top of page

SHPENDI TOPOLLAJ: PRITSHMËRITË TONA NGA PRESIDENCA E ZOTIT DONALD TRUMP



Opinion

“Jeta është një këngë e madhe, prandaj fillojeni muzikën”

                                                                                              R. Regan

   Ja dhe zgjedhjet për Presidentin e SHBA përfunduan. Bashkë me to edhe zhurma e pareshtur e mjeteve të informimit dhe parashikimet e politikanëve dhe gazetarëve të të gjithë botës. Votuesit amerikanë treguan kulturën e tyre demokratike dhe zotit Donald Trump, pas një kalvari të gjatë, iu hoq parashtesa ish President. Tani ai, i rikthyer fuqishëm është i 47 - ti burrë shteti në krye të atij vendi të madh. Duke zgjedhur një figurë të tillë, ma do mendja se amerikanët i besuan atij pasi patën parasysh thënien e Ronald Reganit se “Një popull që është i lirë, gjithmonë do të zgjedhë paqen”. Në historinë e atij supershteti, paqja më shumë ka qenë një aspiratë, pasi po të largojmë sado pak perden propagandistike, që ndërhyrjet ushtarake, agresionet apo përzierjet në punët e brendshme të të tjerëve, i ka paraqitur si shprehje e dëshirë për liri e demokraci dhe po të shprehemi si njerëz me dinjitet, duhet pranuar se shumë shpesh, politika e jashtme e SHBA ka krijuar dhe mbajtur ndezur zjarrin e konflikteve të armatosura, ku dëmet, sidomos në jetë njerëzish, kanë qenë të pallogaritshme. Pavarësisht kësaj, ne shqiptarët për shumë arsye të njohura jemi orientuar si pak vende të tjera, nga aleanca dhe miqësia me të. Kjo është edhe ajo që politikanët tanë të çdo krahu, shpejtuan kush e kush më parë, ta uronte Presidentin Trump dhe ta garantonte për besnikëri e bashkëpunim të sinqertë. Ndofta në Amerikë, shumica e njerëzve asqë kanë dëgjuar ndonjëherë për Shqipërinë, por ndikimi i politikës së jashtme të administratës amerikane te ne, ka peshë përcaktuese. Mbetet e tillë, pasi ne e kemi ende të pazgjidhur përfundimisht problemin kombëtar, ku situata në Kosovë mbetet e kërcënuar edhe si rrjedhojë e luhatjes në qëndrimet e DASH - it të sotëm, përsa i takon marrëdhënieve të saj me Serbinë. Nga ana tjetër, ajo administratë, me ndikimin e njohur sorosian, e dobësoj rezistencën opozitare në Shqipëri, duke sjellë ngatërresa, sherre dhe përçarje jo të pakta dhe duke e lënë pushtetin në një dorë të vetme, aq sa me të drejtë kujtohen rëndom me sarkazëm fjalët e famshme të Luigjit të XVI - të “L`etat, c`est moi” pra “Shteti jam unë!” Aq e vërtetë është kjo, sa nuk ka emision televiziv që sistematikisht të mos merret me opozitën, duke ia hedhur asaj të gjitha përgjegjësitë dhe fajet e mosrealizimeve apo dështimeve, madje dhe të korrupsionit galopant edhe pse nuk mbahet mend qysh kur nuk është në pushtet. Për hir të së vërtetës, duhet pranuar se roli që administrata e sotme e SHBA ka luajtur në krijimin e këtyre dy problemeve madhore dhe jetike për vendin tonë, nuk është për t`u përshëndetur. Përkundrazi, është tërësisht i qortueshëm; veçanërisht qëndrimet e ambasadorëve të SHBA që u sollën te ne si padronë, çka ishte fyese edhe për krenarinë tonë. Le ta pranojmë hapur: e gjithë kjo ka sjellë pakënaqësi te njerëzit e thjeshtë, të cilët pyesin se si është e mundur që aleati ynë strategjik të kërcënojë popullin demokrat se po ndoqën udhëheqësin e tyre historik, do të hanë bar apo të bashkohet me sanksionet ndaj Kosovës, nëqoftëse nuk pranohet vendosja e asocacionit, gjëja më e rrezikshme për fatet e mëtejshme të saj. Shqipëria, apo më saktë Kombi ynë nuk mund të jetë kurrë as amortizator në zhvillimet ndërkombëtare dhe as plastelinë për t`i dhënë formë sipas interesave të kujtdo qoftë. Shqipëria është shtet si të gjithë shtetet e tjera të planetit dhe nuk kërkon asgjë më shumë se ato. Këtë e do dhe mbron populli edhe pse udhëheqësit e tij shpesh gabojnë duke e reduktuar miqësinë deri në nënshtrim e servilizëm. Pikërisht këtë presim që ta respektojë Presidenti i ri i SHBA, pa u sugjestionuar nga festimet hipokrite dhe ngazëllimi i Aleksandar Vuçiçit me shokë për rizgjedhjen e zotit Donald Trump. Ne e dimë atë thënien e diplomatit të shquar amerikan, nobelistit Henri Alfred Kisinxher se “Ne nuk mund ta sigurojmë gjithmonë të ardhmen e miqve tanë; ne kemi më shumë mundësit të sigurojmë të ardhmen tonë, nëse ia kujtojmë vetes se kush janë miqtë tanë”, prandaj nuk presim lëmosha nga askush. Por, ajo që presim është të kuptuarit se ne jemi miqtë tuaj të sigurtë që duam qëndrim të drejtë, të ndershëm dhe të paanshëm të administratës amerikane të pas 20 janarit të vitit që vjen, ndaj një vendi aleat në NATO dhe i orientuar si pakkush nga vlerat dhe gjithçka të mirë kanë SHBA.  

60 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page