Personalisht nuk jam njohur mirëfilli me krijimtarinë letrare të Asllan Osmanajt. Madje edhe bisedat që kam shkëmbyer me të, kanë qenë të shkurtra dhe fare rastësore; kur kam pasur kënaqësinë të shkoja në ndonjë eveniment letrar në Tropojën e njerëzve të mrekullueshëm dhe natyrës së magjishme. Ai binte shpejt në sy, jo për trupin, se ishte imcak, as për gjestet për t`u dukur, pasi ishte fare i thjeshtë, por për një dinamizëm të shpenguar, dhe sidomos për respektin që tregonin ndaj tij personalitete të asaj treve apo miqtë, autorë të njohur të letërsisë dhe kulturës të ardhur nga Kosova, kështu që fare lehtë mund të kuptoje se ai kishte një rol të rëndësishëm si në atë veprimtari, ashtu edhe në qarqet letrare të atjeshme. Herën e fundit, shkëmbyem nga një libër. Libri i tij titullohej “Shëmti dhe Risi” dhe përmbante disa shkrime etike, estetike, dhe kritika letrare. E nisa me kurreshtje leximin dhe nga faqja në faqe, me kënaqësi vura re se isha para një autori imponues, me njohuri të kultivuara letrare, me sens të mprehtë analitik dhe të guximshëm në shpërfaqjen e mendimeve të veta. Dhe ja, duke u ndalur në këtë libër, desha të jap vlerësimin tim për këtë kritik letrar që ka studiuar për shkencat ushtarake, ku ka qenë dhe gazetar, për këtë regjisor i cili i ka plotësuar njohuritë e tij edhe në filozofi e gjuhë - letërsi. Për këtë autor, i cili qysh në ato pak rreshta që shërbejnë si hyrje, nën titullin “Alegori çiltërsie vampirësh”, shprehet se dëshiron t`i ngjante Pindarit, poetit grek të pesë shekujve para Krishtit. Me këto alegoritë, shpesh herë është bela dhe vihesh në pozitë të vështirë, pasi nuk qëllon gjithmonë në të kur rrekesh ta zbërthesh atë që e ka përdorur. Se edhe vetë Asllani pasi parashtron dëshirën e tij, shton fjalët “veç me ndryshimin e mos errësimit të asnjë vlere.” Pindari ishte aristokrat, ndaj s`ka bazë krahasimi me autorin tonë. Ai gjezdiste nga njeri sundimtar te tjetri nëpër Siçili, ku ndofta edhe merrte diçka nga lavdia e tyre, kurse Asllani është më shumë epikurian, që nuk do të duket. Ana mistike dhe ajo fetare e Pindarit, nuk kanë fare lidhje me bindjet e Asllanit, të paktën me aq sa mund të konstatojë njeriu në librin në fjalë. Gjeninë e tij lirike, Pindari më shumë e përdori për të glorifikuar në odat e tij fituesit e Lojrave Olimpike, kurse Asllani më shumë është i prirur të qortojë pa drojë ato dukuri, ata autorë, ata redaktorë, ata kritikë puthadorë dhe ato vepra që meritojnë të qortohen. Nga poeti grek, mbetet vetëm “fluturimi pindarik” me të cilin mund të krahasohet ndërtimi i këtij libri, që trajton tema sa të ndryshme në dukje, aq dhe të lidhura ngushtësisht me njera - tjetrën. Megjithatë, duhet pranuar se thënia e Pindarit se “Fjalët kanë jetë më të gjatë se faktet”, e ka tërhequr Asllan Osmanajn më shumë se çdo hamëndësim tjetër, gjatë shkruarjes së këtij libri. Po t`i hedhim një sy “Fjalorit enciklopedik letrar” të vitit 2001, me përpilues të mirënjohurin prof. Gjergj Zheji dhe kolegen e tij Natasha Xhafka, do shohim se te zëri “Kritikë letrare”, ndër të tjera thuhet: “Kritka letrare është një forcë e madhe lëvizëse e letërsisë, mjet aktiv për ngritjen e cilësisë artistike të letërsisë dhe kërkon nga letrarët, krahas vlerësimit të anëve pozitive të veprave artistike, edhe kritikë shoqërore kundrejt të metave dhe mungesave që vihen re në to.” Duke ditur rëndësinë e fjalëve, sipas Pindarit, duket se citimi i mësipërm, ka qenë dhe qëllimi i këtij autori te ky libër. Ja cilat janë tematikat e tij: paraqitja e librave, nxitimi i botimit, redaktimi dhe redaktorët, krundet e tyre, delirantët e letërsisë, elozhet e përurimeve, klubet qesharake të shkrimtarëve, bajraktarizmi i kryetarëve të tyre, “prodhimtarët” e shterpëzuar, shtrembërimet gjuhësore, përçmuesit e të tjerëve, kopracllëku në sponsorizime, krahasimet me kolosët a nobelistët, shpërndarja e padrejtë e fituesve dhe titujve, mburrja me jehonën ndërkombëtare e mediokërve etj. Por ka edhe tema të tjera që janë rreshtuar këtu si ajo kushtuar krijimtarisë së autorëve seriozë si i ndjeri Halil Haxhosaj, Sejdi Berisha, Muharrem Kurti, Ibrahim Malaj, Tahir Bezhani, Gjon Neçaj e deri tek i miri, i talentuari dhe i urti Lulzim Logu, drejtuesi i shoqatës së shkrimtarëve të rrethit dhe organizatori i papërtuar i aq e aq veprimtarive mbresëlënëse. Këtu autori ka vendosur edhe shkrime teorike, ku ata më të arrirët i janë kushtuar ecurisë së Hajkut në vendin tone dhe rolit që ka luajtur në përhapjen e tij, poeti i paharruar Milianov Kallupi. Besoj se u kujtohet një poezi e Lasgush Poradecit, ku afërsisht thotë: Redaktorët trukokallë, Redaktojnë redaktorët, Po kë redaktojnë vallë? Pra edhe kur redaktorët ishin të gjithfuqishëm, kishte ankesa ndaj tyre. Jo thjeshtë si çensorë, por kryesisht si më të pa aftë se vetë shkrimtarët. Ndërsa sot, redaktorët gati - gati janë inekzistent. Shpesh herë ata janë fantazma; u vihen vetëm emrat nëpër libra dhe kaq. Dhe kjo bëhet kur dihet se çdo libër, i cilitdo autor, ka nevojë për kontributin e tyre. Asllani thotë se edhe kur ata janë, nga ana e autorit zgjidhet ndonjë nga “…ata që nuk e njohin fare kulturën, gazetarinë, letërsinë, as gjuhësinë.” Madje, ai me të drejtë ka mendimin se “Edhe redaktorët më të kualifikuar e me përvojë në punën e përditshme e kanë domosdoshmëri, përdorimin e fjalorëve bazë, si të tillë; fjalorin e formimit të gjuhës shqipe, fjalorin drejtshkrimor, fjalorin e pastrimit të gjuhës shqipe, fjalorët shpjegues të termave të letërsisë, fjalorët teknikë e enciklopedikë e tjerë.” Por jemi larg, shumë larg nga kjo. Aq larg sa shpesh në libër, autori del nga vetja, zemërohet e revoltohet dhe gati sa nuk bërtet; “Sot një suitë “redaktorësh” po zhbëjnë deri në humnerizim librin. Sa shëmtim dhe mjerim për të tillë “redaktorë” dhe të tillë “autorë” që bashkëpunojnë.” Dhe e keqja më e madhe është kur librat e dobët që dalin nga ky bashkëpunim, u serviren nëpër tekstet shkollore, nxënësve. Pikërisht për këtë dukuri shumë të dëmshme, A. Osmanaj nuk e shmang dot ironinë, duke na sjellë krahasimet komike të disave, ndaj autorëve të librave të dobët apo vetëshpalljet: të denjë për “Nobelin”, “Homer i X zone, Migjeni i madhështisë, Fishta i Y lagjeje, Naimi i shqiptarisë” etj. Grotesku i autorit të librit që po trajtojmë, derdhet pa mëshirë te vizatimi i tablosë karnavaleske të përurimeve. Aty na shfaqen ca dashnorë të vonuar e mjeranë të letrave, që fryhen e marrin poza komike, e flasin roma për toma, shpesh pa asnjë përgatitje paraprake, për të mos thënë, pa e lexuar fare librin. Dhe ky grotesk arrin kulmin, kur autori merret posaçërisht me portretet e të ashtuquajturve kryetarë, që një zot e di se nga mbinë, dhe që kapardisen mbi ca shoqata emërmëdha, deri “Klubi i Poetëve të Globit”. Me të gjitha shqetësimet që A. Osmanaj ngre në këtë libër, ndaj të njejtin mendim, pasi më vjen keq dhe trishtohem kur shoh një indiferencë të pafalshme, qoftë dhe shtetërisht, ndaj librit. E di se ka qytete, institucione dhe shkolla, ku mungon biblioteka publike dhe librat e rinj nuk hynë në ato që janë, pasi për t`i blerë nuk ka fonde. I një mendjeje jam edhe me analizat e shkurtra por mjaft të sakta që ai u bën krijuesve që përmenda më sipër, dhe që mësë shumti i kam miq të mirë. Por si vrejtje do t`i bëja këtij autori se referencat e tij janë të kufizuara dhe ngushtuara në një zonë të caktuar, me të cilën ai është më shumë i lidhur. Natyrisht që ato shembuj që jepen janë përgjithsues dhe vlejnë për gjithë letërsinë tonë, por ndofta do të qenë më të prekshëm sikur të merrnin shembuj nga gjithë zhvillimet letrare në vend dhe që ai i njeh shumë mirë, pasi sot kontaktet janë plotësisht të mundshme. Rëndësi ka fakti se Asllan Osmanaj tregohet kudo me shqetësim qytetar e profesional të vërtetë dhe të drejtë. Dhe me qenë se e nisa me Pindarin të cilit ai shfaqte dëshirën që t`i ngjiste, le ta mbyll me një thënien e tij, nëqoftë se ndokush nuk do të pajtohet me ato që ai ngre në libër, se “Koha është aleate, shoku më i mirë i të drejtit.”
top of page
bottom of page
Comments