top of page

SHPENDI TOPOLLAJ: Në portretet që na la Saliu



     PIKTORI SALI XHIXHA NË PËRVJETORIN E TIJ TË LINDJES

 

   Të kujtosh dhe nderosh jetën e atyre që duke punuar me talent, vullnet dhe dashuri, lanë pas vepra që e zbukuruan qytetin ku u lindën dhe u rritën, është detyrë e çdo intelektuali. Prandaj duhet përgëzuar dhe përkrahur çdo veprimtari që Pallati i Kulturës “Aleksandër Moisiu” ua kushton atyre. Maksimilian Robespieri që sikur ta kishte parashikuar fatin e tij, ka thënë një herë se “Vdekja është fillimi i pavdekësisë”. Ca më shumë kjo vlen për mjeshtrat e penës, daltës dhe penelit, sikurse është sot rasti i organizimit të kësaj përkujtimoreje, kushtuar 93 vjetorit të lindjes së njeriut dhe artistit të shquar Sali Xhixha. Durrësi ka pasur gjithmonë piktorë dhe skulptorë me emër të cilët dalloheshin si për punën e palodhur dhe kulturën e tyre, ashtu edhe për vlerat e larta njerëzore, ku spikaste respekti dhe vlerësimi për njëri - tjetrin. Edhe në ato vite të largëta, ata dalloheshin për respektin ndaj shoku - shokut, përkrahjen dhe nxitjen që u bënin kolegëve.

Në studiot e tyre vlonte mendimi intelektual. Dhe njëri nga këta, pra, përfaqësues i shkollës durrsake të pikturës, ishte pa dyshim edhe Sali Xhixha. Jam njohur me të në këto rrethana: Kur shërbeja si oficer në një repart ushtarak andej nga Kalaja e Turrës, më duhej të kaloja nga qendra e Synejit dhe shpesh e donte puna që të hyja në zyrën e Kryetarit të Kooperativës për çështje stërvitjesh me zboristët.

Aty shihja varur në mur një pikturë të madhe, ku ulur në kolltuqe qëndronin përballë dy “luanët”, Enver Hoxha dhe Mao Ce Duni që bisedonin për shtatë palë qejfe për hallet e proletariatit botëror. Ky lloj takimi nuk kishte ngjarë ndonjëherë kështu, dhe kuptohej se ishte një kompozim i imagjinatës së autorit. Për të shuar kurreshtjen, i afrohem dhe shoh emrin: Sali Xhixha. Kur kthehem në Durrës, e pyes shokun tim, piktorin Agim Kavaja, se kush ishte Sali Xhixha. Ai qeshi dhe më tha se është njeri mjaft i mirë, punëtor, i zgjuar dhe ka një ironi të hollë. Dhe më tregoi disa shprehje të tij, nga të cilat kujtoj: “Kishte humbë një lopë e gjatë” apo “Vajza rrinte në dritare, qeshte vazhdimisht”.

I thashë mikut tim që kur të mundte, të më njihte me të, pasi desha ta pyesja për atë tabllonë e tij, dhe një ditë u takuam gjatë shëtitjes në bulevard. Ndër të tjera e pyeta se ku e kishte gjetur takimin e dy marksistëve të mëdhenj, që tani ishin në moshë të shtyrë. Ai qeshi dhe si pa nga Agimi, si për t`u siguruar nëse me mua mund të fliste lirshëm, më tha: “Po në art, ka edhe gjasme”, dhe shtoi: “Ti nuk e sheh se këtu çdo gjë është gjasme”? Pastaj, duke menduar se ndofta e teproi pak, u mundua ta ndreqë arsyetimin: “Ke dëgjuar për Edgar Degas? E di si thosh ai: “Në pikturë duhet të krijosh idenë e vërtetësisë përmes gënjeshtrës”. Po t`i kundrosh pikturat e tij, natyrshëm që do të ndeshësh atje, epiken dhe historiken; Skënderbeun me shpatë e mburojë në veprim, kreshnikët me pushkë në dorë si ata tre bogatirët e famshëm mbi kuaj te pikturat ruse, sulm masiv i malësorëve mbi pushtuesin, demonstratë antifashiste në Durrës, punën e klasës punëtore në vepra industrial si kantiere detare, fabrika, hapje rrugësh të reja në shkëmbinj, anije peshkimi, vinça, roje në kufi e kështu me radhë. Afër mendsh që këto do të ishin temat e preferuara për çdo piktor, kur çensura zhdanoviste vigjëlonte.

Dhe kjo, e thotë diku edhe Kadareja, nuk ishte se e pengonte evientimin e talentit. Ajo periudhë, sado e ngarkuar që ishte me ideologjizime, nuk arriti t`ia mbyllë derën veprave të arrira artistikisht. Fundja, ky ishte realiteti i atyre viteve. Pastaj, portretet, edhe pse me një fare optimizmi dhe buzëqeshjeje të shtirë, ashtu do të bëhen në çdo kohë. Dhe në portretet që Saliu na la, mbizotëron saktësia, mendimi dhe bota shpirtërore e personazhit. Ka ashpërsi në punim, se ai nuk di të lëmojë, por kjo humbet nga harmonia e ngjyrave që mbizotërojnë. Pastaj, sapo i krijohet mundësia, pra në moskufizimin e krijimit që solli demokracia, Sali Xhixha, në lirinë e tij të shprehjes dhe të gjetjes së mjeteve artistike, nuk ngurron ta na japë si peizazhet e tij, si fjala vjen, qendrën e qytetit rreth shatërvanit të dikurshëm, ashtu edhe natyrat e qeta, e sidomos tavolinat ku qëndrojnë rrëmujshëm penelat dhe tubetet e bojrave, me atë mënyrën e impresionistëve Degas, Claude Monet, post impresionisëve si Pierre Bonnard, e deri diku të Paul Cezanne që ai i njihte qysh kur ata ishin të ndaluar dhe të anatemuar. Saliu, autor i disa ekspozitave, është dekoruar disa herë dhe është fitues i shumë çmimeve të ndryshme. Ishte piktor, intelektual dhe njeri i plotësuar Sali Xhixha që e mbajmë mend duke shetitur gjithmonë përkrahu me bashkëshorten e tij. Ja pse për këtë artist me kontribute të vyera, ndiej mall, dhe sa herë kaloj nga studioja e tij, kthej kokën se mos e shoh, se më kujtohet Robespieri, ai jakobini, pasues i mësimeve të Rusoit (Rousseau), që thosh se vdekja është fillimi i pavdekësisë. Po jeta e tij merr kuptimin e vërtetë kur kujtojmë se dy nga djemtë e tij e vazhduan me sukses të plotë rrugë artistike të babait të tyre.          

15 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page