![](https://static.wixstatic.com/media/a48dbc_d1ae43a9a8074254afcf993eca0c5529~mv2.png/v1/fill/w_980,h_1225,al_c,q_90,usm_0.66_1.00_0.01,enc_auto/a48dbc_d1ae43a9a8074254afcf993eca0c5529~mv2.png)
SHPENDI TOPOLLAJ: Nuhi Vinca, punëtori dhe shkencëtari i palodhur i krijimtarisë
popullore
In memoriam
Bukurisë marramendëse të Strugës krahas disa buste poetësh i janë shtuar dhe ato të poetëve të shquar: Ante Popovskit dhe Aco Shopovit. Vështirë të gjendet një tjetër qytet që të ketë kaq shumë dashuri për poetët. Kalon buzë Drinit, mespërmes qytetit dhe sesi ndihesh në shoqërinë e tyre; më i sigurtë, më i vlerësuar, më i nderuar, më i qytetëruar dhe më i ndërkombëtarizuar. Dashje pa dashje, në ato shëtitje, të shoqërojnë rima e strofa të ëmbla. Harron shqetësimet e vogëlsirave të rutinës ditore dhe shpirti gjen një paqe frymëzuese. Me një fjalë, në atë qytet, ndihesh Njeri. Dhe kjo nuk është pak. Por, përsëri edhe këtu, ka diçka që nuk shkon. Në atë qytet me shumicën e banorëve shqiptar, nuk gjen asnjë bust të ndonjë poeti shqiptar. Nuk shkon kjo dreqi e mori. Nuk shkon, se haptazi, është diskriminim, për të mos thënë provokim. Çuditem kur mendoj se si janë pajtuar vetë shqiptarë me këtë. Sot në demokraci ka shumë rrugë për ta kërkuar të drejtën. E them këtë pasi populli shqiptar në Maqedoninë e Veriut ka nxjerrë, veç të tjerave edhe shumë figura të ndritura të kulturës. Nga gjiri i këtij populli, kanë dalë edhe poetë që me veprën e tyre, kanë pasur ndikim të fortë në edukimin dhe ndërgjegjësimin e njerëzve për vlerat e bukurisë, dashurisë, ndershmërisë, punës, por edhe patriotizmit e ruajtjes së traditave më të mira. Dhe një nga këta është prof. dr. Nuhi Vinca, një emër i njohur dhe shumë i dashur në mbarë trojet shqiptare. Studiues me përmasat e një shkencëtari, ky burrëtrup vogël e zemërmadh, është dhe një poet që siç thotë i nderuari Ali Podrimja ... “qysh moti i ka tërheq vëmendjen lexuesit e kritikës sonë me lirikat e veta të kullueta e të ndieme thellë. Lirika këto që të joshin e magjepsin me shumllojshmëninë e rimave e petkun artistik me muzikalitetin e fjalës e varg të thukët”. Nuhiu ka shkruar mbi njëzet libra të shkëlqyer me poezi, aq sa ai dhe vëllai i tij, poeti tjetër dhe pedagogu energjik Agimi, janë kthyer në monumente të gjalla të kulturës shqiptare si në Maqedoninë e Veriut, ashtu edhe në Kosovë. Madje ata janë bërë shumë të pranishëm edhe në jetën kulturore shqiptare. Fjala e tyre dëgjohet me respekt të veçantë në ç`do takim poetësh apo shkrimtarësh. Sidomos, Nuhiu që tani ka mbyllur sytë, pa ia ditur për moshë, sa dëgjonte se në një qytet të Shqipërisë, zhvillohet një veprimtari për kulturën, pasi merrte me vete dhe disa krijues të tjerë, gjendej atje para të gjithëve. Të urtin Nuhi, të thjeshtin Nuhi, të diturin Nuhi, e pashë tek bëhej copë të më nderonte kur u takuam herën e parë në Strugë. Pasi më priti në shtëpi, më çoi të vizitoja muzeun e qytetit, i cili më la pa mend me eksponatet e tij. Qe një përpjekje e paimagjinueshme e një bjellorusi, në mos gaboj që kishte punuar me aq pasion për të grumbulluar e sistemuar ato vlera të faunës e florës së asaj treve. Dhe pastaj drejt e në Livadhja, ku në mënyrë amatoreske, por gjithsesi shembullore, disa vullnetarë kishin ekspozuar thesare të vërteta të kulturës popullore. Dikush, pa asnjë shpërblim, më sqaronte Nuhiu dhe mësuesit që kujdeseshin për këtë muze, kishte lëshuar shtëpinë e tij me qëllim që ato vlera të ruheshin dhe të shiheshin nga vizitorët. Dhe duke u kthyer, Nuhiu i jep makinës djathtas dhe drejt e në vendlindjen e tij, në Veleshtë. Na çoi tek e motra, por edhe në shtëpinë e poetit Xheladin Muça. Kur ndaluam në qendër të Veleshtës, Nuhiu duke parë atë rrapin e madh, në mes të sheshit, mendueshëm e përmallshëm shtoi: “Ja këtu kam lindur unë”.
Mua më erdhën ndërmend vargjet e tij, botuar fillimisht në vitin 1986 te libri “Aty buzë liqenit”, natyrisht të çensuruara:
Kam lindur në Veleshtë saktësisht e di
Kur xhandari ish i pushtetit mbretëror
Buzëqeshjen e vrarë e ruaj që në vegjëli
Kur libër shqip s`prekej me dorë.
E shihja se Veleshta, kishte zënë një vend të veçantë në zemrën e tij. Dhe kishte plotësisht të drejtë, pasi ky vend, vetëm shtatë kilometra nga Struga, kishte luajtur një rol të dorës së parë, në zgjimin e vetëdijes kombëtare dhe në zhvillimin e kulturës shqiptare.
- Ja , - më tregonte me dorë Nuhiu - Ai është mali i Jabllanicës, kurse atje tej shtrihet Vevçani ose siç e quajnë veleshtarët Veçoni, një fshat që dikur së bashku me Veleshtën kanë qenë të banuara nga popullsi shqiptare të krishterë. Kurse pas pushtimit turk, sipas dokumenteve, vetëm në Vevçan nga rregjistrat e vitit 1519 del se një e treta e popullsisë ishte e krishtere. Këtë e tregojnë emrat e mbiemrat e tyre dhe këtu është përdorur gjuha shqipe. Herët, nëpër Veleshtë ka kaluar rruga Egnatia. Dy degët e kësaj rruge u kanë shërbyer tregtarëve dhe njihen si “Rruga e dervenxhinjve”.
Dhe pastaj, Nuhiu vazhdon me toponimet. Unë çuditesha kur e dëgjoja:
- Kallderma, Llokvojshta, Forjet, Kamenojca, Peshtemali, Arat Bataqe, Ostrova, Zabeli i Batkos, Gjuri i zi, Bunari me kutell, Rruga e qiraxhinjve, Xherizi i ftohtë, Razoret, Rreshilja e Bellovës, Kisha e Skënderajt, etj. etj. Dhe pastaj: Vorret e Vojncallarëve, ku kanë qenë varret e familjes së Muharremit, dhe atje në perëndim, Kulla e Vojncallarëve, ku kanë banuar Vincat dhe që më pas e kanë përdorur si vendstrehim turqit osmanlli. Deri vonë ne kemi mbajtur mbiemrin Vojnca, pasi kemi ardhur nga Peshkopia, Dibra e Poshtme, sido që thuhet se edhe nga Shqipëria e mesme kanë ardhur të parët tanë.
Si ecnim nëpër Veleshtë, Nuhiu kujtonte se gati gjashtëqind burra me gjithë familjet e tyre, janë larguar ndër vite jashtë shtetit, si në SHBA, Svicër, Austri, Gjermani e Suedi.
Dhe pastaj vazhdonte:
- Mbi 220 intelektualë ka nxjerrë ky vend, se veleshtarët janë shumë arsimdashës.
Papritur, se përse kujtohej dhe qeshte:
- Kemi pasur edhe një mjeshtër artizan që bënte shpikje, por shumë veleshtarë donin ta qesëndisnin usta Hamza Hanin, i cili si për t`i sfiduar, përpara shtëpisë së tij, shkruante: “Si e mendova e bëra, kush nuk e beson le të vijë e ta shohë”.
Në shtëpinë e Xheladinit, fjala shkon te folklori e këngët e pafund popullore të fshatarëve të Veleshtës. Dhe niste e recitonte Nuhiu pjesë nga “Kënga e kurbetqarit”:
Mora n`dorë dy grushta dheu
Val` ë nxehta m`i rrëmbeu
Do të tretem atje larg
Të të digjem n`këng e varg.
Zemra mbush me përmallime
Oj Veleshtë, Veleshta ime.
E pa kuptuar, vijonin këngët e bukura të dasmës. Unë e kuptoja përse ky studiues i Akademisë së Prishtinës, koleg i Rexhep Qoses me shokë, e ka pasur gjithmonë të pashuar dëshirën për t`u marrë me krijimtarinë popullore të popullit tonë dhe janë shumë libra që flasin qartë për këtë. Titujt e tyre janë: “Këngë të ndryshme popullore” (në pesë pjesë), “Lirika popullore shqiptare e dashurisë”, “Lirika popullore shqiptare në regjionin e Strugës”, “Mbi poetikën e folklorit shqiptar”, “Antologji e Lirikës popullore shqiptare të dashurisë”, “Antolologji e Lirikës popullore shqiptare gjithëkombëtare”, “Poetika e Lirikës gojore strugane”, “Poetika e Lirikës popullore shqiptare” etj. Dashuria për krijimtarinë popullore, njohja, grumbullimi, sistemimi dhe analizimi i saj dhe botimet e herëpasherëshme, për më shumë se njëzet vjet radhazi në revistën “Gjurmime Albanologjike”, natyrshëm që e kanë çuar këtë intelektual, deri në këto nivele të admirueshme shkencore. Prandaj i gjej me shumë vend fjalët e dr. Adem Zejnullahut i cili duke vlerësuar këtë punë të tij, shprehet se “Vepra shkencore e Dr. Nuhi Vincës dëshmon për punën e tij shumëvjeçare hulumtuese dhe të përkushtuar në fushën e folkloristikës, të mendimit kritik e estetik, e veçmas të lirikës popullore, si lloj më i bukur i poezisë popullore”. Vetë Nuhi Vinca pohonte se “... në lirikën popullore shqiptare ka një grup këngësh që dallohen posaçërisht me një ndërtim figurativ të tillë sa krijojnë një botë poetike ku nuk mund të hysh lehtë e aq më pak të bredhish lirisht nëpër të”. Kuptohet, se sado që ta duash, pësëri kjo mbetet një punë tejet rraskapitëse.
Por prof. dr. Nuhi Vinca njëkohësisht ishte edhe vetë një poet mjaft i mirë. Ai duke e njohur si pakkush poezinë burimore të popullit edhe vetë e shfrytëzonte atë në të gjitha krijimet e veta. Mbi të gjitha, ai i dinte mirë këkesat shpirtërore dhe shijet estetike të vetë popullit. Është për këtë arsye që poezinë e tij “Te guri i kufirit...” e pëlqejnë dhe komentojë të gjithë. E kam dëgjuar në një takim poetik në Elbasan, këtë poezi aq të ndjerë, të deklamuar nga vetë autori dhe jam mallëngjyer nga lotët që shkëlqenin në sytë e tij, sado që sforcohej t`i fshihte. Më kanë mbetur ndër mend vargjet:
Këtu te ky gur shpirtgur
Ndahet Shqipëria nga Shqipëria
Dega nga rrënja
Zogu nga kënga
Trungu nga toka
Trupi nga koka.
Dhe ky mall, kjo dhimbje e ndarjes, duket se e ka munduar tërë jetën poetin. Kështu te poezia e tij “Dy dallgë”, ai pasi luan me fjalë të goditura: Valë e bardhë e Drinit të Zi dhe Valë e zezë e Drinit të Bardhë, thotë:
Ju dy valë në një bashkuar
Çonia detit porosinë
Detit valëturbulluar
- Të na vërshojë me furinë
Mbi armiqtë lehsa - tinës
Mbi armiqtë me gur pas shpinës.
Duke qënë shqetësimi më i qenësishëm i tij, poeti, në çdo poezi të tijën e reflektonte ndarjen. Në çdo njerën prej tyre do të gjesh, dy lulëkuqe, dy kodra, dy male, dy rrugë e deri dy krahë:
Krah i zgjatur këndej, krah i zgjatur andej
I dashuri shok, i dashuri mik
Thërret për ndihmë me zemër hej
N`valle bashkimi pa drojë pa frikë.
Por poeti jo vetëm konstaton e vajton, ai dhe qorton kur sheh dhe gabimet tona. Atij i bëhej sikur po del baba ynë nga varri dhe si një fantazëm eshtra - tharë, sheh e s`pushon së qari: “Bij të dashur sa qenki përçarë.” Këtë e kishte parë qysh herët edhe Naimi, edhe Çajupi edhe Fishta me shokë. Për fat të keq, kjo vazhdon edhe sot. E gjithë poezia e prof. Nuhi Vincës ka brenda brengën e çështjes kombëtare. Fati i atdheut, i shqiptarëve, kudo që bukës i thonë bukë, në Prishtinë, në Trepçe e deri në Amerikë ku mërgimtari Lirim mbyll sytë në moshë fare të re. Dhe natyrshëm vinë poezitë për fatin e Kosovës martire. Ai kujton Drenicën, Kaçanikun dhe pastaj nënat kosovare që kërkojnë të bëhen dru që të mos ndiejnë mizoritë e tërbimit të bishave serbe. Anton Çehovi shkruante se “Një vepër artistike duhet të shprehë patjetër një mendim të madh. Vetëm ajo që është serioze është e bukur”.
Nga ana tjetër poetin e revoltonte çdo padrejtësi. Ai i gëzohej tharjes së rrënjëve të çensurës që për një kohë të gjatë u bë ankth, hije, lugat e urith. Ama kur bisedoje me të, ai ishte i ndëgjegjshëm se edhe sot e kësaj dite, metastazat e saj nxjerrin kokën e nepërkës që edhe pse lahet e lyhet, përsëri nepërkë helmatisëse mbetet. Dhe pjesë e dukshme e saj, janë edhe ato bustet e munguara të poetëve shqiptarë, atje ku del Drini nga liqeni poetik i Ohrit. Se, siç shprehej ai, robëria është e rëndë, sidomos kur hyn në këngë. Sado i duruar të jetë njeriu, këtë padrejtësi, nuk mund ta mbajë gjatë në shpinë. Duam apo s`duam, nga shpirtrat e dhunuar, do dëgjojmë pastaj se s`bën mallkimin: vdektë me vrasje të ndërgjegjes, ai që pengon përparimin! Se vepra e poetit është më e fortë se vetë bronzi i statujave. Me këtë bindje Nuhi Vinca tek “Historia e un - it tim” shkruante se do të mbetem “unë jam unë”, se jam më i fortë se era, kur bëhet furtunë. Dhe Nuhiu, ai burri trupvogël e zemërzjarr, që njihte çdo skutë të vendlindjes së tij Veleshtës, që kish rrëmuar në kujtesën popullore për perlat e krijimtarisë së tij, që nuk ishte përkulur nga goditjet e sërbomëdhenjve dhe që me padurim ka pritur të shëmbet si Muri i Berlinit, ai guri më i ftohtë se pëlhura e qefinit, do të mbetet i pavdekshëm, si ai rrapi vigan në qendër të Veleshtës, vendlindjes së tij të dashur, ku poeti Nuhi Vinca kish dëshirë të çonte miqtë që vinin nga Shqipëria, si të kryente një mision të rëndësishëm që u ndërpre poshtërsisht për një kohë të gjatë, nga ai guri zemërgur i kufirit.
Përshëndetje dhe urime i nderuar Shpendi! Më pëlqeu shkrimi juaj kushtuar poetit Nuhi Vinca, të cilin e kam njohur edhe unë në një takim Prishtinë. Ai ishte dhe mbetet poet i gjithë shqiptarëve, kudo që ndodhen, sepse zemta, mendja dhe pena rrahën dhe shkruan veç për dashuri e bashkim trojesh arbnore. Ai e meriton përmendore përjetësie në shëtitoren në breglumin e Drinit të Zi, në Strugën e bukur, për t'i bërë nder qytetit, letërsisë dhe poezisë shqipe. Emri dhe fjala e tij do mbeten në përjetësi...!