(Mbi librin e akademikut Mark Zadeja “Forca e filozofisë dhe e vërteta e shpirtit”)
Bariu i dikurshëm i kopeve të deleve nga fisi Banu Hothail dhe më pas besniku i profetit Muhamed, Abdullah ibën Mesudi, duke folur për nevojën e mendimeve të dijetarëve në zhvillimin e shoqërisë, ka thënë një herë se: “Jetojmë në kohën ku ekzistojnë shumë dijetarë, por ata që flasin janë të paktë. E do të vijë koha kur do të ekzistojnë pak dijetarë, e ata që do të flasin do të jenë të shumtë”. Dhe ndofta ajo kohë tani ka ardhur, pasi të ditur, dua të them filozofë ka pak, kurse ata që nuk pushojnë duke broçkullisur nga mëngjesi deri në darkë kotësira pa bereqet, janë të pafund. Kjo është edhe arsyeja, pse pak a shumë, mendimi i përparuar ka ngelur në vend. Filozofët tani thuajse nuk i përfill askush, deri dhe pushtetarët, kështu që detyrohen të heshtin, duke harruar atë që artikulonte Platoni se “Vendet më të nxehta në Ferr janë të rezervuara për ata që ruajnë neutralitetin e tyre në momente të një krize të madhe morale”. Shqipëria jonë e dalë me humbje nga imponimi i filozofisë marksiste - leniniste, në kushtet e demokracisë, natyrisht që e kishte të domosdoshme, një përqasje të re filozofike, por e gjendur para të panjohurës, shoqëria pësoi atë që rëndom e quajmë “krizë morale”. Rrjedhojat e kësaj krize, pas boshllëkut të krijuar, ne i ndeshim shumë shpesh dhe në shumë drejtime, deri edhe në sjelljen e të rinjve në jetën e përditëshme.
Dhe si për të mbushur sado pak këtë boshllëk, akademiku shumëplanësh shkodran Mark Zadeja, na vë në duar librin e tij “Forca e Filozofisë dhe e vërteta e Shpirtit”. Ai nuk e ndan në asnjë nga librat e tij ndikimin e filozofisë mbi shpirtin e njeriut, se tek e fundit vetëm kështu teoria mund të shndërrohet në forcë veprimi, në shpërthim energjish për të arritur së pari, pra si kushtin themelor, fitimin e lirisë që neve aq shumë na ka munguar. Ja si shprehet vetë ky autor plot pasione dhe që mendimin e tij filozofik e sheh si vazhdimësi, si derivat të trashëgimisë së filozofisë botërore ndër shekuj: “Dituria, në garantimin absolut të saj, nuk rrezikon asgjë, duke forcuar strukturën e shpirtit, dhe nëse e strukturon atë me vlera të paçmueme, ajo qëndron e pamposhtur, është e aftë, garantuese; dhe kompetencat e filozofisë bazohen, qëndrojnë më të forta duke i dhënë asaj (strukturës), vlera të larta që nuk kanë çmim”. Dhe ndofta më bukur, ai e shpreh këtë në vargje si te poezia “Lindja e Lirisë”: “Heshtje deri në vuejtje… / Askush nuk dyshoi / Sepse mungonte thënia, shkrimi. / Ajër, shpirt, akordim shkronjash… / Qiriu u ndez, tingëllim i heshtjes. / Profili im - imazh penelash,,, / Lindja e Lirisë…”. Oliver Braston, ashtu si me gjysmë shakaje ka thënë një të vërtetë të madhe: “Filozofia është logjika e zakonshme e veshur me rroba të mira”. Por, ja që pikërisht kjo ia rrit vlerat vetë filozofit, se ec e merre masën, prije saktë dhe qepe me shije kostumin e vetëm që kushdo që ta veshë, t`i rrijë sa më mirë dhe të mos ankohet. E ja pra, këtë bën edhe Marku, pas studimeve, udhëtimeve, përvojave, takimeve dhe kulturave të ndryshme ndër vite. Këtë e konstatojnë edhe reçenzentët e librin Anelore Euler dhe Albert Gjoka kur thonë: “Ky djalosh i përjetësisë së shkrimit të filozofisë dhe mendimit të saj, me pasionin e një poeti na tregon se nga shoqëritë dhe bota e tërë kemi shumë për të mësuar, dhe akoma më tepër me sinqeritrtin e tij se mishërimi me mirësinë do na drejtojnë drejt pasioneve të sinqerta dhe zbulimit të vetvetes me pashtershmërinë e shpirtit ngadhënjimtar…” Edhe më parë, sidomos nëpërmjet sentencave dhe aforizmave, Marku i ka shpërfaqur konceptimet e tij për gjithçka jeta dhe veprimtaria e njeriut përmbledh, por në këtë libër, ai ndalet edhe tek ajo që shoqëria ndër breza ka trashëguar nga Heronjt e mendimit, duke filluar qysh nga ata të lashtësisë, por që mbetën deri më sot aktualë. Ja pse Marku shprehet se gjithçka doli nga mendja e pionierëve të parë të intelektit, pra Platonit dhe Aristotelit, jo vetëm që nuk mund të përçmohen nga askush, por ato mbetën pika referimi për të gjithë studiuesit, dijetarët dhe qytetërimet e mëvonshme në përgjithësi. Ky autor na sjell në vëmendje gjithashtu veprën e ndritur të Sokratit, Demosdenit, Herodotit. Aristofanit, Tukididit, Sofokliut, Ksenofonit, Heraklitit, Pitagorës, Pindarit apo oratorëve si Alcidamas e Antifoni etj. deri tek ata të më vonshmit si Njutoni, Hobsi, Descartesi, Leibnizi, Spinoza, Locke, Hume, Kierkegardi, Lichtenbergu, Kanti, Husserli etj. Natyrisht që ai merret me momentet kryesore të jetës apo asaj që ata krijuan dhe sidomos me atë pjesë që lidhet drejpërdrejtë me gjithë sa ngjet në mjedisin tonë sot që pretendohet se kemi ndërtuar shtetin demokratik të të drejtës dhe lirisë, por që ende jemi larg saj. Kështu, duke mbetur vetëm te “Republika” e Platonit (edhe pjesa e doktrinës së përmirësuar), Marku arrin në përfundimin se “Nga kjo rrjedh se njeriu që njeh filozofin ose dijetarin o një shkencëtar duhet të ketë fuqi vendimtare në qeverisje, të cilën vetë kjo njohuri i jep të drejtën”. Po pse ndodh që sot, sikur nuk u kushtohet rëndësia e duhur mësimeve të këtyre burrave të mençur? Përgjigjja është fare e thjeshtë: për të pushtetshmin, më mirë të mbajë pranë një të paditur, e për rrjedhojë, të pa dinjitet e të bindur deri në nënshtrim, se sa një që mund të ketë mendimin se intelektual i vërtetë është ai që zbaton ato që mësonte Emmanuel Kanti i cili nga ana e tij, sipas Markut “ishte një mendimtar i ndritur, kampion i lirisë së shprehjes dhe i rolit të kritikës ndaj fuqive absolute që dominonin botën e kohës së tij, (që) nuk pushoi kurrë së propozuari zgjidhje për përmirësimin e bashkëjetesës”. Por shtetarët si Frederiku i II - të i mbiquajtur i Madhi apo si ministri i tij i Fesë dhe Arsimit Abraham Zedlitz, mbështetësa të vendosur të domosdoshmërisë së filozofisë, fatkeqsisht janë të rrallë, për të mos thënë se në Shqipëri, ata mungojnë fare. Dhe Mark Zadeja nga ana e tij, duke mos e ndarë ndikimin e filozofisë me ripërtëritjen e shpirtit njerëzor, të cilën e quan përcaktuese të Mirësisë, si një domosdoshmëri e pashmangshme e së Vërtetës, ka mendimin themelor se “Duke përshkruar rrugën me shpirtin tim, sigurisht për të qartësuar mendimin e shprehur, ndoshta edhe për të plotësuar temën qendrore të kuptimit, e shoh të nevojshme të sqaroj për bashkatdhetarët e vuajtur, objektivisht, realitetin e njohur prej të gjithëve. Duke pasur tashmë në liri guximin, i vendosur, me bindje për lirinë. Duke u bazuar me bindje te besimi, jam plotësisht i sigurt se DITURIA e popullit tim në shekuj me njerëzit e ditur që kanë dalë prej gjirit të tij, qëndron edhe pasuria e mendjeve të ndritura të këtij populli”. Dhe patjetër që dituria është si për çdo popull edhe për ne, pasuria më e madhe e cila ka qënë dhe mbetet garancia e përparimit. Por për ta bërë realitet këtë të vërtetë jetike, duhet që intelektualët së pari të mos presin Ferrin metaforik duke qëndruar neutralë në këto momente të krizës morale që shoqëria jonë po kalon. T`a thonë fjalën e tyre të mençur me guxim e kulturë, ashtu sikurse bën edhe miku ynë i virtytshëm, shkodrani atdhetar Mark Zadeja i cili te një poezi shoqëruese të këtij libri na “Premton”: Mendimi randon, / Rrëzohet, po s`flen. / Nata përsërit… Andrrim… / Rikujtesa e ndjenjës ndriçon dritën e hanës, / Belbëz, shpërndan mjegullën e natës që shkoi, / Premton, thërret fatin, merr përsipër / Besimin drejt Qiellit”. Ndofta kjo e ka nxitur edhe shenjtoren e shpallur qysh në vitin 1461 nga Papa Piusi i II - të, Katerinën e Sienës, e njohur për letrat me këshilla që u dërgonte hierarkëve të lartë të Kishës, që të thotë: “Rruga për në parajsë kalon nëpër qiell, dhe e gjithë rruga për parajsë është parajsë”. Ja pse nuk na mbetet tjetër, veçse t`i urojmë mikut tonë filozof, mbarësi në këtë udhëtim drejt “parajsës”!
Comments