top of page

SHPENDI TOPOLLAJ: ELSA LILA KËNGËTARJA DINJITOZE EDHE NË DITË TË VËSHTIRA



(Rreth librit “Mirë se erdhët në Rebibbia”)

 

   Ndofta ishte në kulmin e lavdisë, plotësisht të merituar, kur mjetet e informimit në garë me njëra - tjetrën, kush do ta jepte më parë, gati sa nuk buçitën: Arrestohet në Itali këngëtarja Elsa Lila, si pjesëtare (disa siguronin se ishte kreu), e një grupi të rrezikshëm që trafikonin drogë. Vërtetë sot çfarë nuk na dëgjojnë veshët, por një vajzë engjëllore që me zërin e saj hyjnor, jo vetëm na kishte argëtuar, por dhe na kishte bërë të ndiheshim krenarë në të gjitha eventet artistike ku na kishte përfaqësuar, vështirë të besoje, se mund të merrej me këto punë. Ime bijë, soprano, qysh nga Zyrihu ku jeton, dhe që e kishte dëgjuar lajmin, më siguroi se nuk është e tillë ajo; me kulturën dhe sjelljen që ka, askush që e njeh, nuk e beson. Ka për të dalë, do ta shohësh. Sido që të jetë, mendova, dëmi është bërë; asaj i kanë prishur qetësinë, i kanë plagosur imazhin, e kanë vënë në një situatë aspak të pëlqyeshme, pa harruar se dikush e ka quajtur vrasjen e reputacionit të tjetrit, krimin më të madh. Pastaj, fatmirësisht mësuam se e kishin liruar. Por hamendjet nuk kishin të sosur, derisa disa thoshin se ka ndërhyrë qeveria jonë dhe ata nuk e dënuan. Mirëpo, ajo vetë nuk vonoi të bëjë publike sqarimet e duhura, pra të rrëfejë me anë të një libri, gjithë gabimin që u bë me të nga drejtësia e një vendi që ne e marrim si shembull në zbatimin rigoroz të ligjit, të paktën qysh nga koha e Marcus Tullius Cicero - nit (106 - 43 p.e.s). Libri titullohet “Mirë se erdhe në Rebibbia” dhe ashtu sikurse është shkruar, është mirëfilli një roman. Dhe çfarë romani. Nga ata që të përpin qysh nga faqja e parë tek e fundit. Dhe jo vetëm me të vërtetat që mbart, por me stilin e mrekullueshëm që autorja përdor, me sinqeritetin që tregon, me nivelin e lartë të dijeve, me saktësinë e përshkrimeve deri në imtësi, me gjuhën e pasur, me mjeshtërinë për t`u futur shpejt brenda karaktereve të atyre që takon, pra në psikologjinë dhe gjendjen shpirtërore të tyre, me kujtesën e admirueshme, me aftësinë dhe lehtësinë e bërjes së krahasimeve e deri me një sarkazëm për të tjerët, pa kursyer edhe ironitë për veten e saj. Me pak fjalë, edhe pse e ka librin e saj të parë, Elsa na shfaqet si shkrimtare me shumë përvojë, aq sa me bindje them se ky libër i paraqitur nga shtëpia botuese “Dudaj” në Panairin e sivjetëm të Librit, duhej rreshtuar tek arritjet e rëndësishme të letërsisë tonë. Me këtë libër, ajo aq sa vë në vend pafajsinë e saj, pra nderin qytetar, edhe pse Oriana Fallaci (1929 - 2006), ka thënë se “Ka plagë që nuk shërohen, plagë që me çdo pretekst rifillojnë të pikojnë gjak”, por edhe i shton kokës së saj të hijshme, një kurorë tjetër lavdie pas atyre këngëve që të futen drejt e në shpirt.


Elsa Lila e kishte zgjedhur Romën me mendimin se ajo kishte qenë ndër shekuj qyteti i rëndësishëm i kulturës dhe sidomos i mundësive të mëdha për muzikantët dhe atë barokun e parapëlqyer prej saj, pasi sikurse shprehet në një intervistë: “Do të ndaloj së bëri muzikë vetëm kur të vdes, muzika është jetë”. Se ja; u bë një kohë aq e gjatë dhe muzika e krijuar nga gjenitë Bach, Vivaldi apo Handel, apo dhe ajo e përpunuara nga krijimtaria e tyre, vazhdon të na japë emocione të papërsëritshme. Elsa kurrë nuk e kishte çuar ndër mend se do të zgjohej një ditë qysh pa gdhirë, nga trokitjet brutale të policëve që futen brenda si të tërbuar, deri sa dikush nga ata ulëret: “Elsa Lila, je e arrestuar…” A e dinte ai spitullaqi që i drejtonte pistoletën fare afër hundës se po terrorizonte një femër të brishtë që ashtu sikurse e parathosh emri i saj nga gjermanishtja e vjetër, ishte një fisnike e vërtetë dhe krejt e pafajshme? Pastaj, a mendonin ata se po terrorizonin edhe vajzën e saj Evitën 11 vjeçe, ende të përgjumur? Vetë Lila mendon se do të jetë ndonjë ngatërresë dhe se e vërteta do të dalë shpejt, pasi ajo “është si uji. Uji gjithmonë e gjen një të çarë në shkëmb nga ku të rrjedhë, dhe nëse nuk e gjen, e gërryen”. Dhe ajo as që e mendon se do të mbyllej në ato furriqe të ndyra të një Rome tjetër, ku do t`a mundonin dhe do t`ia shtonin trishtimin ariet e Ana Bolenës së Donixetit, me zërin e Xhudita Pastës, Madalenës së Xhiordanos, me zërin e Avelina Carreras që e pret gijotina apo Ninetës së Rosinit, te “Laraska vjedhacake” që e kishin akuzuar padrejtësisht. Ajo ecën në ato korridore ku e ndjekin vështrimet inatçore të gardianeve të cilat sipas rregullave mesjetare të burgut e zhveshin për kontroll të imtësishëm, deri ku s`thuhet, njësoj si Izabon tek Opera e Maskanjit që për ta turpëruar pas intrigave të Kornelit, e hipin lakuriq mbi kalë dhe e shetisin nëpër rrugët e qytetit ditën me diell. Dhe këtu, pra në burgun Rebibbia, ka ca rregulla të rrepta që as gladiatorët e dikurshëm nuk i kishin provuar; edhe pse e presupozuar e pafajshme, pra e pa gjykuar dhe e pa dënuar, duhet të izolohej në 41 - bis për dy javë, pasi “… ti je kapo i kapove të grupazhit”. Kjo ishte ç`ishte. Ngushticë torturuese, batanije e Luftës së parë Botërore, dyshek petashuq sterrë i zi dhe me erë të padurueshme dhe fill te koka, një vrimë për defekim, pa folur për ligëtyrën që quhej ushqim dhe nëpër mure zhgarravina gjithëfarëshe, lënë nga fatkeqë të tjerë para saj. Për higjienë vetjake apo për një copë pasqyrë të paktën, as që bëhej fjalë. Pra, i gjithë “Ky kub kaq minimalist - dekadent, (siç shkruan autorja), me afreske abstrakte bardh e zi nëpër mure, do të ishte një instalacion i denjë për t`u ekspozuar në ndonjë muze të arteve kontemporane ose në bienalen e Venecies, akoma më mirë”. Elsa e sheh se s`ka nga t`ia mbajë, veç kërkon të paktën t`i ndërrojnë dyshekun, pasi në të nuk mund të flerë, por aha… një e burgosur që quhet Nadia i thotë qysh nga vrima e derës, se ka plot pesë vjet që e ka kërkuar këtë dhe ende nuk ka marrë përgjigje. Kur ajo i ankohet gardianes, ajo ia pret: “- Dakord, princesha mbi bizele. Do të të shohim mbas dy ditësh se sa i mirë do të të duket dysheku. Kur ta shohësh me sytë e rraskapitjes, do të të duket krevat perandorak!” Veç duhet ditur se atë më shumë se këto e mundon ajo që i thotë njëra nga gratë qysh prapa derës, se televizori e ka dhënë lajmin e arrestimit të saj. Sa turp! Hajde mbushu mendjen njerëzve se ajo nuk ka bërë asgjë. E gjendur në këtë situatë dhe me njëmijë pyetje për të ardhmen e saj dhe të vajzës që e pret në shtëpi me gjyshin që një Zot e di sesi po e përballon arrestimin e së bijës, ajo vendos të bëhet e fortë. Katherine Patersoni, novelistja amerikane për fëmijë, kishte thënë se “Një gjë është të kesh frikë, e tjetër është të lejosh që frika të të përdorë si leckë”. Ajo, edhe në atë realitet absurd, do rezistonte, do dinte të ruante personalitetin e saj si njeri dhe si artiste. Dhe nis e përshtatet. Gëzohet kur edhe në atë mjedis të çuditshëm, ku nuk mungojnë disa raca e disa kombësi, ku gëlojnë kultura të ndryshme, dënime të ndryshme për vepra gjithfarësh kriminale, ku lezbiket gati - gati nuk e fshehin prirjen e tyre aspak natyrore, ku grindjet janë të pranishme, ku shpresa ka mbetur ende gjallë, ku gratë e dënuara lahen e lyhen, vishen e krihen me kujdes se do të takojnë një mashkull, qoftë ky edhe prifti i meshës, ku e burgosura lumturohet edhe me një tufë të vogël nga luledelet që kanë mbirë në oborr, Elsa vëren dhe përjeton një solidaritet, një përkrahje e ndihmë të pabesueshme, dhe derdhje lotësh kur ajo ndërron dhomën ku e kanë mbyllur. Të burgosurat nuk janë njësoj, por gjithashtu edhe gardianet nuk janë njësoj. Disa të prera, serioze e të rrepta e disa të qeshura, të afruara e shpesh edhe të gatshme për t`ua lehtësuar vështirësitë. Luçia (emri që ajo përdor atje), është simpatike, aq sa me Elsën që e thërresin përherë Lila brenda telave me gjemba, e lënë të takohen kur të ketë dalë nga burgu. Ka atje edhe një shqiptare, Majda që punon si parukiere dhe i qëndron shumë afër, si motër Elsës. Me të tillat, ajo gjen mundësinë t`i dërgojë fshehtas letra vajzës së saj, për të cilën i çahet zemra. Mark Tweini prandaj thosh me humor “Shko në Parajsë për klimë, shko në Ferr për shoqëri”. Gratë që pinë cigare, kafe elbi dhe shohin fallin në llumin e filxhanit, kanë bërë lloj - lloj krimesh, e mbi të gjitha dallojnë ato të dënuarat rëndë për drogë. Ai Bukowski i librit aq të lexuar “Femrat” një herë pati thënë se “I gjithë vendi, e gjithë bota po shkon drejt katastrofës, ndërsa ty të arrestojnë se tymos hashash”. Elsa edhe pse e sheh se po teprohet me këto dënime, nuk pajtohet me vepra të tilla. Po atë që e mbajnë këtu pa bërë asgjë, pa pasur asnjë lidhje as me shpërndarjen dhe as me përdorimin e këtyre lëndëve të ndaluara? Takon më në fund avokatin dhe ky, një goxha burrë nis nga puna për të shpejtuar marrjen e saj në pyetje nga Prokurori. Ndërkohë, ajo duke qenë më e shkolluara dhe njohësja më e mirë e gjuhës italiane, u bën llogaritë për të parë se sa kohë u ka mbetur për të shlyer dënimin të burgosurave të tjera gjysmë analfabete, shkruan kërkesa e letra për to, dhe ato e duan dhe e mbrojnë, deri edhe gruaja e fortë dhe autoritare e familjes mafioze.


Po burgu, si burgu. Shihni sesi e përshkruan atë autorja e librit: “Qeli, qeli, qeli dhe vetëm qeli. Kjo është jeta në burg, nga qelia në qeli, si minjtë nëpër biruca. Bota të zvogëlohet, nevojat të zvogëlohen, mendimet të zvogëlohen, distancat të zvogëlohen. Qielli të zvogëlohet në atë copëz që sheh nga konturi i mureve të larta të burgut”. Atje, sikurse e thotë komisari Bonavia, ka ca ligje të tjera që ne që jemi jashtë, nuk kemi se si t`i dimë. Ja dhe prokurori, njeri i arsyeshëm që pasi e dëgjon me vëmendje, mesa duket e kupton qysh në kontaktin e parë, se kjo e burgosur, nuk ka asnjë shenjë që të shpallet fajtore. Ama, kishin kaluar 55 ditë, pra një shekull i tërë në atë skëterrë të quajtur Rebibbia, të cilën nuk e beson se mund të ishte aq afër Vatikanit. Paska dy Roma! Dhe vjen një ditë kur gardiania qetë, qysh nga sporteli jep kumtin: “Përshëndetje Lila! A je gati për t`u kthyer në shtëpi?” O Zot! Deri pak më parë kujtonte Floria Toskën, Helenën e Ksenija Skacan - it në kështjellën e Seine - et Marne, ku dhe vdiq e lidhur me zinxhirë dhe tani do të ishte e lirë, ashtu si shekuj më parë në Romën e vjetër Xhulia, vestalja e bukur që e shpëtoi nga vdekja rrufeja. Kush ishte rrufeja e saj? Dhe pak më pas, pse nuk dëgjonte tinguj të tjerë veç atyre të Simfonisë së Nëntë të Beethoven - it? Po shkonte tek Evita e saj e shtrenjtë, se sa për nderin e vet, i kishte dhënë karar duke kujtuar fjalët e Friedrich Schiller - it, poetit të saj të dashur, se “Jini të fisëm në shpirt! Është zemra ajo që e ndërton dinjitetin tonë dhe jo opinionet e të tjerëve”. Dhe ajo kishte triumfuar mbi opinionet me vlerat, virtytet dhe pafajësinë e saj, sikurse e dëshmon edhe ky libër i mrekullueshëm. Dhe mua më erdhi mirë që i doli fjala vajzës time qysh atje nga Zyrihu.   

15 views0 comments

Comentários


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page