhe mediat në përgjithësi, duke paraqitur atë që realisht ngjet, e dënojnë konfliktin, por duke qenë se ai vazhdon gjatë, pra me muaj apo dhe me vite, sikur lodhen dhe kufizohen duke dhënë në emisione lajmesh e gazeta vetëm numrin e të vdekurve dhe gërmadhat kataklizmike të vendbanimeve të dikurshme. Fatkeqisht, ne kemi parë sa e sa përleshje mes shteteve armiqësore, por le të ndalemi vetëm tek ajo që aktualisht po ngjet në mes të Rusisë dhe Ukrainës apo Izraelit dhe Palestinës. Çdo ditë na tmerrojnë pamjet rrëqethëse të masakrimit jo vetëm të ushtarëve, por edhe të fëmijëve, grave e të moshuarve, si dhe rrënimi deri në themel të qyteteve të tëra. Është poshtërsi të mos e lësh të qetë Ukrainën, atë shtet të madh i cili në historinë e tij ka përjetuar aq e aq luftra e pushtime, deri edhe shkatërrimin total të shekullit të XIII - të nga hordhitë mongole, polonizimin e vendit më pas e deri te holodomori stalinist pas përfshirjes në Bashkimin Sovjetik në vitin 1922, ku në “shportë e bukës” për Evropën e më tej, në periudhën 1932 - 33 vdiqën nga uria miliona njerëz. Pra, të mos mbahet ndërkombtarisht qëndrim i vendosur në përkrahje të atij vendi që dha aq kontribut në Luftën e Dytë Botërore dhe miljona viktima, nuk më duket aspak e drejtë. Kurse në Palestinë, shtet i pavarur dhe i njohur nga 138 vende anëtare të OKB - së, gjithashtu i rraskapitur nga konfliktet e vazhdueshme, nuk po kursehen as shkollat, për të mos thënë, sidomos shkollat, me pretekstin se aty fshihen luftëtarët e Hamas - it. Askush nuk pajtohet me burracakërinë e ulët të tyre ndaj të rinjve izraelitë mbi një vit më parë, por nuk duhet harruar se historiani amerikan, pjesëmarrës i Luftës së Dytë Botërore, Howard Zinn tërhiqte vëmendjen duke pyetur se “Si mund t`i bësh luftë terrorit kur vetë lufta është terrorizëm”? A nuk do të mjaftonte po ashtu, këshilla e mençur e presidentit Abraham Lincoln që thosh “I shkatërroj armiqtë kur i bëj miq”? Ne e dimë se “E vërteta është viktima e parë që bije kur vjen lufta”, dhe nuk çuditemi kur propaganda e zotit Benjamin Netanyahu deklaron se terroristët fshihen nëpër shkolla. Po ata kur shohin se po sakrifikohen mijra fëmijë, nuk u thonkan dot atyre se shkollat mbyllen dhe rrini nëpër shtëpitë tuaja? Ne shqiptarët, historikisht, gjithmonë kemi pasur respekt për popullin e kulturuar hebre. E dimë se çfarë gjenocidi, çfarë torturash e masakrimesh kanë pësuar ata nga nazistët e klikës Hitler - Gebels - Himler. Dhe me aq sa kemi mundur, i kemi mbrojtur edhe duke vënë veten në rrezik. Por kjo nuk do të thotë që të mbyllim sytë para asaj që qeveria e tyre me ushtrinë e saj po bën me popullin e pafajshëm, qoftë për t`u hakmarrë, qoftë për t`u dhënë një mësim, qoftë për zgjerim territoresh duke i përzënë nga trojet e tyre shekullore. Fakti se Izraeli përkrahet dukshëm nga qeveria e aleatit tonë të madh, nuk do të thotë që ne të heshtim. Ne jemi qytetarë të një vendi të lirë dhe nuk ka përse të druhemi nga kurrkush. Epikuriani Titus Lucretius Carus (98 p.e.r. - 50 p.e.r.), dymijë vjet para kohës tonë moderne na kujtonte se “Kur nevoja na detyron të përdorim fjalë të sinqerta, bije maska dhe shfaqet njeriu”. Pra, le t`i heqim maskat, dhe të flasim si njerëz dinjitozë edhe pse politikanëve tanë ua do puna të bëjnë sikur nuk shohin se ç`po ngjet, nga droja se mos zemërohet “padroni”. Sa për ata ndërkombëtarët e famshëm, ata mesa shihet, duke u ushqyer me ato OMGJ - të që përmenda më sipër, janë bërë krejt të pandjeshëm, pa emocione dhe nuk ju bën aspak përshtypje gjithçka po ngjet. Për ta, mjaft të jenë vetë të qetë dhe janë në rregull. Sa për shpirt as që bëhet fjalë. Henry Kissinger kishte parashikuar si zgjidhje faktin se “Nuk mund të bësh luftë në Lindjen e Mesme pa Egjiptin, dhe nuk mund të bësh paqe pa Sirinë”. Po Egjipti i “Luftës” ende nuk po ndihet, kurse Siria e “Paqes”, pas largimit të Beshar Hafiz el - Asad, sot për sot është e zënë me hallet e saj të brendshme. Po sikur nesër edhe ato të përfshihen në këtë konflikt të armatosur, a nuk rrezikohet paqja përtej rajonit? E pra; atëherë do të kujtohet politika dhe diplomacia ndërkombëtare për ta thënë me vendosmëri fjalën e vet? Mos vallë ata dhemshurinë dhe humanizmin e perceptojnë vetëm për qytetarët e tyre? Ata fëmijët e gjakosur të Ukrainës dhe Palestinës a nuk janë po aq të shtrenjtë për nënat e tyre, sa edhe për ato të vendeve të tjera? Dhe a mendohet sado pak për traumat e rënda psikologjike që do t`i ndjekin gjithë jetën ata që mbeten gjallë, pasi kanë qenë dëshmitarë të atyre tragjedive që luhen në skenat e teatrove moderne, para të cilave do të pikëllohej edhe vetë Shakespeare? Ai anglezi i madh që e thosh qartë se “…ku gjaku qytetar bën duart qytetare të papastra”. Prandaj them se ata që janë zgjedhur e caktuar për ta udhëhequr këtë botë, dhe që janë dhe vetë prindër, nëqoftëse ngurrojnë të veprojnë energjikisht me mençuri e pa u lodhur për të shmangur luftrat, pra në qoftëse nuk marrin masat e duhura për t`i thënë ndal dorës të kujtdo agresori që vret e pret ç`i del përpara, dashje pa dashje janë edhe vetë përgjegjës e bashkëpunëtorë në krim dhe nuk kanë përse të habiten kur historia do t`i quaj politikanë me duar të papastra.    

14 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page